BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/6 f. 14-19
  • Krijuesi mund t’i shtojë domethënie jetës sonë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Krijuesi mund t’i shtojë domethënie jetës sonë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të gjejmë përgjigjet dhe domethënien
  • Arsye për të besuar
  • Të lëmë që Krijuesi të na shtojë domethënie
  • Shtojini domethënie jetës suaj përgjithmonë
    A ka një Krijues që interesohet për ju?
  • Si erdhi universi ynë këtu?: Debati
    A ka një Krijues që interesohet për ju?
  • Ç’gjë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?
    A ka një Krijues që interesohet për ju?
  • Krijuesi ynë i madh interesohet për ne!
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/6 f. 14-19

Krijuesi mund t’i shtojë domethënie jetës sonë

«Le të lëvdojnë emrin e Zotit [Jehovait, BR], sepse ai vetë dha urdhër dhe ata u krijuan.»—PSALMI 148:5.

1, 2. (a) Cilën pyetje duhet të marrim në shqyrtim? (b) Si përfshihet krijimi në pyetjen e Isaisë?

«NUK e ke njohur ti vallë?» Kjo mund të tingëllojë si një pyetje tendencioze që i shtyn shumë veta të përgjigjen: ‘Çfarë duhet të njohim?’ Por, në fakt është një pyetje serioze. Përgjigjen mund ta kuptojmë më mirë duke vërejtur kontekstin e saj, në kapitullin 40 të librit biblik të Isaisë. Këtë libër e shkroi Isaia, një hebre i lashtësisë, kështu që pyetja është e vjetër. Gjithsesi, ajo është edhe mjaft moderne pasi lidhet me qendrën e domethënies së jetës sonë.

2 Duke qenë e kësaj rëndësie, pyetja e bërë në Isainë 40:28 meriton gjithë vëmendjen tonë: «Nuk e ke njohur ti vallë ose nuk e ke dëgjuar? Jehovai, Krijuesi i skajeve të tokës, është Perëndi në kohë të pafundme.» (BR) Prandaj, ‘njohja’ kishte të bënte me Krijuesin e tokës dhe konteksti tregon se në krijim përfshihet më shumë sesa vetëm toka. Dy vargje më sipër, Isaia shkroi në lidhje me yjet: «Ngriji sytë lart dhe shiko. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre madje edhe sipas numrit . . . Falë bollëkut të energjisë së tij dinamike, duke qenë se ai është edhe energjik në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.»—BR.

3. Edhe nëse personalisht dimë shumë rreth Krijuesit, pse duhet të dëshirojmë të dimë akoma?

3 Qartë, pyetja «nuk e ke njohur ti vallë?» bëhet faktikisht në lidhje me Krijuesin e universit tonë. Personalisht ne mund të jemi të bindur se Perëndia Jehova është «Krijuesi i skajeve të tokës». Gjithashtu, mund të dimë shumë gjëra rreth personalitetit dhe udhëve të tij. Por, ç’të themi në rastin kur takojmë një burrë ose një grua që dyshon se ka një Krijues dhe duket qartë që nuk e di se si është ai? Nuk duhet të habitemi nga kjo gjë, sepse ka miliona e miliona njerëz që nuk e njohin ose nuk besojnë në Krijuesin.—Psalmi 14:1; 53:1.

4. (a) Pse në këtë kohë është e përshtatshme të mendojmë për Krijuesin? (b) Çfarë përgjigjesh nuk mund të sigurojë shkenca?

4 Shkollat nxjerrin nga bankat e tyre shumë skeptikë që mendojnë se shkenca i ka (ose do t’i gjejë) përgjigjet për pyetjet që bëhen mbi origjinën e universit dhe të jetës. Në librin Origjina e jetës (titulli origjinal në frëngjisht: Aux Origines de la Vie) autorët Azhan dhe Lenei vërejnë: «Ende debatohet për origjinën e jetës në këtë fillim të shekullit të njëzetenjëtë. Ky problem kaq i vështirë për t’u zgjidhur kërkon hetime në çdo fushë, që nga pafundësia e hapësirës e deri në vogëlsinë e pafund të materies.» Megjithatë, në kapitullin e fundit, «Pyetja mbetet ende», autorët pranojnë: «Kemi eksploruar disa përgjigje shkencore për pyetjen: ‘Si u shfaq jeta mbi tokë?’ Por, përse u shfaq jeta? A ka jeta një qëllim? Këtyre pyetjeve shkenca nuk mund t’u përgjigjet. Ajo kërkon thjesht të gjejë se ‘si’ bëhen gjërat. ‘Si’ edhe ‘përse’ janë dy pyetje krejt të ndryshme. . . . Lidhur me pyetjen ‘përse’, përgjigjen duhet ta gjejë filozofia, feja e mbi të gjitha, secili prej nesh.»

Të gjejmë përgjigjet dhe domethënien

5. Cilët njerëz do të mund të përfitonin veçanërisht duke mësuar më shumë rreth Krijuesit?

5 Po, ne duam të kuptojmë se përse ekziston jeta dhe veçanërisht përse jemi këtu. Për më tepër, duhet të interesohemi për njerëzit që nuk kanë arritur ende në përfundimin se ka një Krijues dhe që patjetër dinë shumë pak për udhët e tij. Ose mendo për ata, formimi i të cilëve përfshin një koncept për Perëndinë shumë të ndryshëm nga ai që paraqet Bibla. Miliarda njerëz janë rritur në Lindje ose në vende të tjera ku shumica nuk e mendojnë Perëndinë si një person, një qenie reale me një personalitet tërheqës. Fjala «perëndi» mund t’u lërë atyre përshtypjen e një force të mjegullt ose të një shkaku abstrakt. Ata nuk ‘e kanë njohur Krijuesin’ ose udhët e tij. Sa shumë bekime, përfshirë edhe perspektiva të përjetshme, do të merrnin ata ose miliona të tjerë me pikëpamje të ngjashme, po të arrinin të bindeshin se Krijuesi ekziston! Mund të fitonin, gjithashtu, diçka që është vërtet e rrallë: domethënie të vërtetë, qëllim të vërtetë dhe paqe mendore në jetë.

6. Çfarë ngjashmërie ka jeta e shumë njerëzve sot me përvojën e Pol Gogenit dhe me njërën prej pikturave të tij?

6 Ta ilustrojmë: në vitin 1891, piktori francez Pol Gogen shkoi për të gjetur një jetë të kënaqshme në Polinezinë franceze, në një vend që ishte gati-gati parajsë. Por s’kaloi shumë dhe e kaluara e tij e shthurur i solli sëmundje atij vetë dhe të tjerëve. Kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, ai bëri një pikturë mbi një kanavacë të madhe, ku duket se e ‘interpretoi jetën si një mister të madh’. A e di se si e titulloi Gogeni atë pikturë? «Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë?» Mund t’i kemi dëgjuar edhe nga të tjerë këto pyetje. Shumë njerëz bëjnë pyetje të tilla. Por, nëse nuk gjejnë asnjë përgjigje të kënaqshme, asnjë domethënie të vërtetë në jetë, ku mund të shkojnë? Ata mund të nxjerrin përfundimin se jeta e tyre nuk ndryshon shumë nga ajo e kafshëve.—2. Pjetrit 2:12.a

7, 8. Pse hetimet e shkencës nuk janë të mjaftueshme në vetvete?

7 Kështu, mund ta kuptojmë se përse një njeri si profesori i fizikës Friman Dajson shkroi: «Kam të njëjtat mendime të shumë personave të respektuar, kur bëj përsëri pyetjet që bëri Jobi. Përse vuajmë? Pse bota është kaq e padrejtë? Cili është qëllimi i dhimbjeve dhe i tragjedive?» (Jobi 3:20, 21; 10:2, 18; 21:7) Siç është përmendur më parë, shumë njerëz i drejtohen për përgjigje shkencës në vend se Perëndisë. Biologët, oqeanografët e të tjerë po e shtojnë njohurinë mbi globin tonë dhe jetën në të. Duke kërkuar në një drejtim tjetër, astronomët dhe fizikanët po mësojnë gjithnjë e më shumë mbi sistemin tonë diellor, yjet e madje mbi galaktikat e largëta. (Krahaso Zanafillën 11:6.) Në cilat përfundime të arsyeshme mund të çojnë këto fakte?

8 Disa shkencëtarë flasin për «mendjen» e Perëndisë ose për «dorëshkrimin» e tij të zbuluar në univers. Por, mos vallë janë duke humbur thelbin e çështjes? Revista Science vërejti: «Kur kërkuesit thonë se shkenca e studimit të kozmosit zbulon ‘mendjen’ ose ‘dorëshkrimin’ e Perëndisë, ata i atribuojnë hyjnorit atë që në fund të fundit mund të jetë aspekti më i parëndësishëm i universit: strukturën e tij fizike.» Në fakt, fizikani dhe fituesi i çmimit Nobel, Stiven Uinberg, shkroi: «Sa më shumë të duket se e kuptojmë universin, aq më shumë na duket e pakuptueshme pse ai ekziston.»

9. Cilat dëshmi mund të na ndihmojnë ne dhe të tjerët për të mësuar rreth Krijuesit?

9 Megjithatë, ne mund të jemi mes miliona njerëzve që e kanë studiuar seriozisht këtë çështje dhe që e kuptojnë se domethënia e vërtetë në jetë lidhet me njohjen e Krijuesit. Kujto atë që shkroi apostulli Pavël: «Njerëzit nuk mund të thonë se nuk dinë gjë për Perëndinë. Që nga fillimi i botës, njerëzit mund të kuptonin se si është Perëndia me anë të gjërave që Ai ka bërë. Kjo tregon fuqinë e Tij që mbetet përgjithmonë. Tregon se Ai është Perëndia.» (Romakëve 1:20, Holy Bible, New Life Version) Po, ka fakte mbi botën tonë dhe mbi ne, të cilat mund t’i ndihmojnë njerëzit për ta njohur Krijuesin dhe për të gjetur domethënie në lidhje me të. Shqyrto tri aspekte: universin përreth nesh, origjinën e jetës dhe aftësitë tona mendore.

Arsye për të besuar

10. Pse duhet të mendojmë rreth «fillimit»? (Zanafilla 1:1; Psalmi 111:10)

10 Si erdhi në ekzistencë universi ynë? Ti mund ta dish nga raportet rreth teleskopëve të hapësirës dhe nga eksplorimi i saj se shumica e shkencëtarëve e kuptojnë që universi ynë nuk ka ekzistuar gjithnjë. Ai ka pasur një fillim dhe vazhdon të zgjerohet. Çfarë përfshin kjo? Dëgjo se çfarë tha astronomi sër Bernard Lovell: «Nëse në ndonjë moment në të kaluarën, Universi ishte më parë afër një gjendjeje karakteristike, me përmasa marramendësisht të vogla e dendësi të pakonceptueshme, ne duhet të pyesim se çfarë kishte më përpara . . . Na duhet të përballojmë problemin e një Fillimi.»

11. (a) Sa i madh është universi? (b) Çfarë sugjeron përpikmëria e universit?

11 Përbërja e universit, duke përfshirë edhe tokën tonë, pasqyron një sinkronizim të saktë mahnitës. Për shembull, dy cilësi dalluese të diellit tonë dhe të yjeve të tjera janë rendimenti afatgjatë dhe stabiliteti. Përllogaritjet aktuale të numrit të galaktikave në universin e dukshëm lëvizin nga 50 miliardë (50.000.000.000) deri në 125 miliardë galaktika. Po ashtu, galaktika jonë, Udha e Qumështit, ka miliarda e miliarda yje brenda saj. Tani shqyrto: ne e dimë se motori i një automjeti kërkon një raport të përpiktë karburant-ajër. Nëse ke makinë, ti mund të shkosh te një mekanik i specializuar për ta vënë në fazë motorin, në mënyrë që makina të ecë më shtruar, më me rendiment. Nëse një përpikmëri e tillë është e rëndësishme te një motor i thjeshtë, ç’të themi, për shembull, për diellin tonë «përvëlues» me rendiment? Qartë, forcat kryesore të përfshira janë sinkronizuar me përpikmëri, që të ekzistonte jeta mbi tokë. A ndodhi thjesht rastësisht kjo? Jobi i lashtë u pyet: «A i shpalle ti rregullat që qeverisin qiejt ose a përcaktove ligjet e natyrës mbi tokë?» (Jobi 38:33, The New English Bible) Asnjë njeri s’e ka bërë. Prandaj, nga vjen kjo përpikmëri?—Psalmi 19:1.

12. Pse nuk është e paarsyeshme të mendojmë se pas krijimit qëndron një Inteligjencë e fuqishme?

12 A mund të ketë ardhur nga diçka apo nga Dikush që sytë njerëzorë nuk mund ta shohin? Shqyrtoje këtë pyetje duke marrë parasysh shkencën moderne. Shumica e astronomëve tani e pranojnë se ekzistojnë trupa shumë të fuqishëm qiellorë, të quajtur vrima të zeza. Këto vrima të zeza nuk mund të shihen, e megjithatë ekspertët janë të bindur se ato ekzistojnë. Në mënyrë të ngjashme, Bibla raporton se në një sferë tjetër ekzistojnë krijesa të fuqishme që nuk mund të shihen, krijesa frymore. Nëse këto qenie të fuqishme e të padukshme ekzistojnë, a nuk është e logjikshme që përpikmëria e zbuluar kudo në univers ta ketë pasur origjinën nga një Inteligjencë e fuqishme?—Nehemia 9:6.

13, 14. (a) Çfarë ka përcaktuar faktikisht shkenca lidhur me origjinën e jetës? (b) Çfarë tregon qartë ekzistenca e jetës mbi tokë?

13 Një linjë e dytë dëshmish që mund t’i ndihmojë njerëzit të pranojnë ekzistencën e Krijuesit ka të bëjë me origjinën e jetës. Që nga koha e eksperimenteve të Lui Pastërit, është pranuar se jeta nuk vjen në ekzistencë nga hiçi me anë të lindjes spontane. Prandaj, si filloi jeta tokësore? Në vitet 50, shkencëtarët u përpoqën të provonin se jeta mbi tokë mund të ishte zhvilluar dalëngadalë në ndonjë oqean të hershëm, kur një atmosferë primitive përshkohej vazhdimisht nga shkarkime elektrike. Megjithatë, dëshmitë më të fundit tregojnë se një origjinë e tillë e jetës tokësore është e pamundur, sepse kjo lloj atmosfere nuk ka ekzistuar kurrë. Për pasojë, disa shkencëtarë po kërkojnë një shpjegim me më pak çalime. Por, mos vallë edhe ata po e humbin thelbin e çështjes?

14 Pasi kaloi dekada duke studiuar universin dhe jetën në të, shkencëtari britanik, sër Fred Hoil, komentoi: «Në vend që të pranojmë probabilitetin tmerrësisht të vogël se jeta ka lindur nëpërmjet forcave të verbra të natyrës, u duk më e mirë të supozojmë se origjina e jetës ishte një akt i qëllimshëm intelektual.» Po, sa më shumë të mësojmë mbi mrekullitë e jetës, aq më logjike është se ajo ka ardhur nga një Burim inteligjent.—Jobi, 33:4, Psalmi 8:3, 4; 36:9; Veprat 17:28.

15. Pse mund të thuhet se jemi unikë?

15 Kështu, linja e parë e arsyetimit ka të bëjë me universin dhe e dyta me origjinën e jetës mbi tokë. Vër re një linjë të tretë, faktin që jemi unikë. Në shumë aspekte të gjithë njerëzit janë unikë, gjë që do të thotë se çdonjëri prej nesh është unik. Si ka mundësi? Mbase ke dëgjuar se truri është krahasuar me një kompjuter të fuqishëm. Por, në të vërtetë, zbulimet më të fundit tregojnë se ky krahasim ka shumë mangësi. Një shkencëtar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, tha: «Kompjuterët e sotëm nuk i afrohen as një fëmije 4-vjeçar në aftësinë e tyre për të parë, për të folur, për të lëvizur ose për të përdorur gjykim. . . . Është përllogaritur se edhe kapaciteti i përpunimit të informacionit i superkompjuterit më të fuqishëm është i barabartë me sistemin nervor të një kërmilli, një fraksion shumë i vogël i fuqisë që është në dispozicion të superkompjuterit brenda kafkës [sonë].»

16. Çfarë tregon aftësia gjuhësore që kemi?

16 Gjuha është një nga aftësitë që e kemi për shkak të trurit. Disa njerëz flasin dy, tri ose më shumë gjuhë, e megjithatë edhe aftësia për të folur një gjuhë të vetme na bën unikë. (Isaia 36:11; Veprat 21:37-40) Profesorët R. S. dhe D. H. Fauts pyetën: «A është vetëm njeriu . . . i aftë për të komunikuar me anë të gjuhës? . . . Të gjitha kafshët më të larta sigurisht që komunikojnë me . . . gjestet, erërat, thirrjet, ulërimat, këngët e madje me vallëzim si bletët. Megjithatë, ndryshe nga njeriu, kafshët nuk duket se kanë gjuhë me strukturë gramatikore. Gjithashtu, kafshët nuk bëjnë piktura artistike, gjë që mund të ishte shumë domethënëse. Më e shumta që mund të bëjnë ato, janë shkarravinat.» Vërtet, vetëm njerëzit mund ta përdorin trurin për të folur një gjuhë dhe për të bërë piktura domethënëse.—Krahaso Isainë 8:1; 30:8; Luka 1:3.

17. Çfarë dallimi themelor ka mes një kafshe që shihet në pasqyrë dhe një njeriu që bën po këtë gjë?

17 Për më tepër, ne kemi një ndjenjë vetëdijeje, jemi të vetëdijshëm për vetveten. (Fjalët e urta [Proverbat] 14:10) A ke parë ndonjë zog, qen ose mace kur shihet në pasqyrë e pastaj fillon të çukitë, të hungërojë ose të sulmojë? Ato mendojnë se shohin një kafshë tjetër, duke mos e njohur veten në pasqyrë. Në kontrast, kur shihemi në pasqyrë ne e dimë se ai që pasqyrohet jemi ne vetë. (Jakovit 1:23, 24) Mund të kontrollojmë pamjen tonë të jashtme ose të mendojmë se si do të dukemi pas disa vitesh. Kafshët nuk e bëjnë këtë. Tamam, truri na bën unikë. Kujt i shkon merita për këtë? Si ndodhi që u krijua truri, nëse nuk do të ishte nga Perëndia?

18. Cilat aftësi mendore na ndajnë nga kafshët?

18 Truri na lejon edhe të vlerësojmë artin e muzikën, si edhe të kemi vlera morale. (Eksodi 15:20; Gjykatësit 11:34; 1. Mbretërve 6:1, 29-35; Mateu 11:16, 17) Pse ne jemi të pajisur me këto veti dhe kafshët jo? Ato e përdorin trurin për t’u kujdesur vetëm për nevojat e menjëhershme, për të marrë ushqimin, për të gjetur partnerin ose për të bërë folenë. Vetëm njerëzit mendojnë përtej afatit të shkurtër. Disa madje mendojnë se si do të ndikojnë veprimet e tyre mbi ambientin ose mbi pasardhësit, në të ardhmen e largët. Pse? Predikuesi 3:11 thotë për njerëzit: «[Krijuesi] ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre.» Po, aftësia jonë për të shqyrtuar domethënien e kohës së pafundme ose për të imagjinuar jetën e përhershme është e veçantë.

Të lëmë që Krijuesi të na shtojë domethënie

19. Çfarë linje arsyetimi tri-pjesëshe mund të përdorim për të ndihmuar të tjerët që të mendojnë rreth Krijuesit?

19 Kemi prekur shkurtimisht vetëm tri aspekte: përpikmërinë e pasqyruar në universin e paanë, origjinën e jetës mbi tokë dhe faktin e pamohueshëm se truri njerëzor është unik me kapacitetet e tij të ndryshme. Çfarë tregojnë qartë këto tri aspekte? Ja një linjë arsyetimi që mund ta përdorim për të ndihmuar të tjerët që të arrijnë në një përfundim. Së pari, mund të pyesim: A kishte një fillim universi? Shumica do të pranonin se ka pasur një fillim. Më pas vjen pyetja: A ndodhi pa shkak ky fillim apo u shkaktua? Shumica e njerëzve pranojnë se fillimi i universit u shkaktua. Kjo çon në pyetjen e fundit: A u shkaktua fillimi nga diçka e përjetshme apo nga Dikush i përjetshëm? Pasi këto çështje janë paraqitur me qartësi dhe logjikë, shumë mund të arrijnë në përfundimin: Duhet të ketë një Krijues! Duke qenë kështu, a nuk duhet të jetë e mundur që jeta të ketë domethënie?

20, 21. Pse njohja e Krijuesit është thelbësore që të kemi domethënie në jetë?

20 E gjithë ekzistenca jonë, duke përfshirë edhe vlerat morale, si edhe moralin në vetvete, duhet të jetë e lidhur me Krijuesin. Dr. Rollo Mei një herë shkroi: «E vetmja bazë e përshtatshme për të ndërtuar moralin është ajo që zë fill me domethënien themelore të jetës.» Ku duhet gjetur ajo? Ai vazhdoi: «Baza themelore për ndërtim është karakteri i Perëndisë. Parimet e Perëndisë janë parimet që gjenden në bazën e jetës, që nga fillimi i krijimit e deri në fund.»

21 Atëherë, mund ta kuptojmë mirë se përse psalmisti po shfaqte përulësi dhe mençuri kur iu lut Krijuesit: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim.» (Psalmi 25:4, 5) Dora-dorës që e njihte më mirë Krijuesin, jeta e psalmistit patjetër që do të ketë pasur më shumë domethënie, qëllim dhe drejtim. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për secilin prej nesh.—Eksodi 33:13.

22. Çfarë përfshihet në njohjen e udhëve të Krijuesit?

22 Të njohim «udhët» e Krijuesit përfshin të njohim edhe më mirë se si është ai, duke njohur personalitetin dhe udhët e tij. Por, meqë Krijuesi është i padukshëm dhe me një fuqi mahnitëse, si mund të arrijmë ta njohim më mirë? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këtë pyetje.

[Shënimi]

a Duke nxjerrë përvoja nga kampet naziste të përqendrimit, dr. Viktor E. Frankl përfundoi: «Kërkimi i njeriut për domethënie është forcë kryesore shtytëse në jetën e tij dhe jo një ‘justifikim dytësor’ i nxitjeve instinktive», siç i kanë kafshët. Ai shtoi se dekada pas Luftës II Botërore, një sondazh i bërë në Francë «tregoi se 89% e njerëzve të anketuar pranuan që njeriu ka nevojë për ‘diçka’, për hir të së cilës të jetojë».

Si do të përgjigjesh?

◻ Përse na nevojitet të shkojmë përtej marrjes së informacioneve shkencore rreth universit tonë?

◻ Kur ndihmojmë të tjerët që të mendojnë rreth Krijuesit, çfarë mund të nxjerrim në pah?

◻ Pse njohja e Krijuesit është një çelës për të pasur domethënie të kënaqshme në jetë?

[Diagrami dhe figura në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Çfarë përfundimi nxjerr?

Universi ynë

↓ ↓

Nuk ka Ka pasur

pasur fillim fillim

↓ ↓

Pa shkak U shkaktua

↓ ↓

Nga DIÇKA Nga DIKUSH

e përjetshme i përjetshëm

[Figura në faqen 15]

Pafundësia dhe përpikmëria që shfaqen në univers i kanë bërë shumë veta të mendojnë rreth Krijuesit

[Burimi]

Faqet 15 dhe 18: Xhef Hester (Universiteti i shtetit të Arizonës) dhe NASA

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo