BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/98 f. 15-18
  • Liqeni Viktoria: Deti i brendshëm i madh i Afrikës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Liqeni Viktoria: Deti i brendshëm i madh i Afrikës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një burim i Nilit
  • Jeta në liqen
  • Fauna ujore
  • Ujëra të trazuara
  • Bajkali—Liqeni më i thellë në botë
    Zgjohuni!—2007
  • Liqen rozë?!
    Zgjohuni!—2005
  • Xhevahiret e liqenit më të madh të Amerikës Qendrore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Çfarë është liqeni i zjarrit? A është i njëjtë me ferrin ose Gehenën?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 12/98 f. 15-18

Liqeni Viktoria: Deti i brendshëm i madh i Afrikës

Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Kenia

THELLË në zemrën e Afrikës, në vitin 1858, një anglez i vetmuar çapitej përmes një toke të egër e të paeksploruar. Duke udhëtuar vetëm me një grusht hamenjsh afrikanë dhe i rënduar nga sëmundjet, sfilitja dhe pasiguria, ai i nxiti njerëzit e tij të vazhdonin përpara. Xhon Haning Spik ishte në kërkim të një çmimi të vështirë për t’u arritur, burimin e Nilit.

I nxitur nga historitë për një masë të brendshme të madhe uji që tregtarët arabë të skllevërve e quanin Ukereve, Spik çante rrugën përmes shkurreve që dukej sikur s’kishin të mbaruar. Më në fund, pas 25 ditësh marshimi, grupi i vogël i udhëtarëve u shpërblye me një pamje madhështore. Atje, përpara tyre, me një shtrirje aq sa mund të kapte syri, gjendej një det i brendshëm i paanë me ujë të ëmbël. Spik më vonë shkroi: «Nuk më mbeti më asnjë dyshim se nga liqeni që gjendej nën këmbët e mia kishte lindur ai lumë interesant, burimi i të cilit kishte qenë shkaku i kaq shumë spekulimeve dhe objekti i kaq shumë eksploruesve.» Ai ia vuri emrin zbulimit të tij për nder të mbretëreshës së atëhershme të Anglisë, Viktoria.

Një burim i Nilit

Sot liqeni, i cili mban ende atë emër, është i njohur si liqeni i dytë më i madh në botë me ujë të ëmbël. Vetëm Liqeni i Sipërm, në Amerikën e Veriut, është më i madh në përmasa. Si një pasqyrë gjigande që ndrit nën diellin ekuatorial, sipërfaqja e qelqtë e Liqenit Viktoria zë një hapësirë prej 69.484 km katrorë. I përshkuar nga ekuatori në skajin verior dhe mes krahëve lindorë e perëndimorë të Luginës Great Rift, shtrihet në pjesën më të madhe në Tanzani e në Ugandë dhe kufizohet me Kenian.

Hyrja kryesore e liqenit është lumi Kagera në Tanzani, i cili i mbledh ujërat e tij nga malet e Ruandës. Megjithatë, pjesa më e madhe e ujit që derdhet në Viktoria vjen nga shirat që mblidhen në zonën ujëmbledhëse rrethuese gjigante, e cila zë mbi 200.000 km katrorë të sipërfaqes së tokës. E vetmja dalje e liqenit është në Jinja të Ugandës. Në këtë pikë uji rrjedh në drejtim të veriut dhe krijon Nilin e Bardhë. Edhe pse Liqeni Viktoria nuk është i vetmi burim i lumit Nil, ai shërben si një rezervuar i madh që mban një rrjedhje konstante me ujë të ëmbël dhe mbështet jetën përgjatë gjithë Egjiptit.

Jeta në liqen

Një kanoe me vela, rrëshqet mbi sipërfaqen e liqenit me velën e saj të bardhë që i ngjan krahut të ngritur të një fluture. E shtyrë nga erërat e përditshme që vijnë nga toka përreth liqenit, varka e vogël del me shpejtësi në zemër të liqenit. Nga mesdita, era ndryshon dhe e shtyn atë përsëri në vendin nga vjen. Kjo rutinë është përsëritur për mijëra vjet nga peshkatarët e liqenit.

Fshatra dhe katunde të vegjël, me çatitë e tyre kafe prej kallami, qarkojnë ujrat e Viktorias. Për fshatarët e Nilit, peshku është ushqim bazë dhe ata mbështeten te liqeni për të siguruar ushqimin e përditshëm. Dita e një peshkatari nis para se të lindë dielli. Burrat heqin ujin nga kanoet e tyre të shpuara dhe nisen përmes ujit të mbuluar nga mjegulla. Duke kënduar në kor, ata vozitin drejt ujërave më të thella dhe ngrenë lart velat e tyre të grisura. Gratë shohin nga bregu ndërsa varkat e vogla zhduken në horizont. Ato largohen shpejt, pasi kanë shumë punë për të bërë.

Ndërsa, fëmijët llapashiten dhe luajnë në cekëtinë, gratë lajnë rrobat dhe nxjerrin ujë të pijshëm nga liqeni. Më në fund, puna e tyre në buzë liqenit ka mbaruar. Me enët prej balte të mbushura me ujë, të drejtëpeshuara me delikatesë mbi kokë, foshnjat e lidhura në shpinë dhe duke mbajtur me të dyja duart kanistrat me rrobat e lara, gratë shkojnë dalëngadalë për në shtëpi. Atje ato kujdesen për bahçet me misër dhe groshë, mbledhin dru për zjarr dhe meremetojnë shtëpitë prej dheu me një përzierje hiri dhe bajga lopësh. Përgjatë bregdetit, gratë thurin me mjeshtëri fijet e kërpit për të bërë litarë të fortë dhe kanistra shumë të bukura. Goditjet e sëpatës kumbojnë në ajër, ndërsa disa burra gërryejnë një trung të madh për të bërë një kanoe.

Ndërsa dita ngryset, sytë e grave ngulen përsëri në drejtim të detit të madh me ujë të ëmbël. Majat e velave të bardha në horizont do të lajmërojnë kthimin e burrave. Ato mezi e presin këtë dhe janë të paduruara për të parë burrat e tyre dhe peshkun që ata do të sjellin.

Gjatë gjithë brigjeve të liqenit dhe ishujve, këto komunitete të vogla janë duke pritur vizitorë që sjellin një mesazh paqeje. Me këmbë dhe me kanoe është arritur çdo fshat dhe katund i vogël. Njerëzit janë të përulur dhe të paduruar për të dëgjuar. Ata ngazëllohen veçanërisht kur lexojnë literaturë biblike të shtypur në gjuhën e tyre nilotike dhe bantu.

Fauna ujore

Liqeni i Viktorias mban me ushqim rreth 400 lloje peshqish, disa prej të cilave nuk gjenden në asnjë vend tjetër në botë. Më i përhapuri është një lloj i quajtur çiklid. Ky peshk i vogël gjithë ngjyra ka emra përshkrues të tillë, si: kurrizflakë, rozë e ndezur dhe gojëbretkosë Kisumu. Disa çiklide kanë një mënyrë të çuditshme për të mbrojtur të vegjlit e tyre. Kur shfaqet rreziku, peshku prind hap fort gojën dhe i vogli i tij turret për t’u mbrojtur në zgavrën e hapur. Pasi kalon rreziku, ai vetëm sa i pështyn nga goja prapë dhe ata rifillojnë aktivitetin e tyre normal.

Liqeni Viktoria është një shtëpi për zogj uji të mahnitshëm dhe të larmishëm. Norët, karabullakët dhe ahinga rufa kridhen në ujë dhe me shkathtësi qëllojnë peshkun me sqepin e tyre të mprehtë. Krillat, çafkat, lejlekët dhe spatulat ecin në cekëtira, duke u ndalur pa lëvizur me një këmbë gjysmë të ngritur, duke pritur me durim për ndonjë peshk mosdyshues që të notojë brenda zonës. Në qiell, tufa pelikanësh udhëtojnë si avionë barkgjerë pa motorë. Kur notojnë në grupe, ata rrethojnë tufa peshqish dhe pastaj i përlajnë me sqepat e tyre shumë të mëdhenj si shporta. Supremacia e qiejve i përket shqiponjës së peshkut, me krahët e saj të fortë. Duke u nisur nga dega e një peme lart mbi ujë, lëshohet poshtë në një zbritje të fuqishme. Era fërshëllen nëpër krahët e saj të tendosur dhe në mënyrë të pamundimshme ajo mbërthen një peshk nga sipërfaqja e liqenit. Zogj endës me gjyra të shndritshme ngrenë fole në dendurinë e kallameve të papirusit që rrethojnë liqenin dhe e thirrura vajtuese e sqepbririt mund të dëgjohet tej në bregun e pyjeve të akacies.

Gjatë orëve të mëngjesit dhe të mbrëmjes, hungërimat bas të thellë të hipopotamëve oshtijnë mbi liqenin e qetë. Andej nga mesdita ata flenë përgjatë bregut të lumit, ngjashëm poplave gri të lëmuara, gjysmë të zhytura në cekëtinë. Njerëzit e liqenit janë gjithmonë të kujdesshëm ndaj krokodilëve të rrezikshëm të Nilit. Një pakicë e këtyre zvarranikëve të frikshëm jetojnë akoma në skajet më të largëta të Liqenit Viktoria, edhe pse shumica e tyre është eleminuar nga njeriu.

Ujëra të trazuara

Popullësia e Afrikës është shtuar jashtë mase që nga ditët kur Xhon Spek pa në fillim Viktorian. Brenda kufijve të bregut të liqenit jetojnë mbi 30 milionë njerëz, të cilët për të jetuar varen pikërisht nga ujërat e saj të ëmbla. Në të kaluarën peshkatarët e vendit mbështeteshin në metodat tradicionale të peshkimit. Të pajisur me leqe peshqish të endura, rrjeta papirusi, grepa dhe shtiza, ata kapnin atë që u nevojitej. Sot, me futjen në përdorim të barkave të peshkimit dhe rrjetave vertikale prej najloni, të cilat mund të hapen për distanca të mëdha e që zënë tonelata me peshq në ujërat e thella, mbipeshkimi kërcënon ekologjinë e liqenit.

Futja e llojeve të peshkut të huaj, ka shkaktuar një çekuilibër ekologjik që ka penguar peshkimin vendas. Problemeve të liqenit u shtohet dhe zymbyli i ujit, një bar i keq pluskues që prodhon një lule të purpurt shumë të bukur. I futur nga Amerika e Jugut, ky bar rritet kaq shpejt, sa që ka bllokuar dhe u ka zënë frymën zonave të mëdha të brigjeve të liqenit dhe hyrjeve, duke penguar hyrjen në plazhe dhe skela të barkave të transportit, të trageteve të pasagjerëve dhe të kanoeve të peshkatarëve vendas. Shpyllëzimi i zonës ujëmbledhëse të liqenit, derdhja e ujërave të zeza dhe industrializimi, e ka vënë në dyshim të ardhmen e liqenit.

A do të mbijetojë liqeni Viktoria? Kjo pyetje është rrahur shpesh dhe asnjë njeri nuk e di me siguri se si do të zgjidhen problemet e saj të shumta. Megjithatë, Liqeni Viktoria është një tipar natyror që ka të ngjarë se do të vazhdojë të jetë mbi tokë për një kohë të gjatë pasi Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë ata që ‘po shkatërrojnë dheun’. (Zbulesa 11:18) Pastaj, njerëzimi do të mund të soditë gjithmonë bukurinë e detit të brendshëm të madh të Afrikës.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Peshku që po gëlltit liqenin

Është i rrëshqitshëm, ka një oreks tepër të madh, shumëzohet shpejt dhe rritet deri në 1,82 m gjatësi. Ç’është ky? Lates niloticus! I njohur gjerësisht si sharrmaku i Nilit, ky peshk shumë i madh grabitqar që është futur në liqenin Viktoria në vitet 50, ka rezultuar të jetë një katastrofë ekologjike. Brenda 40 vjetëve ka arritur të përlajë afërsisht gjysmën e 400 llojeve të peshkut vendas të liqenit. Kjo shfarosje në masë ka kërcënuar burimin e ushqimit të miliona vendasve, të cilët për të ushqyer familjet e tyre i mbajnë shpresat te tilapia e vogël, çiklidët dhe peshqit e tjerë të vendit. Këta peshq të vegjël janë, gjithashtu, përgjegjës për shëndetin e liqenit. Disa prej tyre ushqehen me kërmij që shkaktojnë sëmundjen e frikshme të bilharzisë, duke ndihmuar kështu mbajtjen e sëmundjes nën kontroll. Të tjerë hanë alga dhe bimë të tjera ujore që tani po rriten pa kontroll. Kjo rritje e pakontrolluar ka prodhuar një gjendje të quajtur eutrofikim, në të cilën kalbja e bimësisë me rrënjë shkakton shterimin e oksigjenit në ujë. Me më pak peshq të vendit që pastrojnë këtë çrregullim, «rajonet e vdekura», zonat e ujit pa oksigjen janë rritur, duke vrarë akoma më shumë peshq. Duke pasur pak peshk për të ngrënë, sharramaku gjithmonë i uritur i Nilit, i është kthyer një burimi të ri ushqimi: të vegjëlve të tij! Peshku që gëlltiste liqenin tani rrezikon të gëlltitë veten!

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UGANDA

KENIA

TANZANIA

LIQENI VIKTORIA

[Figura në faqen 15]

Duke dëshmuar në brigjet e Liqenit Viktoria

[Figura në faqen 16]

Zogu endës

[Figura në faqet 16, 17]

Pelikanët

[Figura në faqen 17]

Çafka e bardhë

[Figura në faqet 16, 17]

Krokodili i Nilit

[Figura në faqet 16, 17]

Çafka duke qëndruar mbi hipopotam

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo