BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 9/98 f. 20-22
  • Si mund të fitoj ca para?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si mund të fitoj ca para?
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Fillimi
  • Kërkesa për një punë
  • Të punosh për veten
  • Mbaj drejtpeshimin!
  • Si të bëj ca para?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Si mund të gjej (dhe të ruaj) një vend pune?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
  • Pesë hapa kryesorë për të gjetur punë
    Zgjohuni!—2005
Zgjohuni!—1998
g 9/98 f. 20-22

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund të fitoj ca para?

«Dua të kem një punë që më sjell para të mjaftueshme.»—Tanja.

SHUMË të rinj kanë ndjenja si të Tanjës. «Dua të kem para që të blej një makinë dhe të kem mundësi të dal e të blej rroba,—thotë një i ri me emrin Serzho.—Nuk dua të jem i varur nga prindërit e mi për çdo gjë.» Loriana e re ka një arsye të ngjashme për të punuar. «Jam vajzë dhe më pëlqen të bëj pazar»,—thotë ajo.

Nuk habitemi, pra, që sipas revistës U.S.News & World Report, «3 në 4 nxënës në vitin e parafundit dhe maturantë në shkollat e mesme [në SHBA] tani shkojnë të punojnë pas shkollës dhe në fundjavë». Në njëfarë mase, kjo pasqyron «dashurinë për para» të çekuilibruar, e cila është kaq mbizotëruese në botën e sotme materialiste. (1. Timoteut 6:10) Sidoqoftë, jo të gjithë të rinjtë në kërkim të të ardhurave po dorëzohen ndaj grackës së materializmit.

«Paraja është për një mbrojtje»,—thotë Bibla. (Predikuesi 7:12, BR) E mund të ketë një numër arsyesh legjitime se përse, si një i ri i krishterë, ti mund të dëshirosh të kesh ca para.a I riu Avien, për shembull, shpjegon se përse punon dy ditë në javë: «Më lejon të mbështes veten si pionier i rregullt [ungjillëzues në kohë të plotë].»

Arsyet e tua për të pasur një punë gjysmëditore mund të jenë të ngjashme. Ndoshta ke synimin për të marrë pjesë në një kongres të krishterë. Ose mbase të duhen ca rroba më shumë që do të ishin të përshtatshme për t’u veshur në mbledhjet e kongregacionit. Në çdo rast, këto gjëra kërkojnë para. Patjetër që Jezui premtoi se Perëndia do të siguronte për ata ‘që kërkonin së pari Mbretërinë e Perëndisë’. (Mateu 6:33, BR) Por kjo gjë nuk përjashton faktin që ti të marrësh njëfarë iniciative në këtë aspekt. (Krahaso Veprat 18:1-3.) Cilat janë, pra, disa hapa praktikë që mund të marrësh nëse të duhen ca para?

Fillimi

Duke supozuar se prindërit e tu janë dakord që të fillosh një punë, hapi i parë mund të jetë t’u afrohesh fqinjëve, mësuesve dhe të afërmve dhe t’u bësh të ditur se po kërkon punë. Nëse je i turpshëm dhe nuk i pyet dot drejtpërdrejt, mund t’i pyesësh thjesht se çfarë pune kishin bërë ata kur ishin adoleshentë. Ata mund të të japin disa ide të dobishme. Sa më shumë njerëz ta dinë se po kërkon punë, aq më shumë informacione dhe referime do të marrësh.

Pastaj, provo të shohësh reklamat për punë në gazeta dhe stendat e informacionit nëpër dyqane, në shkollë dhe në zona të tjera publike. «Kështu gjeta punë unë,—thotë një i ri me emrin Dejv.—E pashë në gazetë kërkesën, u dërgova një biografi me faks dhe i mora në telefon.» Por, a e keni vënë re ndoshta se shumë punëve nuk u bëhet një reklamim? Sipas revistës Seventeen, disa përllogaritin se «deri në tre nga dhjetë punë nuk ekzistojnë derisa të vijë personi i duhur për to». Ndoshta, ti mund ta bindësh një punëdhënës se ai duhet të gjejë një punë për ty.

Por si? ‘Unë nuk kam përvojë’,—mund të mendosh. Mirë, pra, mendohu prapë. A je kujdesur ndonjëherë për vëllain ose motrën më të vogël kur prindërit nuk ishin në shtëpi apo ke mbajtur fëmijët e të tjerëve? Kjo tregon se je një person i përgjegjshëm. A e ke ndihmuar babain që të rregullojë makinën? Kjo tregon se mund të kesh aftësi mekanike. A di të shtypësh me makinë shkrimi ose të përdorësh një kompjuter? Ose a ke marrë nota të mira për ndonjë projekt novator? Këto janë pika të mira bindëse për punëdhënësit e mundshëm.

Mos i nënvlerëso hobit dhe interesat e tua. Për shembull, nëse i bie një instrumenti muzikor, provo nëse ka një vend të hapur në një dyqan muzikor. Sigurisht që ti je i interesuar në produktet e dyqanit dhe patjetër që do të jesh i aftë t’u përgjigjesh pyetjeve të klientëve.

Kërkesa për një punë

Supozo që ke lënë takim për një intervistë pune. Kushtoji vëmendje veshjes dhe krehjes, pasi pamja jote e jashtme përçon një mesazh te të tjerët. Mesazhi mund të jetë: «i përgjegjshëm, i rregullt, i organizuar» ose thjesht e kundërta. Bibla është praktike kur i inkurajon gratë e krishtere «të stolisen me veshje të rregulluara mirë, me modesti dhe mendje të shëndoshë». (1. Timoteut 2:9, BR) Kjo gjë zbatohet edhe për burrat. Mos vish asnjëherë rroba sipas trilleve ose dosido në një intervistë pune, pavarësisht nga lloji i punës që kërkon.

Edhe qëndrimi dhe edukata jote thonë shumë për ty. Praktiko Rregullën e Artë: trajtoji të tjerët siç dëshiron të jesh i trajtuar ti. (Mateu 7:12) Ji i përpiktë për takimin që ke lënë. Ji entuziast dhe i vëmendshëm. Përdor edukatë. Pa u mburrur ose ekzagjeruar, shpjego se përse mendon që je i kualifikuar për atë vend pune. Ji specifik.

Disa specialistë rekomandojnë që të kesh me vete (ose ta dërgosh më përpara) një biografi të pastër e të rregullt. Aty duhet të përfshihet emri yt, adresa, numri i telefonit, objektivi i punësimit, arsimimi (duke përfshirë edhe ndonjë kurs të veçantë që ke bërë), përvojat e mëparshme të punës (duke përfshirë si punën me pagesë, ashtu edhe punën vullnetare), aftësitë e veçanta, interesat dhe hobit personale (këto mund të hedhin dritë mbi aftësitë e tua) dhe një shënim se, nëse kërkohen, ke në dispozicion rekomandime. Mund të përgatitësh edhe një fletë të ndarë, duke radhitur emrat, adresat dhe numrat e telefonit të disa individëve që mund të të rekomandonin për punën. Por, sigurohu patjetër që të kërkosh lejen e tyre që më përpara. Këtu mund të përfshihen ish-punëdhënësit, një mësues, mësuesi kujdestar, një mik më i rritur, me një fjalë kushdo që mund të dëshmojë për aftësitë, kapacitetin ose tiparet e personalitetit tënd.

Të punosh për veten

Po sikur, me gjithë përpjekjet e tua më të mira, të mos arrish të gjesh punë? Kjo është e zakonshme në shumë vende. Por, mos u dëshpëro. Ky mund të jetë një rast shumë i mirë që të fillosh një punë tënden. Përparësitë? Ke mundësi të bësh programin tënd dhe të punosh aq shumë ose aq pak sa dëshiron. Sigurisht, të jesh i punësuar nga vetvetja kërkon që të kesh një motivim të brendshëm, të jesh i disiplinuar dhe i gatshëm për të marrë iniciativën.

Por, çfarë lloj pune mund të fillosh? Mendo për lagjen tënde. Ndoshta ka nevojë për shërbime ose të mira materiale që nuk po i siguron asnjë tjetër? Për shembull, supozo që ti i do shumë kafshët. Mund të ofrohesh për të larë ose për të pastruar kafshët shtëpiake të fqinjëve për një pagesë. Ose ndoshta i bie një instrumenti muzikor. A mundesh ndoshta t’u mësosh të tjerëve t’i bien këtij instrumenti? Ose mbase është çështja për të bërë punë që të tjerët shpesh i përçmojnë, si larja e dritareve ose pastrimi. Një i krishterë nuk vihet në siklet nga fakti që punon me duart e tij. (Efesianëve 4:28) Mund edhe të provosh të mësosh një zanat të ri. Kërko në biblioteka për libra mbi zanate të ndryshme ose kërkoji një miku të të mësojë. I riu Xhoshua, për shembull, mori mësime kaligrafie. Pastaj, filloi një biznes të vogël, duke pikturuar ftesa për martesa dhe për festa.—Shiko kutinë «Punë që mund të krijosh».

Një fjalë për të paralajmëruar: Mos i hyr ndonjë ndërmarrjeje para se të shqyrtosh të gjitha shpenzimet dhe faktorët që përfshihen. (Luka 14:28-30) Së pari, fol për të me prindërit e tu. Gjithashtu, fol me të tjerët që kanë bërë punë të ngjashme. A do të të kërkohet të paguash taksa? Do të të duhet të marrësh licensë ose leje? Kontakto me autoritetet lokale për hollësi të mëtejshme.—Romakëve 13:1-7.

Mbaj drejtpeshimin!

Sigurisht, ekziston edhe rreziku që të marrësh përsipër më shumë sesa mund të bësh. Loriana tha për disa të rinj të punësuar: «Ata nuk i bëjnë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe janë tepër të lodhur për të pasur vëmendjen në klasë.» Vërtet, në disa vende të botës, të rinjtë nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të punojnë shumë orë për të mbështetur familjet e tyre. Por, nëse nuk je në një situatë të ngjashme, pse ta teprosh në këtë aspekt? Sipas shumicës së specialistëve, të punosh më shumë se 20 orë në javë kur je duke ndjekur shkollën është e tepërt dhe ka efekte të dëmshme. Disa sugjerojnë që të mos i kushtosh punës më shumë se tetë deri në dhjetë orë në javë.

Mjafton vetëm që të përdorësh tepër nga koha, energjitë e vëmendja jote në punën pas shkollës dhe shëndeti, notat e veçanërisht gjendja jote frymore, mund të fillojnë të bien. Po, nuk janë vetëm të rriturit ata që mbyten nga «fuqia mashtruese e pasurive dhe e dëshirave për pjesën tjetër të gjërave». (Marku 4:19, BR) Prandaj, mbaj drejtpeshimin. Solomoni paralajmëroi ndaj punës së tepërt, duke thënë: «Vlen më tepër një grusht me pushim sesa dy grushte me mundim [punë të rëndë, BR], duke u përpjekur të kapësh erën.»—Predikuesi 4:6.

Po, pasja e parave mund të jetë e nevojshme. E nëse motivet që të shtyjnë të bësh këtë janë të shëndetshme e të perëndishme, si ato të të riut Avien të përmendur më sipër, mund të jesh i sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua. Sidoqoftë, sigurohu që të mos e zësh asnjëherë veten me aq shumë punë, sa të harrosh «gjërat më të rëndësishme», domethënë interesat frymore. (Filipianëve 1:10, BR) Edhe pse paratë mund të jenë «një mbrojtje», pa dyshim është marrëdhënia jote me Perëndinë ajo që do të të bëjë vërtet të suksesshëm.—Predikuesi 7:12; Psalmi 91:14.

[Shënimi]

a Artikujt «Të rinjtë pyesin . . . » në numrat e Zgjohuni!, 22 nëntor 1990, anglisht, 8 dhjetor 1990, anglisht dhe 22 shtator 1997, anglisht, bëjnë një peshim të pro-ve dhe kundra-ve në lidhje me punën pas shkolle.

[Kutia në faqen 22]

Punë që mund të krijosh

• Larja e dritareve

• Shitja ose shpërndarja e gazetave

• Pastrimi i rrugëve nga dëbora

• Kopshtaria ose punimi i tokës

• Kujdesja për fëmijët

• Ushqimi, shëtitja ose larja e kafshëve shtëpiake

• Lustrimi i këpucëve

• Larja ose hekurosja e rrobave

• Kultivimi i perimeve ose i frutave dhe shitja e tyre

• Rritja e pulave ose shitja e vezëve

• Shtypja me makinë shkrimi ose me kompjuter

• Kryerja e porosive

• Dorëzimi i mallrave të porositura

• Mësimi i muzikës ose i zanateve të tjera

[Figura në faqen 21]

Puna e tepërt mund të bëjë që të biesh nga notat

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo