Një vështrim rreth botës
Rimerret në shqyrtim liria fetare në Greqi
«Duket se kohët e fundit qeveria [greke] është e interesuar mbi çështjet që kanë të bëjnë me lirinë fetare, duke marrë parasysh edhe amendamentin kushtetues të mbetur pezull,—raporton gazeta athinase To Vima.—Është formuar një komitet jozyrtar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme për të rishqyrtuar strukturën ligjore që ka të bëjë me çështjet e lirisë fetare, me ligjet e diktatorit Metaksa që e bëjnë prozelitizmin një shkelje kriminale dhe me kushtet nën të cilat minoritetet fetare jo-ortodokse lejohen të vendosin kishat dhe vendet e mbledhjeve.» Raporti vazhdon duke thënë se kjo lëvizje ka filluar kryesisht për shkak të çështjeve të shumta ligjore të sjella para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga Dëshmitarët e Jehovait në Greqi.
Gjuha latine është e gjallë
Latinishtja mbetet gjuha zyrtare e qytetit të Vatikanit, edhe pse kjo gjuhë u hoq nga liturgjia e Kishës Katolike të Romës në vitet 60. Specialistët i përkthejnë dokumentet papale në latinisht, por kjo gjuhë përdoret pak tani brendapërbrenda Vatikanit. Megjithatë, në nëntor të vitit 1997, papa u ankua për rënien e latinishtes së folur dhe nxiti rigjallërimin e saj. Ndërkohë, një grup studiuesish të Vatikanit ka përfunduar një projekt tetë-vjeçar që prodhoi një fjalor të përditësuar të gjuhës latine. Termat modernë si «spërkatës aerosol», «aeroport», «mapo», «taksi» dhe «bllokim trafiku» tani kanë ekuivalentet e tyre në latinisht. Madje edhe telefoni celular shumë i përhapur bëhet një telephonium cellulare. Për admiruesit e latinishtes ka një lajm akoma më të mirë. Një prift në Romë tani ka futur një vendndodhje në rrjetin Internet në gjuhën latine, raporton The Times e Londrës.
«Kopje identike» statujash
Në vitin 2000, statujat në parqet publike të Romës mund të jenë të gjitha kopje të origjinalit. Pse? «Nuk ka alternativa të tjera përveç kopjeve nëse duam që të ruajmë monumentet»,—shpjegon Karla Benoçi, nga një shoqëri historike e Romës. Ajo shtoi se disa prej statujave janë në një «gjendje tronditëse degradimi, nën ndikimin e kohës, automobilave, vandalëve dhe të atyre që bëjnë kontrabandë relikesh». Po bëhen eksperimente për të përcaktuar se cilat materiale mund të garantojnë më mirë të njëjtin efekt estetik si origjinali e në të njëjtën kohë t’i rezistojë sulmeve të smogut e të vandalëve. Disa «kopje identike» janë prej rrëshire sintetike, të tjera janë prej çimentoje me një shtresë të sipërme me pluhur mermeri. Ato i janë «kaq besnike origjinalit,—thotë Benoçi,—saqë duke i marrë gabimisht për statujën origjinale, vjedhësit morën kokën e njërës kopje dhe u përpoqën të marrin një tjetër si kallëp». Po me origjinalët e statujave ç’do të bëhet? Ato do të mbahen nëpër muze, ku mund të admirohen pa u dashur të jenë në rrezik.
Të ushqyerit e keq vret fëmijët
«Të ushqyerit e keq vret më shumë fëmijë se çdo sëmundje epidemike, katastrofë natyrore ose luftë»,—raporton e përditshmja franceze Le Monde. Është përllogaritur se pothuaj shtatë milionë fëmijë vdesin çdo vit si rezultat i të ushqyerit të pamjaftueshëm. Raporti i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) për vitin 1997 tregon se të ushqyerit e keq është shkaku i vdekjes së 55 përqind të 12 milionë fëmijëve nën moshën pesë vjeç që vdesin çdo vit. Përveç vrasjes së fëmijëve, të ushqyerit e keq është përgjegjës për të meta të shumta fizike dhe mendore si edhe për dobësimin e sistemeve imunitare. Në Azinë e Jugut, një në 2 fëmijë vuan nga të ushqyerit e keq dhe në Afrikë raporti është 1 në 3. Megjithatë, ky problem prek edhe vendet e industrializuara. Për shembull UNICEF-i raporton se në Shtetet e Bashkuara, 1 në 4 fëmijë nën moshën 12-vjeçare nuk merr ushqimin për të cilin ka nevojë.
Ujë në hënë?
The New York Times raporton se anija kozmike Lunar Prospector ka diktuar në rajonet polare të hënës atë që duket se është ujë i ngrirë. Instrumentet në anijen kozmike tregojnë praninë e hidrogjenit dhe mendohet se forma më e mundshme në të cilën mund të ndodhet hidrogjeni në hënë është si element përbërës i ujit. Mendohet se uji gjendet në formën e kristaleve të vogla prej akulli të përziera me dhe. Duket se uji përfaqëson 1 përqind ose më pak të dheut shkëmbor. Disa shkencëtarë kanë filluar tashmë të parashikojnë se uji mund të shërbejë për të mbajtur kolonitë njerëzore në hënë dhe për të siguruar hidrogjen e oksigjen si karburant për anijet kozmike të lëshuara nga hëna. Të tjerë janë të shqetësuar se edhe po të ekzistojë uji atje, marrja e tij nuk do të ishte ekonomike. Dr. Brus Murrej, i Institutit të Teknologjisë në Kaliforni, tha se do të ishte më lirë ta sillje ujin që nga toka sesa ta nxirrje atë nga hëna.
Kujdes me qetësuesit
«Një mbidozë relativisht e vogël acetaminofeni, një përbërës aktiv në tylenolin, eksedrinën dhe në një shumicë ilaçesh të tjera pa recetë, mund të çojë në dëmtim të rëndë të mëlçisë, veçanërisht kur përzihet me pije alkoolike e kjo mund të sjellë si rezultat vdekjen»,—paralajmëron revista Health. «Shumica e njerëzve mendojnë se mund të pinë tri ose katër herë më shumë sesa doza e rekomanduar dhe të mos dëmtohen»,—thotë Uilliam Li, një specialist i mjekësisë së brendshme në Universitetin e Qendrës Mjekësore të Teksasit Jugperëndimor. «Nuk është kështu në rastin e acetaminofenit.» Ndërkohë që trupi asimilon acetaminofenin, ai prodhon një nënprodukt që është helmues për mëlçinë. Mëlçia mbrohet duke prodhuar një agjent detoksikimi të quajtur glutation. Megjithatë, një mbidozë acetaminofeni mund t’u rezistojë mbrojtjeve të mëlçisë. Alkooli shteron një sasi të konsiderueshme glutationi, kështu që marrja e ilaçit është veçanërisht e rrezikshme pas pirjes së disa pijeve alkoolike. E meqë acetaminofeni gjendet në më shumë se 300 produkte farmaceutike, është e lehtë të kalohet doza e tij pa e kuptuar.
Kurse kundër rrëmbimit
Fëmijët në shkollat e Tajvanit tani kanë një lëndë të re: kurse kundër rrëmbimit. «Fëmijët kanë më shumë probabilitete të rrëmbehen në Tajvan sesa në çdo vend tjetër përveç Filipineve, pasi mesatarja e rrëmbimeve është një në dy ditë e gjysmë»,—thotë Asiaweek. Prindërit, të shqetësuar pasi fëmijët e tyre mund të jenë viktima tjetër e rrëmbimit, ndërsa krimi vazhdon të rritet, kërkuan këtë program. Kursi kundër rrëmbimit i stërvit fëmijët që të kenë kujdes kur ecin vetëm, kur duhet të hipin në ashensorë dhe kur marrin mjetet e transportit publik. Ata mësojnë të jenë syçelë ndaj personave të dyshimtë dhe se si të reagojnë nëse rrëmbehen. Pavarësisht nga përmbajtja jo e këndshme e kursit, po bëhet një përpjekje për t’i ndihmuar fëmijët që të kenë një qëndrim pozitiv ndaj jetës.
I kthyer nga «zhdukja»
Bufi i pyllit, që mendohej se ishte zhdukur, pasi nuk kishte pasur konfirmime të vëzhgimit të tij për 113 vjet, është diktuar dhe është fotografuar në një zonë pyjore afër Shahadës, Indi, në verilindje të Mumbait. Zogu i murrmë 20 centimetra i gjatë ka sy të mëdhenj dhe sqep, këmbë e gishta tepër të mëdhenj. «Ai konsiderohet një nga zogjtë mister të Indisë»,—tha Pamela Rasmusen, nga Muzeu Kombëtar i Historisë së Natyrës në Uashington, e cila bashkë me dy kolegë bëri fotografitë. «Ky është një rast që ndodh një herë në jetë.» Dy llojet mister të mbetura në Indi, pa një dëshmi të regjistruar se kanë mbijetuar, janë rosat me kokë ngjyrë trëndafili, të cilat u panë për herë të fundit në vitet 30 dhe shkurtat himalajane të malit, të cilat nuk janë parë për rreth 100 vjet.
«Droga ideale e lehtë»?
Cilësitë nxitëse, antidepresante dhe afrodiziake të çokollatës janë mburrur për qindra vjet. Megjithatë, siç raporton gazeta franceze Le Monde, kërkimet e fundit mund të tregojnë se çokollata në fakt ndikon mbi «nivelet e ankthit, paqen mendore dhe sjelljen seksuale». Shkencëtarët kanë zbuluar një substancë të pranishme te çokollata që ka disa ngjashmëri me amfetaminat dhe një substancë tjetër me një «profil të veçantë antidepresant». Edhe kërkimet e reja kanë zbuluar praninë e anandamidës, një neurotransmetues që prodhon të njëjtën «rritje ndjesish dhe eufori» si kanabisi. Kjo, bashkë me toksicitetin e ulët të çokollatës, e çoi gazetën që të nxirrte përfundimin: «Duke nxitur aktivitetin fizik e intelektual, duke furnizuar me energji dhe duke lindur një ndjenjë euforie e mirëqenieje pa pasur gati-gati asnjë efekt anësor, e me një nivel të ulët varësie, çokollata kualifikohet si një drogë ideale e lehtë.»