Dëshmitarët e Jehovait: Të guximshëm përballë rrezikut nazist
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
DËSHMITARËT E JEHOVAIT njihen mirë për besnikërinë e tyre të patundur ndaj Fjalës së Perëndisë, Biblës. Shpesh kjo gjë kërkon guxim dhe sigurisht që ndikon mbi jetën e tyre dhe marrëdhëniet me të tjerët.
Për shembull, Dëshmitarët kanë nderim të thellë për njerëzit e të gjitha grupeve etnike dhe prejardhjeve kulturore. Ata e duan Perëndinë dhe të afërmin e tyre. (Mateu 22:35-40) Në fakt, ata janë plotësisht dakord me apostullin Pjetër, i cili deklaroi: «Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm, por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Dëshmitarët e Jehovait njihen në mbarë botën edhe për respektin që kanë për ligjin, rregullin dhe autoritetin qeveritar. Ata nuk kanë qenë kurrë një fole revolte dhe nuk do të jenë kurrë një e tillë. Kjo është e vërtetë edhe kur persekutohen në disa vende për shkak se kanë marrë atë pozicion si të apostujve: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend se njerëzve.» (Veprat 5:29; Mateu 24:9) Në të njëjtën kohë, Dëshmitarët e pranojnë të drejtën e të tjerëve për të adhuruar në harmoni me atë që u thotë ndërgjegjja e tyre.
Qëndrimi i guximshëm i krishterë i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani dhe në vende të tjera të sunduara nga Adolf Hitleri është i regjistruar. Një ngjarje e veçantë në Berlin, Gjermani, në vitin 1933, ilustron guximin e tyre, dashurinë e tyre për Perëndinë dhe për të afërmin dhe respektin e tyre për ligjin, rregullin dhe lirinë fetare.
Asnjë kompromis me Hitlerin
Ndodhi më shumë se 50 vjet më parë që sundimit të tmerrshëm 12-vjeçar të racizmit dhe të vrasjeve nga Hitleri, i erdhi fundi. Megjithatë, ai regjim nazist hapi plagë që e lëndojnë njerëzimin edhe sot.
Historia e pranon se vetëm pak grupe qëndruan të palëkundur dhe folën hapur kundër terrorit nazist. Mes tyre ishin Dëshmitarët e Jehovait, të përshkruar si «një ishull i vogël me një rezistencë të palodhur [morale] që ekziston në gji të një kombi të terrorizuar». Qëndrimi i tyre i guximshëm është dokumentuar mirë nga historianë të respektuar.
Megjithatë, disa kritikë, duke përfshirë edhe disa ish-pjesëtarë të Dëshmitarëve të Jehovait, akuzojnë se Dëshmitarët u përpoqën të bënin kompromis me regjimin e Hitlerit, kur ky regjim ishte në ditët e para të tij. Ata pohojnë se përfaqësues të Shoqatës Watch Tower u përpoqën pa sukses të fitonin favorin e qeverisë së re dhe se, të paktën për njëfarë kohe, ata miratuan ideologjinë raciste të nazistëve, që përfundimisht çoi në vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve.
Këto deklarata të rënda janë absolutisht të rreme. Pjesa që vijon është një shqyrtim i hapur i ngjarjeve në fjalë, bazuar mbi dokumentacionin që është në dispozicion dhe në kontekstin historik.
Një vështrim prapa
Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në Gjermani për më shumë se 100 vjet. Në vitin 1933, në të gjithë Gjermaninë kishte rreth 25.000 Dëshmitarë që adhuronin Perëndinë Jehova e që shpërndanin literaturë biblike.
Pavarësisht nga liritë e garantuara prej kushtetutës gjermane të asaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait ishin shpesh shënjestra e fushatave me shpifje, të bëra kryesisht nga kundërshtarët fetarë. Në vitin 1921, Dëshmitarët, atëherë të quajtur Ernste Bibelforscher (Studentë të zellshëm të Biblës), u akuzuan se ishin lidhur me hebrenjtë në lëvizje politike subversive. Studentët e Biblës u damkosën si «vemja hebraike» e rrezikshme bolshevike, edhe pse nuk u dhanë asnjëherë prova për këto akuza. Teologu zvicerian Karl Barth më vonë shkroi: «Akuza se Dëshmitarët e Jehovait janë të lidhur me komunistët mund t’i detyrohet vetëm një keqkuptimi të pavullnetshëm ose edhe të qëllimshëm.»
Një revistë e kishës në Gjermani bëri akuzën se Dëshmitarët dhe hebrenjtë ishin bashkëkonspiratorë në lëvizjet revolucionare. Në përgjigje të kësaj, botimi gjerman i revistës Epoka e Artë (pararendësja e revistës Zgjohuni!), në numrin e 15 prillit 1930 tha: «Ne nuk kemi asnjë arsye për ta konsideruar këtë akuzë të rreme si një fyerje, për vetë faktin se ne jemi të bindur që hebreu është të paktën po aq i vlefshëm sa edhe një i krishterë sa për emër; por ne hedhim poshtë të pavërtetat e mësipërme të gazetës së kishës, sepse ajo ka për qëllim të zhvlerësojë veprën tonë, sikur kjo të mos bëhej për hir të Ungjillit, po për hebrenjtë.»
Kështu, profesori i historisë Xhon Uais shkroi: «Dëshmitarët ishin të lirë nga nacionalizmi racist gjerman dhe nëpër shekuj nuk janë shqetësuar që hebrenjtë nuk u kthyen në fe. Dëshmitarët, edhe pse pak hundëpërpjetë, iu mbajtën ende besimit origjinal të krishterë mbi nevojën për t’i bindur të gjithë ata që mund të ktheheshin te Krishti.»
Çfarë ndodhi kur Hitleri erdhi në fuqi?
Më 30 janar 1933, Adolf Hitleri u emërua kancelari i ri i Gjermanisë. Në fillim qeveria e Hitlerit u përpoq ta fshihte natyrën e tij të dhunshme dhe ekstremiste. Kështu Dëshmitarët, bashkë me miliona gjermanë të tjerë në fillim të vitit 1933, e konsideruan Partinë Socialiste Kombëtare si autoritetin ligjor që sundonte në atë kohë. Dëshmitarët shpresuan që qeveria Socialiste Kombëtare (naziste) do ta kuptonte se ky grup i krishterë, paqedashës e që u përmbahej rregullave, nuk përbënte asnjë kërcënim subversiv për shtetin. Kjo nuk ishte një ofertë për të kompromentuar parimet biblike. Siç ka ndodhur edhe në vende të tjera, Dëshmitarët donin të informonin qeverinë gjermane për natyrën e vërtetë jopolitike të fesë së tyre.
Shpejt u bë e dukshme se Dëshmitarët e Jehovait ishin mes shënjestrave të para të shtypjes brutale naziste. Dëshmitarët u damkosën përsëri si bashkëpunëtorë në një konspiracion të përbashkët bolsheviko-hebraik. Një fushatë persekutimi filloi mbi ta.
Përse një grup i tillë i vogël fetar do të tërhiqte furinë e regjimit të ri? Historiani Brajan Dan identifikon tri arsye themelore: (1) përmasat ndërkombëtare të veprimit të Dëshmitarëve, (2) kundërshtimin që i bënin ata racizmit dhe (3) pozicionin e tyre asnjanës ndaj shtetit. Për shkak të pikëpamjeve të tyre biblike, Dëshmitarët gjermanë refuzuan të bënin përshëndetjen hitleriane, të përkrahnin Partinë Socialiste Kombëtare ose më vonë të merrnin pjesë në aktivitetet ushtarake naziste.—Eksodi 20:4, 5; Isaia 2:4; Gjoni 17:16.
Si rezultat, Dëshmitarët duruan kërcënime, marrje në pyetje, bastisje shtëpie dhe ngacmime të tjera nga policia dhe nga SA-ja (Sturmabteilung-u i Hitlerit, trupat sulmuese ose këmishëkafenjtë). Më 24 prill të vitit 1933, zyrtarët konfiskuan dhe mbyllën zyrën Watch Tower në Magdeburg, Gjermani. Pasi kërkimi i hollësishëm nuk nxori asnjë dëshmi fajësuese dhe nën presion nga Departamenti i shtetit të Shteteve të Bashkuara, policia ua riktheu pronën. Por, në maj të vitit 1933, Dëshmitarët u vunë në ndalim në disa shtete federale të Gjermanisë.
Dëshmitarët ndërmarrin veprime të guximshme
Gjatë kësaj periudhe të hershme, Hitleri e kultivoi me kujdes imazhin e tij publik si një kampion i krishterimit. Ai shpalli angazhimin e tij për lirinë fetare, duke premtuar t’i trajtonte nënndarjet e krishtere «me drejtësi objektive». Për ta ngritur imazhin e tij, kancelari i ri u shfaq nëpër kisha. Kjo ishte koha kur shumë njerëz në vendet që më vonë do të ishin në luftë me Gjermaninë, shprehën admirim për arritjet e Hitlerit.
I shqetësuar për tensionet në rritje në Gjermani, Joseph F. Rutherford, që atëherë ishte presidenti i Shoqatës Watch Tower, bashkë me administratorin e Degës në Gjermani, Paul Baltsarit, vendosën të bënin një fushatë për të informuar kancelarin Hitler, zyrtarët qeveritarë dhe publikun se Dëshmitarët e Jehovait nuk përbënin asnjë kërcënim për popullin gjerman dhe për shtetin. Me sa duket Rutherford besonte se Hitleri nuk ishte në dijeni të sulmeve kundër Dëshmitarëve të Jehovait ose që ishte keqinformuar nga elementë fetarë në lidhje me Dëshmitarët.
Prandaj, zyra e Magdeburgut rregulloi një kongres për të vënë në përdorim të drejtën e shtetasve gjermanë për të bërë peticion. Edhe pse ishin njoftuar pak kohë më përpara, Dëshmitarët e Jehovait nga e gjithë Gjermania u ftuan në Wilmersdorfer Tennishallen në Berlin, më 25 qershor 1933. Priteshin të vinin rreth 5.000 delegatë. Megjithë atmosferën armiqësore, më shumë se 7.000 veta morën pjesë me guxim. Delegatët adoptuan një rezolutë me titull «Deklarata e Fakteve». Në këtë dokument protestohej për kufizimet që ishin vënë mbi veprën e Dëshmitarëve. Aty bëhej një pohim i qartë i pozicionit të tyre dhe mohoheshin akuzat për lidhje kryengritëse me shkaqe politike të çdo lloji. Aty thuhej:
«Ne na akuzojnë gabimisht para fuqive sunduese të kësaj qeverie . . . Me respekt ne u kërkojmë sundimtarëve të kombit dhe popullit që t’i kushtojë një konsideratë të ndershme e të paanshme pohimeve të fakteve të dhëna këtu.»
«Nuk duam të grindemi me asnjë person ose mësues fetar, por ne duhet të tërheqim vëmendjen ndaj faktit se në përgjithësi janë ata që pohojnë se përfaqësojnë Perëndinë dhe Krishtin Jezu, që në fakt janë persekutuesit tanë e që na keqparaqitin para qeverive.»
Kongres i guximshëm apo kompromis?
Disa veta tani pohojnë se kongresi i vitit 1933 në Berlin dhe «Deklarata e Fakteve» ishin përpjekje nga ana e Dëshmitarëve për të treguar mbështetjen e tyre për qeverinë naziste dhe urrejtjen e tyre për hebrenjtë. Por pohimet e tyre nuk janë të vërteta. Ato bazohen mbi keqinformimin dhe keqinterpretimin e fakteve.
Për shembull, kritikët pohojnë se Dëshmitarët e zbukuruan Wilmersdorfer Tennishallen me flamuj me kryqe të thyera. Fotografi të kongresit të vitit 1933 tregojnë qartë se ata nuk kishin vendosur asnjë kryq të thyer në sallë. Dëshmitarët okularë verifikojnë se nuk kishte flamuj brenda në sallë.
Megjithatë, ka mundësi të ketë pasur flamuj jashtë ndërtesës. Një trupë luftuese naziste e kishte përdorur sallën në 21 qershor, të mërkurën para kongresit. Pastaj, tamam një ditë para kongresit, turma të rinjsh bashkë me trupa SS (Schutzstaffel, fillimisht trupat mbrojtëse këmishëzinj të Hitlerit), SA dhe të tjerë festuan solsticin e verës aty afër sallës. Prandaj, Dëshmitarët që mbërritën në kongres ditën e diel mund të kenë parë ndërtesën të zbukuruar nga jashtë me flamuj me kryqe të thyer.
Po të kishte pasur flamuj me kryqe të thyer si zbukurim jashtë sallës, në korridore ose edhe brenda sallës, Dëshmitarët do t’i kishin lënë ashtu siç ishin. Edhe sot, kur Dëshmitarët e Jehovait marrin me qira ndërtesa publike për mbledhje e kongrese, ata nuk i heqin simbolet kombëtare prej andej nëse ka të tillë. Por nuk ka asnjë dëshmi se vetë Dëshmitarët vendosën flamuj ose që i përshëndetën ato.
Kritikët pohojnë më tej se Dëshmitarët e hapën kongresin me hymnin kombëtar gjerman. Faktikisht, kongresi filloi me këngën «Shpresa e lavdishme e Sionit», kënga 64 në librin fetar të këngëve të Dëshmitarëve. Fjalët e kësaj kënge mbanin muzikën e kompozuar nga Xhozef Hajdën në vitin 1797. Kënga 64 ka qenë në librin e këngëve të Studentëve të Biblës që nga viti 1905 e më tej. Në vitin 1922 qeveria gjermane e adoptoi melodinë e Hajdënit bashkë me fjalët e Hofman fon Falërslabënit si hymnin e tyre kombëtar. Megjithatë, Studentët e Biblës në Gjermani akoma e këndonin këngën 64 me raste, siç bënin Studentët e Biblës në vendet e tjera.
Këndimi i një kënge për Sionin vështirë se do të merrej si një përpjekje për të qetësuar nazistët. Nën presion nga nazistët antisemitikë, kishat e tjera i hoqën termat hebraikë si «Juda», «Jehova» dhe «Sion» nga himnet dhe liturgjitë e tyre. Por Dëshmitarët e Jehovait nuk e bënë këtë. Pra, organizuesit e kongresit nuk pritnin të fitonin favorin nga qeveria e re duke kënduar një këngë që lëvdonte Sionin. Ka mundësi që disa delegatë mund të kenë ngurruar të këndonin «Shpresa e lavdishme e Sionit», meqë melodia e këtij kompozimi nga Hajdëni ishte e njëjta si hymni kombëtar.
Një pohim qëllimi
Duke qenë se qeveria ishte në fazë tranzicioni dhe vendi në rrëmujë, Dëshmitarët donin të bënin një pohim të qartë të pozicionit të tyre. Me anë të «Deklaratës» Dëshmitarët mohonin fortësisht akuzat për përfshirje financiare ose lidhje politike me hebrenjtë. Kështu, dokumenti pohonte:
«Na bëhen akuza në mënyrë të rreme nga armiqtë tanë se kemi marrë mbështetje financiare për veprën tonë nga hebrenjtë. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës sesa kjo. Deri në këtë orë nuk ka pasur as monedhën më të vogël të kontribuar për veprën tonë nga hebrenjtë.»
Pasi kishte përmendur paratë, «Deklarata» vazhdon duke denoncuar praktikat jo të ndershme të biznesit të madh. Aty thuhet:
«Kanë qenë hebrenjtë tregtarë të perandorisë anglo-amerikane që kanë ndërtuar dhe kanë vazhduar Biznesin e Madh si mjet për të plaçkitur dhe për të shtypur njerëz të shumë kombeve.»
Ky pohim qartësisht nuk i referohej popullit hebre në përgjithësi dhe është për të ardhur keq nëse kjo gjë ka qenë keqkuptuar dhe ka dhënë shkak për ndonjë ofendim. Disa kanë pohuar se Dëshmitarët e Jehovait kanë marrë pjesë në armiqësinë kundër hebrenjve që mësohej zakonisht në kishat gjermane të asaj kohe. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Me literaturën dhe me sjelljen e tyre gjatë epokës naziste, Dëshmitarët hodhën poshtë pikëpamjet antisemitike dhe dënuan keqtrajtimin që u bënin nazistët hebrenjve. Patjetër që dashamirësia e tyre ndaj hebrenjve që ishin në të njëjtën gjendje si ata nëpër kampet e përqendrimit siguron një provë kumbuese kundër kësaj akuze të rreme.
«Deklarata» e përkufizonte veprën e Dëshmitarëve si një vepër me karakter fetar, duke thënë: «Organizata jonë nuk është politike në asnjë lloj kuptimi. Ne këmbëngulim vetëm për t’u mësuar njerëzve Fjalën e Perëndisë Jehova.»
«Deklarata» i rikujtonte, gjithashtu, qeverisë premtimet që kjo vetë kishte bërë. Dëshmitarët mbanin disa ideale të larta dhe ndodhi që këto të adoptoheshin publikisht edhe nga qeveria gjermane. Mes tyre ishin vlerat familjare dhe liria fetare.
Në lidhje me këtë aspekt, «Deklarata» shtonte: «Një shqyrtim i kujdesshëm i librave dhe i literaturës sonë do të zbulojë faktin se po ato ideale të larta të mbështetura dhe të shpallura nga qeveria e tanishme kombëtare bëhen të qarta, miratohen dhe u vihet një emfazë e madhe në botimet tona. Ato tregojnë se Perëndia Jehova do të marrë masa që këto ideale të larta në kohën e duhur të arrihen nga të gjithë personat që e duan drejtësinë.»
Kështu, Dëshmitarët nuk shprehën kurrë mbështetje për Partinë Naziste. Për më tepër, në ushtrimin e lirisë fetare, ata nuk kishin ndër mend të ndalnin predikimin e tyre publik.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Sipas tregimit në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1974, disa Dëshmitarë gjermanë u zhgënjyen që «Deklarata» nuk kishte një gjuhë më të shkoqur në tonalitet. A e kishte zbutur administratori i degës, Paul Baltsarit, tekstin e dokumentit? Jo, sepse një krahasim i tekstit në gjermanisht dhe atij në anglisht tregon se nuk është kështu. Duket se një përshtypje e tillë e kundërt u bazua në vëzhgimet subjektive të disave që nuk ishin përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen e «Deklaratës». Përfundimet e tyre mund të jenë ndikuar edhe nga fakti se Baltsarit e mohoi besimin e tij vetëm dy vjet më vonë.
Tani dihet se ndalimi mbi Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani u aprovua të shtunën më 24 qershor 1933, tamam një ditë para kongresit të Berlinit. Organizuesit e kongresit dhe policia e morën vesh këtë ndalim vetëm disa ditë më vonë. Duke pasur parasysh klimën e tensionit dhe të armiqësisë së dukshme të zyrtarëve nazistë, ishte një çudi që arriti edhe të mbahej ai kongres. Nuk e teprojmë po të themi se të 7.000 Dëshmitarët vunë në rrezik lirinë e tyre duke marrë pjesë në mbledhje.
Pas kongresit, Dëshmitarët shpërndanë 2,1 milionë kopje të «Deklaratës». Disa Dëshmitarë u arrestuan menjëherë dhe u dërguan në kampet e punës. Kështu, qeveria naziste e zbuloi plotësisht natyrën e vet shtypëse e të dhunshme dhe shpejt bëri një sulm të përgjithshëm mbi këtë grup të vogël të krishterësh.
Profesoresha Kristën King shkroi: «Nazistët duhej të mësonin ende se forcat brutale nuk mund t’i ndrydhin Dëshmitarët.» Ishte pikërisht ashtu siç ishte thënë në «Deklaratë»: «Fuqia e Perëndisë Jehova është më e larta dhe nuk ka asnjë fuqi që mund t’i rezistojë atij me sukses.»a
[Shënimi]
a Hapësira nuk na lejon të paraqisim të gjithë dokumentacionin që ekziston për këtë ngjarje historike. Megjithatë, një listë referimesh të plota është në dispozicion dhe mund të merret duke i bërë kërkesë botuesve. Mund të ndriçoheni akoma më shumë mbi këtë çështje po të shihni dokumentarin në videokasetën me titull Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist, anglisht.
[Figurat në faqen 13]
Fotografi faktike të kongresit të mbajtur nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1933 në Tennishallen