Si mund të gëzoni një shëndet të mirë?
TERAPITË janë një argument i përhapur bisedash. Duket se gati çdo mik ose fqinj ka një zgjidhje të favorshme për çdo situatë mjekësore. Kuptohet, nxitja për t’u vetëmjekuar mund të jetë shumë e fortë. Megjithatë, një mjek brazilian thotë se ka njerëz që «shkojnë te mjeku vetëm atëherë kur gjendja është kritike». «Ata mund të kenë çrregullime në lëkurë që nuk u janë shëruar edhe pse kanë bërë një vetëmjekim për disa muaj. Kur shkojnë te mjeku, zbulohet se kanë një lloj kanceri që duhej të ishte kuruar në fillim.»
Pasi diagnostikimi i hershëm shpesh shpëton jetë, vonesa mund të kushtojë shtrenjtë. «Një grua 30-vjeçare pati menstruacione të vonuara dhe një dhimbje të konsiderueshme në pjesën e poshtme të barkut. Ajo u mjekua vetë me analgjesikë dhe anti-infiamatorë të fortë dhe dhimbja u pakësua,—tregon një kirurg.—Por, tri ditë më vonë ajo kaloi një shok hemorragjik dhe u shtrua aty për aty në spital. E operova menjëherë, duke diagnostikuar shtatzëni në gypin e mitrës (tubin e Falopit). Ajo u shpëtua tamam në kohë!»
Një grua e re në San Paolo mendonte se ishte anemike, por problemi i saj ishte pamjaftueshmëria kronike e veshkave. Për shkak të vonesës në kurim, zgjidhja e vetme e mundshme u bë transplatimi. Mjeku i saj përfundon: «Shpesh pacienti ngurron të kërkojë kurim mjekësor, mjekohet vetë ose kërkon mënyra të tjera të treguara nga amatorë dhe përfundon me probleme të rënda shëndetësore.»
Sigurisht, ne nuk duam t’i minimizojmë sinjalet që përçon trupi ynë. Megjithatë, si mund të shmangim fiksimin me terapitë e vetëmjekimit? Shëndeti përkufizohet si «gjendja e të qenët i shëndoshë në trup, mendje ose frymë» ose si «liri nga sëmundjet apo dhimbjet fizike». Një fakt interesant është se sot, pranohet që në një masë më të madhe ose më të vogël, shumica e sëmundjeve janë të parandalueshme. Sipas dr. Ljuis Tomas, «në kundërshtim me mendimin se jemi ndërtuar pa ndonjë arsye, ne jemi organizma të fortë në mënyrë mahnitëse, të durueshëm, plot shëndet». Kështu, në vend që ‘të bëhemi me depresion për ndonjë sëmundje imagjinare kur jemi të shëndetshëm dhe të shqetësohemi tepër për veten duke shpejtuar vdekjen’, duhet të bashkëpunojmë me trupin dhe me aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të shëruar vetveten. Një mjek i kualifikuar ose një mjek ushtrues i profesionit mund të jetë, gjithashtu, një ndihmë.
Kur duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore?
Një mjek brazilian sugjeron ndihmën profesionale «nëse simptomat, si: temperatura, dhimbja e kokës, të vjellat ose dhimbja e barkut, e kraharorit ose e legenit, nuk qetësohen me ilaçet e zakonshme dhe shfaqen shpesh pa ndonjë arsye të dukshme ose në rastet kur dhimbja është akute apo tepër intensive». Një mjek tjetër rekomandon ndihmën mjekësore kurdoherë që nuk jemi të sigurt se si t’i trajtojmë simptomat tona ose e ndiejmë se ka diçka të ndryshme nga herët e tjera. Ai shton: «Kur një fëmijë sëmuret, në vend se ta mjekojnë vetë, prindërit në përgjithësi parapëlqejnë të marrin ndihmë profesionale.»
Por a janë gjithnjë të nevojshme ilaçet? A do të jetë i kundërefektshëm përdorimi i ilaçeve? A ka efekte anësore si irritimi i stomakut apo dëmtimi i mëlçisë ose i veshkave? Po në lidhje me ndërveprimin me ilaçet e tjera? «Pak pacientë i konsiderojnë problemet e tyre objektivisht ose me kuptueshmëri»—thotë The New Encyclopædia Britannica. Megjithatë, një mjek i ndërgjegjshëm mund të na ndihmojë të kuptojmë se të gjitha ilaçet kanë potencial për të dëmtuar dhe se pak janë ato ilaçe të përdorura sot, të cilat nuk kanë efekte anësore. Mjafton vetëm të lexoni paralajmërimet për efekte të mundshme anësore në etiketën e ilaçit tjetër që do të bleni! Edhe ilaçet pa recetë mund të shkaktojnë dëm ose vdekjen, po të përdoren pa vend ose të përdoren tepër.
Nevoja për kujdes theksohet edhe në një raport të bërë nga Riçard A. Knoks në The Boston Globe: «Miliona të sëmurë me artrit që marrin qetësues dhimbjesh përditë, janë nën rrezikun e një hemorragjie të papritur dhe shumë të rëndë, raportojnë kërkuesit e Universitetit Stanford.» Ai shton: «Për më tepër, paralajmërojnë kërkuesit, kombinimi i qetësuesve për dhimbjet me antiacide ose ilaçe të përhapura për bllokimin e acideve nuk mbron kundër komplikimeve të rënda të stomakut e mund ta rritë madje rrezikun.»
Po në lidhje me vetëmjekimin e zakonshëm? Një mjek në Ribeirão Prêto, Brazil, thotë: «Mendoj se do të ishte shumë e dobishme nëse të gjithë ne do të mund të kishim një farmaci të vogël shtëpiake . . . Megjithatë, këto mjekime duhet të përdoren me maturi dhe me gjykim të shëndoshë.» (Shiko kutinë, faqe 7.) Gjithashtu, edukata bazë mbi shëndetin i kontribuon një cilësie më të mirë të jetës. Meqë kushtet ndryshojnë nga një person në një tjetër, Zgjohuni! nuk rekomandon ilaçe, terapi ose kurime natyrore specifike.
Shëndet i mirë: Çfarë mund të bëni ju?
«Mjekët më të mirë në botë janë Doktor Dieta, Doktor Qetësia dhe Doktor Hareja»,—shkroi Xhonatan Suift, një autor i shekullit të 18-të. Vërtet, një dietë e ekuilibruar, pushimi i duhur dhe kënaqësia janë përbërës të rëndësishëm në shëndetin e mirë. Në kontrast, me gjithë pohimet e bëra nga reklamat e sajuara me mjeshtëri, ne nuk mund ta blejmë shëndetin e mirë vetëm duke marrë ilaçe. «Përdorimi i panevojshëm e madje i rrezikshëm i produkteve farmaceutike» mund ta dobësojë sistemin imunitar.—Dicionário Terapêutico Guanabara.
Megjithatë, duke marrë mbi supe përgjegjësinë për stilin tonë të jetesës dhe duke shmangur keqpërdorimin e drogave, duke shmangur duhanin, pirjen e rëndë të alkoolit dhe stresin e tepërt, ne mund të bëjmë shumë për të përmirësuar mirëqenien tonë. Mariana, me moshë 60-vjeçare dhe misionare nga shumë kohë në Brazil, thotë: «Kam pasur një shëndet të mirë në mënyrë të arsyeshme, duke jetuar me përkore dhe duke ngrënë një shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme.» Ajo, gjithashtu, shpjegon: «Zakonisht ngrihem herët në mëngjes, kështu që rënia shpejt në shtrat është thelbësore.» Gjykimi i shëndoshë dhe zakonet e mira nuk duhen minimizuar as nuk duhet minimizuar rëndësia e bërjes së kontrolleve periodike mjekësore dhe e komunikimit me një mjek të kualifikuar të familjes.
Edhe pse dëshiron të mbetet e shëndetshme, Mariana është e kujdesshme që as të mos e lërë pas dore shëndetin e saj, as të mos jetë tepër e shqetësuar për të. Ajo thotë: «Unë lutem, gjithashtu, për udhëheqjen e Jehovait në marrjen e vendimeve për shëndetin, që të mund të bëj atë që është më e mira në afat të gjatë e të mos shpenzoj kohë dhe burime të tepërta në përpjekje për të përmirësuar shëndetin tim.» Ajo shton: «Meqë është jetësore të mbahemi aktivë, lutem që Perëndia të më ndihmojë për të qenë e arsyeshme në mënyrën se si e përdor kohën dhe forcën time, që të mos e kursej veten pa qenë nevoja dhe, në të njëjtën kohë, të mos shkoj përtej mundësive të mia.»
Për të qenë vërtet të lumtur ne nuk mund të shpërfillim të ardhmen. Edhe nëse tani jemi të favorizuar me një shëndet relativisht të mirë, sëmundjet, dhimbja, vuajtjet dhe më në fund vdekja mbeten. A ka ndonjë shpresë se një ditë do të gëzojmë shëndet të përsosur?
[Kutia në faqen 6]
Dobitë e kujdesit të ekuilibruar për veten
Shëndeti juaj varet në një masë të madhe nga ajo që hani e që pini. Nëse përpiqeni të ngitni një makinë pasi i keni hedhur gazolinë të holluar me ujë ose nëse i shtoni sheqer gazit, shumë shpejt do ta prishni motorin. Në mënyrë të ngjashme, nëse përpiqeni të mbijetoni vetëm duke ngrënë ushqime dhe duke pirë lëngje pa vlera ushqyese, pas pak kohe do të paguani çmimin me shëndet të dobët. Në botën e kompjuterëve, kjo quhet GIGO, që do të thotë «plehra brenda, plehra jashtë».
Dr. Melani Mintsër, profesoreshë e mjekësisë familjare, shpjegon: «Ka tri lloje pacientësh: ata që konsultojnë mjekun për gjëra që mund t’i kontrollojnë me lehtësi vetë në shtëpi, ata që e përdorin sistemin e kujdesit mjekësor siç duhet dhe ata që nuk e konsultojnë mjekun edhe atëherë kur duhet ta bëjnë. Ata të grupit të parë shpesh harxhojnë kohën e mjekëve si edhe kohën dhe paratë e tyre. Ata të grupit të tretë mund të vënë në rrezik jetën e tyre duke vonuar kujdesin e duhur profesional. Mjekët do të dëshironin që të kishte më shumë njerëz të grupit të dytë.»
«Shtatë çelësat për një shëndet optimal janë: hani dhe pini siç duhet, bëni gjimnastikë rregullisht, mos pini duhan, bëni një pushim të përshtatshëm, kontrolloni ngarkesën e stresit tuaj, mbani lidhje të ngushta shoqërore dhe merrni masa të mençura parandaluese për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve ose të aksidenteve.»—Before You Call the Doctor—Safe, Effective Self-Care for Over 300 Medical Problems, nga An Simons, M.D., Bobi Hasëlbring dhe Majkëll Kasëlman.
[Kutia në faqen 7]
Një arkë ilaçesh në shtëpi
«Është përllogaritur se rreth 90 përqind e simptomave: dhimbje, sëmbime, shtypje dhe shenja të tjera parehatie ose sëmundjeje, që ndiejnë të rriturit e shëndetshëm thjesht shpërfillen dhe nuk i raportohen askujt. . . . Shpesh përdoret ndonjë kurim i shpejtë, si, për shembull, 2 aspirina për një dhimbje koke.»
«Ajo që shpesh e bën të mundur këtë është arka e ilaçeve në shtëpi. Ajo shpëton njerëzit nga udhëtime të panevojshme e të kushtueshme te mjeku ose në ambulancë.»—Complete Home Medical Guide, Kolegji i Universitetit Kolumbia për mjekët dhe kirurgët.
I njëjti burim rekomandon një arkë ilaçesh në shtëpi që përfshin: lidhëse, ankerplaste, garza sterile, pambuk farmacie, fasho, pomada dhe kremra të ndryshme, alkool dizinfektues antiseptik, gërshërë, një termometër dhe mjete të tjera praktike.
Për mjekime, ky burim rekomandon tableta për uljen e temperaturës dhe të dhimbjes, antiacide, shurup kolle, një lëndë antihistaminike/dekongjestionuese, një bar laksativ të lehtë dhe ilaçe antidiarretike.
[Kutia në faqen 8]
Një fjalë paralajmërimi
«Edhe pse nuk kërkojnë përshkrimin e mjekut, ilaçet pa recetë janë ilaçe të vërteta. Ashtu si ilaçet me recetë, disa prej tyre nuk duhen kombinuar me të tjera ose me disa ushqime, ose me alkoolin. Ashtu si ilaçet e tjera, disa prej tyre mund të fshehin probleme më të rënda ose të shkaktojnë varësi. Dhe disa herë një ilaç pa recetë thjesht nuk duhet të zëvendësojë një vizitë te mjeku.
«Megjithatë, shumica prej tyre janë të sigurta dhe të efektshme . . . Ato e bëjnë punën e tyre dhe e bëjnë mirë.»—Using Medicines Wisely.
[Figurat në faqen 7]
Mbani mend se asnjë bar popullor ose ilaç nuk është plotësisht i padëmshëm
1. Arka me mjekime e shitësit ambulant
2. Shitës ambulant mjekimesh
3. Çanta me barna popullore