‘Ishte sikur të haje mjaltë’
NË MES të vitit 1993, në Altus, Oklahoma, SHBA, një baba i shqetësuar, rreshter i parë në Forcat Ajrore, SHBA, u lut për drejtim që të ndihmonte vajzën e tij, e cila po kalonte probleme martesore e kishte ndër mend të divorcohej. Mëngjesin që pasoi një Dëshmitar i Jehovait trokiti në derën e tij dhe i ofroi numrin e revistës Zgjohuni!, 8 korrik 1993, anglisht, e cila trajtonte temën: «Divorci: Dera për një jetë më të lumtur?»
Edhe pse burri nuk i kishte pëlqyer kurrë Dëshmitarët e nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë, ai e pranoi menjëherë dhe e lexoi atë revistë Zgjohuni!. Më vonë përdori disa shkrime dhe pika kyçe nga revista me vajzën e tij. Ai lexoi edhe numrin e Kullës së Rojës që ishte lënë bashkë me revistën Zgjohuni!. Ajo përmbante një artikull që e shtyu të mendohej thellë mbi besimin që kishte pasur gjatë gjithë jetës së tij në trinitetin. Kuptoi se lutja për ndihmë në lidhje me vajzën e tij po merrte përgjigje, e megjithatë pyeste veten se përse Perëndia përdorte njerëzit që nuk besonin në trinitetin, për t’iu përgjigjur lutjes së tij. Ai arsyetoi se patjetër Perëndia nuk përdor njerëz për t’iu përgjigjur lutjeve, nëse ata nuk mësojnë të vërtetën.
Në këtë mënyrë ai u nxit për t’i telefonuar Sallës së Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait, për të marrë literaturë tjetër që shpjegonte në mënyrë më të hollësishme bindjet e tyre në lidhje me trinitetin. Burri që u përgjigj në telefon po merrte pjesë në një mbledhje me pleqtë e krishterë. Rreshteri i forcave ajrore shkoi menjëherë në Sallën e Mbretërisë, ku iu dha broshura A duhet të besosh në Trinitetin? dhe libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë.
Atë natë, burri e lexoi të gjithë broshurën. Më vonë ai tregoi se, ndërsa po e lexonte u entuziazmua kaq shumë, saqë iu desh të bënte një pushim dhe t’i thoshte vetes: ‘Qetësohu. Kjo nuk mund të ndodhë. Është tepër e mirë për të qenë e vërtetë.’ Ai shpjegoi se broshura i paraqiste kaq qartë provat e Biblës kundër doktrinës së trinitetit, saqë kur e lexoi «ishte sikur të haje mjaltë». Mbrëmjen që pasoi ai mori pjesë për herë të parë në mbledhjen e Dëshmitarëve të Jehovait dhe u kënaq me atë që dëgjoi.
Pas studimit të parë të Biblës, që bëri me Dëshmitarët e Jehovait dhe pas një bisede të hollësishme mbi pikëpamjen e Biblës për duhanin, ai i shkatërroi cigaret e tij dhe nuk vuri më duhan në gojë. Me të u mbajt një studim biblik disa herë në javë. Tre muaj pasi lexoi broshurën Triniteti dhe pasi vendosi të dilte në pension nga shërbimi ushtarak, ai filloi të merrte pjesë në veprën e predikimit publik me Dëshmitarët. Tre muaj më vonë e simbolizoi dedikimin e tij ndaj Perëndisë Jehova dhe u pagëzua. Tani ai shërben si një shërbëtor në shërbim të plotë kohor.