Uji dhe shëndeti juaj
«JU NUK mund të mbështeteni tek etja për të kuptuar se sa ujë kërkon trupi juaj»,—thekson revista Health. Megjithatë, pirja e një sasie të bollshme uji është thelbësore për mirëqenien tonë fizike dhe emocionale e madje, edhe për pamjen e jashtme. Trupi ynë humbet vazhdimisht ujë në formën e djersës, të lotëve, të urinës si edhe përmes frymëmarrjes. Ky lëng i humbur duhet të zëvendësohet. Sa ujë nevojitet? Shumë autoritete në këtë fushë rekomandojnë që të pihen të paktën tetë gota ujë, afro dy litra, çdo ditë.
Përse? Uji është i domosdoshëm për të transportuar vlerat ushqyese brenda trupit tonë dhe për të larguar lëndët e padobishme. Ai është i nevojshëm për të rregulluar temperaturën tonë dhe për të lubrifikuar kyçet. «Edhe mungesa më e vogël e ujit mund t’ju lërë ndjenjën e lodhjes . . . ose të sëmundjes»,—vëren Health. «Çhidratimi është një nga shkaqet e rraskapitjes që zakonisht kalohet pa i vënë rëndësi.» Revista rekomandon: «Mos u mashtroni nga natyra e lëngshme e kafesë dhe e çajit, e pijeve freskuese që përmbajnë kafeinë dhe e alkoolit; faktikisht të gjitha ato i kontribuojnë çhidratimit.» Kafeina dhe alkooli veprojnë si diuretikë dhe shkaktojnë humbjen e ujit që është në trup.
Përveç kësaj, «lëkura juaj ka nevojë për ujë që të jetë e butë dhe elastike». Për të ndihmuar në këtë aspekt, në lëkurën e fytyrës mund të aplikohen kremëra. Por ato nuk e shtojnë lagështinë. Në vend të kësaj ato lënë një shtresë mbrojtëse, e cila ndihmon për të ruajtur lagështinë që tashmë është në lëkurë. Ruajtja e kësaj lagështie bëhet më e rëndësishme me kalimin e kohës, meqenëse ndërsa plakemi lëkura jonë humbet disa nga aftësitë e saj për të ruajtur lagështinë.
Mjerisht, në pjesën më të madhe të botës duhen përpjekje të konsiderueshme për të pasur një sasi të mjaftueshme uji të pastër e të kulluar. Por ia vlen barra qiranë. Patjetër pini ujë me bollëk dhe përfitoni nga kjo mënyrë kaq e thjeshtë për t’u dukur e për t’u ndier në formë!