Ushqim për të gjithë: Vetëm një ëndërr?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË ITALI
«ÇDO burrë, grua dhe fëmijë ka të drejtën për të qenë i lirë nga uria dhe të ushqyerit e keq»—shpalli Konferenca Botërore mbi Ushqimin, mbajtur në vitin 1974, e sponsorizuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Në atë kohë u bë një thirrje për të çrrënjosur urinë nga bota «brenda një dekade».
Megjithatë, kur përfaqësuesit e 173 kombeve u mblodhën vitin e kaluar në selinë botërore të FAO-s në Romë, për një takim të nivelit të lartë botëror pesë ditor mbi ushqimin, qëllimi i tyre ishte të pyesnin: «Çfarë nuk shkoi mirë?» Jo vetëm që ka pasur një dështim në sigurimin e ushqimit për të gjithë, por tani, më shumë se dy dekada më vonë, situata është më e keqësuar.
Çështjet më të rëndësishme si ushqimi, popullimi dhe varfëria janë urgjente. Siç u pranua nga një dokument i paraqitur në atë takim të nivelit të lartë, në qoftë se këto probleme nuk zgjidhen, «stabiliteti shoqëror i shumë vendeve dhe rajoneve mund të preket seriozisht; ndoshta duke vënë në rrezik madje edhe paqen botërore». Një vëzhgues u shpreh më qartë: «Ne do të shohim shkatërrimin e civilizimit dhe të kulturave kombëtare.»
Sipas Drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Zhak Djuf, «më shumë se 800 milionë njerëz sot nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të marrë ushqim; midis tyre ka 200 milionë fëmijë». Është llogaritur se në vitin 2025, popullsia e sotme botërore prej 5,8 miliardë banorësh do të jetë rritur në 8,3 miliardë, ku pjesa më e madhe e rritjes do të jetë në vendet në zhvillim. Djuf ankohet: «Numri i plotë i burrave, grave dhe fëmijëve të privuar nga e drejta e tyre e patjetërsueshme për jetë dhe dinjitet është i lartë në mënyrë të papranueshme. Thirrjet e të uriturve shoqërohen nga dhimbja e heshtur e tokës së varfëruar, e pyjeve të zhveshura dhe e rezervateve gjithnjë e më tepër të boshatisura të peshkut.»
Çfarë ilaçi propozohet? Djuf thotë se zgjidhja gjendet në «veprimin e guximshëm», për të furnizuar vendet që kanë defiçit ushqimor me «siguri të ushqimit» si edhe me aftësi, investime dhe teknologji që do t’i bëjnë ato të afta për të ushqyer vetveten.
«Siguria e ushqimit»: Përse kaq e paarritshme?
Sipas një dokumenti të botuar nga takimi i nivelit të lartë, «siguria e ushqimit ekziston kur të gjithë njerëzit, në çdo kohë, kanë mundësi fizike dhe ekonomike për ushqim të mjaftueshëm, të sigurt dhe ushqyes, për të plotësuar nevojat dhe preferencat e tyre në ushqime për një jetë të shëndetshme dhe aktive».
Se si mund të vihet në rrezik siguria e ushqimit u bë e qartë nga kriza e refugjatëve në Zaire. Ndërsa një milion refugjatë ruandezë po vdisnin nga uria, agjencitë e OKB-së kishin në dispozicion magazina të tëra me ushqime për ta. Por rregullimet për transportimin dhe shpërndarjen e tyre kërkonin autorizime politike dhe bashkëpunim nga ana e autoriteteve lokale, apo të komandantëve lokalë të rebelëve, nëse ata kontrollonin kampin e refugjatëve. Urgjenca në Zaire tregon edhe një herë se sa e vështirë është që komuniteti ndërkombëtar të ushqejë të uriturit, madje edhe kur ushqimi është në dispozicion. Një vëzhgues vërejti: «Para se të ndërmerret ndonjë veprim, duhen konsultuar dhe lajkatuar një varg organizatash dhe entesh.»
Siç është vënë në dukje nga një dokument i Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së, siguria e ushqimit mund të minohet rëndë nga një numër shkaqesh rrënjësore. Përveç katastrofave natyrore, këto shkaqe përfshijnë luftën dhe konfliktet civile, politikën e papërshtatshme kombëtare, teknologjinë dhe punën kërkimore të pamjaftueshme, degradimin e ambientit, varfërinë, rritjen e popullsisë, pabarazinë midis sekseve dhe problemet shëndetësore.
Ka pasur edhe disa arritje. Që nga vitet ’70, furnizimi me energji i dietës mesatare të përditshme, një tregues i konsumimit të ushqimeve, është ngritur në kombet në zhvillim, nga 2.140 në 2.520 kalori për person. Por sipas FAO-s, duke marrë parasysh një rritje të popullsisë prej disa miliardash deri në vitin 2030, «vetëm mbajtja e niveleve të tanishme të disponimit të ushqimit do të kërkojë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të prodhimit, për të shtuar furnizimet me më shumë se 75 përqind, pa shkatërruar burimet natyrore në të cilat varemi të gjithë». Detyra e sigurimit të ushqimit për të shuajtur urinë e popujve të tërë është, pra, një detyrë e zymtë.
‘Ne kemi nevojë për veprim, jo për më shumë takime të nivelit të lartë’
Procedurat e takimit të nivelit të lartë botëror mbi Ushqimin dhe zotimet që u bënë aty shkaktuan kritika të shumta. Një përfaqësues i Amerikës Latine e dënoi «modestinë» e një zotimi për ta reduktuar numrin e njerëzve të ushqyer keq në gjysmën e nivelit të tanishëm si «të turpshme». Pesëmbëdhjetë kombe shprehën divergjenca në interpretimin e propozimeve të aprovuara nga takimi i nivelit të lartë. Edhe vetëm për të arritur në përpilimin e një deklarate të thjeshtë dhe të një plani veprimi, tha gazeta italiane La Repubblica, «ishin të nevojshme dy vjet përplasjesh dhe bisedimesh. Çdo fjalë, çdo presje peshohej, për të mos bërë që plagët e hapura . . . të fillonin të pikonin përsëri gjak».
Shumë nga ata që ndihmuan në përgatitjen e dokumenteve të takimit të nivelit të lartë ishin të pakënaqur me rezultatet. «Ne jemi jashtëzakonisht skeptikë përsa i përket faktit nëse do të realizohen propozimet e shkëlqyera që u njoftuan aty, apo jo»,—tha një prej tyre. Një mollë sherri ishte çështja nëse mundësia për të marrë ushqim duhej përcaktuar si një «e drejtë e njohur ndërkombëtare», meqë një «e drejtë» mund të mbrohet nëpër gjykata. Një kanadez shpjegoi: «Shtetet e pasura u frikësuan se mos do të ishin të detyruar të jepnin ndihma. Ja përse ngulën këmbë që teksti i deklaratës të zbutej.»
Për shkak të diskutimeve të pafundme në takimet e nivelit të lartë të sponsorizuara nga OKB-ja, ministrja e një qeverie evropiane tha: «Pasi kishim zgjidhur kaq shumë probleme në konferencën e Kairos [mbi popullsinë dhe zhvillimin, të mbajtur në vitin 1994], vumë re se në çdo konferencë të mëpasshme u riktheheshim po të njëjtave gjëra.» Ajo sugjeroi: «Për ne, në radhën e parë të rendit të ditës, duhet të jetë vënia në jetë e plane të veprimeve për dobinë e qenieve të tjera njerëzore si ne dhe jo takime të tjera të nivelit të lartë.»
Vëzhguesit vunë në dukje, gjithashtu, se edhe prania në takimin e nivelit të lartë paraqiste një shpenzim të rëndë për disa kombe që me vështirësi mund ta përballojnë atë. Një komb i vogël afrikan dërgoi 14 delegatë plus 2 ministra, ku të gjithë qëndruan në Romë për më shumë se dy javë. Gazeta italiane Corriere della Sera raportoi se gruaja e një presidenti afrikan, në vendin e të cilit të ardhurat mesatare vjetore nuk i kalojnë 3.300 dollarët për person, kishte bërë shpenzime të shfrenuara prej 23.000 dollarësh në zonën tregtare më moderne në qendër të Romës.
A ka ndonjë arsye për të besuar se Plani i veprimit, i miratuar në takimin e nivelit të lartë, do të ketë sukses? Një gazetar përgjigjet: «Gjithçka që mund të shpresojmë tani për tani është që qeveritë ta marrin atë seriozisht dhe të ndërmarrin hapa për të siguruar zbatimin e sugjerimeve të saj. A do ta bëjnë këtë? . . . Historia na ofron pak arsye për të qenë optimistë.» I njëjti komentues vuri në dukje faktin zhgënjyes se pavarësisht nga marrëveshja në Takimin e nivelit të lartë mbi Tokën, mbajtur në vitin 1992 në Rio de Zhaneiro, për të rritur kontributet për ndihmën në zhvillim deri në 0,7 përqind të produkteve bruto kombëtare, «vetëm një grusht kombesh e kanë arritur atë synim jo të detyrueshëm».
Kush do t’i ushqejë të uriturit?
Historia ka treguar gjerësisht se pavarësisht nga gjithë qëllimet e mira të njerëzimit, «rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi as të drejtojë hapat e tij». (Jeremia 10:23) Kështu, është e vështirë të ndodhë që me forcat e tyre njerëzit të sigurojnë ndonjëherë ushqim për të gjithë. Lakmia, drejtimi i keq dhe egoizmi e kanë çuar njerëzimin në buzë të humnerës. Drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Djuf komentoi: «Ajo që kërkohet në analizën përfundimtare është transformimi i zemrave, mendjeve dhe vullneteve.»
Kjo është diçka që vetëm Mbretëria e Perëndisë mund ta bëjë. Në fakt, shekuj më parë, Jehovai profetizoi në lidhje me popullin e tij: «Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre dhe unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.»—Jeremia 31:33.
Kur Perëndia Jehova përgatiti shtëpinë origjinale parajsore të njerëzimit, ai i siguroi njeriut si ushqim «çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë që ka fruta që përmbajnë farë». (Zanafilla 1:29) Ai sigurim ishte i bollshëm, ushqyes dhe i arritshëm. Ishte gjithçka që i nevojitej njerëzimit për të kënaqur nevojat e tij ushqimore.
Qëllimi i Perëndisë nuk ka ndryshuar. (Isaia 55:10, 11) Shumë kohë më parë ai dha sigurinë se vetëm ai mund të kënaqë çdo nevojë të njerëzimit përmes Mbretërisë së tij me anë të Krishtit, duke siguruar ushqim për të gjithë, duke çrrënjosur varfërinë, duke kontrolluar katastrofat natyrore dhe duke eliminuar konfliktet. (Psalmi 46:8, 9; Isaia 11:9; krahaso Markun 4:37-41; 6:37-44.) Në atë kohë «toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë do të na bekojë». «Do të ketë bollëk gruri në tokë; mbi majat e maleve do të ketë vërshim.»—Psalmi 67:6; 72:16, BR.
[Burimi i figurës në faqen 12]
Dorothea Lange, FSA Collection, Library of Congress