«Vetëm hapni sytë dhe shikoni»
ÇFARË shikojnë fëmijët tuaj? Luftëra? Krime? Ndotje? Varfëri? Sëmundje? Vërtet, këto janë realitete gjithmonë të pranishme. Por, a i keni mësuar ata që të shikojnë përtej këtyre gjërave, drejt së ardhmes së mrekullueshme të premtuar në Bibël? Prindërit e nëntëvjeçarit Joel Pierson e kanë bërë këtë. Me çfarë rezultatesh?
Le të shohim se ç’shkruan Joeli mbi temën «Vetëm hapni sytë dhe shikoni». Kjo temë u dha si një detyrë me shkrim për të rinjtë në një qark shkollor në Virxhinia të SHBA-së. Vëreni se si eseja e Joelit, botuar në gazetën The Central Virginian, 22 gusht 1996, zbulon se shpresa e tij bazohet në atë që ai ka mësuar nga Fjala e Perëndisë. Ai shkroi:
«Vetëm hapni sytë dhe shikoni gjithë bukurinë që ishte paracaktuar të ishte.
A nuk do të ishte e mrekullueshme të zgjoheshe një mëngjes dhe të dëgjoje se nuk ka më ndotje? Në vend të vrasjeve dhe krimeve në lajme, paqja dhe lumturia gjendet në jetën e njerëzve.
Fqinjët punojnë së bashku për të ndihmuar një mik të ndërtojë shtëpinë. Aty rrotull, shohim të tjerë që mbjellin një kopsht. Dhe jo vetëm kaq, por motivet e tyre janë të drejta. Të gjithë bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin. Nuk do të ketë më të varfër dhe do të ketë ushqim me bollëk për t’u kënaqur. Rreth botës do të ketë unitet dhe paqe. Askush nuk do të jetë më i uritur apo i sëmurë. Për të gjithë mjedisi është i këndshëm e s’ngopesh duke e parë. Shiko, një fëmijë drejton një tigër! Nuk është vetëm tigri paqësor, por të gjitha kafshët janë në paqe me njerëzit.
Do të doja të jetoja në një vend si ky. A do t’ju pëlqente edhe ju të jetonit atje me mua?»
A premton vërtet Perëndia bekime të tilla si ato që përshkruan vogëlushi Joel? Ç’është e vërteta, po! Ju lutemi, hapni Biblën tuaj dhe lexoni për premtime të tilla si ato që gjenden në Psalmin 46:8, 9; 67:6; 72:16; Isainë 2:3, 4; 11:6-9; 33:24; 65:17-25; Mateun 6:9, 10; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesën 21:3, 4.