Mençuria e përmbajtjes dhe e monogamisë
DERI më sot, afro 30 milionë njerëz janë infektuar nga virusi SIDA dhe mbi 6 milionë kanë vdekur. Çdo ditë diagnostikohen rreth 8.500 raste të reja, 1.400 prej të cilave janë fëmijë, që zakonisht vdesin brenda vitit të parë të jetës. Fushatat e të ashtuquajturit seks i sigurt kanë tërhequr vëmendjen e publikut, por disa mendojnë se nuk mjafton vetëm kaq. «SIDA është një sëmundje vrasëse,—shkruan dr. Stivën J. Sainsbëri në The Tampa Tribune—dhe çdo masë e marrë për të parandaluar transmetimin e saj, duhet të jetë 100 për qind e efektshme.»
Lidhur me përdorimin e prezervativëve si mjet për parandalimin e SIDA-s, dr. Sainsbëri komenton: «Le ta shohim nga ky këndvështrim. Ta zëmë se për arsye të panjohura, automjetet, sa herë që ndizen nisin të shpërthejnë. Shoferët po hidhen në erë anembanë vendit. Më në fund, qeveria del me një zgjidhje. Vetëm shtojini këtë solucion karburantit , thonë ata dhe rreziku i shpërthimit do të ulet 90 për qind. A do ta konsideronit të zgjidhur problemin? A do të vazhdonit të ecnit me makinë? S’ma ha mendja. Përse, atëherë, i pranojmë prezervativët si zgjidhje për SIDA-n?»
Duke pranuar se SIDA në të shumtën e rasteve shkaktohet nga kontakti seksual, dr. Sainsbëri ofron një zgjidhje: «Jo seks derisa personi të jetë gati për t’u angazhuar në një marrëdhënie monogame me një person të painfektuar. Fjalët kyç janë përmbajtje dhe monogami.»
Bibla urdhëron përmbajtjen seksuale për personat beqarë dhe monogaminë për ata që janë të martuar. Normat e larta të Biblës ndalojnë kurvërinë, tradhtinë bashkëshortore dhe homoseksualizmin. (Mateu 19:4-6; 1. Korintasve 6:9, 10; 7:8, 9) Megjithëse janë të shumtë ata që e kritikojnë këtë normë, duke thënë se është e vjetëruar dhe e dalë jashtë mode, morali i Biblës i ka dhënë nxitje shëndetit dhe paqes mendore.—Isaia 48:17.