BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/97 f. 6-9
  • Të mbijetojmë në një botë lakmitare

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të mbijetojmë në një botë lakmitare
  • Zgjohuni!—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Bëni atë që mundeni sipas rrethanave
  • Mos u infektoni nga lakmia
  • Kurrë mos hiqni dorë nga shpresa për shpëtim
  • T’ia dalim mbanë në shmangien e grackës së lakmisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Si mund të mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për paratë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Lakmia: Si po ndikon mbi ne?
    Zgjohuni!—1997
  • Mund të shpëtosh nga grackat e Satanait!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
Shih më tepër
Zgjohuni!—1997
g 1/97 f. 6-9

Të mbijetojmë në një botë lakmitare

«SI MUND të mbijetoj?» Xhejms Skot u gjend përballë kësaj pyetjeje, kur humbi i pashpresë në Malet Himalaje. Kishte vërtet rrezik që ai të ngrinte ose të vdiste nga urija. Ai sillte ndër mend që kishte parë njerëz nëpër garat e karatesë tek «humbisnin dalëngadalë fuqinë e tyre, duke iu shterur forcat nga çdo goditje, derisa . . . bëheshin krejtësisht të pambrojtur». «Kjo ndjenjë më pushtoi, tek mbyllja zinxhirin e dyshekut portativ dhe pa pikë fuqie futa në gojë pak dëborë,—thoshte ai.—Isha shpirtërisht i dërrmuar dhe më kishte ikur çdo dëshirë për të jetuar. Nuk isha ndier kurrë kaq i mundur.»—Lost in the Himalayas.

Shumë njerëz sot, janë në një kuptim si ky, të zënë në çark në një botë, në të cilën mbizotëron lakmia. Mund të ndiesh se dalëngadalë të humbin fuqitë dhe mundesh. Të paktë janë njerëzit që mund t’u shpëtojnë krejtësisht pasojave të menjëhershme të lakmisë. Në varësi të vendit ku jetoni, problemet që ndeshni ndryshojnë pafundësisht: tek njerëzit në vendet në zhvillim lakmia ndikon në mënyrë shumë më të ndryshme, se tek ata në vendet e pasura. Megjithatë, cilatdo qofshin vështirësitë, ndoshta mund të mësoni se si të mbijetoni relativisht i paprekur fizikisht, emocionalisht dhe frymësisht, derisa të vijë shpëtimi. Në ç’mënyrë? Duke ndjekur këshillën themelore që japin ekspertë në fushën e mbijetesës.

Dy pika spikatin në këshillën e tyre. E para është të mos rëndojmë një situatë që është tashmë e vështirë. «Metoda juaj,—sipas manualit The Urban Survival Handbook,—duhet të jetë ajo e shmangies së rreziqeve të panevojshme . . . dhe e minimizimit të dëmit të shkaktuar nga ato rreziqe që nuk mund të shmangen.» E dyta dhe ndoshta më e rëndësishmja, ka të bëjë me qëndrimin që mbajmë. «Mbijetesa,—thotë manuali The SAS Survival Handbook,—është më shumë një qëndrim mendor, sesa një qëndresë fizike dhe njohuri.»

Bëni atë që mundeni sipas rrethanave

«Në Shtetet e Bashkuara, çdo 22 minuta ndodh një vrasje, çdo 47 sekonda një grabitje dhe çdo 28 sekonda një sulm shumë i rëndë»,—raporton Staying Alive—Your Crime Prevention Guide. Çfarë mund të bëni në kushte si këto? Së paku, mund të përpiqeni që të mos bëheni një shënjestër e dukshme apo një viktimë e lehtë. Jini vigjilent dhe i kujdesshëm. Bëni sa të mundeni për të minimizuar rrezikun.a

Për shembull, mos e rëndoni situatën, duke qenë një person që mashtrohet lehtë. The New York Times raporton se 18 për qind e amerikanëve pranojnë se janë viktima të mashtrimit, të cilëve njerëz të paskrupullt, që gjuajnë për viktima të sulmueshme, u kanë marrë me mashtrim mijëra dollarë. Shpeshherë, viktimat janë pleq, si një vejushë 68 vjeçe, të cilës i grabitën 40.000$ amerikanë. Përvoja e saj frymëzoi kryeartikullin e gazetës: «Kur flokët janë të thinjur, batakçinjtë i shohin të gjelbra [d.m.th., banknota apo dollarë].»

Por ju s’ka pse të jeni një viktimë tjetër e pafajshme dhe e pandihmë, që pret të shfrytëzohet. Staying Alive na paralajmëron: «Kujdes nga ujku i veshur si dele.» Këtë këshillë mori një gjyshe 70 vjeçe. Asaj iu ofrua një sigurim i përgjithshëm, i cili mbulonte shpenzimet e trajtimit mjekësor, vetëm me 10$ amerikanë në muaj. «Gjëja e vetme që duhej të bënte gjyshja,—thotë një raport,—ishte t’i jepte shitësit që më përpara 2.500$.» Ajo nuk e bëri. Pasi i telefonoi kompanisë së sigurimeve, ajo mësoi se burri ishte një mashtrues. «Ndërsa ajo e vononte shitësin, duke i servirur çaj, mbërriti policia dhe e mori.»

Të bësh atë që mundesh për të mbrojtur veten, është diçka që përfshihet në këshillën që jep Bibla. «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15; 27:12) Shumë njerëz e përjashtojnë Biblën si të vjetëruar dhe jopraktike. Por këshilla e saj praktike mund t’ju ndihmojë që të mbijetoni. Mbreti i mençur, Solomoni, shkroi: «Mençuria [si ajo që gjendet në Bibël] është për mbrojtje, ashtu siç është paraja për mbrojtje; por përparësia e njohurisë është se vetë mençuria i ruan të gjallë ata që e zotërojnë.»—Eklisiastiu 7:12, BR.

Shumë lexues të revistës Zgjohuni! kanë parë se kjo gjë është e vërtetë. Për shembull, disa kanë fituar njëfarë mbrojtjeje, duke bërtitur me të madhe, kur janë kërcënuar nga përdhunimi apo lloje të tjera dhune, në harmoni me atë që përmendet në Ligjin e përtërirë 22:23, 24. Të tjerë kanë ndjekur këshillën e Biblës për të qëndruar larg çdo gjëje «që ndot trupin dhe frymën». (2. Korintasve 7:1, The Twentieth Century New Testament) Duke vepruar kështu, ata janë mbrojtur nga shitësit ambulantë të duhanit dhe të drogave, të cilët pasurohen në kurriz të shëndetit të njerëzve. Përveç këtyre, shumë lexues kanë shmangur rënien në grackën e predikuesve televizivë që bubrrojnë për para dhe të politikanëve të etur për pushtet. (Shikoni kutinë, faqe 7.) Lexoni Biblën. Mund të çuditeni për faktin se sa shumë ndihmë praktike jep ajo.

Mos u infektoni nga lakmia

Natyrisht, lakmia ka edhe një rrezik tjetër: ju vetë mund të bëheni lakmitar. Kjo gjë do t’ju grabiste cilësitë e shkëlqyera morale, që i dallojnë njerëzit nga kafshët. Duke përshkruar një garë tregtare të shfrenuar, ku biznesmenët rrëmbenin sa të mundnin, u cituan fjalët e një vëzhguesi, i cili tha: «Derrat e pangopur po hanin vërtet. Shkalla e lakmisë . . . doli tamam jashtë kontrollit.» Ka të ngjarë që kjo të jetë më shumë një fyerje për derrat, sesa për oportunistët e biznesit! Pa dyshim që dukej se ata po shpërfillnin këshillën e mirë që ofroi Jezu Krishti: «Mbani sytë hapur dhe ruhuni nga çdo lloj zilie.»—Luka 12:15, BR.

Jezu Krishti dha këtë këshillë, sepse e dinte se sa keqas mund të dëmtoni veten, nëse ju zë lakmia. Dëshira e ethshme për gjëra materiale e natyrisht edhe dëshira e ethshme për pushtet apo për seks, mund të bëhen një pasion përpirës në jetën tuaj, duke ju grabitur çdo rast apo prirje që mund të keni, për t’u kujdesur për njerëzit apo për vlerat frymore. «Paraja,—thotë Antoni Samson në librin e tij The Midas Touch,—ka adoptuar shumë nga atributet e fesë.» Në ç’mënyrë? Paraja bëhet një perëndi. Gjithçka tjetër sakrifikohet në altarin e lakmisë dhe të fitimit. Thelbi është përfitimi. Sa më i madh të jetë përfitimi, aq më mirë është. Megjithatë, sipas faktit real, pavarësisht se sa kohë i kushtoni, lakmia për gjëra materiale, nuk do të plotësohet asnjëherë në masë të plotë. Në Eklisiastiun [Kishtari] 5:9, përkthimi i Dom Simon Filipajt thotë: «Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, farë përfitimi s’do të ketë prej saj.» Po njësoj, «kush e do» pushtetin, pasurinë apo seksin, sado që të marrë nuk do të ngopet kurrë.

Kurrë mos hiqni dorë nga shpresa për shpëtim

Një faktor i rëndësishëm për të mbijetuar është mbajtja e një pikëpamjeje shpresëdhënëse dhe pozitive. Nganjëherë nuk mund të bëni shumë për t’i shpëtuar ndikimit të njerëzve lakmitarë. Për shembull, ata njerëz që po vdesin urije, shpeshherë nuk mund të bëjnë shumë për t’i shpëtuar gjendjes së tyre imediate. Megjithatë, mos hiqni dorë; mos u dorëzoni. Sipas The SAS Survival Handbook, «është e lehtë ta lëshoni veten, të rrënoheni dhe të përpiheni nga mëshira për veten», kur gjendeni të zbuluar në një mjedis armiqësor dhe të pambrojtur. Mos u lëshoni pe mendimeve dhe ndjenjave negative. Ndoshta mund të çuditeni nga fakti se sa shumë mund të qëndroni. «Burra dhe gra kanë treguar se mund të mbijetojnë edhe në situatat më armiqësore»,—thotë i njëjti manual. Si e kanë bërë këtë gjë? Sipas këtij manuali, ata kanë mbijetuar «për shkak të vendosmërisë për të vepruar kështu». Jini të vendosur për të mos u mundur nga ky sistem lakmitar.

Xhejms Skot, i cili u përmend më lart, më në fund gjeti shpëtim, nga ai që mund të ishte bërë varri i tij himalajan. Ai tha se beteja e tij për të mbijetuar, i kishte mësuar të paktën një mësim të rëndësishëm. Cili ishte ai? «Nuk ka asnjë sfidë në jetë, që të jetë tepër e vështirë për t’u përballuar»,—tha ai. Edhe Tim Makartni-Snap, një alpinist me përvojë, i cili u habit që Xhejms Skot mundi të qëndronte, derisa u gjet i gjallë, nxori një mësim. Ai tha: «Për aq kohë sa ekziston ndonjë aluzion shprese, nuk duhet të hiqni dorë.» Prandaj, pavarësisht se sa e zymtë mund të duket situata, vetëm i keqësoni gjërat, nëse humbni shpresën. Kurrë mos hiqni dorë nga shpresa për shpëtim.

Por, a ekziston ndonjë «aluzion shprese», ndonjë mundësi e vërtetë shpëtimi nga një botë e ngijur me lakmi? A do të shpëtojmë ndonjëherë nga njerëzit lakmitarë, të cilët po rrënojnë planetin dhe po dëmtojnë jetën e miliarda njerëzve? Në fakt, ekziston një perspektivë e sigurt shpëtimi. Shtyrtoni përgjigjen që jep Bibla në artikullin vijues.

[Shënimi]

a Shikoni artikullin e botuar në anglisht «Dhuna: Ju mund të mbroheni», në numrin Zgjohuni! 22 prill 1989, faqet 7-10.

[Kutia në faqen 7]

Paralajmërimet në kohë të Biblës

Proverbat 20:23 «Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.»

Jeremia 5:26, 28 «Midis popullit tim ka njerëz të këqij që përgjojnë si gjuetarët e zogjve në pritë; ata vënë leqe dhe kapin njerëz. Majmen dhe begatohen; po, kalojnë madje kufijtë e së keqes. Nuk mbrojnë çështjen, çështjen e jetimit dhe megjithatë; nuk mbrojnë të drejtën e të varfërve.»

Efesianëve 4:17-19 «Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.»

Kolosianëve 3:5 «Bëni të vdesin, pra, gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, papastërtinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe zilinë, që është idhujtari.»—BR.

2. Timoteut 3:1-5 «Por dije këtë, në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u trajtuar. Sepse njerëzit do të jenë dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa dashuri të përzemërt të natyrshme, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhëtarë, kokëfortë, të fryrë me krenari, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë, që kanë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por që dalin të rremë ndaj fuqisë së saj; dhe prej këtyre largohu.»—BR.

2. Pjetrit 2:3 «Në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo