Pikëpamja e Biblës
UFO-t: Lajmëtarë të Perëndisë?
NDËRSA fundi i shekullit të 20-të afrohet dhe kushtet në tokë vazhdojnë të keqësohen, është gjithnjë e në rritje numri i atyre që besojnë në objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe në qeniet jashtëtokësore që udhëtojnë me to. A janë UFO-t vetëm një fantazi, një mashtrim, një rreng i shpikur nga ata, të cilëve u pëlqen të qeshin me mendjelehtësinë e njerëzve?
Ndër ata që thonë se kanë parë UFO ose pasagjerët e tyre jashtëtokësorë ka edhe njerëz në dukje normalë dhe të denjë për besim; në fakt, ata që besojnë në këta vizitorë prej planeteve të tjera përfshijnë edhe profesorë dhe shkencëtarë shumë të arsimuar. Ata janë të bindur se jashtëtokësorët vëzhgojnë njerëzit dhe nganjëherë komunikojnë me ta. Ekzistojnë të ashtuquajturat grupe për mbështetjen e jashtëtokësorëve, për t’u dhënë ndihmë njerëzve që pohojnë se kanë pasur kontakt me vizitorë nga hapësira.a
Plani i jashtëtokësorëve për mbijetesën
Në një libër të saj (Aliens Among Us), Rutha Montgomeri interviston disa prej atyre që në numër gjithnjë e në rritje janë të bindur se janë vizitorë jashtëtokësorë, që qëndrojnë në trupa njerëzorë. Disa prej atyre që pohojnë se janë jashtëtokësorë të kthyer në njerëz parathonë se në vitin 2000, do të ketë një «ngjarje kozmike që po përgatitet prej kohësh nga hierarkitë e engjëjve dhe të sundimtarëve». Disa njerëz besojnë se jashtëtokësorët po përdorin UFO-t për të mbledhur dhe për të ruajtur mostra bimësh dhe kafshësh apo se UFO-t do të përdoren si barka shpëtimi për të transferuar miliona njerëz nga shkatërrimi i pashmangshëm i tokës. Pas shkatërrimit të madh, njerëzit do të rikthehen për të filluar «Epokën e Re dhe Rregullin e Ri» të vetëdijes frymore. Një djalosh nga Kolorado, SHBA, anëtar i një grupi të vetëquajtur «Rinia jashtëtokësore», tha me gjithë seriozitetin për Zgjohuni!: «Unë dhe shokët e mi po presim që etërit tanë jashtëtokësorë të na marrin, duke na teletransportuar.»
Një numër i vogël i atyre që pohojnë se janë jashtëtokësorë, thonë se drejtohen nga Perëndia, ndërsa të tjerë thonë se flasin lirisht me të dhe i kërkojnë këshilla se si të ndihmojnë njerëzimin. Mos vallë Perëndia po përdor vizitorë nga planetet e tjera për të shpëtuar njerëzimin nga një katastrofë botërore që po afrohet?
Komunikimi i Perëndisë me njerëzimin
Në fillim të historisë njerëzore, Perëndia komunikonte me njerëzit. Në Bibël përshkruhen biseda që Perëndia ka bërë me Adamin dhe Evën, me Noen, Abrahamin e të tjerë.b (Zanafilla 3:8-10; 6:13; 15:1) Për të komunikuar vullnetin e Perëndisë dhe për të nxjerrë Biblën, janë përdorur ëndrrat, zërat dhe vizionet. Megjithatë, pasi Bibla u përfundua, a kishte nevojë për një komunikim të drejtpërdrejtë nga qielli me njerëzimin? Jo, pasi Bibla deklaron se Shkrimet e Shenjta e bëjnë ‘njeriun e Perëndisë . . . plotësisht të zotin, mjaft të përgatitur, për çdo vepër të mirë’. (2. Timoteut 3:17, BR) Sipas Biblës, udhëheqja për këto kohë të vështira vjen nga Fjala e shkruar e Perëndisë. Megjithatë, a ekziston ndonjë arsye për të besuar se Perëndia do të komunikonte me ne apo do të na jepte udhëzime të veçanta në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes një zëdhënësi jashtëtokësor? Jo, sepse apostulli Pavël deklaroi: «Edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar.»—Galatasve 1:8.
Megjithëse pohimet e të supozuarave qenie jashtëtokësore duket se pajtohen me profecitë e Biblës se toka së shpejti do të pësojë ndryshime të mëdha kataklizmike, ato ofrojnë një metodë mbijetese që mbeshtetet në krijesat. Bibla nuk i nxit njerëzit që të gjejnë sigurinë e supozuar, duke u strehuar në anije kozmike jashtëtokësore apo në ndonjë vend tjetër. Përkundrazi, ajo na thotë të kërkojmë mbrojtje në një marrëdhënie të dedikuar me Perëndinë, dedikim i cili simbolizohet me pagëzim në ujë. (1. Pjetrit 3:21; krahaso Psalmin 91:7; Mateun 28:19, 20; Gjonin 17:3.) Jezui, në fakt, tha se «ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet».—Mateu 24:13.
A nuk theksojnë këto shkrime nevojën për të pasur një marrëdhënie frymore me Perëndinë për të mbijetuar, sesa një vend fizik strehimi? Prandaj, në vend se ta ndihmojnë njerëzimin që të mbijetojë, historitë mbi ‘qeniet jonjerëzore’ e largojnë vëmendjen e njerëzve nga ajo që kërkon në të vërtetë Perëndia për mirëqenien e tyre të përjetshme.
Kush mund të përpiqet që të largojë njerëzimin nga mjetet e siguruara nga Perëndia për të mbijetuar, e përsëri të thotë se përfaqëson Perëndinë? Në një libër të tij (Report on Communion), Ed Konroi thotë se «ufologët [ata që merren me studimin e UFO-ve] seriozë me një përgatitje në fushën e psikologjisë dhe të shkencave shoqërore» përfshijnë në kërkimet e tyre edhe studime krahasuese mbi «‘vizitorët në dhomën e gjumit’, fantazmat, ‘poltergeist’, hijet, vizionet fetare dhe ata që janë konsideruar si demonë». Shumë ufologë, bashkë me ata që pohojnë se janë jashtëtokësorë në formë njerëzore, thonë se përdorimi i anijeve kozmike për të udhëtuar është në një masë të madhe i kotë. Ata thonë se këto qenie mund të udhëtojnë në mënyrë të padukshme dhe të materializohen në çdo vend të tokës, pa nevojën e anijeve kozmike.
Bibla paralajmëron se Satanai dhe demonët e tij kanë për qëllim që ta çojnë njerëzimin në rrugë të shtrembër. Duke përfituar nga dëshpërimi dhe nga fakti që njerëzit nuk kanë shpresë, ata ofrojnë zgjidhje tërheqëse, por që janë të rreme. (2. Korintasve 11:14) Për këtë arsye, Bibla na paralajmëron: «Në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.»—1. Timoteut 4:1.
Në mënyrë të ngjashme sot, çdo vizitë e supozuar dhe udhëheqja në dukje e dobishme nga këto qenie duhet hedhur poshtë, në çdo formë që mund të paraqitet. Ata që do të ndjekin këshillën e «jashtëtokësorëve» dhe jo Fjalën e Perëndisë, me siguri do të shkojnë në rrugë të shtrembër dhe kjo gjë është një gabim shumë i rëndë në këtë kohë vendimtare.
[Shënimet]
a Për një trajtim mbi UFO-t dhe jetën jashtëtokësore shiko numrat e botuar në anglisht 8 prill 1990 dhe 8 nëntor 1990 të revistës Zgjohuni!
b Ezekieli, një shkrimtar i Biblës, pa atë që disa e kanë interpretuar si UFO. (Ezekieli, kreu 1) Megjithatë, ky ishte një nga vizionet e shumta simbolike të përshkruara nga Ezekieli dhe profetët e tjerë dhe jo një pamje fizike në kuptimin e vërtetë, siç pohohet në kohët moderne.