Të shembim muret për të ndërtuar ura
NUK e zgjodhëm ne familjen apo kombin në të cilin lindëm, e as nuk e vendosëm ne se cila kulturë do ta modelonte mënyrën tonë të të menduarit. Këto gjëra nuk ishin nën kontrollin tonë. Të gjithë jemi subjekte të kohës dhe të rrethanave. Megjithatë, ne mund të kontrollojmë mënyrën se si i konsiderojmë të tjerët dhe si veprojmë me ta tyre.
Bibla përshkruan mënyrën se si mund ta bëjmë këtë gjë. Le të shqyrtojmë disa parime që do të na ndihmojnë të ndërtojmë ura komunikimi me ata që mund të vijnë nga një mjedis i ndryshëm nga ai i yni.
«Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, . . . ka bërë nga një gjak [njeri, BR] i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut.» (Veprat 17:24, 26) Ne jemi të gjithë anëtarë të së njëjtës familje njerëzore e si rezultat kemi shumë gjëra të përbashkëta. Duke kërkuar gjërat e përbashkëta që kemi, e bëjmë më të lehtë komunikimin. Gjithkush nga ne dëshiron të ketë shokë të mirë dhe ka nevojë të ndjejë se të tjerët e duan dhe e respektojnë. Të gjithë përpiqemi të shmangim dhimbjen fizike dhe atë emocionale. Njerëzit e të gjitha kulturave e duan muzikën dhe artin, bëjnë shaka, i kushtojnë rëndësi qëndrimit të sjellshëm me njëri-tjetrin dhe kërkojnë mënyra për të qenë të lumtur.
«Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.» (Filipianëve 2:3) Kjo nuk do të thotë që duhet t’i konsiderojmë të tjerët më lart se veten në çdo gjë. Por, duhet të kuptojmë se në disa fusha të jetës, të tjerët qëndrojnë më lart. Asnjëherë nuk duhet të mendojmë se ne apo kultura jonë zotëron gjithçka që është e mirë.
«Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve.» (Galatasve 6:10) Thjesht marrja e iniciativës për të qenë miqësor dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, pavarësisht nga mjedisi i tyre kulturor, mund të ndihmojë shumë për të mbyllur një të çarë komunikimi.
«Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim.» (Jakovit 1:19) Për të komunikuar mirë nuk mjafton vetëm të flasësh, por duhet edhe të dëgjosh me bashkëndjenjësi.
«Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.» (Proverbat 20:5) Tregoni zgjuarsi për të dalluar ndjenjat dhe motivet që fshihen pas sjelljes së sipërfaqshme të një personi. Përpiquni t’i njihni njerëzit më mirë.
«Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.» (Filipianëve 2:4) Tregohuni empatik, duke i parë gjërat nga këndvështrimi i personit tjetër. Jini altruist.
Ndryshimet kulturore mes Dëshmitarëve të Jehovait
Efektshmëria e vërtetë e këtyre parimeve shihet në unitetin e jashtëzakonshëm që ekziston mes Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët veprojnë aktivisht në 232 vende mbi tokë. Ata janë një popull që vjen nga ‘të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’ dhe janë të vendosur për të vepruar në harmoni me drejtimin e dashur të Jehovait në çdo gjë.—Zbulesa 7:9; 1. Korintasve 10:31-33.
Individët Dëshmitarë nuk e përçmojnë kulturën e të tjerëve. As ata që bëhen Dëshmitarë nuk e hedhin poshtë kulturën në të cilën janë rritur, përveç atyre rasteve kur ajo është në kundërshtim me parimet biblike. Në raste të tilla ata bëjnë ndryshime në jetën e tyre. Ata e pranojnë faktin se çdo kulturë ka aspektet e saj të lavdërueshme dhe se këto rriten edhe më shumë tek ata njerëz që adoptojnë adhurimin e vërtetë.
Ata përpiqen ta shikojnë planetin tonë ashtu siç do ta shikonte Perëndia, rrezatues, të kaltër dhe të bukur, që rrotullohet në hapësirë. Është një planet me një shumëllojshmëri të mrekullueshme njerëzish dhe kulturash. Dëshmitarët e Jehovait presin kohën, kur të gjithë në tokë do të gëzojnë jetën si një familje vërtet e bashkuar.
[Figura në faqen 8]
Dëshmitarët e Jehovait kanë mësuar si të shembin pengesat kulturore