Kush e shpiku kravatën?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
ANEMBANË botës, pothuajse 600 milionë burra e mbajnë atë rregullisht. Një gjerman i zakonshëm ka rreth 20 kravata. Shumë burra kanë pyetur me njëfarë zemërimi, ndërsa vinin kravatën: «Kush na i shpiku këto, mor aman?» Ku zunë fill kravatat?
Steenkerke, një qytet në Belgjikë, pohon se ka nderin e «shpikjes» së kravatave. Në vitin 1692, forcat angleze ndërmorën një sulm të papritur mbi trupat franceze që ishin vendosur atje. Sipas gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, «oficerët [francezë] s’patën kohë të visheshin siç duhet. Pa e zgjatur, ata i vunë shallet e uniformës rreth qafës me një nyje të lirshme dhe majat e tyre i futën në vrimat e komçave të xhaketës. Dhe voilà, lindën kravatat në formën e tyre origjinale».
Megjithatë, moda e re e ushtarëve nuk ishte tamam pa precedent. Ekspertë në historinë e kravatave theksojnë se shekuj më parë, luftëtarët e perandorit kinez Çeng (Shih Huang Ti) mbanin një veshje në formën e shallit të mbështjellë rreth qafës, për të treguar rangun e tyre.
Megjithatë, ndoshta shallet më të famshme janë mbajtur nga kroatët që luftonin për mbretin Luigji XIV i Francës. Gjatë një parade fitoreje në Paris, francezët ishin kaq të tërhequr nga shallet e kroatëve, sa i quajtën cravates, nga fjala Cravate, kroat dhe nisën edhe ata të mbanin shall. «Qysh prej asaj kohe,—shkruan gazeta e lartpërmendur,—moda e kravatave s’ka reshtur kurrë, edhe pse ushtarët në Steenkerke ishin të parët që e bënë shallin si kravatë me nyje.
Gjatë Revolucionit Francez (1789-99), një person e tregonte prirjen e tij politike nga ngjyra e «kroatit» apo e shallit, rreth qafës. Në shekullin e 19-të, shoqëria elegante evropiane «zbuloi» këtë formë stolisjeje. Pikërisht atëherë, kravatat u ngritën nga zona ushtarake dhe politike dhe hynë përgjithësisht në garderobën e meshkujve. Sot, kravata nuk është vetëm e pranuar në shumë shoqëri anembanë botës; në disa ambiente, ajo është madje e detyrueshme.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Kostum historik në pikturë/Dover Publications, Inc., New York