A e keni pyetur ndonjëherë veten?
ÇFARË thotë në të vërtetë Bibla për Marinë, të ëmën e Jezuit? Pjesa më e madhe e besimtarëve në të ashtuquajturin krishterim besojnë doktrinën, sipas së cilës Ati është Perëndia, Biri është Perëndia, Fryma e Shenjtë është Perëndia dhe akoma ata janë tre perëndi, por tre në një. Me fjalë të tjera, Trinitetin. Për shumë sektorë të të ashtuquajturit krishterim (katolik, anglikan dhe ortodoks), nga kjo doktrinë zë fill në mënyrë të logjikshme bindja se Maria, nëna e Jezuit, është në këtë mënyrë «Nëna e Perëndisë». A është vërtet ashtu? Si e konsideronte Jezui nënën e tij? Si e konsideronin atë dishepujt? Le të shohim se si përgjigjet Bibla.
1. Kur është përmendur për herë të parë Maria në Bibël?—Mateu 1:16.
2. Çfarë feje praktikonte Maria në kohën e lindjes së Jezuit?—Luka 2:39, 41.
3. A bëri Maria një ofertë për mëkatet e saj?—Luka 2:21-24; krahaso Levitikun 12:6, 8.
4. A ishte Maria e virgjër, kur mbeti shtatzënë me Jezuin? Përse ishte e rëndësishme kjo gjë?—Mateu 1:22, 23, 25; Luka 1:34; Isaia 7:14; Hebrenjve 4:15.
5. Si mbeti Maria shtatzënë?—Luka 1:26-38.
6. Si reagoi Maria përballë situatës së saj të veçantë?—Luka 1:46-55.
7. Si tregoi Maria se ishte një nënë e kujdesshme?—Luka 2:41-51.
8. A pati Maria fëmijë të tjerë më vonë?—Mateu 13:55, 56; Marku 6:3; Luka 8:19-21; Gjoni 2:12; 7:5; Veprat 1:14; 1. Korintasve 9:5.
9. Si e dimë se vëllezërit dhe motrat e Jezuit nuk ishin në të vërtetë kushërinjtë e tij?—Krahaso Markun 6:3; Lukën 14:12 dhe Kolosianëve 4:10.
10. A e konsideroi Jezui Marinë si «Nëna e Perëndisë»?—Gjoni 2:3, 4; 19:26.
11. A e konsideronte Maria veten si «Nëna e Perëndisë»?—Luka 1:35; Gjoni 2:4, 5.
12. A i bëri Jezui nënës së tij ndonjë lajkatim apo nderim të veçantë?—Marku 3:31-35; Luka 11:27, 28; Gjoni 19:26.
13. Si e konsideronte Maria rolin e saj në qëllimet e Perëndisë?—Luka 1:46-49.
14. A është Maria një ndërmjetëse ndërmjet Perëndisë dhe njeriut?—1. Timoteut 2:5.
15. Në cilët prej 66 librave biblikë është përmendur Maria?
16. A e lartësuan shkrimtarët e krishterë Marinë në librat dhe letrat e tyre?—Gjoni 2:4; 2. Korintasve 1:1, 2; 2. Pjetrit 1:1.
17. Sa herë është përmendur Maria në 21 letrat e shkruara nga Pavli, Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Juda?
18. Cila ishte shpresa e Marisë si një ithtare e Jezuit?—1. Pjetrit 2:5; Zbulesa 14:1, 3.
19. A është Maria, gruaja së cilës i referohet Zanafilla 3:15 dhe Zbulesa 12:3-6?—Isaia 54:1, 5, 6; Galatasve 4:26.
20. Cila është gjendja e tanishme e Marisë?—2. Timoteut 2:11, 12.
Përgjigjet e Biblës
1. «Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht.»—Mateu 1:16.
2. «Mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret. Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës.» (Luka 2:39, 41) Si judenj që ishin, ata ndiqnin Ligjin e Moisiut.
3. «Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jerusalem për t’ia paraqitur Zotit, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: ‘Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin.’» (Luka 2:22, 23) «Kur të plotësohen ditët e pastrimit të saj, pavarësisht nëse është fjala për një djalë apo vajzë, do t’i çojë priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një qengj motak si olokaust dhe një pëllumb të ri o një turtull, si flijim për mëkatin. Dhe në rast se i mungojnë mjetet për të ofruar një qengj, do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, njërin si olokaust dhe tjetrin si flijimin e mëkatit. Prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe ajo do të jetë e pastër.»—Levitiku 12:6, 8.
4. «Ai [Jozefi] nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi një djalë; dhe i vuri emrin Jezu.» (Mateu 1:25, BR) «Maria i tha engjëllit: ‘Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?’» (Luka 1:34) «Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajë Emanuel.» (Isaia 7:14) «Ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.»—Hebrenjve 4:15.
5. «Engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ‘Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. . . . Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.’»—Luka 1:35, 37.
6. «Maria tha: ‘Shpirti im e madhëron Zotin dhe fryma ime ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha dhe i Shenjtë është emri i tij!’»—Luka 1:46, 47, 49.
7. «Kur ata e panë, mbetën të habitur dhe e ëma i tha: ‘Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!’ Por ai u tha atyre: ‘Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?’»—Luka 2:48, 49.
8. «A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda? Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne?» (Mateu 13:55, 56) «Ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij [greqisht, a·del·phoiʹ] dhe me dishepujt e tij [greqisht, ma·the·taiʹ]; dhe ata qëndruan aty pak ditë.»—Gjoni 2:12.
9. Në greqisht ka fjalë të veçanta për vëlla dhe kushëri. «‘A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai [greqisht, a·del·phosʹ] i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat [greqisht, a·del·phaiʹ] e tij?’ Dhe skandalizoheshin për shkak të tij.» (Marku 6:3) «Mos thirr . . . farefisin [greqisht, syg·ge·neisʹ].» (Luka 14:12) «Markun, kushëririn [greqisht, a·ne·psi·osʹ] e Barnabës . . . » (Kolosianëve 4:10)—Shikoni The Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures.
10. «Jezusi i tha: ‘Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!’» «Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ‘O grua, ja biri yt!’» (Gjoni 2:4; 19:26) Fakti që Jezui përdori fjalën «grua» nuk ishte e parespektueshme sipas zakonit të kohës.
11. Asnjë varg biblik nuk e përdor shprehjen «Nëna e Perëndisë».
12. «Një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: ‘Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.’ Por ai u tha: ‘Më tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.’»—Luka 11:27, 28.
13. «Maria tha: ‘Shpirti im e madhëron Zotin, sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume.’»—Luka 1:46, 48.
14. «Në fakt një është Perëndia dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.»—1. Timoteut 2:5.
15. Në pesë prej tyre: Mateu, Marku, Luka, Gjoni dhe Veprat. Është përmendur «Maria» 19 herë, «nëna» e Jezuit 24 herë dhe «grua» 2 herë.
16. Përveç katër shkrimtarëve të Ungjijve, Maria nuk është përmendur asnjë herë, madje as në prologjet e letrave apostolike. «Pavli, një apostull i Krishtit Jezu përmes vullnetit të Perëndisë . . . Paçi dashamirësi të pamerituar dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe Zotëria Jezu Krisht.» (2. Korintasve 1:1, 2, BR) «Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, . . . me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht.»—2. Pjetrit 1:1.
17. As edhe një herë të vetme.
18. «Edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.» (1. Pjetrit 2:5) «Pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. Ata këndonin një këngë të re përpara fronit . . . dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun, përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.»—Zbulesa 14:1, 3.
19. «Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti. Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i lzraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.» (Isaia 54:1, 5) «Jerusalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.» (Galatasve 4:26) «Gruaja» e përmendur në këto vargje është gruaja simbolike e Perëndisë, Sioni qiellor, organizata qiellore e Jehovait, e krahasuar me një grua dhe nënë.
20. «Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë; në qoftë se vuajmë [vazhdojmë të qëndrojmë, BR], do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.» (2. Timoteut 2:11, 12) Nëse ka qëndruar plot besim deri në vdekje, tani ajo mbretëron në qiell bashkë me pjesën tjetër të 144.000-ve, të cilët mbretërojnë bashkë me Krishtin.—Zbulesa 14:1, 3.