A do të ketë ujë të majftueshëm?
«Vetëm 2% e ujit të përgjithshëm në tokë është i ëmbël dhe 2/3 e kësaj rezerve të konsumueshme është e ngrirë në pole dhe në zona të akullta, duke lënë [më pak] se 1% si ujë në formë të lëngët e të pijshëm.»—Research and Exploration, një botim i revistës National Geographic.
A KENI ujë të pijshëm e të rrjedhshëm në shtëpi? Atëherë jeni fatlum. Miliona njerëz duhet të shkojnë të marrin ujë disa kilometra larg, madje edhe atëherë vështirë se është i pijshëm. Të tjerë duhet të grumbullohen nëpër çezmat publike ose pranë autobotëve për të marrë një racion të vogël të këtij lëngu të çmuar. Research and Exploration deklaronte: «Me shtimin e popullsisë, rriten edhe problemet e përdorimit dhe administrimit të ujit. Këto probleme janë më të mprehta në vendet në zhvillim, ku rreth 1 miliard njerëz e kanë tashmë të vështirë ose të pamundur të kenë ujë që mund të pranohet si i pijshëm.» Kjo do të thotë se gati 1 ndër 5 persona në botë e kanë shumë problem sigurimin e ujit të pijshëm.
Farat e konflikteve të ardhshme janë mbjellë tashmë në mungesën e ujit. Një specialist tha: «Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish nuk do të jetë në gjendje të përmirësojë jetën, duke jetuar në qytete barakash, ku përpjekjet për të mposhtur varfërinë, mospërputhjet kulturore dhe konfliktet etnike do të dënohen nga mungesa e ujit për të pirë, e tokës për të mbjellë dhe e vendit për të mbijetuar.»
Çfarë mund të bëjmë personalisht për ta përdorur me mençuri këtë burim të çmuar? Mund ta përdorim me kursim dhe kujdes: është i çmuar dhe i kufizuar.
1) Mos e harxhoni ujin kot! Mos i lini çezmat hapur pa qenë nevoja, për shembull kur lani dhëmbët apo kur rruheni! Mos rrini shumë në dush, gjithnjë nëse keni fatin të keni një dush!
2) Mos e ndotni ujin! Nëse pranë vendit ku jetoni kalon një lumë apo përrua i ndotur, dikush më lart po rrënon një burim shumë të rëndësishëm për komunitetin tuaj. Shpesh, përgjegjësia më e madhe për këtë ndotje u përket autoriteteve të vendit, industrialistëve, fermerëve dhe të tjerëve që mund të lejojnë hedhjen nëpër lumenj dhe përrenj të ujërave të zeza të papërpunuara dhe të prodhimeve kimike.
Perëndia si Krijuesi dhe Pronari i tokës, ka të drejtë të na kërkojë llogari për mënyrën se si e përdorim planetin tonë. Bibla profetizon se Jehovai në fakt ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë dheun’.—Zbulesa 11:18.