1995: Ç’mund të themi për të ardhmen?
«Bota ka nevojë për një busull më të mirë, sesa thirrjet e thjeshta për demokraci dhe ekonomi tregu, por nuk ka asnjë në dorë.»—Uill Hatën, Guardian Weekly.
NGA pikëpamja njerëzore, kjo deklaratë mund të duket e vërtetë. Duket se bota nuk ka një busull të besueshme për t’i treguar rrugën drejt paqes, sigurisë, drejtësisë, paanësisë dhe qeverisjes së mirë. Njeriu ka provuar gati çdo sistem qeveritar, nga monarkitë deri tek republikat, nga diktaturat deri tek demokracitë dhe përsëri kupton se bota është gati e paqeverisshme. Cilën rrugë duhet të marrë tani?
Me sa duket, duhet bërë një zgjedhje: ose shtegun që zbret në një botë me më shumë dhunë, kriminalitet, korrupsion, padrejtësi, hipokrizi fetare dhe politike, urrejtje kombëtare dhe shfrytëzim të të varfërve. Ky është shtegu që sipas disave të çon në anarki.
Ose ngjitjen e mundimshme vetëmohuese drejt një bote më të mirë, që bazohet në zgjidhjen e problemit të qeverisjes nga Perëndia, e cila gjendet në Bibël. Është e mundimshme, sepse kërkon kurajë morale, sakrificë personale, pikëpamje frymore për jetën dhe besim tek një Perëndi që ka një qëllim. Por për të pasur sukses në këtë ngjitje, njeriu duhet të jetë, gjithashtu, i përulur, i përulur përpara Krijuesit të tij. Duhet t’i drejtohet Perëndisë për sundim me drejtësi. Apostulli i krishterë Pjetër, këshilloi: «Përuleni veten, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai të mund t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa e hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.»—1. Pjetrit 5:6, 7, BR; Zbulesa 4:11.
Kush i ndez xixat e urrejtjes?
Njeriu i vetëm nuk mund ta ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme këtë botë për mirë: elementët egoistë dhe të ligj janë të shumtë dhe tepër të fuqishëm. Kishte të drejtë profeti Jeremia, kur shkroi: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e vet. Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e vet.» (Jeremia 10:23, BR) Pa Perëndinë, njeriu nuk mund t’i drejtojë me sukses hapat e tij në dobi të mbarë familjes njerëzore. Përse? Sepse përveç papërsosmërisë sonë të trashëguar, ekziston gjithmonë një armik i padukshëm, Satanai, i cili është gati të ndezë xixat siç bëri në Ruanda, duke i bërë njerëzit të shkaktonin një luftë gjakatare.—Zanafilla 8:21; Mateu 4:1-11.
Për të ndezur këtë xixë paragjykimi, urrejtjeje dhe vrasjesh në mendjet dhe zemrat e njerëzve, Satanai u ka futur në gjak kombeve nocionin e superioritetit kombëtar, fisnor dhe fetar. Ky edukim i urrejtjes, i rrënjosur thellë, është ngulitur që nga fëmijëria nga prindërit, mendja e të cilëve është mbyllur, shpesh për arsye të traditave shekullore. Këto tradita, më pas përforcohen nga sistemet shkollore dhe mësimet fetare. Në këtë mënyrë, miliona njerëz rriten me urrejtje dhe paragjykime në zemër. Ata janë të kushtëzuar, kanë bërë një lavazh të trurit që nga fëmijëria, për t’u kthyer kundër njerëzve të tjerë sipas urdhrit të demagogëve të paskrupullt politikë dhe fetarë. Vërshimi i parrullave të paarsyeshme dhe i reklamave të shkurtra televizive mund të ndezë një shkëndijë, e cila mund të shkaktojë një zjarr të madh, që çon në «spastrime etnike» apo kasaphana.
Duke treguar atë që mund të na ofrojë e ardhmja e afërt, Martin van Kreveld, historian në fushën e ushtrisë në Izrael, shkroi në një libër të tij se «nga pikëpamja e sotme, duket se ekziston çdo perspektivë që fanatizmi . . . fetar të luajë rolin më të rëndësishëm në nxitjen e konflikteve të armatosura» në Perëndim, se në çdo periudhë tjetër «të 300 vjetëve të fundit». (The Transformation of War) Në këtë mënyrë, feja në vend që të jetë një forcë për të vendosur paqen dhe për të ngritur gjendjen frymore të njerëzimit, amullohet në rolin e vet historik, duke provokuar urrejtje, konflikte dhe vrasje.
Është premtuar një e ardhme e ndryshme
Nëse njerëzimi dëshiron të jetë i denjë për të jetuar në një botë të re e të drejtë, atëherë duhet të marrë pjesë në përmbushjen e profecisë së Isaisë: «Ai [Jehovai] do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij. . . . Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:3, 4.
Kush po i bindet sot në të gjithë botën kësaj profecie të mrekullueshme? Kush ishin ata që vdiqën në Ruanda, për të mos vrarë bashkëbesimtarët e një fisi tjetër? Kush ishin ata që vdiqën nëpër kampet naziste të përqendrimit, për të mos u shërbyer interesave të ushtrisë së Hitlerit? Kush janë ata që kanë qenë nëpër burgje në shumë vende, për të mos mësuar luftën? Janë ata që kanë gëzuar plotësimin e Isaisë 54:13: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.»
Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën e kanë tani këtë paqe, për arsye se kanë pranuar mësimet e Jehovait nga Fjala e tij, Bibla. Ata ndjekin mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit. Por, çfarë tha Jezui? «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Dëshmitarët e Jehovait e praktikojnë këtë dashuri deri në atë pikë, sa ish-katolikët dhe ish-protestantët në Irlandën e Veriut veprojnë tani së bashku në harmoni. Në Izrael, në Liban dhe vende të tjera, ish-armiqtë fetarë tani bashkëpunojnë si të krishterë. Ata nuk mësojnë më luftën. Sa ndryshe do të ishin gjërat, nëse të gjithë popujt e botës do të ndiqnin fjalët e Jezuit dhe do t’i zbatonin ato në jetën e tyre!
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se bota e re që ka premtuar Perëndia, një botë që do të sundohet nga një qeveri qiellore, është afër. Ku e bazojnë ata këtë shpresë pozitive?
Veprimi vendimtar i premtuar nga Perëndia
Në Fjalën e tij, Biblën, Perëndia ka premtuar një qeveri të drejtë për gjithë njerëzimin e bindur. Përmes profetit të tij, Danielit, ai profetizoi se në përfundim të sistemit të tanishëm, ai do të vendoste një qeveri të drejtë dhe të përhershme. «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.» (Danieli 2:44) Është e njëjta Mbretëri, të cilën Jezui i mësoi ithtarët e vet të kërkonin, kur bëri lutjen e tij të famshme: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.»—Mateu 6:9, 10.
Në këtë lutje, ne i kërkojmë Perëndisë të përmbushë premtimet e tij në lidhje me sundimin e tij të drejtë dhe ne e dimë se Perëndia nuk mund të gënjejë. Pavli foli për ‘jetën e përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave’. (Titit 1:2; Hebrenjve 6:17, 18) E çfarë ka premtuar Perëndia? Apostulli Pjetër përgjigjet: «Ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re në të cilët banon drejtësia.»—2. Pjetrit 3:13; Isaia 65:17; Zbulesa 21:1-4.
Para se të nxjerrim dobi të plotë këtu në tokë nga kjo qeveri e drejtë, duhet të bëhet një pastrim me rrënjë. Profecitë biblike ndërthuren për të treguar se veprimi për të pastruar botën nga Satanai dhe forcat e tij të liga, do të ndodhë së shpejti. (Shiko Mateun, kreu 24; Lukën, kreu 21 dhe Markun, kreu 13.) Ky veprim përfundimtar pastrimi quhet beteja e Harmagedonit, ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’.—Zbulesa 16:14, 16.
Pavarësisht se çfarë mendojnë shumë njerëz, viti 2.000 nuk ka asnjë domethënie të veçantë. Në fund të fundit, kjo datë vlen vetëm për të ashtuquajturin krishterim. Kulturat e tjera përdorin kalendarë të ndryshëm. E rëndësishme është që tani ka ardhur koha për t’iu drejtuar Perëndisë dhe Fjalës së tij, për t’i provuar vetes çfarë është «i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë». (Romakëve 12:1, 2) Më e rëndësishmja është se tani është koha për të vendosur: të ecni drejt një të ardhmeje të bekuar nga Perëndia ose të vazhdoni shtegun e zhgënjimit që ofron bota e Satanait. Ne ju nxisim të zgjedhni rrugën e Perëndisë. Zgjidhni jetën!—Ligji i përtërirë 30:15, 16.
[Diçitura në faqen 14]
«Ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re në të cilët banon drejtësia.»—2. Pjetrit 3:13.
[Figura në faqen 13]
Kombet mund t’i kthejnë me të vërtetë shpatat e tyre në plugje, vetëm nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë