1945-1995: 50 vjet progres?
A KENI parë ndonjë përmirësim në cilësinë e jetës gjatë 50 vjetëve të fundit?a Le të marrim mjekësinë. Në disa vende, si në Britani, në Kanada, në Kubë dhe në Suedi, futja e sistemit shtetëror të mirëqenies, me sistemin e tij të mjekimit social, ka siguruar që pavarësisht nga gjendja ekonomike e pacientit, mjekët dhe spitalet të jenë në dispozicion për të gjithë.
Edhe disa vende në zhvillim, kanë mundur t’i përmirësojnë normat shëndetësore për qytetarët e tyre. Revista JAMA (The Journal of the American Medical Association) pranonte se «shërbimi mjekësor i disa vendeve të Botës së Tretë ka arritur të sigurojë kujdes shëndetësor themelor për të gjithë, në kushtet që vendet e tyre mund të mbështesin. . . . Progres i dukshëm është bërë në uljen e vdekjeve tek foshnjat dhe fëmijët në Kinë, në Kosta Rika, në Sri Lanka dhe në shtetin indian të Keralas».
Përmirësime në kuptimin material
Duke e krahasuar me gjendjen ekonomike të vitit 1945, në 1995-ën, shumë njerëz janë në gjendje më të mirë materiale. Shumë persona që 50 vjet më parë nuk do të kishin mundësi t’i lejonin vetes asnjë luks, sot kanë makina personale, televizorë, video, kompakt-disqe, frigoriferë, telefonë portativë dhe prodhime të tjera të jetës moderne. Ndoshta edhe ju jeni një ndër këta miliona.
Siç shpjegojnë autorët e serive të një libri, «për tridhjetë vjet pas Luftës II Botërore, Franca [bashkë me vende të tjera perëndimore në Evropë] përjetoi rritjen e vazhdueshme ekonomike, e cila edhe pse nuk eliminoi dallimet ndërmjet klasave, u solli një mirëqenie të re të gjitha klasave të shoqërisë. Me një shtëpi ‘të përshtatshme’, makinë ‘të thjeshtë’ dhe një televizor, bashkë me vendet që sigurojnë asistencë dhe mjekësi moderne, gjithkush nëse nuk mund të gëzojë parajsën në tokë, të paktën mund të gëzojë një jetesë të pranueshme».—A History of Private Life.
Megjithatë, pyetja është: A do të thotë pasja e më shumë gjërave materiale se njerëzit janë më mirë në çdo kuptim? Grumbullimi i të mirave materiale, a do të thotë automatikisht se jeta është më e mirë apo më e sigurt? Nëse nga njëra anë disa njerëz zotërojnë shumë gjëra, nga ana tjetër shumë të varfërve u mungojnë gjërat e nevojshme për të jetuar. Kjo gjë rrit tundimin për vjedhje, sulme, mashtrime dhe krime të tjera më të dhunshme. Disa nga ata që nuk janë të kamur, janë të vendosur që me çdo kusht të bëhen të tillë. Për shembull, në qytetin e Nju Jorkut vidhen më shumë se 100.000 makina çdo vit. Të mirat materiale nuk garantojnë një jetë më të sigurt.
Ka pasur përmirësime në fusha të tjera, megjithëse jo në atë masë në të cilën do të dëshironin disa.
Gratë atëherë dhe tani
Lufta II Botërore i dha nxitje një roli të ri për disa gra. Shumë ishin mësuar të ishin nëna dhe shtëpiake, ndërsa burrat fitonin për të jetuar. Lufta e Dytë Botërore e ndryshoi gjithë këtë. Burrat u morën në luftë, ndërsa gratë e tyre u gjendën duke punuar nëpër fabrikat e municionit apo nëpër vende të tjera pune të liruara nga burrat. Kohët e fundit, disa kanë hyrë në forcat e armatosura dhe kanë mësuar të vrasin. Miliona gra u bënë punëtore me pagesë dhe arritën fluturimthi një mënyrë të ndryshme jetese me pavarësinë e tyre financiare. Kjo ishte ajo që shkrehu mekanizmin, i cili u hapi pak nga pak derën «grave të çliruara» sot. Disa gra thonë se në shumë vende ka akoma një rrugë të gjatë për të fituar betejën për barazi. Thonë se ka një «tavan të qelqtë» që i pengon të arrijnë pozita drejtuese në punë.
Probleme të krijuara nga migracioni në masë
Një tjetër ndryshim shumë i madh gjatë 50 vjetëve të fundit është braktisja e jetës në fshat dhe e bujqësisë, në përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë në qytet. Për disa kjo ëndërr është bërë realitet. Por, cilat kanë qenë rezultatet për shumë të tjerë?
Miliona njerëz çdo vit migrojnë për në qytetet që tashmë janë të mbipopulluara, ku strehimi është i pamjaftueshëm dhe i kushtueshëm. Cila është një nga pasojat? Qytete barakash që bëhen pjellore për sëmundje, krime, dhe destabilizim politik. Këto banesa të improvizuara, të bëra me mbeturina të hedhura kartonash, dërrasash apo llamarine të valëzuar, janë kasollet apo siç quhen në spanjisht barracas ose chabolas, që strehojnë klasat më të varfëra të botës, që luftojnë për të mbijetuar. Këto qytete barrakash që në portugalisht quhen favelas dhe në turqisht gecekondus (që do të thotë «e ndërtuar brenda natës»), janë një fakt i jetës që nuk mund të mos përfillet, qoftë në Afrikë, në Indi, në Amerikën Jugore apo në çdo vend tjetër të botës.
E tashmja dhe e ardhmja për disa vende afrikane
Ç’mund të thuhet për Afrikën? Dy doktorë, duke shkruar në JAMA, e titulluan artikullin e tyre: «Afrika buzë greminës: një e ardhme kërcënuese, por jo akoma e pashpresë.» Ata pranonin se gjendja politike dhe sociale e pjesës më të madhe të Afrikës paraqesin një fushë të minuar me probleme. Ata shkruanin: «Për Afrikën subsahariane [një zonë me 45 vende] 20 vjetët e kaluar kanë qenë shkatërrimtarë. Zona është goditur nga urija, thatësira, luftërat civile, korrupsioni politik, SIDA, nga rritja e shpejtë e popullsisë, rënia e prodhimit ushqimor, degradimi i ambientit . . . Ekspertët parathonë njëzëri se rënia e mëtejshme ekonomike, varfëria dhe vuajtjet janë të pashmangshme të paktën për një periudhë të shkurtër kohe.» I njëjti artikull pranon se 32 nga 40 vendet më të varfra të botës, shtrihen në Afrikën subsahariane.
Ç’mund të themi tani për klimën e sotme morale në botë? Artikulli vijues do të trajtojë shkurtimisht «progresin» e botës në këtë çështje.
[Shënimi]
a Për shkak të vendit të kufizuar, trajtimi ynë nuk përfshin të gjitha aspektet e progresit apo të ndryshimeve gjatë gjysmës së shekullit të fundit.
[Burimi i figurës në faqen 6]
USAF Photo
[Burimi i figurës në faqen 7]
NASA Photo