6B Pyetje refuzuese që tregojnë kundërshtim
Mt 8:29—«Ç’punë kemi ne me ty, o Bir i Perëndisë?»
Kjo pyetje që i bënë demonët Jezuit, është një formë pyetjeje idiomatike e lashtë, e cila gjendet në Shkrimet Hebraike në tetë vende, përkatësisht, te: Js 22:24; Gjy 11:12; 2Sa 16:10; 19:22; 1Mb 17:18; 2Mb 3:13; 2Kr 35:21; Ho 14:8. Në Shkrimet e Krishtere Greke, si edhe në versionin siriak, është bërë një përkthim fjalë për fjalë i shprehjes së lashtë hebraike, dhe ajo shfaqet gjashtë herë, përkatësisht, te: Mt 8:29; Mr 1:24; 5:7; Lu 4:34; 8:28; Gjo 2:4. Fjalë për fjalë pyetja te Mt 8:29 përkthehet: «Çfarë ka te ne dhe te ti?» dhe ka kuptimin «Çfarë ka të përbashkët mes nesh dhe teje?» «Çfarë kemi të përbashkët ne dhe ti?» Ose siç është përkthyer më sipër: «Ç’punë kemi ne me ty?»
Në çdo rast te Shkrimet, qoftë Hebraike, qoftë Greke, ajo është një formë pyetjeje refuzuese, e cila tregon kundërshtim ndaj diçkaje të sugjeruar, të propozuar ose të dyshuar. Kjo mbështetet nga forma pohore e parashtrimit të çështjes tek Ezd 4:3 (2 Ezdra 4:3, LXX): «Ju s’keni punë me ne për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë tonë» ose «Nuk ju takon juve dhe neve të ndërtojmë një shtëpi për Perëndinë tonë». E njëjta formë shprehjeje urdhërore është kërkesa te Mt 27:19 që e shoqja e Pilatit i bëri për Jezuin, i cili ndodhej përpara burrit të saj për t’u gjykuar: «Mos u përziej fare me atë njeri të drejtë.» Fjalë për fjalë është: «Të mos ketë asgjë mes teje dhe atij njeriu të drejtë.»
E shprehur në atë formë shumë të zakonshme, pyetja e Jezuit drejtuar së ëmës te Gjo 2:4 nuk mund të përjashtohet nga kategoria e mësipërme. Ajo përmban tërë veçoritë e refuzimit ose të kundërshtimit ndaj së ëmës, që po i thoshte se çfarë udhe të ndiqte. Prandaj, në këtë rast e kemi përkthyer njësoj si në gjithë rastet e tjera të ngjashme me këtë pyetje: «Ç’punë kam unë me ty, o grua? Ora ime ende nuk ka ardhur.» Përkthyes të tjerë e përkthejnë më me forcë: «Mos u përpiq të më drejtosh. Ende nuk është koha që të veproj.» (An American Translation) «Mos më shqetëso, o grua; ora ime ende nuk ka ardhur.»—The Four Gospels, nga Ç. K. Tori, bazuar në aramaisht.