E mërkurë, 22 prill
Krishti vuajti për ju e ju la një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.—1 Pjet. 2:21.
Jezui la një model të përsosur se si t’i përballojmë padrejtësitë. Mendo çfarë padrejtësish hoqi ai qoftë nga familjarët, qoftë nga të panjohurit. Të afërmit jobesimtarë e akuzuan se kishte luajtur mendsh, krerët fetarë e akuzuan se bashkëpunonte me demonët dhe ushtarët romakë u tallën me të, e torturuan e në fund e vranë. (Mar. 3:21, 22; 14:55; 15:16-20, 35-37) Gjithsesi, Jezui i duroi tërë ato padrejtësi e mjaft të tjera pa u hakmarrë. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij? (1 Pjet. 2:21-23) Jezui na la një model të përsosur se si të reagojmë kur na bëjnë padrejtësi. Ai dinte kur të heshtte dhe kur të fliste. (Mat. 26:62-64) Kur të tjerët thoshin gënjeshtra për të, kishte raste që vendoste të mos bënte zë. (Mat. 11:19) E kur fliste, Jezui as i fyente, as i kërcënonte ata që e përndiqnin. w24.11 4-5 ¶9-10
E enjte, 23 prill
Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.—1 Tim. 1:15.
Imagjino sikur i dhuron një njeriut tënd të dashur diçka të bukur e praktike. Patjetër që do të mërziteshe sikur thjesht ta mbyllte diku atë dhuratë e ta harronte fare. Nga ana tjetër, s’do mend që do të të bëhej qejfi, nëse do ta përdorte dhuratën e do të të falënderonte. Si lidhet kjo me shpërblesën? Jehovai ka dhënë Birin e vet për ne. Kushedi sa i gëzon zemra kur tregojmë mirënjohje për këtë dhuratë të vyer dhe për dashurinë që e shtyu të siguronte shpërblesën! (Gjoni 3:16; Rom. 5:7, 8) Mirëpo, me kalimin e kohës, mund të fillojë të na zbehet çmueshmëria për shpërblesën. Kjo do të ishte si ta mbanim mbyllur diku këtë dhuratë nga Perëndia. Ndonëse jemi të kënaqur që e kemi dhuratën e shpërblesës, e mbajmë larg syve. Që të mos e lejojmë këtë, duhet ta përtërijmë vazhdimisht mirënjohjen për atë që kanë bërë Perëndia dhe Krishti për ne. w25.01 26 ¶1-2
E premte, 24 prill
Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimin tënd ta shohin qartë të gjithë.—1 Tim. 4:15.
Një vëlla që kualifikohet të shërbejë si plak, nuk duhet të jetë i sapokthyer në besim. Ndonëse nuk është e nevojshme të kesh shumë vite i pagëzuar, të duhet kohë që të bëhesh i krishterë i pjekur. Para se të emërohesh plak, duhet të tregosh se, ashtu si Jezui, je i përulur dhe i kënaqur të presësh Jehovain për çdo caktim që mund të të japë. (Mat. 20:23; Filip. 2:5-8) Gjithashtu mund të tregosh se je besnik ndërsa qëndron i lidhur ngushtë me Jehovain, jeton sipas standardeve të tij dhe ndjek drejtimin që të jep nëpërmjet organizatës. Shkrimet e thonë qartë se një mbikëqyrës duhet të jetë i kualifikuar për të mësuar. A nënkupton kjo se duhet të jesh orator i shkëlqyer? Jo medoemos. Jo të gjithë pleqtë shkëlqejnë si oratorë. Ama mësojnë me efektshmëri në veprën e predikimit dhe në vizita baritore. w24.11 23-24 ¶14-15