ARTIKULLI I STUDIMIT 38
KËNGA 120 Të jemi të butë si Krishti
Trego respekt për të tjerët
«Të gëzosh respektin e të tjerëve, është më mirë se argjendi dhe ari.»—PROV. 22:1.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë pse duhet t’u tregojmë respekt të tjerëve dhe si mund ta bëjmë këtë edhe kur është e vështirë.
1. Pse ndihemi mirë kur na respektojnë? (Proverbat 22:1)
A NDIHESH mirë kur të tjerët të tregojnë respekt? Pa diskutim që po. Të gjithë njerëzit kanë nevojë të ndihen të respektuar. Na gëzon zemra kur na respektojnë. Ja pse Bibla thotë se «të gëzosh respektin e të tjerëve, është më mirë se argjendi dhe ari».—Lexo Proverbat 22:1.
2-3. Pse mund të jetë e vështirë të tregojmë respekt, dhe kë duhet të respektojmë?
2 Mbase nuk e kemi gjithnjë kollaj të tregojmë respekt. Një arsye mund të jetë sepse shohim të metat e të tjerëve. Veç kësaj, jetojmë në një kohë ku mungesa e respektit është bërë normale. Mirëpo s’duhet të biem në këtë grackë. Pse? Sepse Jehovai dëshiron të nderojmë, ose të respektojmë, «njerëz të çdo lloji».—1 Pjet. 2:17.
3 Do të nxjerrim shumë dobi ndërsa shqyrtojmë çfarë do të thotë t’i respektojmë të tjerët dhe si mund t’u tregojmë respekt (1) pjesëtarëve të familjes, (2) bashkadhuruesve dhe (3) atyre që s’janë Dëshmitarë. Në këtë artikull, do të mësojmë kryesisht si mund të shfaqim respekt në rrethana të vështira.
ÇFARË DO TË THOTË TË RESPEKTOSH TË TJERËT?
4. Çfarë do të thotë të respektosh të tjerët?
4 Si do ta përkufizoje respektin? Në disa gjuhë, fjalët «respekt» dhe «nderim» janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në ç’kuptim? «Respekti» ka të bëjë kryesisht me mënyrën si e shohim dikë. Kur i respektojmë të tjerët, i shohim të denjë që t’u tregojmë vëmendje dhe konsideratë, mbase për shkak të cilësive, arritjeve a pozitës që kanë. Nga ana tjetër, «nderimi» lidhet me mënyrën si e trajtojmë dikë. Kur i nderojmë të tjerët, i trajtojmë në atë mënyrë që i bën të ndihen të vlerësuar, të çmuar dhe me dinjitet. Natyrisht, që nderimi të jetë i sinqertë, duhet të burojë nga zemra.—Mat. 15:8.
5. Çfarë na motivon të shfaqim respekt?
5 Jehovai do që t’i respektojmë të tjerët. Për shembull, ai na kërkon t’u tregojmë respekt «autoriteteve më të larta». (Rom. 13:1, 7) Por disa mund të thonë: «S’e kam problem t’i respektoj të tjerët, ama duhet ta meritojnë.» A është me vend ky arsyetim? Si adhurues të Jehovait, e kuptojmë se nuk i respektojmë njerëzit vetëm në bazë të sjelljes së tyre. Përkundrazi, ky respekt i ka rrënjët më thellë—te dashuria jonë për Jehovain dhe te dëshira për ta kënaqur.—Jos. 4:14; 1 Pjet. 3:15.
6. A është e mundur t’i tregosh respekt dikujt që nuk të respekton? Shpjegoni. (Shih edhe figurën.)
6 Disa mund të pyesin: «A është vërtet e mundur t’i tregosh respekt dikujt që nuk të respekton?» Po. Ja disa shembuj. Mbreti Saul e poshtëroi të birin, Jonatanin, në sy të të tjerëve. (1 Sam. 20:30-34) Prapëseprapë, Jonatani nuk e humbi respektin për të atin dhe luftoi krah tij deri në fund. (Eks. 20:12; 2 Sam. 1:23) Kryeprifti Eli e akuzoi Hanën se ishte e dehur. (1 Sam. 1:12-14) Gjithsesi, Hana i foli me respekt Eliut, edhe pse gjithë Izraeli e dinte se ai kishte dështuar si baba dhe si kryeprift. (1 Sam. 1:15-18; 2:22-24) Kurse burrat e Athinës e ofenduan apostullin Pavël duke e quajtur «llafazan». (Vep. 17:18) Megjithatë, Pavli iu drejtua plot respekt. (Vep. 17:22) Pra, është e qartë se dashuria e thellë për Jehovain dhe frika e shëndetshme se mos e lëndojmë, mund të na nxitin t’i respektojmë të tjerët edhe kur është e vështirë. Le të shohim se kush e meriton respektin tonë dhe pse.
Edhe pse i ati e poshtëroi, Jonatani vazhdoi ta mbronte e ta mbështeste si mbret (Shih paragrafin 6)
TREGO RESPEKT PËR PJESËTARËT E FAMILJES
7. Pse mund ta kemi të vështirë t’u tregojmë respekt pjesëtarëve të familjes?
7 Sfida. Meqë kalojmë goxha kohë me pjesëtarët e familjes, ua dimë mirë pikat e forta dhe të dobëta. Për shkak të ndonjë sëmundjeje ose të ankthit të tepërt, disa familjarë mund të na e bëjnë të vështirë të kujdesemi për ta. Të tjerë mund të thonë a të bëjnë gjëra që na lëndojnë. Kurse disa të tjerë, në vend se ta bëjnë shtëpinë një oazë paqeje dhe qetësie, krijojnë situata të tensionuara duke i trajtuar pjesëtarët e familjes pa respekt. Si rezultat, në familje mungon harmonia. Ashtu si sëmundja e artritit vështirëson funksionimin normal të gjymtyrëve, mungesa e respektit krijon ngërçe në marrëdhëniet familjare. Por ndryshe nga kjo sëmundje që nuk e kurojmë dot plotësisht, e kemi vetë në dorë të mos e lejojmë mungesën e respektit të na prishë marrëdhëniet familjare.
8. Pse është e rëndësishme t’u tregojmë respekt pjesëtarëve të familjes? (1 Timoteut 5:4, 8)
8 Pse duhet të tregojmë respekt? (Lexo 1 Timoteut 5:4, 8.) Në letrën e parë që i shkroi Timoteut, Pavli tregoi si duhet të kujdesen pjesëtarët e familjes për nevojat e njëri-tjetrit. Ai shpjegoi se arsyeja kryesore pse duhet t’i nderojmë familjarët, nuk duhet të jetë ndjenja e detyrës, por «përkushtimi ndaj Perëndisë». Kjo do të thotë se respektin ndaj familjarëve duhet ta shohim si pjesë të adhurimit. Pse? Sepse, siç e dimë, familjen e ka themeluar Jehovai. (Efes. 3:14, 15) Ndaj, kur nderojmë pjesëtarët e familjes, në thelb po nderojmë Jehovain, Nismëtarin e familjes. Sa arsye e fortë për t’u treguar respekt familjarëve!
9. Si mund të tregojnë bashkëshortët se e respektojnë njëri-tjetrin? (Shih edhe figurat.)
9 Si të tregojmë respekt. Një burrë që e nderon bashkëshorten, e tregon sa shumë e çmon si privatisht, por edhe në sy të të tjerëve. (Prov. 31:28; 1 Pjet. 3:7) Ai nuk përdor kurrë dhunë fizike, nuk e poshtëron dhe as e bën të ndihet e pavlerë. Arieli,a që jeton në Argjentinë, thotë: «Për shkak të sëmundjes që ka ime shoqe, ndonjëherë më thotë gjëra që më lëndojnë. Por në ato momente i kujtoj vetes se nuk po flet ajo, por sëmundja. Kur situata tensionohet, sjell ndër mend shkrimin e 1 Korintasve 13:5, e kjo më ndihmon t’i flas me respekt dhe jo vrazhdë.» (Prov. 19:11) Një grua e nderon të shoqin kur u flet mirë të tjerëve për të. (Efes. 5:33) Ajo nuk flet me sarkazëm, nuk e vë në lojë e nuk përdor nofka. E kupton se një sjellje e tillë do ta gërryente lidhjen martesore. (Prov. 14:1) Ja si u shpreh një motër në Itali, burri i së cilës vuan nga ankthi: «Me raste, më duken të ekzagjeruara shqetësimet e tim shoqi. Në të kaluarën, i tregoja mungesë respekti me fjalët dhe me shprehjet e fytyrës. Por kam vënë re se, sa më shumë të shoqërohem me njerëz që flasin me respekt për të tjerët, aq më e motivuar jam t’i flas me respekt bashkëshortit.»
Kur tregojmë respekt për pjesëtarët e familjes, nderojmë Nismëtarin e familjes, Jehovain (Shih paragrafin 9)
10. Si mund të tregojnë respekt fëmijët për prindërit e tyre?
10 Ju të rinj, bindjuni prindërve dhe zbatoni rregullat që kanë vendosur. (Efes. 6:1-3) Tregojuni respekt me mënyrën si u flitni. (Eks. 21:17) Me kalimin e viteve prindërit mund të kenë më shumë nevojë për ndihmë, ndaj bëni çmos të kujdeseni për ta. Le të shqyrtojmë shembullin e Marisë, që nuk e ka babanë Dëshmitar të Jehovait. Kur ai u sëmur, ia bënte të vështirë Marisë që të kujdesej për të. Ajo kujton: «Lutesha që jo vetëm të kisha respekt për tim atë, por edhe të arrija t’ia shfaqja. I thosha vetes se, përderisa Jehovai më kërkon t’i nderoj prindërit, patjetër mund të më japë edhe forcën e nevojshme për ta bërë këtë. E me kalimin e kohës, kuptova se duhet ta trajtoj me respekt babanë, edhe nëse ai nuk ndryshon.» Kur i nderojmë pjesëtarët e familjes, pavarësisht nga të metat e tyre, tregojmë respekt për Jehovain, Nismëtarin e familjes.
TREGO RESPEKT PËR BASHKADHURUESIT
11. Pse mund ta kemi të vështirë t’i respektojmë bashkëbesimtarët?
11 Sfida. Vëllezërit e motrat bëjnë çmos të jetojnë sipas mësimeve të Biblës. Gjithsesi, hera-herës disa mund të na lëndojnë, të na gjykojnë me pa të drejtë ose të na acarojnë. Mund të jetë e vështirë ta trajtojmë me respekt një bashkëbesimtar kur kemi «arsye për t’u ankuar» ndaj tij. (Kolos. 3:13) Si mund ta kapërcejmë këtë sfidë?
12. Pse është e rëndësishme të tregojmë respekt për bashkëbesimtarët? (2 Pjetrit 2:9-12)
12 Pse duhet të tregojmë respekt? (Lexo 2 Pjetrit 2:9-12.) Në letrën e tij të dytë, Pjetri shkroi nën frymëzim se disa në kongregacionin e shekullit të parë po flitnin pa respekt «për të lavdishmit», pra për pleqtë e kongregacionit. Si reaguan engjëjt besnikë kur panë gjithë sa po ndodhte? Ata nuk thanë asnjë fjalë të keqe kundër keqbërësve «nga respekti që kanë për Jehovain». Mendo pak: engjëjt, ndonëse të përsosur, nuk folën ashpër kundër atyre njerëzve arrogantë. Përkundrazi, ia lanë në dorë Jehovait që t’i gjykonte dhe t’i qortonte. (Rom. 14:10-12; krahaso Judën 9.) Mund të nxjerrim një mësim prej tyre. Nëse nuk duhet t’u tregojmë mungesë respekti kundërshtarëve, a s’kemi shumë më tepër arsye të mos sillemi pa respekt me bashkëbesimtarët?! Në fakt, ne duhet ‘të jemi të parët’ për t’i nderuar. (Rom. 12:10) Kështu tregojmë se kemi respekt për Jehovain.
13-14. Si mund të tregojmë respekt për pjesëtarët e kongregacionit? Jepni shembuj. (Shih edhe figurat.)
13 Si të tregojmë respekt. Pleq, përpiquni t’i mësoni të tjerët me dashuri. (Fil. 8, 9) Nëse ju duhet të këshilloni dikë, flitini me dashamirësi dhe jo kur jeni të acaruar. Ju motra mund të bëni shumë në kongregacion për të krijuar dhe për të ruajtur një atmosferë ku mbizotëron respekti, duke mos folur negativisht ose duke mos shpifur për askënd. (Titit 2:3-5) Të gjithë mund të tregojmë respekt për pleqtë duke bashkëpunuar me ta e duke u shprehur mirënjohje, ngaqë punojnë pa u lodhur që të drejtojnë mbledhjet, të organizojnë veprën e predikimit dhe të ndihmojnë ata që kanë hedhur «ndonjë hap të gabuar».—Gal. 6:1; 1 Tim. 5:17.
14 Një motër që quhet Roza e kishte të vështirë të respektonte një plak që e kishte këshilluar. Ajo thotë: «Mendoja se ishte treguar i ashpër me mua. Flisja negativisht për të në shtëpi. Edhe pse përpiqesha ta fshihja, brenda vetes dyshoja te motivet e tij dhe nuk ia vura veshin këshillës.» Çfarë e ndihmoi Rozën? Ajo shpjegon: «Gjatë leximit personal të Biblës, lexova 1 Selanikasve 5:12, 13. Kur kuptova se nuk po tregoja respekt për vëllanë, filloi të më vriste ndërgjegjja. Iu luta Jehovait dhe bëra kërkime në botimet tona, që të gjeja informacione specifike si të ndreqja qëndrimin tim. Në fund e kisha më se të qartë se problemi nuk ishte vëllai, por krenaria ime. Tani e kuptoj se që t’i respektoj të tjerët, më duhet përulësi. Kam akoma për të përmirësuar, por teksa bëj çmos të tregoj respekt, e ndiej se jam në paqe me Jehovain.»
Të gjithë mund t’u tregojmë respekt pleqve, duke bashkëpunuar me ta dhe duke iu shprehur mirënjohje për punën e palodhur (Shih paragrafët 13-14)
TREGO RESPEKT PËR ATA QË NUK JANË DËSHMITARË
15. Pse mund të jetë sfidë t’u tregojmë respekt atyre që nuk janë Dëshmitarë?
15 Sfida. Në shërbim takojmë shpesh njerëz që duket se nuk duan t’ia dinë për të vërtetat e Biblës. (Efes. 4:18) Disa zgjedhin të mbeten në padije për shkak të mënyrës si janë rritur. Mbase kemi të bëjmë përditë me pronarë a mësues shkolle që zor se kënaqen dhe me shokë pune a shkolle të pasjellshëm. Me kalimin e kohës mund ta humbim respektin për ta dhe të mos i trajtojmë siç do të donim të na trajtonin.
16. Pse është e rëndësishme t’u tregojmë respekt atyre që nuk i shërbejnë ende Jehovait? (1 Pjetrit 2:12; 3:15)
16 Pse duhet të tregojmë respekt? Të mos harrojmë se Jehovai i kushton vëmendje mënyrës si i trajtojmë ata që s’janë adhurues të tij. Apostulli Pjetër u kujtoi të krishterëve se sjellja e tyre e shkëlqyer mund t’i motivojë disa «t’i japin lavdi Perëndisë». Për këtë arsye i nxiti që ta mbronin besimin «me butësi dhe respekt të thellë». (Lexo 1 Pjetrit 2:12; 3:15.) Ndaj, nëse na duhet të mbrojmë bindjet tona para një gjykatësi ose në një bisedë me dikë tjetër, duhet të tregojmë respekt sikur krah nesh të jetë i pranishëm vetë Perëndia. Fundja, Jehovai sheh dhe dëgjon çfarë themi dhe mënyrën si e themi. Ç’motiv i fortë për t’i trajtuar me respekt ata që nuk janë Dëshmitarë!
17. Si mund të tregojmë respekt për ata që s’janë Dëshmitarë?
17 Si të tregojmë respekt. Kur jemi në shërbim, nuk duam kurrsesi të lëmë përshtypjen se qëndrojmë më lart se ata që kanë pak ose aspak njohuri për Biblën. Përkundrazi, mbajmë ndër mend se për Perëndinë janë të çmuar dhe duam t’i konsiderojmë më të lartë se veten. (Hag. 2:7; Filip. 2:3) Nëse dikush të fyen për bindjet e tua, rezistoji prirjes për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë, si për shembull duke bërë ndonjë shaka me sarkazëm. (1 Pjet. 2:23) Nëse thua diçka për të cilën bëhesh pishman, kërko menjëherë falje. Si të tregosh respekt në vendin e punës? Puno me merak dhe përpiqu të shohësh anët e mira të kolegëve dhe të punëdhënësit. (Titit 2:9, 10) Kur je i ndershëm dhe punon me gjithë shpirt, mbase s’i kënaq dot gjithmonë të gjithë njerëzit, por Jehovain do ta kënaqësh patjetër.—Kolos. 3:22, 23.
18. Pse ia vlen të zhvillojmë e të shfaqim respekt për të tjerët?
18 Sa arsye të forta kemi që të zhvillojmë dhe të shfaqim respekt për të tjerët! Kemi parë se kur tregojmë respekt për familjarët, nderojmë Nismëtarin e familjes, Jehovain. Gjithashtu, kur respektojmë vëllezërit dhe motrat, nderojmë Atin tonë qiellor. Dhe kur u tregojmë respekt atyre që s’janë Dëshmitarë, po i ndihmojmë që mbase një ditë edhe ata t’i japin lavdi, ose të nderojnë, Atin tonë të shkëlqyer. Edhe nëse disa nuk na e kthejnë kurrë respektin, ia vlen gjithmonë të zhvillojmë e t’u shfaqim respekt. Pse? Sepse do të korrim bekime nga Jehovai. Ai premton: «Unë do të nderoj ata që më nderojnë.»—1 Sam. 2:30.
KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur
a Disa emra janë ndryshuar.