BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w21 tetor f. 14-17
  • Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • CILAT JANË VËSHTIRËSITË?
  • VËR SYNIME TË ARSYESHME NDËRSA RINDËRTON
  • MOS U DORËZO!
  • Afroju pleqve për ndihmë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Je një thesar i çmuar për Jehovain!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Pleq—Vazhdoni të imitoni apostullin Pavël
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Me Jehovain pranë, nuk je kurrë vetëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
w21 tetor f. 14-17
Një vëlla ndihet i dërrmuar kur mendon për gjithë kohën dhe përpjekjet që duhen për të rindërtuar shtëpinë e dëmtuar.

Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain

ÇDO vit, shumë dele të shtrenjta të Jehovait kthehen në kongregacion. Imagjino sa ‘shumë gëzim ka në qiell’ kur kthehet secila prej tyre! (Luka 15:7, 10) Nëse je rivendosur në kongregacion, të jesh i sigurt se Jezuit, engjëjve dhe vetë Jehovait u gufon zemra kur shohin se po ecën prapë në të vërtetën. Gjithsesi, ndërsa rindërton miqësinë me Jehovain, mund të hasësh vështirësi. Cilat janë disa prej tyre, dhe çfarë mund të të ndihmojë t’i kapërcesh?

CILAT JANË VËSHTIRËSITË?

Shumë veta luftojnë me ndjenjat negative pasi kthehen në kongregacion. Prandaj, ndoshta e kupton si ndihej mbreti David. Edhe pasi Jehovai e fali për mëkatet e tij, Davidi tha: «Si lumë më kanë mbuluar fajet.» (Psal. 40:12; 65:3) Pasi dikush kthehet te Jehovai, ndjenjat e fajit ose të turpit mund të vazhdojnë ta mundojnë për vite të tëra. Për shembull, Izabelaa që ishte e përjashtuar për më shumë se 20 vjet, tha: «E kisha tepër të vështirë të pranoja idenë se Jehovai mund të më falte.» Po të të mbytë shkurajimi, marrëdhënia jote me Jehovain mund të dobësohet përsëri. (Prov. 24:10) Përpiqu të mos e lejosh këtë.

Disa të tjerë stepen nga gjithë ajo punë që duhet për ta rindërtuar marrëdhënien me Jehovain. Pasi u rivendos në kongregacion, Antuani tha: «Më dukej sikur kisha harruar shumë nga gjërat që kisha mësuar dhe që bëja si Dëshmitar.» Ngaqë ndihen kështu, disa mund të ngurrojnë të zhyten plotësisht në aktivitetet teokratike.

Ta ilustrojmë: dikujt i është dëmtuar rëndë shtëpia nga një uragan, e mund të ndihet i dërrmuar kur mendon për gjithë kohën dhe përpjekjet që duhen për ta rindërtuar. Po njësoj, nëse miqësia jote me Jehovain është dëmtuar nga një mëkat serioz, ndoshta mendon për punën kolosale që do të duhet për ta rindërtuar. Por nuk je pa ndihmë.

Jehovai na fton: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh.» (Isa. 1:18) Tashmë ke punuar fort që ‘t’i ndreqësh gjërat’. Jehovai të do për këto përpjekje që ke bërë. Mendo pak: shembullin tënd Jehovai mund ta përdorë për t’u kthyer një përgjigje të fuqishme akuzave të Satanait!—Prov. 27:11.

Duke u kthyer te Jehovai, je afruar më shumë me të, dhe ai premton se do të afrohet me ty. (Jak. 4:8) Edhe pse është gjë e bukur që të tjerët shohin se je kthyer në kongregacion, ke nevojë të bësh diçka më tepër. Duhet të vazhdosh të thellosh dashurinë për Atin dhe Mikun tënd, Jehovain. Si mund ta bësh këtë?

VËR SYNIME TË ARSYESHME NDËRSA RINDËRTON

Përpiqu të vësh synime të arsyeshme. Ka shumë gjasa që themeli i marrëdhënies sate me Jehovain—njohuria për të dhe për premtimet e tij—të jetë i paprekur. Por ke nevojë të rindërtosh strukturën teokratike të jetës sate, e cila përfshin të predikosh lajmin e mirë, të shkosh në mbledhje dhe të kalosh kohë me vëllezërit e motrat. Mendo për synimet e mëposhtme.

Fol shpesh me Jehovain. Ati yt e kupton se ndjenjat e fajit që të mundojnë pareshtur, mund të ta bëjnë të vështirë t’i lutesh. (Rom. 8:26) Gjithsesi ‘ngulmo në lutje’ dhe tregoji Jehovait sa shumë e do miqësinë e tij. (Rom. 12:12) Andreji kujton: «Më mbytnin ndjenjat e fajit dhe të turpit. Por, pas çdo lutjeje, ndihesha i lehtësuar dhe kisha më shumë paqe mendore.» Nëse nuk di për çfarë të lutesh, bluaj në mend lutjet e mbretit David pasi u pendua, që gjenden te Psalmet 51 dhe 65.

Studio Biblën rregullisht. Kjo do të të ushqejë besimin dhe do të thellojë dashurinë tënde për Jehovain. (Psal. 19:7-11) «Pikërisht ngaqë nuk kisha një program për leximin dhe studimin e Biblës, m’u dobësua besimi dhe e lëndova Jehovain,—thotë Felipe.—Nuk doja të përsëritja të njëjtin gabim, ndaj vendosa që studimi personal të bëhej fortesa ime.» Edhe ti mund të veprosh njësoj. Nëse ke nevojë për drejtim që të zgjedhësh tema të përshtatshme për studimin personal, pse të mos i kërkosh ndihmë një miku të pjekur?

Rindërto miqësinë me vëllezërit dhe motrat. Disa që kthehen në kongregacion, kanë merak se mos të tjerët do t’i shohin shtrembër. Larisa pranoi: «Më vinte shumë turp. Mendoja se vëllezërit e motrat do të ishin të lënduar dhe të zhgënjyer nga unë. Këto ndjenja nuk m’u shqitën për një kohë të gjatë.» Ji i bindur se pleqtë dhe bashkëbesimtarët e pjekur kanë shumë dëshirë të të ndihmojnë ta rindërtosh miqësinë me Jehovain. (Shih kutinë «Çfarë mund të bëjnë pleqtë?») Atyre u bëhet zemra mal që je kthyer në kongregacion dhe duan të jesh i lumtur!—Prov. 17:17.

Çfarë mund të të ndihmojë të lidhesh më fort me kongregacionin? Zhytu plotësisht në aktivitetet teokratike—ndiq mbledhjet me vëllezërit e motrat dhe dil rregullisht në shërbim me ta. Si do të të ndihmojë kjo? Feliksi tha: «Vëllezërit e motrat mezi kishin pritur të kthehesha në kongregacion. Ndihesha i vlerësuar. Të gjithë më ndihmuan të ndihesha sërish pjesë e një familjeje, të isha i sigurt se Jehovai më kishte falur dhe të ecja përpara.»—Shih kutinë «Çfarë mund të bësh?»

Çfarë mund të bësh?

Rindërto strukturën teokratike të jetës sate

Një plak lutet me një vëlla që është kthyer te Jehovai.

FOL SHPESH ME JEHOVAIN

Tregoji Jehovait sa shumë e do miqësinë me të. Pleqtë do të luten për ty dhe me ty

Plaku i bën studimin vëllait duke përdorur librin «T’i afrohemi Jehovait».

STUDIO BIBLËN RREGULLISHT

Ushqe besimin tënd, e kjo do të të thellojë dashurinë për Jehovain

Në një rast shoqëror, vëllai bisedon me të tjerë nga kongregacioni.

RINDËRTO MIQËSITË E MIRA

Zhytu në aktivitetet e kongregacionit, ndiq mbledhjet dhe dil rregullisht në shërbim me vëllezërit e motrat

MOS U DORËZO!

Satanai do të vazhdojë të të godasë me «uraganë» të tjerë, me qëllim që të të dobësojë ndërsa rindërton miqësinë me Jehovain. (Luka 4:13) Përgatitu duke e forcuar tani «shtëpinë» tënde, miqësinë me Perëndinë.

Jehovai premton për delet e tij: «Do ta kërkoj të humburën, do ta kthej atë që është endur larg kopesë, do ta fashoj të vrarën e do t’i jap forcë të dobëtës.» (Ezek. 34:16) Jehovai ka ndihmuar sa e sa të tjerë ta rimëkëmbin marrëdhënien me të. Ji i bindur se Ai dëshiron të të ndihmojë që të ndërtosh një miqësi gjithnjë e më të fortë me të.

Çfarë mund të bëjnë pleqtë?

Plaku ndihmon vëllanë të rindërtojë shtëpinë e dëmtuar.

Pleqtë luajnë rol kyç për t’i ndihmuar lajmëtarët e rivendosur ta rindërtojnë miqësinë me Jehovain. Ja si mund t’i ndihmoni ju pleq të rivendosurit.

Jepuni siguri. Apostulli Pavël e dinte se një mëkatar të penduar mund ‘ta mbysë trishtimi i tepërt’. (2 Kor. 2:7) Atë mund ta mbërthejnë shpesh ndjenjat e fajit dhe të dëshpërimit. Pavli e këshilloi kongregacionin: ‘Faleni me gjithë zemër dhe ngushëllojeni.’ Të rivendosurit kanë nevojë t’i siguroni se Jehovai dhe vëllezërit e motrat i duan shumë. Po ta bëni zakon t’i lavdëroni dhe t’u jepni ndihmë praktike, mund t’i ndihmoni të mos shkurajohen.

Lutuni me ta. «Përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë.» (Jak. 5:16) Larisa, që u përmend në artikull, thotë: «Fola me pleqtë për dyshimet e për frikën që më mundonte. Ata luteshin me mua dhe për mua. Kështu kuptova se pleqtë nuk ishin të zemëruar me mua. Ata donin të më ndihmonin të rimëkëmbja marrëdhënien me Jehovain.» Teo thotë: «Lutjet e pleqve më dhanë sigurinë se Jehovai më do vërtet dhe se sheh tek unë gjërat e mira, jo vetëm të këqijat.»

Miqësohuni me ta. Të rivendosurit kanë nevojë për miq në kongregacion. «Ftojini të dilni bashkë në shërbim sa më shpesh të jetë e mundur dhe, sidomos, shkojuni për vizitë në shtëpi. Është shumë e rëndësishme të miqësohesh me ta»,—thotë një plak që quhet Xhastin. Henri, një plak tjetër, thotë: «Kur të tjerët në kongregacion shohin se pleqtë miqësohen me të rivendosurit, përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.»

Ndihmojini të studiojnë. Një mik i pjekur mund ta ndihmojë një të rivendosur të ketë një program të mirë studimi. Një plak që quhet Darko, thotë: «Kam qejf t’u flas për ndonjë xhevahir që kam zbuluar gjatë studimit personal dhe t’u tregoj sa kënaqësi më jep studimi i Biblës. Gjithashtu programoj të studiojmë bashkë diçka inkurajuese.» Klejtoni, në plak tjetër, thotë: «I nxit që të ndalen tek ato personazhe të Biblës te të cilët mund të gjejnë veten.»

Kujdesuni për ta si barinj. Të rivendosurit i kanë parë pleqtë në rolin e gjykatësve. Tani, më shumë se kurrë, kanë nevojë t’i shohin si barinj. (Jer. 23:4) Jini të gatshëm t’i dëgjoni dhe mos ngurroni t’i lavdëroni. Komunikoni shpesh me ta. Një plak që quhet Markus tregon çfarë bëjnë në vizitat baritore: «Flasim për një mendim nga Shkrimet, i lavdërojmë, i sigurojmë se jemi krenarë që po punojnë fort për t’u kthyer e se edhe Jehovai është krenar për ta. Në fund të çdo vizite, caktojmë datën për vizitën tjetër.»

a Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo