TEMA KRYESORE | A DËSHIRON TË STUDIOSH BIBLËN?
Një program për studimin e Biblës për të gjithë
Si Dëshmitarë të Jehovait jemi shumë të njohur për predikimin publik. Por, a e dini se drejtojmë edhe një program global për studimin e Biblës?
Më 2014 mbi 8.000.000 Dëshmitarë në 240 vende drejtuan gati 9.500.000 studime biblike çdo muaj.a Vërtet, numri i atyre që studiojnë Biblën me ne e tejkalon popullsinë e rreth 140 vendeve të botës.
Që të përmbushin këtë vepër arsimimi, Dëshmitarët e Jehovait botojnë çdo vit afro një miliard e gjysmë Bibla, libra, revista dhe mjete të tjera ndihmëse për studimin e Biblës, në rreth 700 gjuhë. Kjo përpjekje e pakrahasueshme për të pasur sa më shumë botime u jep mundësi njerëzve të studiojnë Biblën në gjuhën që duan.
PËRGJIGJE PËR PYETJE QË BËHEN MË SHPESH RRETH PROGRAMIT TONË PËR STUDIMIN E BIBLËS
Çfarë trajtohet në një studim biblik?
Trajtojmë tema të ndryshme biblike dhe shqyrtojmë vargje nga Bibla që lidhen me argumentin përkatës. Për shembull, Bibla u përgjigjet pyetjeve të tilla, si: kush është Zoti? Si është ai? A ka emër? Ku jeton? A mund t’i afrohemi? Vështirësia është ku t’i gjejmë në Bibël përgjigjet.
Për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë përgjigjet, zakonisht përdorim librin me 224 faqe Çfarë mëson vërtet Bibla?b Ky libër është bërë posaçërisht që t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë mësimet bazë të Biblës. Aty përfshihen mësime për Zotin, për Jezu Krishtin, për vuajtjet, për ringjalljen, për lutjen e shumë të tjera.
Kur dhe ku mund të bëhet studimi?
Studimi mund të bëhet në kohën dhe në vendin e përshtatshëm për ty.
Sa zgjat një studim biblik?
Shumë njerëz lënë afro një orë çdo javë për të studiuar Biblën. Por, kohëzgjatja e studimit ndryshon dhe ne e përshtatim sipas rrethanave të tua. Disa studiojnë vetëm 10 ose 15 minuta çdo javë.
Sa kushton?
Studimi dhe mjetet për studim janë falas. Kjo është në harmoni me drejtimin që u dha Jezui dishepujve: «Falas morët, falas jepni.»—Mateu 10:8.
Sa zgjat i gjithë programi?
Kohëzgjatja e gjithë studimit varet nga ti. Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? ka 19 mësime. Mund të zgjedhësh mësimet që do dhe t’i përshtatësh sipas ritmit tënd.
A duhet të bëhem patjetër Dëshmitar i Jehovait?
Jo. Respektojmë të drejtën e secilit që të vendosë vetë ç’do të besojë. Megjithatë, ata që marrin njohurinë themelore për Biblën, mund të bëjnë zgjedhjen e duhur në bazë të fakteve.
Ku të gjej më shumë informacion?
Siti jw.org/sq ka informacione të sakta për bindjet dhe aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait.
Si të kërkoj një studim biblik?
Plotëso një kërkesë online në www.jw.org/sq.
Shkruaj në adresën më të afërt nga ato që gjenden në faqen dy të kësaj reviste.
Kontakto me Dëshmitarët e Jehovait në lagjen tënde. Mund të kërkosh temën «Dëshmitarët e Jehovait» në numëratorin telefonik të zonës suaj.
a Studimet biblike në përgjithësi drejtohen me individë ose grupe të vogla njerëzish.
b Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Janë shtypur mbi 230 milionë kopje në më se 260 gjuhë.