BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w14 15/7 f. 23-27
  • «Ju jeni dëshmitarët e mi»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ju jeni dëshmitarët e mi»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • DËSHMITARËT E PERËNDISË NË KOHËT E LASHTA
  • «JA, UNË PO BËJ DIÇKA TË RE»
  • Ç’KUPTIM KA EMRI I PERËNDISË
  • TA SHPREHIM MIRËNJOHJEN
  • Të nderojmë emrin e madh të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Jehovai lartëson emrin e tij
    Mbretëria e Perëndisë qeveris!
  • «Ju jeni dëshmitarët e mi!»
    Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
  • Dëshmitarë kundër perëndive të rreme
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
w14 15/7 f. 23-27
Kongresi i vitit 1931 i Studentëve të Biblës ku morëm emrin Dëshmitarë të Jehovait

«Ju jeni dëshmitarët e mi»

«‘Ju jeni dëshmitarët e mi’,​—thotë Jehovai.»—​ISA. 43:10.

A MUND TË PËRGJIGJENI?

  • Si shërbyen izraelitët si dëshmitarë të Jehovait?

  • Ç’kuptim ka emri i Perëndisë?

  • Si e shprehim mirënjohjen për privilegjin që mbajmë emrin e Perëndisë?

1, 2. (a) Ç’do të thotë të jesh dëshmitar, dhe në ç’pikë të rëndësishme ka dështuar media? (b) Pse Jehovai nuk varet nga dëshmia e mjeteve të informacionit të kësaj bote?

Ç’DO të thotë të jesh dëshmitar? Një fjalor e përkufizon kështu fjalën dëshmitar: «Dikush që sheh një ngjarje dhe tregon atë që ka ndodhur.» Për shembull, prej më se 160 vjetësh në qytetin e Pitermaricburgut të Afrikës së Jugut botohet një gazetë që sot quhet Dëshmitari. Është emër i goditur pasi një gazetë ka për qëllim të raportojë me saktësi ngjarjet që ndodhin në botë. Kryeredaktori i parë i Dëshmitarit u zotua se gazeta do të thoshte «të vërtetën, gjithë të vërtetën e vetëm të vërtetën».

2 Mjerisht, mjetet e informacionit në përgjithësi i kanë shpërfillur ose edhe shtrembëruar faktet më të rëndësishme të historisë njerëzore. Tamam kështu ka ndodhur me mesazhin që dha Perëndia i plotfuqishëm me anë të profetit të tij të lashtë, Ezekielit: «Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezek. 39:7) Por, Sundimtari Sovran i universit nuk varet nga dëshmia e mjeteve të informacionit të kësaj bote. Ai ka rreth tetë milionë Dëshmitarë që u flasin të gjitha kombeve për të dhe për mënyrën si ka vepruar me njerëzit dje dhe sot. Kjo ushtri Dëshmitarësh lajmëron edhe çfarë premton të bëjë Perëndia për të bekuar njerëzimin në të ardhmen. Kur i japim përparësi veprës së dëshmisë, jetojmë në lartësinë e emrit që na ka dhënë Perëndia, siç thuhet tek Isaia 43:10: «‘Ju jeni dëshmitarët e mi’,​—thotë Jehovai.—​‘Jeni shërbëtori që kam zgjedhur.’»

3, 4. (a) Kur e morën emrin e ri Studentët e Biblës, dhe si u ndien për këtë? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

3 Ç’privilegj që mbajmë emrin e Jehovait, sepse ai është ‘Mbreti i përjetësisë’, i cili thotë: «Ky është emri im në jetë të jetëve, dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.» (1 Tim. 1:17; Dal. 3:15; krahaso Eklisiastiun 2:16.) Më 1931 Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarë të Jehovait. Pastaj, në këtë revistë u botuan sa e sa letra mirënjohjeje. Një kongregacion nga Kanadaja shkroi: «Lajmi i mirë që jemi ‘dëshmitarë të Jehovait’ na ka drithëruar dhe na e ka forcuar vendosmërinë që të bëhemi të denjë për këtë emër të ri.»

4 Si mund ta shfaqësh mirënjohjen për privilegjin që mban emrin e Perëndisë? Përveç kësaj, a mund të shpjegosh kontekstin biblik nga është marrë emri ynë, Dëshmitarë të Jehovait?

DËSHMITARËT E PERËNDISË NË KOHËT E LASHTA

5, 6. (a) Si u bënë dëshmitarë të Jehovait prindërit izraelitë? (b) Ç’urdhër tjetër morën prindërit izraelitë, dhe pse prindërit sot duhet të bëjnë po njësoj?

5 Në ditët e Isaisë izraelitët si individë ishin ‘dëshmitarë’ të Jehovait, dhe kombi si i tërë ishte «shërbëtori» i Perëndisë. (Isa. 43:10) Një mënyrë se si jepnin dëshmi prindërit izraelitë ishte t’u mësonin fëmijëve si ishte sjellë Perëndia me paraardhësit e tyre. Për shembull, kur populli mori urdhrin të kremtonte Pashkën çdo vit, iu tha: «Kur bijtë tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’do të thotë për ju ky shërbim?’, do t’u përgjigjeni: ‘Është flijimi i pashkës për Jehovain, që i kaloi shtëpitë e bijve të Izraelit në Egjipt, kur i goditi me plagë egjiptianët, dhe i çliroi shtëpitë tona.’» (Dal. 12:26, 27) Po ashtu, prindërit mund t’u kenë shpjeguar fëmijëve se, kur Moisiu iu drejtua në fillim sundimtarit të Egjiptit dhe i kërkoi leje që izraelitët të kremtonin një festë për Jehovain në shkretëtirë, faraoni ia ktheu: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?!» (Dal. 5:2) Sigurisht, më tej do t’u kenë treguar se vendin e shkretuan dhjetë plagë dhe se izraelitët shpëtuan nga ushtria egjiptiane në Detin e Kuq, çka tregoi fare qartë përgjigjen e pyetjes së faraonit. Jehovai ishte​—dhe është—​i Plotfuqishmi. Veç kësaj, izraelitët si komb u bënë dëshmitarë të gjallë se Jehovai është Perëndia i vërtetë dhe Plotësuesi i premtimeve të tij.

6 Pa dyshim, nga vlerësimi për privilegjin që mbanin emrin e Jehovait, izraelitët ua tregonin këto ngjarje të mrekullueshme jo vetëm fëmijëve, por edhe të huajve që bëheshin skllevër në shtëpitë e tyre. Po aq i rëndësishëm ishte edhe urdhri që t’i stërvitnin fëmijët për të jetuar sipas normave të Perëndisë për shenjtërinë. Jehovai u tha: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.» (Lev. 19:2; Ligj. 6:6, 7) Ç’model i shkëlqyer për prindërit e krishterë sot! Edhe ata duhet t’i stërvitin fëmijët në udhët e shenjtërisë, duke i ndihmuar kështu të nderojnë emrin e lavdishëm të Perëndisë.​—Lexo Proverbat 1:8; Efesianëve 6:4.

Prindërit izraelitë mësojnë fëmijët të zbatojnë normat e Perëndisë për shenjtërinë

Kur i mësojmë fëmijët për Jehovain, nderojmë emrin e tij (Shih paragrafët 5, 6.)

7. (a) Si ndikonte te kombet përreth besnikëria e izraelitëve ndaj Jehovait? (b) Ç’përgjegjësi kanë të gjithë ata që mbajnë emrin e Perëndisë?

7 Pra, kur ishin besnikë, izraelitët jepnin dëshmi të shkëlqyer për emrin e Perëndisë. Popullit i ishte thënë: «Të gjithë popujt e tokës do të shohin se ti thirresh me emrin e Jehovait dhe do të kenë frikë prej teje.» (Ligj. 28:10) Por, mjerisht, gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre, izraelitët u treguan jobesnikë. Kushedi sa herë iu kthyen adhurimit të idhujve të sajuar nga njeriu. Për më tepër, u bënë mizorë ashtu si perënditë kananite që adhuronin, dhe flijonin fëmijët e shtypnin të vobektët. Ç’mësim i fuqishëm për ne që të përpiqemi gjithmonë të jemi të shenjtë e të imitojmë Më të Shenjtin, emrin e të cilit mbajmë!

«JA, UNË PO BËJ DIÇKA TË RE»

8. Ç’detyrë i ngarkoi Jehovai Isaisë dhe si reagoi ai?

8 Jehovai kishte parathënë se kombi i Izraelit do të shihte me sytë e vet një çlirim të mrekullueshëm nga robëria. (Isa. 43:19) Gjashtë kapitujt e parë të librit të Isaisë përmbajnë kryesisht paralajmërime për gjëmën që do të binte se s’bën mbi Jerusalemin dhe mbi qytetet përreth tij. Jehovai, lexuesi i përsosur i zemrave, i tha Isaisë të vazhdonte ta shpallte këtë paralajmërim, paçka se do të haste zemra të ngurta dhe reagime negative. I tronditur, Isaia donte të dinte deri kur do të qëndronte i papenduar kombi i Perëndisë. Si iu përgjigj Ai? «Derisa qytetet të kthehen në gërmadha e në to të mos mbetet më asnjë banor, shtëpitë të mbeten pa njeri e toka të katandiset në shkreti.»​—Lexo Isainë 6:8-11.

9. (a) Kur u plotësua profecia e Isaisë për Jerusalemin? (b) Pse situata e sotme kërkon të jemi syçelë?

9 Këtë detyrë Isaia e mori vitin e fundit të mbretërimit të Uziahut, rreth vitit 778 p.e.s. Ai vazhdoi të shërbente si profet për afro 46 vjet deri diku pas vitit 732 p.e.s., gjatë mbretërimit të Hezekisë. Do të kalonin edhe 125 vjet derisa të shkatërrohej Jerusalemi më 607 p.e.s. Pra, kombi i Perëndisë u paralajmërua goxha kohë përpara për atë që do t’i ndodhte në të ardhmen. Edhe sot Jehovai ka goxha kohë që po paralajmëron me anë të popullit të tij se ç’do të sjellë e ardhmja. Prej 135 vjetësh, që nga numri i parë, Kulla e Rojës u ka bërë thirrje lexuesve të saj të jenë syçelë e të kuptojnë se sundimi i lig i Satanait do të marrë fund së shpejti dhe do të zëvendësohet nga Mbretërimi Mijëvjeçar i Jezu Krishtit.​—Zbul. 20:1-3, 6.

10, 11. Cilin plotësim të profecisë së Isaisë panë izraelitët në Babiloni?

10 Shumë judenj që iu bindën Jehovait dhe iu dorëzuan babilonasve, i mbijetuan shkatërrimit të Jerusalemit dhe u morën robër në Babiloni. (Jer. 27:11, 12) Atje, 70 vjet më vonë, populli i Perëndisë ishte dëshmitar i plotësimit të kësaj profecie mbresëlënëse: «Kështu thotë Jehovai, Riblerësi juaj, i Shenjti i Izraelit: ‘Për hirin tuaj, do të dërgoj dikë në Babiloni dhe do të bëj të ulen shulat e burgjeve.’»​—Isa. 43:14.

11 Në përputhje me këtë profeci, një natë nga fillimi i tetorit të vitit 539 p.e.s. ndodhi një ngjarje që tronditi botën. Teksa mbreti i Babilonisë e fisnikët e tij po pinin verë me enët e shenjta që kishin marrë nga tempulli i Jerusalemit dhe po lëvdonin perënditë e sajuara nga njeriu, forcat ushtarake të Medisë dhe të Persisë pushtuan Babiloninë. Më 538 ose 537 p.e.s., pushtuesi i Babilonisë, Kiri, i urdhëroi judenjtë të ktheheshin në Jerusalem dhe të rindërtonin tempullin e Perëndisë. Isaia e kishte parathënë gjithë këtë, përfshirë edhe premtimin e Jehovait se do t’ia plotësonte nevojat popullit të tij të penduar e do ta mbronte gjatë kthimit në Jerusalem. Perëndia e quajti ‘populli që kam formuar për vete që të tregojë veprat e mia të denja për lëvdim’. (Isa. 43:21; 44:26-28) Pasi u kthyen dhe rindërtuan tempullin e Jehovait në Jerusalem, ata ish-mërgimtarë u bënë dëshmitarë të faktit që Jehovai, i vetmi Perëndi i vërtetë, e mban gjithmonë fjalën.

12, 13. (a) Cilët morën pjesë në rivendosjen e adhurimit të Jehovait bashkë me izraelitët? (b) Çfarë pritet nga ‘delet e tjera’ ndërsa mbështetin «Izraelin e Perëndisë», dhe çfarë shprese kanë?

12 Mijëra joizraelitë ishin pjesë e kombit të rilindur, dhe më vonë shumë jojudenj të tjerë u bënë prozelitë. (Ezd. 2:58, 64, 65; Est. 8:17) Sot ‘një shumicë e madhe’ me «dele të tjera» të Jezuit i mbështet me besnikëri të krishterët e mirosur, që përbëjnë «Izraelin e Perëndisë». (Zbul. 7:9, 10; Gjoni 10:16; Gal. 6:16) Edhe shumica e madhe mban emrin që u ka dhënë Perëndia, Dëshmitarë të Jehovait.

13 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit nëse jemi nga shumica e madhe, do të provojmë gëzim të parrëfyeshëm kur t’u shpjegojmë të ringjallurve se ç’do të thoshte të ishe Dëshmitar i Jehovait gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi. Por kjo vetëm nëse jetojmë në lartësinë e emrit tonë dhe bëjmë çmos të mbetemi të shenjtë. Veç kësaj, sado fort të përpiqemi, duhet të kërkojmë falje çdo ditë për rastet kur nuk kemi qëndruar plotësisht të shenjtë. Pranojmë se jemi mëkatarë dhe se është nder i papërshkrueshëm që Perëndia na ka lejuar të mbajmë emrin e tij të shenjtë.​—Lexo 1 Gjonit 1:8, 9.

Ç’KUPTIM KA EMRI I PERËNDISË

14. Ç’kuptim ka emri i Jehovait?

14 Që ta thellojmë çmueshmërinë për nderin e madh që mbajmë emrin e Perëndisë, bëjmë mirë të meditojmë për kuptimin që ka. Emri hyjnor, që zakonisht përkthehet «Jehova», vjen nga një folje hebraike që mund të përshkruajë një veprim e mund të përkthehet «të bëhet». Prandaj, emri Jehova mendohet se do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky përkufizim përputhet për bukuri me rolin e Jehovait qoftë si Krijuesi i universit fizik dhe i qenieve inteligjente, qoftë si Plotësuesi i qëllimit të tij. Në rrjedhën e ngjarjeve Perëndia vazhdon të shkaktojë që vullneti dhe qëllimi i tij të bëhen realitet. Kjo pavarësisht nga përpjekjet e çdo kundërshtari, si Satanai, për të penguar qëllimin e Tij që është në përmbushje e sipër.

15. Si zbuloi Jehovai një aspekt të personalitetit që pasqyrohet në kuptimin e emrit të tij? (Shih kutinë «Një emër plot kuptim».)

15 Kur e ngarkoi Moisiun të nxirrte popullin e Tij nga Egjipti, Jehovai i zbuloi një aspekt të personalitetit të vet, duke e përshkruar emrin hyjnor me një folje të përafërt, kësaj here në vetën e parë. Në Bibël lexojmë: «Perëndia i tha Moisiut: ‘UNË DO TË BËHEM ÇDO GJË QË DUA TË BËHEM.’ Pastaj shtoi: “Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘UNË DO TË BËHEM më ka dërguar te ju.’”» (Dal. 3:14) Pra, në çdo rrethanë Jehovai do të bëhet çfarëdo që të jetë e nevojshme që të përmbushë qëllimin e tij. Për izraelitët, që dikur ishin skllevër, u bë Çlirimtar, Mbrojtës, Udhërrëfyes e Sigurues i të gjitha nevojave të tyre materiale dhe frymore.

TA SHPREHIM MIRËNJOHJEN

16, 17. (a) Si e shprehim mirënjohjen për privilegjin që mbajmë emrin e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

16 Sot Jehovai vazhdon të jetë besnik ndaj kuptimit të emrit të tij, duke plotësuar të gjitha nevojat tona frymore dhe materiale. Gjithsesi, kuptimi i emrit të Perëndisë nuk kufizohet vetëm në atë që zgjedh të bëhet. Përfshin edhe atë që shkakton të ndodhë me veprën e Dëshmitarëve të tij, që të përmbushë qëllimin e vet. Meditimi për këtë do të na motivojë të vazhdojmë të jetojmë në lartësinë e emrit të tij. Ja ç’thotë Kori 84-vjeçar, që është Dëshmitar i zellshëm në Norvegji prej 70 vjetësh: «Mendoj se është nder i madh t’i shërbesh Jehovait, Mbretit të përjetësisë, dhe të jesh pjesë e popullit që thirret me emrin e tij të shenjtë. Gjithmonë është privilegj i madh t’u shpjegosh njerëzve të vërtetën biblike dhe të shohësh si u ndrijnë sytë nga gëzimi kur e kuptojnë. Për shembull, ndiej kënaqësi të thellë kur u mësoj rolin që luan flijimi shpërblyes i Krishtit dhe si mund të jetojnë përgjithmonë falë kësaj në një botë të re plot paqe e drejtësi.»

17 Kuptohet, në disa territore sa vjen e bëhet më e vështirë të gjesh njerëz që duan të mësojnë për Perëndinë. Sidoqoftë, ashtu si Kori, a nuk të gufon zemra kur gjen një të interesuar dhe ke mundësi t’i mësosh për domethënien e emrit të Jehovait? Por si mund të jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe njëherazi dëshmitarë të Jezuit? Kjo pyetje do të marrë përgjigje në artikullin vijues.

Një emër plot kuptim

Ç’kuptim ka:

  • «Ai shkakton të bëhet»

Pse është i përshtatshëm:

  • Jehovai krijoi gjithçka

  • Ai vazhdon të shkaktojë që vullneti dhe qëllimi i tij të bëhen realitet

Çfarë zbulon:

  • Ai do të bëhet çfarëdo që të jetë e nevojshme për të plotësuar premtimet e tij

  • Ai shkakton që krijimi i tij të bëjë çfarëdo gjëje që nevojitet për të kryer vullnetin e vet

  • S’ka asgjë që ai nuk mund të bëjë ose nuk mund të shkaktojë të ndodhë, që të përmbushë qëllimin e tij

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo