Abrahami—Njeri i besimit
Abrahami po qëndron jashtë në qetësinë e mbrëmjes. Teksa sheh qiellin e shndritshëm plot yje, s’ka si të mos mendojë për premtimin e Perëndisë se pasardhësit e tij do të jenë aq të shumtë sa ata ndriçues. (Zanafilla 15:5) Për Abrahamin yjet janë edhe përkujtues të dukshëm të premtimit të Jehovait, edhe një garanci. Në fund të fundit, nëse Jehovai ka fuqi të krijojë universin e paanë dhe çdo gjë në të, a është e pamundur për të që Abrahami e Sara të kenë një fëmijë? I këtillë ishte besimi i Abrahamit.
ÇFARË ËSHTË BESIMI? Sipas Biblës, «besimi» është bindja e patundur për diçka të padukshme. Kjo bindje bazohet në prova të forta. Një njeri me besim te Perëndia përqendrohet te përmbushja e premtimeve të Jehovait, i sigurt se janë fakt i kryer.
SI TREGOI BESIM ABRAHAMI? Abrahami e tregoi me vepra se besonte te premtimet e Perëndisë. Me besim të fortë e la vendlindjen, i sigurt se Jehovai do ta mbante premtimin për ta çuar në një vend tjetër. Falë besimit, Abrahami u end nëpër Kanaan, i sigurt se do të vinte koha kur pasardhësit e tij do ta zotëronin atë vend. Gjithashtu, me besim Abrahami u bind dhe u përpoq të flijonte Isakun, i sigurt se, po të ishte e nevojshme, Jehovai do ta ringjallte.—Hebrenjve 11:8, 9, 17-19.
Abrahami u përqendrua në të ardhmen, jo në të shkuarën. Ndonëse Abrahami dhe Sara mund të kenë pasur jetë më të rehatshme në Ur sesa në Kanaan, nuk ‘vazhduan të kujtonin vendin nga dolën’. (Hebrenjve 11:15) Përkundrazi, u përqendruan te mënyra si do t’i bekonte Perëndia ata dhe pasardhësit e tyre në të ardhmen.—Hebrenjve 11:16.
A kishte themele të forta besimi i Abrahamit? Pa dyshim që po. Jehovai mbajti çdo premtim. Në fund, pasardhësit e Abrahamit u shumuan e u bënë kombi i Izraelit. Me kalimin e kohës, izraelitët nisën të banonin në Kanaan, pikërisht në vendin që Jehovai i kishte premtuar Abrahamit.—Josiu 11:23.
ÇFARË MËSOJMË? Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbajë premtimet. Edhe nëse disa prej tyre duken të pamundura nga këndvështrimi njerëzor, besojmë se për «Perëndinë gjithçka është e mundur».—Mateu 19:26.
Gjithashtu, shembulli i Abrahamit na mëson të mos përqendrohemi te gjërat e së kaluarës, por te gjërat që do të gëzojmë në të ardhmen. Këtë ka mësuar të bëjë një burrë i quajtur Xhejson. Ai vuan nga një sëmundje ligështuese që e ka lënë krejtësisht të paralizuar. Xhejsoni thotë: «Duhet ta pranoj se ndonjëherë më shkon mendja tek e kaluara.» Ai shton: «Ato për të cilat më merr më tepër malli janë gjërat e vogla, si për shembull, të përqafoj gruan, Amandën.»
Megjithatë, Xhejsoni ka besim absolut se Jehovai do t’i përmbushë premtimet, përfshirë premtimin se së shpejti toka jonë do të bëhet parajsë dhe se njerëzit besnikë do të gëzojnë jetën e përhershme me shëndet të përsosur.a (Psalmi 37:10, 11, 29; Isaia 35:5, 6; Zbulesa 21:3, 4) Xhejsoni thotë: «I kujtoj vetes se do të vijnë kohë më të bukura. Së shpejti kjo situatë plot stres, ankth, trishtim e ndjenja faji do të kalojë, madje do të marrë fund përgjithmonë.» Çfarë shembulli i shkëlqyer besimi, si i Abrahamit!
[Shënimi]
a Për të mësuar më shumë për parajsën e ardhshme në tokë, shih kapitujt 3, 7 dhe 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.