BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Siria”
  • Siria

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Siria
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Damasku
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Eliseu
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Jehoasi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Ben-Hadadi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Siria”

SIRIA

Rajoni që kufizohej nga lindja me Mesopotaminë, nga perëndimi me malet e Libanit, nga veriu me malet Taurus, kurse nga jugu me Palestinën dhe shkretëtirën e Arabisë. Në Shkrimet Hebraike ky rajon quhet Aram. Këta janë thjesht kufij të përafërt, meqë në përgjithësi ndikimi dhe sundimi i Sirisë brenda kësaj zone ishin mjaft të paqëndrueshme.

Në epokën e patriarkëve. Të vetmet të dhëna biblike për sirianët në epokën e patriarkëve kanë të bëjnë me disa ngjarje që ndodhën përqark Haranit dhe që lidhen me familjen e Rebekës, me të atin, Betuelin, dhe të vëllanë, Labanin, që u quajtën të dy sirianë ose, fjalë për fjalë, aramaitë. (Zn 25:20; 28:5; 31:20, 24) Jakobi kishte banuar 20 vjet në zonën e Haranit, prandaj u quajt «një sirian që po merrte fund». Atje u martua me dy vajzat e Labanit që i lindën bij e bija dhe hoqi keq ndërsa i shërbente atij. Veç kësaj, edhe e ëma e Jakobit ishte siriane.​—Lp 26:5; Zn 31:40-42; Ho 12:12.

Në periudhën e gjykatësve. Gjatë periudhës së gjykatësve, kur izraelitët braktisën adhurimin e Jehovait, mbreti sirian Kushan-Rishathaimi i mbajti nën zgjedhë për tetë vjet. (Gjy 3:7-10) Në një rast tjetër, ndikimi i Sirisë ishte aq i fuqishëm, sa Izraeli zuri të adhuronte perënditë e saj bashkë me perëndi të tjera pagane.​—Gjy 10:6.

Në ditët e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. Që nga lindja e monarkisë së Izraelit e më tej, Siria u bë agresive nga ana ushtarake dhe armiqësia mes dy kombeve nuk u shua gjatë gjithë historisë së mbretërisë veriore. Mbreti i parë i Izraelit, Sauli, doli të luftonte kundër mbretërve sirianë të Zobahut. (1Sa 14:47) Si u bë mbret, Davidi i shkaktoi humbje të rënda ushtrisë së mbretit sirian Hadadezer. Veç kësaj, mori si plaçkë shumë ar, argjend dhe bakër që ia shenjtëroi Jehovait. Gjithashtu, Davidi ngriti garnizone në Damask dhe i detyroi sirianët të paguanin haraç. (2Sa 8:3-12; 1Kr 18:3-8) Më vonë, mbi 30.000 mercenarët sirianë të marrë me pagesë nga amonitët nuk luftuan, por ia mbathën para izraelitëve. Megjithatë, pasi sirianëve u erdhën përforcime, nisi beteja me Izraelin. Sirianët pësuan humbje të mëdha, prandaj kërkuan paqe.​—2Sa 10:6-19; 1Kr 19:6-19.

Paskëtaj, Rezoni, një rebel sirian që ia kishte mbathur nga Hadadezeri, u vetëshpall mbret në Damask dhe u bë kundërshtar i Izraelit gjithë ditët e Solomonit. (1Mb 11:23-25) Nga ato ngjarje, Damasku u bë qyteti më i rëndësishëm sirian dhe njihej për shumë kohë si «koka e Sirisë», së cilës iu drejtuan shpalljet e Jehovait kundër atij kombi.​—Is 7:8; 17:1-3; Am 1:5.

Pas ndarjes së mbretërisë së Izraelit. Kur flet për sirianët pas vdekjes së Solomonit dhe ndarjes së mbretërisë së tij, historia biblike përmend kryesisht sukseset dhe disfatat e tyre kundrejt izraelitëve të mbretërisë veriore dhe asaj jugore. Tregohen ngjarje të veçanta që ndodhën gjatë mbretërimit të Asës (1Mb 15:18-20; 2Kr 16:2-4, 7), Akabit (1Mb 20:1-34; 22:3, 4, 29-35; 2Kr 18:10, 28-34), Jehoramit të Izraelit (2Mb 6:24–7:16; 8:28, 29; 9:14b, 15; 2Kr 22:5, 6), Jehoasit të Judës (2Mb 12:17, 18; 2Kr 24:23, 24), Jehoahazit (2Mb 13:3-7, 22), Jehoasit të Izraelit (2Mb 13:14-19, 24, 25), Jotamit (2Mb 15:37, 38), Akazit (2Mb 16:5-9; 2Kr 28:5; Is 7:1-8; 9:12) dhe Jehojakimit (2Mb 24:2). Fakti që ‘nuk pati luftë për tre vjet mes Sirisë dhe Izraelit’, ishte kaq i rrallë sa ia vlente të përmendej.​—1Mb 22:1.

Eliseu, profeti i Jehovait, pati të bënte me sirianët në disa raste. Për shembull, shëroi nga lebra kreun e ushtrisë siriane, Naamanin (2Mb 5:1-20), si edhe i zbuloi Hazaelit se do të bëhej mbret i Sirisë në vend të zotërisë së vet, Ben-Hadadit II. (2Mb 8:7-15) Një herë tjetër kur forcat ushtarake siriane rrethuan Dotanin për të zënë rob Eliseun, profeti i kërkoi Perëndisë t’i godiste me një lloj verbërie e pastaj i çoi në Samari, ku iu kthye shikimi. Atëherë u dha për të ngrënë dhe i la të ktheheshin në shtëpi. (2Mb 6:8-23) Për hollësi të tjera rreth këtyre përvojave të sirianëve me profetin, shih artikullin ELISEU.

Sirianët ishin semitë, farefis i afërt i izraelitëve dhe kishin lidhje të ngushta me ta. Prapëseprapë, në shekullin e 8-të p.e.s., gjuhët e tyre ndryshonin aq shumë, sa një izraelit i thjeshtë nuk e kuptonte gjuhën aramaike. (2Mb 18:26-28; Is 36:11, 12; shih ARAMAISHTJA [Gjuha].) Edhe nga ana fetare kishte ndryshime të thella mes sirianëve politeistë dhe izraelitëve, e vetëm kur këta të fundit ranë në apostazi, në Izrael u lejua adhurimi i perëndive siriane.​—Gjy 10:6; 2Mb 16:10-16; 2Kr 28:22, 23.

Në shekullin e parë të e.s. Në kohën e apostujve, kur përmendej Siria, nënkuptohej provinca romake që Pompeu ia aneksoi perandorisë në vitin 64 p.e.s. Kjo provincë përfshinte një pjesë të madhe të territorit të dikurshëm të Sirisë. Guvernatori i Sirisë kishte pushtet edhe në mbarë Palestinën. Në kohën e lindjes së Jezuit, në Siri qeveriste si guvernator Kuirini, emisari i perandorit August. Ai banonte në Antioki, buzë lumit Orontes, në kryeqytetin e provincës dhe qytetin e tretë nga madhësia në Perandorinë Romake. (Lu 2:1, 2) Jezui shërbeu vetëm në Palestinë, por lajmet për mrekullitë që bëri, u përhapën «në gjithë Sirinë».​—Mt 4:24.

Nga përndjekja që filloi pas vrasjes me gurë të Stefanit, të krishterët e Jerusalemit u shpërndanë dhe disa prej tyre e çuan lajmin e mirë në kryeqytetin e Sirisë, në Antioki. Në fillim e dëgjuan mesazhin judenjtë që jetonin atje, e më pas edhe njerëz të kombësive të tjera. Barnaba dhe Pavli ndihmuan që të forcohej kongregacioni i Antiokisë. Pikërisht në atë qytet sirian, për herë të parë «dishepujt u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor».​—Ve 11:19-26; Ga 1:21.

Rreth vitit 46 të e.s., gjatë sundimit të perandorit Klaud, ra një zi buke e madhe dhe të krishterët e Antiokisë e të zonës përreth u çuan ndihma vëllezërve në Jerusalem nëpërmjet Barnabës dhe Pavlit. (Ve 11:27-30) Letra për rrethprerjen që dërguan apostujt dhe pleqtë e Jerusalemit, u drejtohej veçanërisht kongregacioneve të Antiokisë, Sirisë dhe Kilikisë (një rajon fqinj). (Ve 15:23) Gjatë viteve kur udhëtoi shumë si misionar, Antiokia e Sirisë ishte vendqëndrim bazë për Pavlin.​—Ve 15:40, 41; 18:18; 20:3; 21:3; Ga 2:11.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo