MËSIMI 52
Ushtria e zjarrtë e Jehovait
Mbreti i Sirisë, Ben-Hadadi, e sulmonte herë pas here Izraelin. Por, çdo herë profeti Elise e paralajmëronte mbretin e Izraelit, kështu që ai kishte mundësi të ikte. Prandaj Ben-Hadadi vendosi ta rrëmbente Eliseun. Ai zbuloi se Eliseu ndodhej në qytetin e Dotanit dhe dërgoi atje ushtrinë e tij që ta kapte.
Ushtria siriane mbërriti në Dotan gjatë natës. Në mëngjes, shërbëtori i Eliseut doli përjashta dhe pa se qyteti ishte i rrethuar nga një ushtri e madhe. Ai u tmerrua dhe thirri: ‘Elise, çfarë të bëjmë?’ Eliseu i tha: «Ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.» Në atë moment, Jehovai bëri që shërbëtori i Eliseut të shihte se malet përreth qytetit ishin plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte.
Kur ushtarët sirianë u përpoqën të kapnin Eliseun, ai vetë u lut: ‘Jehova, të lutem, verboji këta njerëz.’ Papritur, edhe pse mund të shihnin ende, ushtarët s’e kishin idenë ku ishin. Eliseu u tha: ‘Keni ngatërruar qytet. Hajdeni me mua t’ju çoj te njeriu që po kërkoni.’ Ata e ndoqën Eliseun gjatë gjithë rrugës për në Samari ku jetonte mbreti i Izraelit.
Sirianët e kuptuan tepër vonë ku ishin. Mbreti i Izraelit e pyeti Eliseun: «A t’i vras?» A e shfrytëzoi këtë mundësi Eliseu që të hakmerrej ndaj njerëzve që donin t’i bënin keq? Jo. Eliseu tha: ‘Mos i vrit. Jepu për të ngrënë dhe lëri të ikin.’ Kështu mbreti shtroi një gosti të madhe për ta dhe i la të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
«Kjo është siguria që kemi tek ai: ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.»—1 Gjonit 5:14