14-20 SHTATOR 2026
KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!
Gjej ngushëllim te libri i Isaisë
«Kështu thotë Jehovai: . . . ‘Unë do t’ju ngushëlloj siç e ngushëllon një nënë të birin.’»—ISA. 66:12, 13.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si na e lehtëson zemrën meditimi për librin e Isaisë kur ndihemi të trishtuar ose të shkurajuar.
1-2. Si vepron Jehovai kur përballemi me situata që na trishtojnë?
IMAGJINO një fëmijë zemërthyer që qan me ngashërim. Mbase familja e tij po transferohet në një shtëpi të re, dhe ai duhet të ndahet nga shokët. Ose ndoshta është shumë i mërzitur ngaqë ka bërë një gabim. Si vepron një nënë e dashur në situata të tilla? E përqafon ëmbëlsisht fëmijën, e dëgjon me kujdes teksa i flet mes lotësh dhe e siguron se e ka shumë xhan.
2 Në Bibël, Jehovai e krahason veten me një nënë të dhembshur e të dashur që e ngushëllon fëmijën e vet. Ai thotë: «Unë do t’ju ngushëlloj siç e ngushëllon një nënë të birin.» (Isa. 66:13) Dashuria që ka Jehovai për ne, është ku e ku më e madhe se ajo e çdo prindi. (Isa. 49:15) Përmes Fjalës së tij, Biblës, Jehovai na jep ngushëllimin dhe forcën e nevojshme kur na lëshon zemra ose vuajmë.—Rom. 15:4.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Libri i Isaisë është plot me shprehje ngushëlluese nga Jehovai. (Isa. 40:1) Ati ynë i dashur e frymëzoi këtë libër për ta inkurajuar popullin e vet gjatë një periudhe të trazuar në historinë e Judës. Edhe ne kemi nevojë për ngushëllim, sepse jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Le të ndalemi te disa vargje nga Isaia që mund të na e qetësojnë dhe forcojnë zemrën kur (1) na ndryshojnë papritur rrethanat, (2) na mundojnë ndjenjat e tepruara të fajit ose (3) jemi të pikëlluar nga vdekja e një njeriu të shtrenjtë.
KUR NA NDRYSHOJNË PAPRITUR RRETHANAT
4. Si mund të ndihemi kur na ndryshojnë papritur rrethanat?
4 Jeta jonë mund të marrë një kthesë të papritur. (Ekl. 9:11; 1 Kor. 7:31) Befas mund të sëmuremi ose të përballemi me probleme ekonomike, me trazira politike në vend a me një ndryshim caktimi. Kthesa të tilla në jetë mund të na shkaktojnë ankth ose pasiguri. Mbase na lind natyrshëm pyetja: «Si do t’ia bëj tani?» Një vëlla që quhet Xhozef, të cilit i ndryshoi caktimi pasi kishte shërbyer rreth 17 vjet në Bethel, thotë: «Ndihesha i humbur. Ishte sfidë kolosale të nisja një jetë të re pas gjithë atyre viteve në Bethel. Nuk dija nga t’ia filloja.» Nëse na kanë ndryshuar papritur rrethanat, si na ngushëllon Jehovai nëpërmjet Isaisë?
5. Çfarë premtimi na bën Jehovai tek Isaia 42:16? (Shih edhe figurën.)
5 Lexo Isainë 42:16. Jehovai premton se do t’u prijë atyre që ndihen si të verbër në një udhë të panjohur dhe se do t’ua kthejë errësirën në dritë. Shprehjet ‘i verbër’, ‘udhë e panjohur’, ‘errësirë’ dhe ‘terren i thyer’ përshkruajnë më së miri si mund të ndihemi për të ardhmen kur na ndryshojnë papritur rrethanat. Ndoshta na duket sikur po ecim nëpër një pyll të dendur dhe nuk e kemi idenë ku do të na nxjerrë rruga. Sidoqoftë, Jehovai na garanton se, çfarëdo situate të hasim, s’do të na lërë pa drejtim dhe s’do të na braktisë kurrë. Ai do të na kapë për dore dhe do të na prijë përmes errësirës, do të na ndriçojë rrugën dhe do ta sheshojë terrenin e ashpër. Si e bën Jehovai këtë? Duke na dhënë këshilla të mençura me anë të Fjalës dhe të organizatës së tij. (Psal. 119:105; Isa. 30:21) Gjithashtu na jep ndihmë praktike nëpërmjet bashkëbesimtarëve dhe të tjerëve. Madje edhe kur rruga përpara është e mjegullt dhe e vështirë, kemi besim se Jehovai do të na qëndrojë përkrah, sepse na kupton mirë dhe ka merak për ne.—Isa. 41:10; 1 Pjet. 5:6, 7.
Edhe nëse të ndryshojnë papritmas rrethanat, Jehovai nuk do të të braktisë kurrë (Shih paragrafin 5)b
6. Për çfarë mund të jemi të sigurt nëse na ndryshojnë papritur rrethanat?
6 Xhozefi, i përmendur më herët, tregon si i mbështeti Jehovai plot dashuri atë dhe të shoqen pasi dolën nga Betheli. Ai thotë: «Ndiem dorën e dashur të Jehovait gjatë asaj periudhe ndryshimesh. Ai na ndihmoi me anë të motrave e vëllezërve të mrekullueshëm. U kujdes që të kishim ç’na nevojitej nga ana materiale dhe emocionale fiks në kohën e duhur dhe vazhdon ta bëjë këtë.» Nëse edhe ty të ndryshojnë papritur rrethanat, mos ki pikë dyshimi se Jehovai do të të japë forcën dhe drejtimin e nevojshëm, sado i papërballueshëm të duket ndryshimi. (Isa. 54:10; 58:11) Xhozefi shton: «Më pëlqen shumë një prej këngëve tona, që thotë: ‘Ç’do të sjellë ditë e re nuk di ta them, por në paqe mbyll sytë, vetëm s’do të jem.’a Vërtet, mbase gjërat nuk shkojnë siç e pritnim, ama një gjë është e sigurt: Jehovai do të na rrijë pranë në çdo hap të rrugëtimit tonë.»
KUR NA MUNDOJNË NDJENJAT E TEPRUARA TË FAJIT
7. Çfarë lufte mund të kenë disa për shkak të gabimeve të së kaluarës?
7 Kur e rrëfejmë një mëkat serioz, pleqtë na ndihmojnë me dashuri. Më pas ne përpiqemi fort të mos e përsëritim gabimin. (Prov. 28:13; Jak. 5:14-16; 1 Gjon. 1:9) Mirëpo edhe pasi Jehovai na ka treguar mëshirë, mund të luftojmë pareshtur me ndjenjat e fajit. Mund të mendojmë: «E si mund të më falë Jehovai pas asaj që kam bërë?!» (2 Kor. 2:7) Është normale të ndihemi kështu, sepse gabimet e së kaluarës mund të na rëndojnë në zemër dhe të mos na shqiten nga mendja. Mbreti David shkroi: «Prej mëkatit tim, kockat paqe s’më gjejnë. . . . Jam mpirë i tëri e ndihem krejt i dërrmuar.» (Psal. 38:3, 8) Nëse provon ndonjëherë ndjenja të tilla, libri i Isaisë mund të jetë burim ngushëllimi.
8-9. Sipas Isaisë 1:18, sa e plotë është falja e Jehovait?
8 Lexo Isainë 1:18. Jehovai përdor krahasime të goditura për të treguar sa e plotë është falja e tij. Ai thotë se ndonëse mëkatet tona «janë të kuqe flakë», do t’i bëjë «të bardha si bora». E kuqja flakë është një ngjyrë e ndezur, dhe një njollë me këtë ngjyrë nuk hiqet kollaj. Megjithatë, Jehovai na siguron se kur na i fal gabimet, njolla e tyre nuk do të na ngelet për tërë jetën.
9 Le të shohim shembullin e mbretit David. Ndonëse kishte kryer kurorëshkelje dhe vrasje, Jehovai e fali pasi u pendua dhe më vonë e quajti njeri me integritet. (2 Sam. 11:3, 4, 14, 15; 12:13; 1 Mbret. 9:4, 5) Jehovai nuk e maste vlerën e Davidit në bazë të gabimeve të tij, por në bazë të besnikërisë që kishte treguar ndër vite. Edhe sot, Jehovai na fal me dashuri kur pendohemi dhe na ndihmon të vazhdojmë t’i shërbejmë me një ndërgjegje të pastër. Çfarë garancie tjetër gjejmë në librin e Isaisë kur na torturojnë ndjenjat e tepruara të fajit?
10. Çfarë premtimi ngushëllues gjejmë tek Isaia 38:17?
10 Lexo Isainë 38:17 dhe shënimin. Shprehja «i ke hedhur pas shpine të gjitha mëkatet e mia», mund të përkthehet edhe «i ke hequr nga prania jote». Këtu Jehovai përshkruhet sikur i merr mëkatet e dikujt që është penduar dhe i hedh pas shpine, pra nuk i ka më as para syve e as në mendje. Sipas një vepre referimi, ky varg përcjell idenë: «I ke bërë [mëkatet e mia] sikur të mos kishin ndodhur.» Ndaj kur Jehovai na fal, për të është sikur të mos kemi mëkatuar kurrë. Ai nuk na akuzon ose ndëshkon për mëkatet e së shkuarës, sepse i ka fshirë krejtësisht nga kujtesa. Jehovai na premton: «Mëkatet e tua nuk do t’i kujtoj më.» (Isa. 43:25) Sa na ngushëllon kjo! Nëse Jehovai, Gjykatësi Suprem, nuk na konsideron më fajtorë, kush jemi ne që ta quajmë veten fajtorë?!
Mos lejo kurrë që gabimet e djeshme të të helmojnë lumturinë e sotme
11. Pavarësisht se çfarë kemi bërë në të shkuarën, ku fokusohet Jehovai? (Shih edhe figurën.)
11 Sa herë që nxjerrin kokë ndjenjat e tepruara të fajit, duhet t’i kujtojmë vetes premtimet e dashura të Jehovait. Falja e tij është reale dhe e plotë. Jehovait nuk i vjen turp për ne meqë kemi gabuar në të kaluarën dhe as na mban mëri. (Isa. 57:16) Për Jehovain nuk ka rëndësi çfarë njeriu kemi qenë, por ç’lloj njeriu jemi sot dhe çfarë njeriu po përpiqemi të bëhemi. (Isa. 55:7) Sa shumë na do dhe dëshiron të na falë Perëndia ynë! Prandaj, të mos lejojmë kurrë që gabimet e djeshme të na helmojnë lumturinë e sotme ose të na vjedhin bekimet e së ardhmes.
Jehovai nuk e mat vlerën tonë në bazë të gabimeve të së kaluarës (Shih paragrafin 11)c
KUR JEMI TË PIKËLLUAR NGA VDEKJA E NJË NJERIU TË SHTRENJTË
12. Si mund të ndihemi kur na vdes një njeri i dashur?
12 Kur na vdes një njeri i dashur, mund të na mbytë hidhërimi dhe të na hapet një plagë që zor se mbyllet. Ndonjëherë mund të pyesim veten pse lejoi Jehovai që njeriu ynë i shtrenjtë të vdiste. Një vëlla që quhet Majkëll humbi prindërit për shkak të një zjarri. Ai shprehet: «M’u bë zemra copë e çikë dhe isha i zemëruar me Jehovain që lejoi të vdisnin. E di që nuk e shkaktoi ai vdekjen e tyre, por as e ndaloi.» Mbase edhe ti ke provuar ndjenja të tilla. Çfarë ngushëllimi dhe shprese të jep Jehovai kur e ke zemrën plagë?
13. Ç’premtim na bën Jehovai tek Isaia 25:8?
13 Lexo Isainë 25:8. Jehovai premton se «do ta përpijë vdekjen një herë e mirë». Imagjino kohën kur vdekja të mos ekzistojë më! Nuk do të vajtosh më kurrë për humbjen e një njeriu të shtrenjtë. (Isa. 35:10) Nuk do të të therë më në zemër teksa sheh vendin ku është varrosur njeriu yt i dashur. Ke shpresën që njerëzit e tu të shtrenjtë të jenë gjithnjë pranë teje, shëndoshë e mirë. Ky premtim nuk është ëndërr me sy hapur; ai vjen nga i vetmi që mund ta bëjë realitet—nga vetë Perëndia.—Zbul. 21:4, 5.
14. Si ndihesh kur mediton për shpresën e ringjalljes? (Isaia 26:19) (Shih edhe figurën.)
14 Lexo Isainë 26:19. Jehovai jo vetëm do të zhdukë vdekjen, por edhe do të kthejë në jetë njerëzit tanë të dashur. Ai thotë për ta: «Kufomat e popullit tim do të çohen.» Ky varg mund të përkthehet edhe: «Kufomat e mia do të çohen.» Kjo tregon se njerëzit tanë të zemrës i përkasin Jehovait dhe ai ndihet personalisht përgjegjës për ta. Ai i ruan në kujtesë dhe do t’i ringjallë në kohën që ka caktuar. Ashtu siç i gjallëron vesa e mëngjesit bimët e thara, Jehovai, Burimi i jetës, do t’i zgjojë nga gjumi i vdekjes të shtrenjtët tanë. Imagjino si do të na brofë zemra nga gëzimi kur t’i presim krahëhapur!—Krahaso Markun 5:42.
Shpresa se njerëzit tanë të dashur do të kthehen në jetë, është e garantuar (Shih paragrafin 14)
15. Si na ndihmon premtimi për ringjalljen kur jemi të pikëlluar?
15 Edhe pse premtimi i Perëndisë për ringjalljen nuk na e fshin krejtësisht pikëllimin, na ngushëllon fakti që Jehovai nuk i ka harruar njerëzit tanë të dashur. Kjo shpresë e ngushëlloi edhe Majkëllin, që u përmend më lart. Ai thotë: «Isaia 26:19 më ndihmoi të kuptoja se prindërit e mi kanë një vend të veçantë në zemrën e Jehovait. Ai i mban të sigurt në kujtesën e tij dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë derisa t’i kthejë në jetë në kohën e duhur. Kjo ma ngushëllon shpirtin dhe më jep forcë.» Le t’i mbajmë sytë edhe ne te premtimi se do t’i përqafojmë përsëri njerëzit tanë të dashur. Kështu do të na lehtësohet plaga e zemrës.
16. Cili shkrim ta ngushëllon shpirtin në situata të vështira?
16 Kemi shqyrtuar disa vargje nga libri Isaisë që mund të na ngushëllojnë kur na ndryshojnë papritur rrethanat, kur na mundojnë ndjenjat e tepruara të fajit ose kur jemi të pikëlluar. Sa mirënjohës ndihemi që Jehovai na ngushëllon e na qetëson nëpërmjet Fjalës së tij! (Psal. 94:19) A ke një shkrim që ta ngre zemrën peshë në situata të vështira? Mundohu ta fiksosh në mendje, shkruaje diku ose vëre në një vend që e sheh shpesh. Urojmë që fjalët qetësuese të Atit tonë të dashur, Jehovait, të ta ngushëllojnë zemrën!
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
a Këto vargje janë nga kënga «Jehovai është ndihma ime».
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift që ka dalë nga Betheli, shijon mikpritjen e ngrohtë të kongregacionit të ri.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla e lë pas krahëve të kaluarën dhe kënaqet ndërsa ndjek Shkollën e Shërbimit për Pionierë.