BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 korrik f. 2-7
  • Mësime me vlerë nga gibeonitët

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mësime me vlerë nga gibeonitët
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • VEPRO ME BESIM DHE ME PËRULËSI
  • PRIT JEHOVAIN QË TË NDREQË PADREJTËSITË
  • MBËSHTET ME BESNIKËRI ADHURIMIN E VËRTETË
  • Gibeonitët e mençur
    Libri im i tregimeve biblike
  • Mësime nga tregimi për gibeonitët
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2021
  • Josiu dhe gibeonitët
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Gibeoni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 korrik f. 2-7

7-13 SHTATOR 2026

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

Mësime me vlerë nga gibeonitët

«Banorët e Gibeonit kishin bërë paqe me Izraelin e qëndronin mes tyre.»—JOS. 10:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Çfarë mund të mësojmë nga gibeonitët dhe nga mënyra si veproi Jehovai me ta.

1-2. Pse duam të mësojmë më tepër për atë që thotë Bibla rreth gibeonitëve?

ËSHTË viti 1473 p.e.s. Kombi i Izraelit sapo ka nisur pushtimin e Tokës së Premtuar. Izraelitët kanë korrur fitore të bujshme kundër qyteteve të Jerikosë dhe të Ait. Por më vonë ndodh diçka e papritur. Tek izraelitët shkon një grup udhëtarësh që thonë se janë nga një vend i largët dhe duan të bëjnë një marrëveshje paqeje me popullin e Perëndisë.

2 Këta udhëtarë janë gibeonitë. Kjo është hera e parë që përmenden në Bibël, por jo e fundit. Disa histori të Biblës tregojnë se gibeonitët jetuan mes izraelitëve për shekuj me radhë. Ato përmbajnë mësime me vlerë dhe zbulojnë shumë për cilësitë e Perëndisë Jehova.

VEPRO ME BESIM DHE ME PËRULËSI

3. (a) Cilët ishin gibeonitët? (b) Pse donin të bënin një aleancë paqeje me Izraelin?

3 Kur izraelitët filluan pushtimin e Kananit, gibeonitët jetonin në qytetin e fortifikuar të Gibeonit. Ishin pjesë e kombit hivit, një nga shtatë kombet kananite «më të mëdha e më të fuqishme» se izraelitët. (Ligj. 7:1) Pra, gibeonitët ishin popull i fuqishëm nga ana ushtarake. (Jos. 10:2) Ama, ndryshe nga kananitët e tjerë, ata e kuptuan se e kishin të humbur luftën kundër Izraelit. Gibeonitët e shihnin qartë se Jehovai po luftonte për popullin e tij dhe e dinin se Ai kishte premtuar t’i dëbonte kananitët nga vendi. (Eks. 34:11; Jos. 9:24) Ndaj, pasi izraelitët pushtuan Jerikonë dhe Ain, gibeonitët dërguan një delegaciona te Josiu në Gilgal, që të bënin një aleancë paqeje.

4. (a) Sipas Josiut 9:8-13, si ia punuan gibeonitët izraelitëve për të lidhur një marrëveshje paqeje? (Shih edhe figurën.) (b) Çfarë ndodhi kur doli në shesh gënjeshtra?

4 Lexo Josiun 9:8-13. Gibeonitët thanë se vinin nga një vend i largët. Ata e pranuan se Jehovai i kishte ndihmuar izraelitët të mposhtnin Egjiptin dhe dy mbretër amoritë, Sihonin dhe Ogun. Por me mençuri, nuk e zunë në gojë çfarë kishte ndodhur me Jerikonë dhe Ain, meqë ato lajme të fundit s’mund të kishin mbërritur në atë vend gjoja ‘shumë të largët’. Pa u konsultuar me Jehovain, përfaqësuesit e Izraelit i besuan historisë së gibeonitëve dhe bënë një besëlidhje paqeje me ta. (Jos. 9:14, 15) S’kaloi shumë dhe gënjeshtra e gibeonitëve doli sheshit. Mirëpo izraelitët nuk e prishën besëlidhjen, sepse ‘u ishin betuar për Jehovain’. (Jos. 9:16-19) Gibeonitëve iu caktua një punë që normalisht e bënin shërbëtorët—«të mblidhnin dru e të nxirrnin ujë për asamblenë dhe për altarin e Jehovait».—Jos. 9:27.

Një grup gibeonitësh kanë rënë në gjunjë e po i përgjërohen Josiut dhe ushtarëve të tjerë izraelitë. Gibeonitët u tregojnë rrobat e vjetruara dhe kacekët e verës të çarë.

Gibeonitët ia punuan Josiut që të bënte paqe me ta (Shih paragrafin 4)


5. Në cilat mënyra treguan besim te Jehovai gibeonitët?

5 Kur morën vesh se gibeonitët kishin bërë paqe me Izraelin, pesë mbretër amoritë lidhën aleancë për të sulmuar Gibeonin. Atëherë gibeonitët iu përgjëruan për ndihmë Josiut. (Jos. 10:3-7) Josiu e udhëhoqi ushtrinë izraelite në një operacion shpëtimi, dhe Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre. Madje Jehovai hodhi mbi forcat armike të amoritëve një breshër kokërrmadh dhe, me anë të një mrekullie, e ndali diellin derisa izraelitët fituan. (Jos. 10:9-14) Gibeonitët treguan se kishin besim te Jehovai kur lidhën një besëlidhje paqeje me Izraelin dhe kur iu përgjëruan për ndihmë Josiut përballë rrezikut. Ata s’kishin pikë dyshimi se Jehovai do t’i përmbushte premtimet e tij dhe do t’i shpëtonte.

6. Çfarë mësojmë për Jehovain nga mënyra si i trajtoi gibeonitët?

6 Çfarë na mëson kjo histori për Jehovain? Jehovai është i përulur dhe i mëshirshëm. Ai i kishte urdhëruar izraelitët që ‘të dëbonin të gjithë banorët e vendit’, ku përfshiheshin edhe gibeonitët. (Num. 33:51, 52) Prapëseprapë, për të mbështetur besëlidhjen e paqes që bëri Izraeli me ta, Jehovai u tregua i mëshirshëm duke ua kursyer jetën gibeonitëve. Veproi kështu edhe pse izraelitët nuk u konsultuan me të para se të bënin besëlidhjen. Pastaj e ndihmoi Izraelin t’i përmbahej marrëveshjes dhe i shpëtoi gibeonitët me anë të një mrekullie.—Jos. 9:26; 11:19.

7. Si mund të imitojmë besimin dhe përulësinë e gibeonitëve? (Shih edhe figurën.)

7 Si mund t’i imitojmë gibeonitët? Duke zhvilluar besim të palëkundur te Jehovai. Ne dimë shumë më tepër për Jehovain se gibeonitët, ndaj kemi më shumë arsye që t’i besojmë pa rezerva. (Psal. 40:4, 5) Gjithashtu mund t’i imitojmë gibeonitët duke bërë me gatishmëri punë që kërkojnë përulësi në shërbim të Jehovait. (Jos. 9:23, 27) Një vëllai të ri që quhet Luka nuk i hiqet nga mendja rasti kur pa një vëlla të moshuar nga familja Bethel të vepronte pikërisht kështu. Ndonëse kishte një caktim goxha të rëndësishëm, ai bethelit doli vullnetar pa bujë që të bënte roje nate në kantierin e Sallës së Mbretërisë që po ndërtohej. Luka thotë: «Mësova se përulësia nuk është thjesht një fjalë goje. Nëse jemi vërtet të përulur, do ta tregojmë me gjërat që zgjedhim të bëjmë ose të mos bëjmë.» Le ta shfaqim dita-ditës besimin te Jehovai duke u mbështetur tek ai në situata të vështira dhe le të kryejmë me përulësi çdo caktim teokratik.

Kolazh: disa që bëjnë me gatishmëri punë që duan përulësi. 1. Një gibeonit mban një shtambë me ujë. 2. Një vëlla i moshuar punon kopshtin e Sallës së Mbretërisë.

Imito gibeonitët duke bërë me gatishmëri punë që kërkojnë përulësi (Shih paragrafin 7)


PRIT JEHOVAIN QË TË NDREQË PADREJTËSITË

8. Çfarë krimi bëri mbreti Saul kundër gibeonitëve?

8 Shekuj më vonë, gibeonitët përmenden sërish në Bibël. Mbreti Saul sulmoi gibeonitët që jetonin në Izrael. Ai u përpoq t’i shfaroste, «ngaqë mbronte me fanatizëm popullin e Izraelit dhe të Judës».b Si pasojë, u vranë mjaft gibeonitë. (2 Sam. 21:2, 5, 6) Ç’padrejtësi e rëndë! Sauli shkeli besëlidhjen e paqes që ekzistonte prej kohësh mes Izraelit dhe gibeonitëve.

9. Kur u ndreq padrejtësia kundër gibeonitëve?

9 Padrejtësia e tmerrshme kundër gibeonitëve nuk u ndreq menjëherë. Jehovai ia kujtoi kombit atë krim nëpërmjet një zie buke trevjeçare vetëm pas mbretërimit të Saulit, kur në fron ishte mbreti David. Kur Davidi e pyeti Jehovain pse kishte rënë zia e bukës, Ai i tha se Sauli dhe shtëpia e tij mbanin faj gjaku për vrasjen e gibeonitëve vite më parë.—2 Sam. 21:1.

10. Sipas 2 Samuelit 21:3-6, si treguan gibeonitët respekt për Ligjin e Perëndisë me përgjigjen që i dhanë Davidit?

10 Lexo 2 Samuelit 21:3-6. Davidi i pyeti gibeonitët se ç’mund të bënte për të shlyer krimin e Saulit kundër tyre. Mos do të përpiqeshin të pasuroheshin gibeonitët duke i kërkuar Davidit t’u jepte pará, meqë nuk kishte ndërhyrë më shpejt? Me të drejtë, ata iu përgjigjën se ‘argjendi dhe ari s’mund ta shlyenin dëmin’, sepse, sipas Ligjit, nuk mund të pranohej asnjë shpërblesë për një vrasës. (Num. 35:30, 31) Ata e dinin edhe se nuk mund ta vritnin dikë pa qenë të autorizuar. Në fund, Davidi autorizoi ekzekutimin e shtatë bijve të Saulit, të cilët mund të kishin pasur gisht në tentativën e Saulit për gjenocid. Ca kohë më vonë ra shi, e kështu mori fund zia e bukës. Kjo tregoi se drejtësia ishte vënë në vend dhe se zemërimi i Jehovait ishte fashitur.—2 Sam. 21:9, 10, 14.

11. Çfarë na mëson kjo histori për Jehovain?

11 Çfarë na mëson kjo histori për Jehovain? Shohim prova të qarta se Jehovai është Perëndi i drejtë. (Psal. 37:28) Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të trajtohen me paanshmëri. Këtu përfshihen ata që janë objekt diskriminimi, siç ndodh shpesh me të huajt dhe me minoritetet. Në kohën e duhur, Jehovai do të ndreqë çdo padrejtësi që mund t’u jetë bërë adhuruesve të tij. Veç kësaj, mësojmë se Jehovai pret që t’i mbajmë premtimet, siç priste që izraelitët ta mbanin premtimin për të jetuar në paqe me gibeonitët.—Krahaso Amosin 1:9.

12. Si mund t’i imitojmë gibeonitët kur na trajtojnë padrejtësisht?

12 Si mund t’i imitojmë gibeonitët? Mund ta presim me durim Jehovain edhe kur na trajton padrejtësisht një vëlla a motër. Kështu tregojmë se kemi besim që Jehovai do t’i ndreqë gjërat në momentin e duhur. Të shohim rastin e motrës Laura Frenç. Ajo filloi të shërbente në Bethelin e Kanadasë në vitin 1926. Mirëpo rreth 10 vjet më vonë, u bë viktimë e një padrejtësie të madhe. E akuzuan pa të drejtë se ishte pjesë e një grupi apostatësh dhe i kërkuan të largohej nga Betheli. Si reagoi Laura? Edhe pse zemërvrarë, ajo nuk u ankua kurrë. U dha me zell pas shërbimit si pioniere për katër vitet që pasuan. E sa u habit dhe u gëzua kur në vitin 1940 e ftuan prapë në Bethel, ku shërbeu besnikërisht për 50 vite të tjera, derisa përfundoi jetën e saj në tokë. Ashtu si motra Frenç, mund t’i përballojmë padrejtësitë duke vazhduar të bëjmë çfarë është e drejtë dhe duke pritur që Jehovai t’i ndreqë gjërat në kohën e duhur.—Isa. 26:3, 4.

MBËSHTET ME BESNIKËRI ADHURIMIN E VËRTETË

13. Kush ishin «nethinimët», dhe çfarë bënë pas mërgimit në Babiloni?

13 Rreth 500 vjet pas mbretërimit të Davidit, gibeonitët përmenden përsëri në Bibël. Mërgimit 70-vjeçar në Babiloni i kishte ardhur fundi. Në vitin 537 p.e.s., u kthye në Jerusalem grupi i parë i mërgimtarëve judenj me guvernatorin Zorobabel. (Ezd. 2:1, 2, 58) Në vitin 468 p.e.s., u kthye një grup tjetër me kopistin Ezdra. (Ezd. 7:1-7) Në të dyja këto grupe relativisht të vogla mërgimtarësh, kishte familje nga ‘nethinimët’. (Shih shënimin tek Ezdra 7:7.) Kush ishin nethinimët? Ata ishin «shërbëtorë joizraelitë të tempullit» dhe ka të ngjarë që shumë prej tyre të ishin pasardhës të gibeonitëve.—Shih «Nethinimë» te Fjalorthi.

14. Si treguan besnikëri ndaj Jehovait gibeonitët? (1 Kronikave 9:2 dhe shënimi)

14 Lexo 1 Kronikave 9:2 dhe shënimin. «Shërbëtorët e tempullit» ishin mes të mërguarve të parë që u kthyen në Izrael. Kjo është domethënëse, pasi nuk u kthyen të gjithë judenjtë e mërguar. Mjaft judenj gëzonin njëfarë mirëqenieje në Babiloni dhe nuk donin të bënin sakrifica për t’u kthyer e për të rindërtuar atdheun e shkatërruar. Por mërgimtarëve besnikë, ku përfshiheshin edhe disa pasardhës të gibeonitëve, u digjej zemra që adhurimi i pastër të rivendosej në tempullin e Jerusalemit. Ndaj bënë sakrifica që të ktheheshin. Ndryshe nga judenjtë, pasardhësit e gibeonitëve nuk trashëgonin tokë në Izrael. Gjithsesi u kthyen sepse donin të shërbenin në tempull dhe të meremetonin muret e Jerusalemit.—Neh. 3:26.

15. Çfarë na mëson për Jehovain historia e gibeonitëve?

15 Çfarë na mëson kjo histori për Jehovain? Mësojmë se Perëndia ynë i çmon tej mase adhuruesit besnikë dhe kujdeset gjithmonë për ta. Kur përfundoi mërgimi në Babiloni, kishin kaluar gati 1.000 vjet nga koha kur Jehovai i shpëtoi gibeonitët gjatë pushtimit të Tokës së Premtuar. Ama bekimet e tij nuk reshtën. Mes atyre që i mbijetuan shkatërrimit të Judës dhe të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. kishte edhe pasardhës të gibeonitëve. Pas mërgimit, ata vazhduan të shërbenin krah levitëve në tempull për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Madje disa duket që jetonin afër tempullit. (Ezd. 2:70; Neh. 11:21) Veç kësaj, falë shërbimit që bënin në tempull, ishin të përjashtuar nga çdo taksë, haraç ose taksë kalimi.—Ezd. 7:24.

16. Si mund t’i imitojmë gibeonitët ndërsa adhurojmë Jehovain?

16 Si mund t’i imitojmë gibeonitët? Edhe ne duam të mbështetim me mish e me shpirt adhurimin e vërtetë. Jemi gati të bëjmë sakrifica për t’i shërbyer Jehovait, sepse e duam dhe dëshirojmë ta kënaqim. Këtë bëri Alvini, një vëlla në Filipine. Ai kishte një punë me rrogë të mirë në një kompani nafte. Por donte t’i shërbente më plotësisht Jehovait. Ndaj, sa herë që ishte vizita e mbikëqyrësit qarkor, Alvini merrte pushim nga puna që të dilte më tepër në shërbim. Kjo i sillte shumë kënaqësi. Pas ca kohësh dhe shumë lutjesh, ai vendosi të jepte dorëheqjen nga puna dhe të gjente një tjetër, që të mund të shërbente si pionier i rregullt. E dinte se do t’i duhej të bënte sakrifica nga ana financiare. Por kjo nuk e pengoi ta arrinte synimin. Më vonë edhe bashkëshortja e tij u bë pioniere, e të dy kanë ndihmuar 21 veta të përqafojnë të vërtetën. S’ka dyshim se ky çift ia ka bërë zemrën mal Jehovait. Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai çmon çdo sakrificë që bëjmë në shërbim të tij dhe do të na sigurojë gjithmonë ç’na nevojitet.—Mat. 6:33.

17. Çfarë kemi mësuar nga historitë e Biblës për gibeonitët?

17 Historitë e Biblës për gibeonitët hedhin dritë mbi personalitetin e Jehovait që na bën për vete. Ai është i përulur, i mëshirshëm, i drejtë dhe besnik. Jehovai nuk i lë kurrë pa shpërblyer adhuruesit e tij besnikë. Por nga këto histori nxjerrim edhe mësime praktike. Njësoj si gibeonitët, duam të kemi besim të palëkundur te Jehovai, duke u mbështetur tek ai në situata që na ngjallin frikë. Gjithashtu duam të kryejmë me përulësi çdo caktim teokratik. Dëshirojmë edhe ta presim me durim Jehovain, të bindur se në kohën e duhur, ai do të ndreqë çdo padrejtësi. Veç kësaj, e mbështetim adhurimin e vërtetë plot zell dhe besnikëri. Ndërsa veprojmë kështu, tregojmë se i kemi vath në vesh mësimet e vyera nga gibeonitët.

SI MUND T’I IMITOJMË GIBEONITËT . . .

  • duke treguar besim dhe përulësi?

  • kur na bëhet një padrejtësi?

  • duke mbështetur me besnikëri adhurimin e vërtetë?

KËNGA 148 Jehovai është çlirimtari ynë

a Me sa duket delegacioni gibeonit përfaqësonte edhe popujt e tri qyteteve të tjera hivite: të Kefirahut, të Berotit dhe të Kiriat-Jearimit.—Jos. 9:17.

b Bibla nuk e thotë specifikisht arsyen pse Sauli kreu këtë krim. Por disa studiues hedhin idenë se mund të jetë nxitur nga fryma e zjarrtë patriotike.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo