FAKT INTERESANT NGA BIBLA
Rrjetat e peshkimit në lashtësi
Nga leximi i Biblës, mund të na kujtohet se disa nga dishepujt e Jezuit ishin peshkatarë. (Mar. 1:16-20) Kur peshkonin në detin e Galilesë, ata përdornin rrjeta.
Rrjetat e peshkimit bëheshin duke thurur fije liri ose spango. Madhësia e nyjave të rrjetës varej nga lloji i peshkut që donin të zinin. Rrjetat e vogla shpesh kishin plumbçe guri ose metali që të fundoseshin kollaj, ndërsa rrjetave më të mëdha u vendoseshin pesha në pjesën e poshtme dhe tapa druri sipër.
Rrjetat e peshkimit ishin të kushtueshme dhe mirëmbajtja e tyre kërkonte goxha punë. Ato mund të dëmtoheshin nga shkëmbinjtë në shtratin e detit ose mund të çaheshin nga sasia e madhe e peshqve. (Luka 5:6) Bibla përmend një rast kur Jakovi dhe Gjoni ‘po arnonin rrjetat’, mbase duke përdorur gjilpërë dhe fije liri. (Mat. 4:21) Ka të ngjarë që peshkatarët t’i bënin këto riparime pas çdo përdorimi. Ndërsa Luka flet për disa peshkatarë që «lanin rrjetat», për t’i pastruar nga llumi dhe nga mbeturinat. (Luka 5:2) Më pas, peshkatarët i varnin rrjetat që të thaheshin, me shumë gjasa që të mos kalbeshin.—Ezek. 47:10.
Disa nga ata burra që i përdornin me mjeshtëri rrjetat, Jezui i ftoi të bëheshin «peshkatarë njerëzish».