BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 mars f. 20-25
  • Trego gjykim të thellë dhe ‘do të të shkojë mbarë’

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Trego gjykim të thellë dhe ‘do të të shkojë mbarë’
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • VEPRO ME PËRULËSI, JO ME KRENARI
  • REAGO ME QETËSI, JO ME ZEMËRIM
  • DREJTOHU NGA BESIMI, JO NGA FRIKA
  • TË FITOJMË DHE TË RUAJMË GJYKIMIN E THELLË
  • Foli pa frikë për Perëndinë e saj
    Ec me Perëndinë plot guxim
  • Luftëtari dhe vajza e vogël
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Ajo donte t’i ndihmonte të tjerët
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Naamani
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 mars f. 20-25

25-31 MAJ 2026

KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»

Trego gjykim të thellë dhe ‘do të të shkojë mbarë’

«Atij që tregon gjykim të thellë, i shkon mbarë.»—PROV. 16:20.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si na ndihmon gjykimi i thellë të përballojmë me sukses situatat e vështira.

1-2. Çfarë është gjykimi i thellë dhe si mund të na ndihmojë?

A TË kanë treguar ndonjëherë mungesë respekti? A të kanë lënduar ose të kanë gjykuar padrejtësisht? Mos ndoshta je përballur me ndonjë situatë që të ngjalli frikë? Nëse po, ka shumë mundësi që e di se është sfidë të reagosh siç duhet. Por sa mirë që Shkrimet flasin për gjykimin e thellë, një cilësi mjaft e dobishme në këto situata.

2 Gjykimi i thellë është aftësia për të parë në brendësi të një situate, pra përtej asaj që duket. Falë gjykimit të thellë kuptojmë pse mund të ketë ndodhur diçka ose pse dikush u soll në një mënyrë të caktuar. Si rezultat, jemi në gjendje të veprojmë me mençuri dhe maturi. Për shembull, gjykimi i thellë na ndihmon ‘t’u vëmë fre buzëve’ dhe të dimë kur ‘të rrimë në heshtje’. (Prov. 10:19; Psal. 4:4) Ai na ndihmon të mbajmë nën kontroll zemërimin, të kapërcejmë lëndimet, si edhe të pranojmë këshillat dhe korrigjimin. (Prov. 19:20) Kur shfaqim gjykim të thellë, jo vetëm i gëzojmë zemrën Jehovait, por edhe ia bëjmë jetën më të lehtë vetes dhe të tjerëve. E nëse gjendemi në situata të tensionuara, nuk marrim zjarr menjëherë dhe as veprojmë ose flasim pa u menduar. Le të shqyrtojmë tani tri ngjarje nga Bibla që ilustrojnë si na ndihmon gjykimi i thellë të mbetemi të përulur, të ruajmë qetësinë dhe të mbështetemi plotësisht te Jehovai.

VEPRO ME PËRULËSI, JO ME KRENARI

3. Kush ishte Namani?

3 Që të na shkojë mbarë, duhet ta lëmë mënjanë krenarinë. (1 Pjet. 5:5) Si na ndihmon gjykimi i thellë për këtë? Të mendojmë për historinë e Namanit. Ai jetonte në Siri, një vend në veri të Izraelit. Namani ishte njeri i shquar dhe kreu i ushtrisë siriane. Mirëpo vuante nga lebra, një sëmundje lëkure e tmerrshme.—2 Mbret. 5:1.

4. Si tregoi njëfarë gjykimi të thellë Namani?

4 Gruaja e Namanit kishte si shërbëtore një vajzë izraelite, që i tha se një profet në Izrael mund t’ia shëronte të shoqin. (2 Mbret. 5:2, 3) Namani mund të kishte menduar: «E si mund të më ndihmojë një vajzë e vogël skllave nga një komb armik?!» Në vend të kësaj, tregoi deri diku gjykim të thellë. Nuk i shpërfilli me krenari fjalët e saj, por u tregua i përulur dhe ua vuri veshin. Pasi mori leje nga mbreti i Sirisë, Namani u nis për në Izrael që të gjente kurën për sëmundjen e tij.—2 Mbret. 5:4, 5.

5. Çfarë i ndodhi Namanit kur mbërriti në Izrael?

5 Namani mbërriti në oborrin e mbretit Jehoram, me shpresën që të shërohej nga lebra. Mirëpo, Jehorami mendoi se mbreti i Sirisë po e përdorte këtë situatë si shkak për t’u kapur me të. Kur profeti Elise mori vesh ç’kishte ndodhur, i kërkoi Jehoramit ta dërgonte Namanin tek ai. (2 Mbret. 5:6-9) Gjërat nuk shkuan fare siç priste Namani. Eliseu nuk doli as nga shtëpia që ta takonte ose të fliste me të. Por dërgoi një lajmëtar që ta udhëzonte çfarë duhej të bënte për t’u shëruar.—2 Mbret. 5:10.

6. (a) Pse Namani nuk i priti fare mirë udhëzimet e lajmëtarit? (b) Si treguan gjykim të thellë shërbëtorët e Namanit, dhe cili ishte rezultati? (2 Mbret. 5:13, 14)

6 Fillimisht Namani nuk e priti fare mirë atë që i tha lajmëtari. Ai «u indinjua» dhe «iku i tërbuar». (2 Mbret. 5:11, 12) Pse? Mbase mendoi se nuk mori respektin që i takonte një ushtaraku të lartë si ai. Veç kësaj, Namani mund të ketë menduar se udhëzimet e Eliseut tregonin mungesë respekti edhe për Sirinë si vend. Sido të ketë qenë, Namani ishte gati të hiqte dorë nga mundësia për t’u shëruar dhe të kthehej në shtëpi. Megjithatë, shërbëtorët e tij treguan gjykim të thellë dhe iu lutën ta mendonte edhe njëherë. Me mençuri, Namani e la mënjanë krenarinë dhe ndoqi përulësisht udhëzimet e Eliseut. Si rezultat, u shërua.—Lexo 2 Mbretërve 5:13, 14.

7. Çfarë mësojmë nga historia e Namanit? (Proverbat 22:4) (Shih edhe figurat.)

7 Çfarë mësojmë nga kjo ngjarje? Mënyra si e shohim ose si ndihemi për një situatë, mund të mos jetë gjithnjë e duhura. Ndaj tregojmë gjykim të thellë kur shohim përtej asaj që duket. Shfaqim gjykim të thellë edhe kur nuk marrim vendime të shtyrë nga emocionet. Gjykimi i thellë mund të na nxitë të jemi të përulur e të pranojmë se nuk dimë gjithçka. Kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve, sidomos të Jehovait. Namani nuk ishte ende adhurues i Jehovai, megjithatë tregoi njëfarë gjykimi të thellë duke ua vënë veshin me përulësi të tjerëve: skllaves izraelite të bashkëshortes, shërbëtorëve të vet dhe, më e rëndësishmja, Eliseut, përfaqësuesit të Jehovait. Namani e hodhi pas krahëve sedrën e lënduar. Në fund, mori një vendim të mençur që i solli shumë dobi. Ndaj, në çfarëdo situate—për shembull kur s’jemi dakord me një këshillë që na kanë dhënë nga Shkrimet ose nuk e kuptojmë një drejtim teokratik—të ndalemi e të mendojmë çfarë do të pasqyrojnë fjalët ose veprimet tona: krenari apo përulësi?—Lexo Proverbat 22:4.

Kolazh: një vëlla tregon gjykim të thellë ndërsa dëgjon me përulësi të tjerët. 1. Ai dëgjon një vëlla më të ri që i jep një këshillë nga broshura «Kushtoju leximit dhe mësimdhënies». 2. Dëgjon një motër të moshuar që po flet për masën e dëshmisë me stenda të kongregacionit. 3. Dëgjon me vëmendje një program të JW Broadcasting në tabletë.

Ashtu si Namani që i dëgjoi me përulësi të tjerët, edhe ne duhet të dëgjojmë me përulësi kur na këshillojnë, kur të tjerët japin një sugjerim ose kur marrim një drejtim nga organizata e Jehovait (Shih paragrafin 7)


REAGO ME QETËSI, JO ME ZEMËRIM

8. Në cilat rrethana mund ta kemi të vështirë të ruajmë qetësinë?

8 Gjykimi i thellë na ndihmon të ruajmë qetësinë në situata acaruese dhe të mos reagojmë gjithë zemërim. Natyrisht kjo nuk është gjithnjë e lehtë, sepse është normale të na mërzitin fjalët dhe veprimet e padrejta ose lënduese. (Efes. 4:26) Le të shqyrtojmë si treguan gjykim të thellë Davidi dhe Abigaila në një situatë të tensionuar.

9. Si e trajtoi Nabali Davidin?

9 Përfytyro skenën: Davidi dhe luftëtarët e tij jetojnë në arrati në shkretëtirën e Paranit. (1 Sam. 25:1) Ndërsa janë aty, tregohen zemërmirë dhe mbrojnë barinjtë dhe kopetë e një burri të pasur me emrin Nabal. (1 Sam. 25:15, 16) Kur vjen koha e qethjes së dhenve, Davidi dërgon njerëz te Nabali, që pasi e përshëndetin gjithë respekt, i kërkojnë me përulësi t’u japë ca ushqime sipas mundësisë. (1 Sam. 25:6-8) Mirëpo, Nabali nuk tregon pikë mirënjohjeje për atë që kanë bërë Davidi dhe njerëzit e tij për të. Ai reagon vrazhdë e madje i ofendon Davidin dhe burrat që ka dërguar.—1 Sam. 25:10, 11.

10. Si treguan gjykim të thellë Davidi dhe Abigaila? (1 Samuelit 25:32, 33) (Shih edhe figurën.)

10 Si do të ndiheshe po të ishe në vendin e Davidit? Nuk është e vështirë të kuptojmë pse Davidi u nxeh jashtë mase. Ai ishte njeri emocional dhe në këtë rast u zemërua aq shumë, sa donte ta vriste Nabalin. (1 Sam. 25:13, 21, 22) Mirëpo ndërsa ishte rrugës, i doli para Abigaila, gruaja e matur e Nabalit. Si tregoi gjykim të thellë Abigaila? Ajo e dalloi se Davidi ishte njeri i mirë, pavarësisht nga reagimi i tij ekstrem. Prandaj bëri çmos ta ndihmonte që ai ta mbante nën kontroll zemërimin. Abigaila i bëri një dhuratë bujare dhe me përulësi i dha disa këshilla të mençura. (1 Sam. 25:18, 23-31) Davidi tregoi gjykim të thellë duke ia dëgjuar fjalën Abigailës, sepse e kuptoi që fjalët e saj pasqyronin mendimin e Jehovait për situatën. Si rezultat, Davidi u qetësua dhe shmangu një gabim të tmerrshëm.—Lexo 1 Samuelit 25:32, 33.

Davidi e dëgjon me vëmendje Abigailën, ndërsa ajo ulet në gjunjë dhe i përgjërohet. Burrat që shoqërojnë Davidin shohin skenën nga afër. Shërbëtorët e Abigailës presin pas saj dhe mbajnë në duar shumë dhurata.

Falë gjykimit të thellë që treguan Davidi dhe Abigaila në një situatë të tensionuar, parandalohet një tragjedi (Shih paragrafin 10)


11. Si na ndihmon gjykimi i thellë në situata të tensionuara? (Proverbat 19:11)

11 Çfarë mësojmë nga kjo ngjarje? Gjykimi i thellë na ndihmon të mos e humbim qetësinë edhe kur mendojmë se kemi gjithë të drejtën e botës të zemërohemi. Mund të na ndihmojë edhe të mendojmë paraprakisht për pasojat e fjalëve dhe të veprimeve tona. (Lexo Proverbat 19:11.) Kur Abigaila i kujtoi Davidit pikëpamjen e Jehovait, ai i vuri fre zemërimit. Nëse të zemëron ose të acaron diçka, rezistoji prirjes për të vepruar pa menduar. (Jak. 1:19) Lutju Jehovait dhe lër kohë që të dallosh mendimin e tij për çështjen. Kështu ka shumë të ngjarë të rifitosh qetësinë.

12. Si mund të na ndihmojnë të tjerët të tregojmë gjykim të thellë dhe të ruajmë qetësinë?

12 Jehovai përdori Abigailën që ta ndihmonte Davidin ta shihte situatën nga pikëpamja e Tij. Po njësoj, mund të përdorë të tjerët që të na ndihmojë të tregojmë gjykim të thellë në një çështje. Prandaj, në vend se të reagosh menjëherë në një situatë acaruese, pse të mos flasësh me një bashkëbesimtar të pjekur, që mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat më ftohtë. (Prov. 12:15; 20:18) Nga ana tjetër, nëse të jepet mundësia të ndihmosh një mik në një situatë të tillë, a mund të imitosh Abigailën? A mund ta ndihmosh të kuptojë mendimin e Jehovait për situatën? Jehovai do t’i bekojë patjetër përpjekjet e tua teksa ndihmon të tjerët të tregojnë gjykim të thellë dhe të ruajnë qetësinë.

DREJTOHU NGA BESIMI, JO NGA FRIKA

13. Si na ndihmon gjykimi i thellë ta kapërcejmë frikën?

13 Herët a vonë do të hasim situata që na frikësojnë. Gjykimi i thellë na ndihmon ta kapërcejmë frikën, ngaqë na kujton se fuqia e pashoqe e Jehovait mund të tretë çdo frikë. (Psal. 27:1) Jehovai mund të na ndihmojë në çdo situatë, edhe në ato që ngjajnë si fund pa krye. Ky mësim del në pah qartë nga jeta e profetit Jona. Ai e donte shumë Jehovain, por kishte nevojë për më shumë gjykim të thellë që të kryente me sukses një caktim të vështirë.

14. Pse mund të ketë ngurruar Jonai të pranonte caktimin që i dha Jehovai?

14 Jehovai i dha Jonait një caktim mjaft sfidues: të shkonte në Ninevi dhe t’u shpallte një mesazh gjykimi banorëve të saj. (Jon. 1:1, 2) Si do të ndiheshe po të merrje këtë caktim? Jonai duhej të shkonte në këmbë nga Izraeli në qytetin asirian të Ninevisë, një udhëtim i vështirë që zgjaste rreth një muaj. Asirianët njiheshin si komb agresiv dhe i dhunshëm. Madje, Ninevia quhej «qyteti gjakatar». (Nau. 3:1, 7) Në vend se ta pranonte caktimin, Jonai vendosi t’ia mbathte.—Jon. 1:3.

15. Çfarë e ndihmoi Jonain të zhvillonte besim më të fortë te Jehovai? (Jonai 2:6-9)

15 Ndërsa Jonai po ia mbathte larg caktimit, Jehovai i kujtoi fuqinë e Tij të jashtëzakonshme duke i shpëtuar jetën me anë të një mrekullie. (Jon. 1:15, 17) Jonai nxori një mësim me vlerë. Ai filloi të përqendrohej te fuqia e Jehovait për ta mbrojtur nga çdo rrezik, jo te gjërat që e frikësonin nga caktimi në Ninevi. (Lexo Jonain 2:6-9.) E kur Jehovai i dha një mundësi të dytë, Jonai e pranoi pa ngurruar. Ai shkoi në Ninevi dhe, falë shërbimit të tij, shpëtuan mijëra jetë njerëzish.—Jon. 3:5.

16. Si na ndihmon gjykimi i thellë në situata që na ngjallin frikë? (Proverbat 29:25) (Shih edhe figurat.)

16 Çfarë mësojmë nga kjo ngjarje? Nuk duam të lejojmë asgjë, sidomos frikën nga njeriu, të na bëhet pengesë në adhurimin ndaj Jehovait. (Lexo Proverbat 29:25.) Gjykimi i thellë e ndihmoi Jonain të shihte përtej sfidave të caktimit dhe të përqendrohej te ndihma e Jehovait. Po njësoj, duam ta kapërcejmë frikën e të mendojmë për ndihmën dhe mbështetjen që na ka dhënë Jehovai në të kaluarën. Veç kësaj, mund të mendojmë për bashkëbesimtarë që kanë përballuar me sukses situata që u ngjallnin frikë ose që kanë përmbushur caktime sfiduese duke u mbështetur te Jehovai.a (Hebr. 13:6) Le të shfaqim gjykim të thellë duke i besuar pa rezerva Jehovait dhe duke i ndihmuar të tjerët të bëjnë po njësoj.

Kolazh: 1. Profeti Jona ecën drejt portave të qytetit të Ninevisë. 2. Një vëlla adoleshent ecën në korridorin e shkollës, ndërsa përreth ka gjëra që Jehovai nuk i miraton. Përgjatë korridorit janë vendosur flamuj me ngjyrat e ylberit. Një djalë po bullizohet nga një djalë tjetër.

Shembulli i Jonait na mëson se, falë gjykimit të thellë, mund të pranojmë drejtimin e Jehovait dhe të kemi sukses në një situatë të vështirë (Shih paragrafin 16)


TË FITOJMË DHE TË RUAJMË GJYKIMIN E THELLË

17. Si mund të fitojmë më tepër gjykim të thellë?

17 Siç e pamë në këtë artikull, gjykimi i thellë na ndihmon t’i kalojmë me sukses situatat e vështira. Si mund të fitojmë më tepër gjykim të thellë? Jehovai është Burimi i gjykimit të thellë dhe ua jep këtë cilësi adhuruesve të tij nëpërmjet Biblës dhe frymës së shenjtë. (Neh. 9:20; Psal. 32:8) Ai na jep këshilla që na ndihmojnë të hedhim hapa të sigurt në jetë dhe të mbajmë nën kontroll ndjenjat tona. (Psal. 119:97-101) Zhvillojmë gjykim të thellë ndërsa shqyrtojmë me kujdes atë që thotë Bibla dhe i kërkojmë Jehovait në lutje frymën e tij të shenjtë. Si rrjedhojë, do ta shohim më qartë një situatë dhe do të dimë si të veprojmë, që fjalët e veprimet tona të pasqyrojnë mënyrën si mendon Jehovai.—Prov. 21:11.

18. Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Le të vazhdojmë t’i kërkojmë Jehovait gjykim të thellë dhe ta çmojmë tej mase këtë cilësi. (Psal. 14:2) Në këtë mënyrë nuk do të devijojmë asnjëherë «nga udha e gjykimit të thellë». (Prov. 21:16, shën.) Por do të jemi më të vendosur se kurrë të shfaqim gjykim të thellë në çdo situatë. Si rezultat «do të na shkojë mbarë».

SI MUND TË TREGOJMË GJYKIM TË THELLË . . .

  • si Namani?

  • si Davidi dhe Abigaila?

  • si Jonai?

KËNGA 42 I lutemi Jehovait

a Për shembull, lexo historinë e Georgij Porçuljanit në serinë me artikuj «Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait» në JW Library® ose në jw.org.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo