BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 mars f. 14-19
  • Mos lejo asgjë të të shpërqendrojë!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mos lejo asgjë të të shpërqendrojë!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ÇFARË MUND TË NA SHPËRQENDROJË
  • ÇFARË E NDIHMOI JEZUIN TË MOS SHPËRQENDROHEJ
  • SI T’U THEMI «JO» SHPËRQENDRIMEVE
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me mbikëqyrësin qarkor
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me përfaqësuesin e degës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 mars f. 14-19

18-24 MAJ 2026

KËNGA 35 Cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë?

Mos lejo asgjë të të shpërqendrojë!

«Vazhdoni të dalloni cili është vullneti i Jehovait.»—EFES. 5:17.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si të vazhdojmë t’i japim përparësi adhurimit të Jehovait, pavarësisht nga shpërqendrimet.

1-2. Si mund të kthehet në burim shpërqendrimi diçka e rëndësishme?

KUR ishte hera e fundit që shmange një shpërqendrim? Mbase po merreshe me një punë, por të tërhoqi vëmendjen diçka tjetër, dhe duhej të vendosje çfarë kishte më tepër rëndësi. Për shembull, imagjino sikur të bie telefoni ndërsa nget makinën. Megjithëse telefonata mund të jetë e rëndësishme, ti e di që në atë moment është burim shpërqendrimi. Ajo që ka përparësi është të përqendrohesh te ngarja e makinës.

2 Jeta jonë është e mbushur me aktivitete të rëndësishme. Ama e dimë se aktivitetet që lidhen me adhurimin e Jehovaita janë edhe më të rëndësishme. (Mat. 6:33) Ndaj, ashtu si shoferët e kujdesshëm, përpiqemi të dallojmë çfarë mund të na shpërqendrojë në rrugën drejt jetës.—Prov. 4:25; Mat. 6:22.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?

3 Asnjë nga ne nuk i lë qëllimisht në plan të dytë aktivitetet teokratike. Prapëseprapë, të gjithë hasim situata që mund të na e vjedhin kollaj vëmendjen. (Luka 21:34-36) Prandaj, që të mbetemi të fokusuar në adhurimin e Jehovait, do të shqyrtojmë (1) çfarë mund të na shpërqendrojë, (2) çfarë e ndihmoi Jezuin të mos shpërqendrohej dhe (3) çfarë do të na ndihmojë edhe ne të mos shpërqendrohemi.

ÇFARË MUND TË NA SHPËRQENDROJË

4-6. Cilat gjëra mund të na kthehen kollaj në shpërqendrim?

4 Të gjithë kemi plot gjëra në jetë që kërkojnë kohë dhe vëmendje. Për shembull, mbase kemi probleme shëndetësore ose duhet të merremi me çështje të nevojshme familjare dhe personale. Patjetër, këto janë gjëra të rëndësishme dhe s’i lëmë dot pas dore. Por, a mund të kthehen në shpërqendrim? Po, nëse na rri mendja vetëm aty dhe s’na mbetet as kohë, as fuqi për aktivitete të tjera.

5 Gjithashtu, shumë prej nesh jetojnë në zona të prekura nga trazirat politike, krizat ekonomike, epidemitë dhe konfliktet e vazhdueshme që karakterizojnë këtë sistem. (2 Tim. 3:1) Kur përjetojmë gjëra të tilla, mund të na pushtojë aq shumë ankthi, sa të na xhirojë mendja vetëm aty.

6 Mbase njohim njerëz që u është kthyer jeta përmbys nga ngjarje të tilla. Është normale të ndihen të rënduar emocionalisht nga gjërat që kanë kaluar. Tekefundit, nuk jemi krijuar që të jetojmë nën trysninë e stresit të vazhdueshëm. S’është çudi që disa ndihen sikur s’do t’i kthehen më kurrë jetës normale. Si pasojë, përpiqen t’i harrojnë problemet duke e mbushur kohën me zbavitje ose aktivitete çlodhëse. Ç’mund të bëjmë nëse gjendemi në një nga këto situata? Le të shohim si na ndihmon shembulli i Jezuit që të mos lejojmë asgjë të na shpërqendrojë nga adhurimi i Jehovait.

ÇFARË E NDIHMOI JEZUIN TË MOS SHPËRQENDROHEJ

7. Çfarë mund ta kishte shpërqendruar Jezuin?

7 Jezuin mund ta kishin shpërqendruar shumë gjëra, si çështjet sociale dhe politike. Në kohën e tij mjaft njerëz ishin të varfër dhe të sëmurë. (Mat. 14:14; Mar. 14:7) Gjithashtu hasnin padrejtësi nga romakët dhe judenjtë e tjerë. Kur njerëzit panë se Jezui kishte fuqinë dhe aftësinë për të kryer mrekulli, donin ta bënin mbret. (Gjoni 6:14, 15) Veç kësaj, Jezui ishte shënjestër e Satanait, i cili u përpoq ta tundonte duke i ofruar një «rrugë të shkurtër» për të qeverisur botën. (Mat. 4:8, 9) Kurse apostulli Pjetër, një nga miqtë më të ngushtë të Jezuit, e nxiti në një rast të bënte një jetë më të rehatshme dhe i tha: «Ji i mirë me veten, Zotëri.»—Mat. 16:21, 22.

8. Çfarë e ndihmoi Jezuin të mos shpërqendrohej?

8 Çfarë e ndihmoi Jezuin të mos shpërqendrohej? Tri gjëra. Së pari, ai kishte mësuar të mendonte si Jehovai. (Gjoni 8:28; 14:9) Së dyti, ishte plotësisht i angazhuar në aktivitetet teokratike. (Mat. 9:35) Së treti, nuk e humbi kurrë nga sytë çfarë kishte vërtet rëndësi. (Gjoni 4:34) Ai i refuzoi prerazi tundimet e Satanait dhe nuk u lëkund nga sugjerimi i Pjetrit, që ndonëse me motive të mira, nuk përputhej me mendimet e Jehovait. (Mat. 4:10; 16:23) Jezui nuk lejoi që mendimet, fjalët ose veprimet e të tjerëve ta shpërqendronin nga kryerja e vullnetit të Perëndisë. Është e vërtetë se sot mund të hasim shpërqendrime të ndryshme nga ato që hasi Jezui. Por nëse imitojmë shembullin e tij, do të jemi në gjendje t’u themi «jo» shpërqendrimeve tona.

SI T’U THEMI «JO» SHPËRQENDRIMEVE

9. Çfarë do të thotë ‘të vazhdojmë të dallojmë cili është vullneti i Jehovait’? (Efesianëve 5:17)

9 Mëso të mendosh si Jehovai. Kjo do të të ndihmojë që ‘të vazhdosh të dallosh cili është vullneti i Jehovait’. (Lexo Efesianëve 5:17.) Mund të mësojmë çfarë i pëlqen Jehovait ndërsa lexojmë dhe meditojmë për Fjalën e tij. Madje, mund të kuptojmë çfarë do t’i kënaqte zemrën, edhe nëse Bibla nuk e përmend specifikisht situatën që po hasim. Si? Duke e njohur gjithnjë e më mirë mënyrën si mendon Ati ynë dhe duke qenë të gatshëm të veprojmë në përputhje me këtë.

10. Si mund ta dallojmë më mirë mënyrën si mendon Jehovai?

10 Mund ta dallojmë më mirë mënyrën si mendon Jehovai, kur mendojmë thellë për ngjarjet në Bibël që tregojnë si ka vepruar Jehovai me njerëzit. (Jer. 45:5) Ndërsa i lexojmë këto tregime, mund t’i bëjmë vetes pyetje, si: «Çfarë më mëson kjo për Jehovain? Si mund ta përdor këtë që mësova, të modeloj mënyrën si mendoj?» Patjetër që mendimet e tij janë më lart se mendimet tona. (Isa. 55:9) Ndaj natyrisht i kërkojmë Jehovait të na mësojë të bëjmë vullnetin e tij. (Psal. 143:10) Dhe i lutemi plot besim që të na ndihmojë ta kuptojmë dhe ta bëjmë tonën mënyrën si mendon Ai.—1 Gjon. 5:14.

11. Çfarë dëshiron Jehovai për ne?

11 Teksa mësojmë të mendojmë si Jehovai, kuptojmë se ai dëshiron t’i shmangim shpërqendrimet, që të jemi gati për fundin e këtij sistemi. (Mat. 24:44) Jehovai nuk do që ne të rëndohemi nga ankthet e jetës. (Mat. 6:31, 32) Ja pse na jep këshilla praktike kur na bren meraku i tepërt për shëndetin, punën, strehimin ose për çështje të tjera personale dhe familjare. Jehovai na fton të mbështetemi tek Ai për mençuri dhe forcë që të përballojmë sfidat.—Psal. 55:22; Prov. 3:5-7.

12. Cila është një mënyrë si mund të përballojmë stresin që sjellin ngjarjet botërore? (Mateu 5:3)

12 Ji plotësisht i angazhuar në aktivitetet teokratike. Të gjithë përjetojmë njëfarë stresi për ngjarjet botërore, për të cilat s’kemi gjë në dorë. Prandaj, që të mos na e vjedhin vëmendjen gjërat që nuk i kontrollojmë dot, përqendrohemi tek aktivitetet teokratike. Kur bëjmë çmos të plotësojmë nevojën e lindur për të lidhur miqësi të ngushtë me Perëndinë, jemi të lumtur. (Lexo Mateun 5:3.) Mund ta përmbushim këtë nevojë duke e njohur Jehovain nëpërmjet studimit të Fjalës së tij, Biblës, dhe duke bërë me shpirt gjithë sa mundemi në shërbim. Njëkohësisht, do t’i gëzojmë zemrën Atit tonë, sepse po e përdorim kohën me mençuri.—Prov. 23:15.

13. Si mund ‘ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën’?

13 Si adhurues të Jehovait, jemi të vendosur që ‘ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën’. (Efes. 5:15, 16) E kuptojmë se Bibla këtu nuk po sugjeron thjesht që të organizojmë më mirë kohën për punët e përditshme. Por, po na nxit të shqyrtojmë me kujdes si e shfrytëzojmë kohën para se Jehovai t’i japë fund këtij sistemi të lig. Si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën? Në fakt, nëse harxhojmë shumë kohë që të përditësohemi me gjithë lajmet e këqija që ndodhin përditë, mund të shpërqendrohemi, të shkurajohemi dhe të na venitet zelli në adhurim. Ndaj, është e mençur t’i vendosim kufij sasisë së lajmeve që shohim ose dëgjojmë. Kështu nuk do të ngarkohemi më kot dhe do të jemi më të angazhuar në aktivitete besimforcuese. Gjithashtu, bëjmë mirë të mendojmë se në cilat aspekte të shërbimit mund të përfshihemi më shumë, për shembull të bëjmë më tepër rivizita. E kuptojmë sa e rëndësishme është të shfrytëzojmë çdo mundësi që t’i ndihmojmë njerëzit «të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën».—1 Tim. 2:4.

14. Çfarë dobie vjen kur jemi tërësisht të përfshirë në aktivitetet teokratike? (Shih edhe figurën.)

14 Kur jemi tërësisht të përfshirë në aktivitetet teokratike, mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për kohën që jetojmë. Nuk tronditemi nga trazirat politike të vazhdueshme, krizat ekonomike dhe sëmundjet që përhapen me shpejtësi. E kuptojmë se këto janë provë se profecitë e Biblës po përmbushen. Nuk e lejojmë frikën të na shpërqendrojë, sepse jemi të sigurt se qëllimi i Jehovait për të ardhmen do të realizohet. Kështu ruajmë qetësinë, plot besim se Jehovai është krah nesh.—Psal. 16:8; 112:1, 6-8.

Një çift tërheqin stendat dhe shohin përpara plot besim. Kolazh: skena ngjarjesh shqetësuese nëpër botë. 1. Një turmë protestuesish të zemëruar. 2. Një sondazh për zgjedhjet politike. 3. Ushtarë në luftë. 4. Ilaçe. 5. Një grafik që paraqet rënien e shpejtë të vlerës së aksioneve të një kompanie.

Ji tërësisht i angazhuar në aktivitetet teokratike, pavarësisht nga ngjarjet botërore shqetësuese (Shih paragrafin 14)b


15. Çfarë do të bëjmë nëse jemi «me mendje të shëndoshë»? (1 Pjetrit 4:7)

15 Mos e humb kurrë nga sytë çfarë ka vërtet rëndësi. Shumica e njerëzve sot e kanë mendjen te zbavitja, jo te fundi që po afrohet. Natyrisht, zbavitja ka vendin e vet, por që të mos infektohemi nga pikëpamja e botës, duhet të jemi «me mendje të shëndoshë». (Lexo 1 Pjetrit 4:7.) Çfarë do të thotë kjo? Ndër të tjera, do të thotë të zhvillojmë gjykim të mirë që të jemi të ekuilibruar dhe të marrim vendime të mençura për zbavitjen. Kështu do të tregojmë se kemi merak për atë që mendon Jehovai dhe se e kemi kuptuar çfarë ka vërtet rëndësi.—2 Tim. 1:7.

16. Cili ishte fokusi i Jezuit ndërsa i afrohej vdekja?

16 Jezui nuk e humbi kurrë nga sytë çfarë kishte më tepër rëndësi. Edhe në orët e fundit të jetës në tokë, fokusi i tij ishte t’i qëndronte besnik Perëndisë dhe të bënte vullnetin e Tij. Ja pse u lut me zjarr. Por ndryshe nga Jezui, i cili qëndroi vigjilent, dishepujt i zuri gjumi. Atyre «u ishin shterur fuqitë nga hidhërimi».—Luka 22:39-46; Gjoni 19:30.

17. Pse i përdorin shumë veta mediat sociale, por si mund të kthehen në shpërqendrim? (Shih edhe figurën.)

17 Njësoj si dishepujt e Jezuit, hera-herës edhe ne mund të sfilitemi emocionalisht. Mund të na mbytë ankthi nga ngjarjet që shenjojnë këto ditë të fundit. Mjaft veta sot përpiqen ta heqin mendjen duke u zbavitur për orë të tëra me mediat sociale. Është e vërtetë se mund t’i përdorin edhe për të ruajtur lidhjet me miqtë e familjarët nëpër botë, duke u dërguar foto ose lajme. Mirëpo, pa e kuptuar, e gjejnë veten të zhytur në morinë e informacioneve të reja e nuk u ngelet më kohë dhe energji për asgjë tjetër. Që të jemi të ekuilibruar në përdorimin e mediave sociale, mund të pyesim veten: «A më çlodh përdorimi i mediave sociale apo më shpërqendron nga gjërat më të rëndësishme?»

Ndërsa përpiqet të lexojë Biblën në shtëpi, një motër shpërqendrohet nga njoftimet që i vijnë në telefon nga një aplikacion i mediave sociale, një aplikacion filmash dhe një aplikacion blerjesh.

Gjykimi i mirë na ndihmon të mos shpërqendrohemi nga mediat sociale, zbavitjet dhe aktivitetet e kohës së lirë (Shih paragrafin 17)


18. Pse duhet të përdorim gjykim të mirë kur zgjedhim zbavitjen?

18 Duhet të tregojmë gjykim të mirë edhe kur shohim filma ose seriale televizive, video të shkurtra në internet ose kur luajmë videolojëra. Këto aktivitete mund të jenë zbavitëse dhe relaksuese. Por na duhet gjykim i mirë kur vjen puna te lloji i zbavitjes që zgjedhim dhe koha që i kushtojmë. Për shembull, pasi kemi parë një video, mund të na sugjerohen automatikisht video të tjera me përmbajtje dhune dhe imoraliteti. Kjo i ndodhi një vëllai në Azi. Ai nisi të shihte video të shkurtra me përmbledhje filmash në një platformë në internet. Mirëpo, ndërsa shihte videot e sugjeruara automatikisht, përfundoi duke parë skena imorale. Në fund, ra në grackën e pornografisë. Por, sa mirë që me ndihmën e pleqve dhe të miqve të ngushtë, vëllai mori masa të prera—fshiu aplikacionet ku shihte videot dhe përcaktoi sa kohë do të harxhonte me telefonin. Ky rast ilustron qartë pse duhet të përdorim gjykim të mirë kur zgjedhim zbavitjen.

19. Çfarë mund të ndodhë nëse e bëjmë zbavitjen boshtin e jetës?

19 Na duhet gjykim i mirë edhe kur bëhet fjalë për pushimet ose aktivitetet e kohës së lirë. Të gjithë kemi nevojë të çlodhemi ose të bëjmë një shkëputje nga puna—kjo ndikon për mirë te shëndeti emocional dhe fizik. Mirëpo, nëse përqendrohemi tepër te këto gjëra, ka rrezik të humbasim ekuilibrin dhe të lëmë pas dore gjërat më të rëndësishme. (Filip. 1:10) Secili duhet të vendosë vetë me çfarë aktivitetesh do të merret dhe sa kohë do të harxhojë. Por kur merr vendime të tilla, pse të mos pyesësh veten: «A tregon koha që u kushtoj aktiviteteve çlodhëse ose pushimeve se kam gjykim të mirë? A sigurohem t’u jap përparësi aktiviteteve më të rëndësishme dhe të jem i përgatitur për ‘fundin e të gjitha gjërave’?»

20. Çfarë dobish vijnë kur nuk lejojmë asgjë të na shpërqendrojë?

20 Kemi shumë dobi kur nuk lejojmë asgjë të na shpërqendrojë nga adhurimi që i bëjmë Jehovait. (Isa. 48:17) Me Jehovain në krah, do t’i përballojmë më kollaj sfidat e jetës. Nuk do të tronditemi nga ngjarjet që ndodhin në botë. E nuk do të lejojmë që zbavitja të bëhet boshti i jetës sonë. Ndaj, qofshim të vendosur të mendojmë si Jehovai, të jemi tërësisht të angazhuar në aktivitetet teokratike dhe të mos e humbim kurrë nga sytë çfarë ka vërtet rëndësi. Kështu jo vetëm do të shmangim shpërqendrimet, por edhe ‘do të rrokim jetën e vërtetë’.—1 Tim. 6:19.

SI MUND T’I SHMANGËSH SHPËRQENDRIMET . . .

  • kur mëson të mendosh si Jehovai?

  • kur je plotësisht i angazhuar në aktivitetet teokratike?

  • kur nuk e humb kurrë nga sytë çfarë ka vërtet rëndësi?

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

a Këtu përfshihen lutja, studimi i Biblës, ndjekja e mbledhjeve, bërja e adhurimit familjar dhe pjesëmarrja në veprën e predikimit. E adhurojmë Jehovain edhe kur mirëmbajmë dhe ndërtojmë vende adhurimi, ndihmojmë në raste katastrofash, dalim vullnetarë të punojmë në kongrese ose shërbejmë në Bethel.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në vend se të shpërqendrohet nga ngjarjet shqetësuese që ndodhin në botë, një çift përqendrohet te vepra e predikimit.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo