A mund t’u japë fund njeriu luftërave?
Njerëzit luftojnë për arsye të ndryshme. Disa luftojnë për ndryshime politike, ekonomike ose sociale. Të tjerë luftojnë që të kenë nën kontroll toka dhe burime natyrore. Shumë konflikte janë të nxitura nga mosmarrëveshjet etnike ose fetare, që zgjasin prej kohësh. Çfarë përpjekjesh po bëhen për t’u dhënë fund luftërave dhe për të arritur paqen? A do të kenë sukses këto përpjekje?
Drazen_/E+ via Getty Images
ZHVILLIMI EKONOMIK
Synimi: Të përmirësojë cilësinë e jetës, dhe si rezultat të eliminojë ose të ulë pabarazinë ekonomike, që është ndër shkaqet kryesore të konflikteve.
Vështirësia: Qeveritë duhet të ndryshojnë mënyrën si i shpenzojnë paratë. Më 2022, në të gjithë botën u përdorën 34,1 miliardë dollarë për aktivitete që do të përmirësonin cilësinë e jetës së njerëzve. Megjithatë, kjo shumë përbënte vetëm 0,4 për qind të parave të shpenzuara po atë vit për ushtrinë.
«Ne harxhojmë më shumë pará dhe resurse ekonomike për të menaxhuar konfliktet, sesa për t’i parandaluar ato dhe për të vendosur paqen.»—Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Çfarë thotë Bibla: Qeveritë dhe institucionet njerëzore mund t’i ndihmojnë të varfrit, por nuk do të jenë kurrë në gjendje të eliminojnë plotësisht varfërinë.—Ligji i përtërirë 15:11; Mateu 26:11.
DIPLOMACIA
Synimi: Të parandalojë ose të zgjidhë në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet me anë të dialogut dhe negociatave në interes të të gjitha palëve të përfshira.
Vështirësia: Një ose më shumë nga palët e përfshira mund të mos jenë të gatshme të negociojnë, të bëjnë kompromis ose të pranojnë një marrëveshje. Ndaj marrëveshjet e paqes prishen kollaj.
«Diplomacia jo gjithmonë ka sukses. Një marrëveshje e negociuar për t’i dhënë fund luftës mund të ketë kaq shumë të meta, sa ta përshkallëzojë më tej konfliktin.»—Rajmond Smith, American Diplomacy.
Çfarë thotë Bibla: Njerëzit duhet ‘të kërkojnë udhën e paqes’. (Psalmi 34:14) Ama, shumë njerëz sot janë ‘të pabesë, tradhtarë dhe nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje’. (2 Timoteut 3:1-4) Tipare të tilla pengojnë madje edhe udhëheqësit politikë me synime të mira që të zgjidhin konfliktet.
ÇARMATIMI
Synimi: Të reduktojë ose të eliminojë armët, sidomos ato bërthamore, kimike dhe biologjike.
Vështirësia: Kombet jo gjithmonë janë të gatshme të zhdukin armët, nga frika se mos humbasin pushtetin ose mbeten të pambrojtura përballë sulmeve. Por, edhe nëse ato çarmatosen, kjo nuk do të zhdukte shkaqet pse njerëzit luftojnë.
«Shumë nga premtimet dhe zotimet për çarmatim, që u bënë në fund të luftës së ftohtë, nuk janë përmbushur ende, përfshirë këtu hapat praktikë për të reduktuar rreziqet, për të zbutur konfliktet ndërkombëtare dhe për të krijuar një botë më të sigurt e më paqësore.»—«Securing Our Common Future: An Agenda for Disarmament».
Çfarë thotë Bibla: Njerëzit duhet t’i lënë armët dhe «t’i shndërrojnë shpatat në plore». (Isaia 2:4) Megjithatë nuk mjafton vetëm kaq, duke qenë se dhuna fillon në zemrën e njeriut.—Mateu 15:19.
SIGURIA KOLEKTIVE
Synimi: Kombet bien dakord që të veprojnë së bashku kundër agresorëve. Si parim, një agresor nuk do të niste luftën, nëse e di që do të përballet me forcat ushtarake të shumë kombeve.
Vështirësia: Frika e përballjes me shumë kombe nuk garanton paqen. Kombet jo gjithmonë i mbajnë premtimet që bëjnë, dhe as nuk bien dakord se si dhe kur të veprojnë kundra agresorëve.
«Ndonëse siguria kolektive . . . luajti një rol të rëndësishëm në Paktin e Lidhjes së Kombeve dhe është pjesë e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ajo ka dështuar plotësisht në të dyja rastet.»—«Encyclopedia Britannica».
Çfarë thotë Bibla: Zakonisht është më mirë kur ka bashkëpunim. (Eklisiastiu 4:12) Megjithatë, nuk mund ta kërkojmë paqen dhe sigurinë e përhershme tek institucionet njerëzore. «Mos u beso atyre që kanë pushtet dhe influencë! Edhe ata janë veçse njerëz e nuk mund t’ju ndihmojnë. Ata do të vdesin e do të bëhen pluhur dhe bashkë me ta do të mbarojnë edhe planet e tyre.»—Psalmi 146:3, 4, Bibla ECM.
Pavarësisht nga përpjekjet e përbashkëta të shumë kombeve për të sjellë paqe të përhershme, ne ende vazhdojmë të përjetojmë luftëra.