[Nga e majta në të djathë] Marselo, Jomara dhe Hiveri. Secili ka në dorë një vëllim të Përkthimit Bota e Re në spanjisht brail
Panë dashurinë e kongregacionit
JOMARA dhe vëllezërit e saj, Marselo dhe Iveri, jetojnë në një fshat të vogël në Guatemalë. Jomara nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Më vonë nisën të studionin edhe vëllezërit e saj. Por kishte një problem. Të tre janë të verbër dhe nuk dinin të lexonin brailin. Prandaj, materialin e studimit dhe vargjet nga Bibla të çdo mësimi ua lexonte mësuesi i Biblës.
Mbledhjet e kongregacionit ishin sfidë më vete. Pa ndihmë, ata nuk mund të shkonin deri në Sallën e Mbretërisë, që ishte 40 minuta larg. Por vëllezërit e kongregacionit i ndihmuan që të merrnin pjesë në të gjitha mbledhjet. E kur Jomara dhe vëllezërit e saj nisën të mbanin pjesë si studentë në mbledhjen e mesjavës, vëllezërit i ndihmonin që t’i përgatitnin e t’i mësonin përmendsh pjesët.
Në maj të vitit 2019, në fshatin e tyre nisën të mbaheshin mbledhjet e kongregacionit. Një çift pionierësh të rregullt që ishin transferuar në atë fshat, vunë si synim t’u mësonin të treve të lexonin e të shkruanin brailin. Por ata vetë nuk e dinin këtë shkrim, ndaj shkuan në një bibliotekë që të mësonin brailin dhe të studionin metodat e mësimit të këtij shkrimi.
Marselo po komenton në një mbledhje kongregacioni
Brenda pak muajsh, Jomara, Marselo dhe Iveri mund të lexonin me lehtësi brailin dhe kjo i ndihmoi të forconin më tej marrëdhënien me Jehovain.a Tani të tre shërbejnë si pionierë të rregullt. Marselo është shërbëtor kongregacioni. Gjatë gjithë javës janë të zhytur në shërbimin e Jehovait dhe entuziazmi i tyre motivon edhe të tjerët.
Jomara, Marselo dhe Iveri janë shumë mirënjohës për mbështetjen e dashur që u jep kongregacioni. Jomara thotë: «Që në takimin e parë, Dëshmitarët na kanë treguar dashuri të vërtetë të krishterë.» Marselo shton: «Kemi miq të mrekullueshëm në kongregacion dhe jemi pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare që është e lidhur me dashuri.» Jomara dhe vëllezërit e saj mezi presin ditën kur do ta shohin tokën të shndërruar në parajsë.—Psal. 37:10, 11; Isa. 35:5.
a Një broshurë që titullohet Mëso të lexosh brail është përgatitur për ta ndihmuar dikë që është i verbër ose që sheh me vështirësi të lexojë e të shkruajë brailin.