BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w22 gusht f. 20-25
  • Vazhdoni «të forconi njëri-tjetrin»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vazhdoni «të forconi njëri-tjetrin»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PAVLI I NDIHMOI VËLLEZËRIT E MOTRAT T’U BËNIN BALLË SPROVAVE
  • PAVLI U TREGOI VËLLEZËRVE E MOTRAVE SI TË ISHIN NË PAQE ME NJËRI-TJETRIN
  • PAVLI U FORCOI BESIMIN VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE
  • ‘VAZHDONI T’I JEPNI ZEMËR NJËRI-TJETRIT’
  • Pleq—Vazhdoni të imitoni apostullin Pavël
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Merr zemër—Jehovai është Ndihma jote
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Pleqtë e krishterë—‘Bashkëpunëtorë për gëzimin tonë’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • T’u bëhemi krah motrave tona
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
w22 gusht f. 20-25

ARTIKULLI I STUDIMIT 35

Vazhdoni «të forconi njëri-tjetrin»

«Vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi njëri-tjetrin.»—1 SEL. 5:11.

KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit

PËRMBLEDHJEa

1. Në harmoni me 1 Selanikasve 5:11, në çfarë pune marrim pjesë të gjithë ne?

A ËSHTË përfshirë ndonjëherë kongregacioni yt në ndërtimin ose rinovimin e një Salle Mbretërie? Nëse po, pa dyshim e ke ende të gjallë në mendje mbledhjen e parë në sallën e re. Zemra të gufonte plot mirënjohje për Jehovain. Mbase ishe aq i emocionuar, sa t’u mbushën sytë me lot e mezi e këndove këngën e parë. Sallat e Mbretërisë të ndërtuara me cilësi i sjellin lavdi Jehovait. Por, Ai merr edhe më shumë lavdi kur ndihmojmë në një lloj tjetër ndërtimi, që vlen ku e ku më tepër se ndërtimi i mirëfilltë. Kjo punë përfshin të forcojmë ata që vijnë në vendet tona të adhurimit. Te shkrimi kryesor i artikullit, 1 Selanikasve 5:11 (lexoje), fjala greke e përkthyer «të forconi» do të thotë edhe «të ndërtoni». Kur shkroi këto fjalë, Pavli po shpresonte që të krishterët të bënin pjesën e tyre në këtë projekt ndërtimi të figurshëm.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Apostulli Pavël na la një shembull të shkëlqyer si të forcojmë bashkëbesimtarët. Ai ndiente empati për ta. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i ndihmoi Pavli vëllezërit e motrat (1) t’u bënin ballë sprovave, (2) të ishin në paqe me njëri-tjetrin dhe (3) të forconin besimin te Jehovai. Të shohim si mund ta imitojmë e të inkurajojmë vëllezërit e motrat.—1 Kor. 11:1.

PAVLI I NDIHMOI VËLLEZËRIT E MOTRAT T’U BËNIN BALLË SPROVAVE

3. Cilën pikëpamje të ekuilibruar kishte Pavli?

3 Pavli i donte me gjithë shpirt vëllezërit. Meqë kishte provuar në kurriz plot vështirësi, ai u tregoi dhembshuri dhe empati ndërsa kalonin sprova. Në një rast, Pavli mbeti pa pará dhe iu desh të punonte që të kujdesej për veten e për shokët e tij. (Vep. 20:34) Ai ishte bërës tendash. Kur vajti në Korint, në fillim punoi me Akuilën dhe Prishilën, të cilët kishin të njëjtin zanat. Por «çdo sabat» u predikonte judenjve dhe grekëve. Pastaj, kur atje mbërritën Sila dhe Timoteu, «Pavli filloi t’i kushtohej plotësisht fjalës». (Vep. 18:2-5) Pavli nuk e humbi kurrë nga sytë qëllimin kryesor të jetës: t’i shërbente Jehovait. Ngaqë punoi fort, qoftë në shërbim, qoftë për të mbajtur veten, Pavli ishte në gjendje t’i inkurajonte dhe t’i ndihmonte vëllezërit e motrat. Ai i nxiti të mos i lejonin hallet e jetës dhe nevojën për të siguruar gjërat materiale për familjen, të bëheshin shkak që të neglizhonin «gjërat më të rëndësishme»—të gjitha aspektet e adhurimit të Jehovait.—Filip. 1:10.

4. Si i ndihmuan Pavli dhe Timoteu bashkëbesimtarët t’i bënin ballë përndjekjes?

4 Pak pasi u formua kongregacioni në Selanik, besimtarët e rinj hasën kundërshtim të egër. Kur nuk po gjenin dot Pavlin dhe Silën, një turmë me kundërshtarë të dhunshëm i çuan zvarrë ‘disa vëllezër te krerët e qytetit’, duke thërritur: «Këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit.» (Vep. 17:6, 7) A e imagjinon dot sa u frikësuan ata të krishterë të rinj kur kuptuan që i gjithë qyteti u ishte kthyer kundër? Rrezikonin t’u venitej zelli në shërbim të Jehovait, mirëpo Pavli nuk e donte diçka të tillë. Ndonëse atij dhe Silës iu desh të largoheshin, morën masa që dikush të kujdesej për kongregacionin e ri. Pavli u tha selanikasve: ‘Dërguam Timoteun, vëllanë tonë, për t’ju ngushëlluar dhe për t’jua bërë besimin të patundur, që askush të mos trembet nga këto shtrëngime.’ (1 Sel. 3:2, 3) Ka shumë të ngjarë që edhe Timoteu të kishte përjetuar përndjekje në vendlindje, në Listër. E kishte parë me sytë e vet si i kishte forcuar Pavli vëllezërit atje. Dhe ngaqë e dinte si i kishte mbështetur Jehovai, Timoteu mund t’i siguronte vëllezërit e motrat në Selanik se çdo gjë do të shkonte mirë edhe për ta.—Vep. 14:8, 19-22; Hebr. 12:2.

5. Si nxori dobi Brajanti nga ndihma e një plaku?

5 Cila ishte një mënyrë tjetër si i forcoi Pavli bashkëbesimtarët? Kur vizituan sërish Listrën, Ikoninë dhe Antiokinë, Pavli e Barnaba «emëruan pleq në çdo kongregacion». (Vep. 14:21-23) Pa diskutim, ata burra të emëruar u bënë burim ngushëllimi për kongregacionin, ashtu si pleqtë sot. Ja çfarë tha një vëlla që quhet Brajant: «Kur isha 15 vjeç, babai u largua nga shtëpia kurse mamaja u përjashtua. U ndieva i braktisur dhe i shkurajuar.» Çfarë e ndihmoi Brajantin gjatë asaj periudhe të vështirë? Ai kujton: «Toni, një plak kongregacioni, bisedonte me mua në mbledhje dhe në raste të tjera. Më tregonte për disa shërbëtorë besnikë që hasën sprova e prapëseprapë nuk e humbën gëzimin. Ai më lexoi Psalmin 27:10 e shpesh më fliste për Hezekinë, që i shërbeu me besnikëri Jehovait, edhe pse i ati nuk i la një shembull të mirë.» Si ndikoi te Brajanti ndihma praktike e këtij plaku? Ai thotë: «Falë inkurajimit të Tonit, nisa të shërbeja si pionier, gjë që më sjell shumë kënaqësi.» Pleq, jini gjithë sy e vesh që të ndihmoni ata që, si Brajanti, kanë nevojë për ‘një fjalë të mirë’ inkurajimi.—Prov. 12:25.

6. Në ç’mënyrë i inkurajoi Pavli vëllezërit e motrat nëpërmjet shembujve të besnikëve?

6 Pavli u solli ndër mend bashkëbesimtarëve se ‘një re e madhe dëshmitarësh’ kishte përballuar plot vështirësi falë fuqisë së Jehovait. (Hebr. 12:1) Ai e dinte se shembulli i besnikëve në të shkuarën që kapërcyen me sukses lloj-lloj sprovash, do t’u jepte guxim dhe do t’i ndihmonte t’i mbanin sytë të përqendruar ‘te qyteti i Perëndisë së gjallë’. (Hebr. 12:22) E njëjta gjë vlen edhe sot. E kush nuk ka marrë zemër kur ka lexuar si i ndihmoi Jehovai Gideonin, Barakun, Davidin, Samuelin dhe shumë të tjerë? (Hebr. 11:32-35) Ç’të themi për shembujt e besimit të ditëve tona? Në selinë botërore, shpesh marrim letra nga vëllezër e motra, të cilëve u është forcuar besimi pasi kanë lexuar jetëshkrimet e shërbëtorëve besnikë të Jehovait në ditët tona.

PAVLI U TREGOI VËLLEZËRVE E MOTRAVE SI TË ISHIN NË PAQE ME NJËRI-TJETRIN

7. Çfarë mësojmë nga këshilla e Pavlit te Romakëve 14:19-21?

7 I forcojmë bashkëbesimtarët kur me fjalë e me vepra nxitim paqen në kongregacion. Nuk lejojmë kurrsesi që opinionet personale të na përçajnë. Dhe nuk ngulim këmbë tek e jona nëse nuk shkelet asnjë parim nga Shkrimet. Të shqyrtojmë një shembull. Kongregacioni në Romë përbëhej nga të krishterë judenj dhe jojudenj. Kur u shfuqizua Ligji i Moisiut, nuk kishte më kufizime për të ngrënë ndonjë ushqim të caktuar. (Mar. 7:19) Që nga ai moment, disa të krishterë judenj nuk e kishin problem të hanin çdo lloj ushqimi. Kurse disa të krishterëve të tjerë judenj, u dukej e papranueshme të hanin disa ushqime. Kjo çështje solli përçarje në kongregacion. Pavli theksoi sa e rëndësishme ishte të ruhej paqja, kur tha: «Më mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh ndonjë gjë që e pengon vëllanë tënd.» (Lexo Romakëve 14:19-21.) Kështu, Pavli i ndihmoi bashkëbesimtarët të kuptonin se debate të tilla i dëmtonin ata personalisht dhe kongregacionin. Madje ai ishte i gatshëm të ndryshonte vetë, që të mos pengonte të tjerët. (1 Kor. 9:19-22) Po njësoj, mund të forcojmë të tjerët dhe të ruajmë paqen duke shmangur debatet për preferencat personale.

8. Si reagoi Pavli kur një çështje e rëndësishme kërcënoi paqen e kongregacionit?

8 Pavli la një shembull të shkëlqyer, duke ruajtur paqen edhe kur nuk ishte dakord me disa bashkëbesimtarë për çështje të rëndësishme. Për shembull, disa në kongregacionin e shekullit të parë këmbëngulnin që të krishterët jojudenj të rrethpriteshin, mbase për t’u lënë një përshtypje të mirë judenjve. (Gal. 6:12) Pavli ishte komplet kundër këtij mendimi. Por, në vend që të insistonte te mendimi i tij, me përulësi ua paraqiti çështjen apostujve dhe pleqve në Jerusalem. (Vep. 15:1, 2) Me mënyrën si veproi, Pavli i ndihmoi të krishterët të ruanin gëzimin dhe paqen në kongregacion.—Vep. 15:30, 31.

9. Si mund të imitojmë shembullin e Pavlit?

9 Nëse lind një mosmarrëveshje serioze, nxitim paqen duke kërkuar drejtim nga ata që ka caktuar Jehovai të kujdesen për kongregacionin. Shpesh, drejtimin e nevojshëm të bazuar në Bibël e gjejmë edhe në botimet tona ose udhëzimet që siguron organizata. Nëse bëjmë çmos të ndjekim udhëzimet në vend që të këmbëngulim tek opinioni ynë, do t’i kontribuojmë paqes në kongregacion.

10. Çfarë bëri tjetër Pavli që të nxiste paqen në kongregacion?

10 Pavli nxiti paqen duke nxjerrë në pah cilësitë pozitive të vëllezërve e motrave, jo tiparet negative. Për shembull, në përfundim të letrës drejtuar romakëve, Pavli përmendi me emër mjaft të krishterë dhe, në shumicën e rasteve, i lavdëroi dhe tregoi ndonjë detaj për ta. E imitojmë Pavlin kur flasim pa ngurruar për cilësitë e bukura të bashkëbesimtarëve. Kështu u japim vëllezërve e motrave një arsye më shumë që të lidhin miqësi të ngushta me njëri-tjetrin, dhe kjo e forcon lidhjen e dashurisë në kongregacion.

11. Si mund të rivendosim paqen kur lindin mosmarrëveshje?

11 Ndonjëherë edhe të krishterët e pjekur mund të kenë mosmarrëveshje a të debatojnë. Kjo i ndodhi Pavlit e mikut të tij të ngushtë, Barnabës. Ata nuk po binin dakord nëse duhej ta merrnin Markun në udhëtimin tjetër misionar. Mes tyre pati «një shpërthim të madh zemërimi», dhe u ndanë nga njëri-tjetri. (Vep. 15:37-39) Mirëpo Pavli, Barnaba dhe Marku e rregulluan marrëdhënien e tensionuar, duke treguar se për ta kishte më shumë rëndësi paqja dhe uniteti në kongregacion. Më vonë, Pavli foli mirë për Barnabën dhe Markun. (1 Kor. 9:6; Kolos. 4:10) Edhe ne duhet të zgjidhim çdo mosmarrëveshje me të tjerët në kongregacion dhe të vazhdojmë të përqendrohemi te cilësitë e tyre të mira. Në këtë mënyrë do të nxitim paqen dhe unitetin.—Efes. 4:3.

PAVLI U FORCOI BESIMIN VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE

12. Çfarë sfidash hasin vëllezërit e motrat?

12 I forcojmë vëllezërit e motrat duke i ndihmuar të kenë më tepër besim te Jehovai. Disa të krishterë tallen nga familjarët që s’janë Dëshmitarë ose nga kolegët e punës a shokët e shkollës. Të tjerë vuajnë nga probleme shëndetësore serioze ose luftojnë me ndjenjat e lënduara. Të tjerë akoma janë pagëzuar prej vitesh dhe kanë pritur gjatë që ky sistem të marrë fund. Situata të tilla mund t’ua sprovojnë besimin Dëshmitarëve sot. Edhe të krishterët në shekullin e parë hasën sfida të ngjashme. Çfarë bëri Pavli për t’i forcuar?

Një baba diskuton me vajzën një artikull nga siti jw.org. Vajza po mban në dorë një kartolinë krishtlindjesh.

Në ç’mënyrë mund t’i forcojmë të tjerët si apostulli Pavël? (Shih paragrafin 13)b

13. Si i ndihmoi Pavli ata që i tallnin për shkak të besimit?

13 Pavli përdori Shkrimet për t’u forcuar besimin bashkëbesimtarëve. Për shembull, mbase të krishterët judenj s’dinin çfarë t’u thoshin familjarëve që nuk ishin të krishterë, të cilët pretendonin se judaizmi ishte më superior se krishterimi. Ndaj pa diskutim morën shumë zemër nga letra që u drejtoi Pavli hebrenjve. (Hebr. 1:5, 6; 2:2, 3; 9:24, 25) Ata mund të përdornin arsyetimin e fuqishëm të Pavlit që t’iu përgjigjeshin familjarëve. Edhe ne sot mund t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët që i tallin, të përdorin sa më mirë botimet e bazuara në Bibël për të shpjeguar bazat e bindjeve të tyre. Dhe, nëse të rinjtë tanë i vënë në lojë ngaqë besojnë te krijimi, mund t’i ndihmojmë të gjejnë informacione te broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh, që t’u tregojnë të tjerëve pse besojnë te krijimi.

Një çift ndihmojnë një mama me vajzën e saj të vogël pas një zjarri shkatërrimtar.

Në ç’mënyrë mund t’i forcojmë të tjerët si apostulli Pavël? (Shih paragrafin 14)c

14. Ndonëse ishte i zënë me veprën e predikimit dhe të mësimdhënies, çfarë bënte Pavli?

14 Pavli i nxiti vëllezërit e motrat ta shfaqnin dashurinë duke bërë «vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24) Ai i ndihmoi bashkëbesimtarët jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Për shembull, kur në Jude ra një zi buke, Pavli dha një dorë në shpërndarjen e ndihmave për të krishterët atje. (Vep. 11:27-30) Në fakt, ndonëse Pavli ishte i zënë me veprën e predikimit dhe të mësimdhënies, ai gjithmonë kërkonte mënyra për t’i ndihmuar ata që ishin ngushtë nga ana materiale. (Gal. 2:10) Kështu ua forcoi bindjen bashkëbesimtarëve se Jehovai do të kujdesej gjithmonë për ta. Edhe sot, kur përdorim vullnetarisht kohën e aftësitë, si dhe bëjmë çmos që të ndihmojmë në rast katastrofash, forcojmë besimin e vëllezërve e të motrave. Mund ta bëjmë këtë edhe duke dhuruar rregullisht për veprën mbarëbotërore. Në këto mënyra e të tjera, i ndihmojmë vëllezërit të kenë sigurinë e plotë se Jehovai s’ka për t’i braktisur kurrë.

Në ç’mënyrë mund t’i forcojmë të tjerët si apostulli Pavël? (Shih paragrafët 15-16)d

15-16. Si duhet t’i trajtojmë ata që u është dobësuar besimi?

15 Pavli nuk hoqi dorë nga ata që u ishte dobësuar besimi. Ai u tregoi dhembshuri dhe u foli në mënyrë të ngrohtë e inkurajuese. (Hebr. 6:9; 10:39) Për shembull, në letrën drejtuar hebrenjve, shpesh Pavli përfshiu veten, duke treguar se edhe ai kishte nevojë t’i zbatonte këshillat që po u jepte. (Hebr. 2:1, 3) Njësoj si Pavli, nuk duam të heqim dorë nga ata që u është dobësuar besimi. Përkundrazi u japim zemër duke u treguar se merakosemi për ta. Kështu i sigurojmë për dashurinë tonë. Veç kësaj, kur flasim me ngrohtësi e butësi, fjalët tona inkurajuese kanë edhe më tepër efekt.

16 Pavli i siguroi vëllezërit e motrat se Jehovai vinte re çdo gjë të mirë që bënin. (Hebr. 10:32-34) Mund të bëjmë diçka të ngjashme kur ndihmojmë një bashkëbesimtar që i është dobësuar besimi. Pse të mos e pyesim si e ka marrë të vërtetën ose ta nxitim të sjellë ndër mend ato raste që ka parë dorën e Jehovait në jetën e tij. Mund ta sigurojmë se Jehovai nuk e ka harruar dashurinë që vëllai ka treguar në të kaluarën dhe se nuk ka për ta braktisur kurrë. (Hebr. 6:10; 13:5, 6) Këto biseda mund t’u rindezin dëshirën këtyre vëllezërve e motrave të dashura që të vazhdojnë t’i shërbejnë Atij.

‘VAZHDONI T’I JEPNI ZEMËR NJËRI-TJETRIT’

17. Në cilin aspekt mund të bëhemi më të efektshëm?

17 Ashtu si një punëtor ndërtimi bëhet më i zoti me kalimin e kohës, edhe ne mund të bëhemi më të efektshëm ndërsa forcojmë njëri-tjetrin. Mund t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët të marrin forcë për të qëndruar nën sprova, duke u folur për shërbëtorë besnikë që treguan qëndrueshmëri në të kaluarën. Nxitim paqen kur flasim për gjërat e mira që shohim te të tjerët. Bëjmë çmos ta ruajmë paqen kur del një situatë që e cenon dhe ta rivendosim kur lindin vështirësi. Mund të vazhdojmë t’ua forcojmë besimin vëllezërve e motrave kur u tregojmë të vërteta të rëndësishme të Biblës, kur i ndihmojmë në mënyra praktike dhe kur mbështetim këdo që i është dobësuar besimi.

18. Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Ata që punojnë në projekte teokratike ndërtimi ndihen të lumtur e të kënaqur. Edhe ne mund të provojmë lumturi e kënaqësi kur forcojmë vëllezërit e motrat në kongregacion. Ndryshe nga godinat e mirëfillta që me kalimin e kohës degradojnë, rezultatet e punës sonë mund të zgjatin në përjetësi! Qofshim të vendosur ‘t’i japim zemër e të forcojmë njëri-tjetrin’.—1 Sel. 5:11.

Ç’MUND TË BËSH . . .

  • që të ndihmosh të tjerët që t’u bëjnë ballë sprovave?

  • që të nxitësh paqen?

  • që të forcosh ata që u është dobësuar besimi?

KËNGA 100 Shpërblimet e mikpritjes

a Jeta në këtë sistem është bërë e vështirë. Motrat e vëllezërit tanë gjenden nën presion të madh. Ne mund të jemi një bekim për ta nëse kërkojmë mënyra si t’i inkurajojmë. Për këtë do të na ndihmojë shembulli i apostullit Pavël.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një baba i tregon së bijës si t’i përdori sugjerimet në botime që t’i rezistojë presionit për të festuar Krishtlindjet.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift ka ardhur nga një qytet tjetër për të ndihmuar në një rast katastrofe.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak shkon për vizitë te një vëlla që i është dobësuar besimi. Plaku i tregon disa fotografi të Shkollës së Shërbimit për Pionierë që kanë ndjekur bashkë vite më parë. Këto i sjellin ndër mend kujtime të bukura nga ajo kohë. Vëllanë nis ta marrë malli për gëzimin që ndiente kur i shërbente Jehovait dhe, me kalimin e kohës, kthehet në kongregacion.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo