BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w21 prill f. 26-29
  • «Tani vdes për shërbimin!»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Tani vdes për shërbimin!»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • HUMBAS GËZIMIN
  • NJË MËSIM I PAPRITUR POR ME VLERË TË MADHE
  • RINDEZ DASHURINË PËR SHËRBIMIN
  • GJEJ NJË SHOK SHËRBIMI TË PËRHERSHËM
  • NJË RRUGË E HAPUR DREJT BEKIMEVE
  • S’KA JETË MË TË BUKUR SE KJO!
  • Përse duhet të lutemi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • «Jehova, të lutem, më lër të të shërbej»
    Zgjohuni!—2007
  • Bekimet e shërbimit si pionier
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Kërkohen 500 pionierë ndihmës
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1997
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
w21 prill f. 26-29
Vanesa Viçini.

JETËSHKRIM

«Tani vdes për shërbimin!»

TREGUAR NGA VANESA VIÇINI

U RRITA në qytezën e Balkluthës, në Ishullin Jugor të Zelandës së Re. Në fëmijëri kisha miqësi të ngushtë me Jehovain dhe ndihesha e lumtur që isha Dëshmitare. Shkoja me qejf në mbledhje, dhe kongregacioni më dukej një strehëz e ngrohtë ku ndihesha e sigurt dhe e lumtur. Edhe pse isha e ndrojtur, më pëlqente të dilja në shërbim çdo javë. Nuk ngurroja t’u predikoja shokëve e shoqeve të shkollës dhe të tjerëve. Ndihesha krenare që isha Dëshmitare e Jehovait, dhe kur mbusha 11 vjeç, ia kushtova jetën Perëndisë.

HUMBAS GËZIMIN

Mjerisht, kur hyra në adoleshencë, miqësia ime e ngrohtë me Jehovain filloi të ftohej. Shokët dhe shoqet e shkollës dukej se kishin liri pa kufi, dhe mendoja se po humbja diçka. Rregullat e prindërve dhe normat e krishtere më dukeshin si një barrë, e aktivitetet teokratike si punë angari. Edhe pse nuk e kisha vënë kurrë në dyshim ekzistencën e Jehovait, ai filloi të më dukej i largët.

Por prapë dilja në shërbim sa për të thënë, se s’doja të bëhesha joaktive. Nuk përgatitesha kurrë për shërbimin, prandaj mezi arrija të hapja një bisedë ose ta mbaja gjallë. Si pasojë, shërbimi që bëja ishte i pafrytshëm dhe pa pikë gëzimi, e kjo ma bënte më të vështirë ta doja. Shpesh pyesja veten: «Si është e mundur që dikush ta bëjë këtë javë pas jave, muaj pas muaji?!»

Kur mbusha 17 vjeç, vloja nga dëshira që të isha e pavarur. Prandaj bëra gati valixhet, ika nga shtëpia dhe vajta në Australi. Kjo ua bëri zemrën copë prindërve. Ishin në merak për mua, por gjithsesi mendonin se do të vazhdoja t’i shërbeja Jehovait.

Në Australi, miqësia ime me Jehovain u dobësua akoma më shumë. Shkoja rrallë e tek në mbledhje. Fillova të zë miqësi me të rinj si puna ime, që një mbrëmje shkonin në mbledhje, e një mbrëmje në klube nate për të pirë e për të kërcyer. Kur kthej kokën pas, kuptoj se e kisha një këmbë në të vërtetën dhe tjetrën në botë, por nuk ndihesha rehat në asnjërën.

NJË MËSIM I PAPRITUR POR ME VLERË TË MADHE

Rreth dy vjet më vonë, kalova pak kohë me një motër që, pa dashje, më nxiti të mendoja se çfarë po bëja me jetën time. Ishim pesë motra beqare që jetonim bashkë në një shtëpi dhe ftuam mbikëqyrësin qarkor me gruan, Tamarën, që të rrinin një javë në shtëpinë tonë. Ndërsa i shoqi merrej me çështjet e kongregacionit, Tamara rrinte me ne gocat dhe kënaqeshim e qeshnim së bashku. Më pëlqente jashtë mase kjo. Ishte njeri i thjeshtë, dhe ndihesha rehat të flisja me të. Më dukej fantastike që një motër aq e dhënë pas shërbimit, të krijonte një atmosferë aq të këndshme.

Tamara ndrinte nga entuziazmi. Dashuria e saj për të vërtetën dhe për shërbimin ishte ngjitëse. Ajo po i jepte Jehovait më të mirën dhe ishte e lumtur, kurse unë po bëja një shërbim sa për të thënë dhe nuk isha aspak e lumtur. Qëndrimi i saj pozitiv dhe gëzimi i vërtetë patën ndikim të thellë në jetën time. Shembulli i saj më nxiti të mendoj për këtë të vërtetë të rëndësishme: Jehovai dëshiron që të gjithë ne t’i shërbejmë «me gëzim» dhe «me britma hareje».—Psal. 100:2.

RINDEZ DASHURINË PËR SHËRBIMIN

Doja të përjetoja atë lloj gëzimi që kishte Tamara, por për këtë më duhej të bëja disa ndryshime rrënjësore. M’u desh kohë, por e nisa me hapa të vegjël. Fillova të përgatitesha për predikimin dhe shërbeja herë pas here si pioniere ndihmëse. Kjo ma lehtësoi pak ankthin dhe ma shtoi sigurinë. Tani që e përdorja më shpesh Biblën, e shijoja më shumë shërbimin. Pas pak kohe fillova të shërbej si pioniere ndihmëse çdo muaj.

Nisa të zë miqësi me vëllezër e motra të moshave të ndryshme që i jepnin më të mirën Jehovait dhe që gjenin kënaqësi në shërbim. Shembulli i tyre i bukur më ndihmoi të peshoja edhe një herë çfarë kishte përparësi në jetën time dhe të ndiqja një program të rregullt për leximin e Biblës. Fillova ta shijoj më shumë shërbimin dhe, me kalimin e kohës, nisa të shërbej si pioniere e rregullt. Për herë të parë pas kaq vitesh, ndihesha e fortë dhe e qetë, e në kongregacion ndihesha e lumtur dhe si në shtëpinë time.

GJEJ NJË SHOK SHËRBIMI TË PËRHERSHËM

Një vit më vonë, takova Aleksin, një vëlla të dashur e të çiltër, i cili e donte shumë Jehovain dhe shërbimin. Ishte shërbëtor kongregacioni dhe kishte gjashtë vjet që shërbente si pionier. Aleksi kishte shërbyer për ca kohë edhe në Malavi, ku kishte nevojë për lajmëtarë. Atje u shoqërua me misionarë që lanë mbresa të thella tek ai dhe e nxitën të vazhdonte të mbante në vend të parë veprën e Mbretërisë.

Në vitin 2003, unë dhe Aleksi u martuam, dhe që atëherë kemi vazhduar t’i shërbejmë Jehovait në kohë të plotë. Kemi nxjerrë shumë mësime të bukura, dhe Jehovai ka derdhur bekime te panumërta mbi ne.

NJË RRUGË E HAPUR DREJT BEKIMEVE

Vanesa në shërbim bashkë me një motër të vogël vendase.

Duke predikuar në Gleno, Timori Lindor

Në vitin 2009, na ftuan të shërbenim si misionarë në Timorin Lindor, një vend i vogël në arkipelagun e Indonezisë. Ishim pa fjalë dhe njëherësh plot emocione e ankth. Pesë muaj më vonë, mbërritëm në Dili, kryeqyteti i Timorit Lindor.

Jeta në shtëpinë tonë të re ishte krejt ndryshe nga jeta që bënim më parë. Duhej të përshtateshim me një kulturë e gjuhë të re dhe të mësoheshim me ushqimet e kushtet e jetesës atje. Shpesh në shërbim përballeshim me pasojat e varfërisë, shtypjes dhe arsimimit të paktë ose analfabetizmit. Shihnim edhe shumë njerëz që kishin akoma vraga fizike dhe emocionale nga lufta e dhuna.a

Shërbimi atje ishte fantastik! Një herë për shembull takova një vajzë 13-vjeçare që quhej Maria.b Para pak vitesh i kishte vdekur mamaja dhe babanë e takonte rrallë. Ashtu si shumë fëmijë në moshën e saj, Maria nuk kishte asnjë drejtim në jetë. Më kujtohet një rast kur më zbrazi zemrën e qante, por nuk e kisha idenë se çfarë po thoshte, ngaqë akoma nuk e flisja rrjedhshëm gjuhën e saj. Iu luta Jehovait të më ndihmonte që t’i jepja zemër dhe pastaj fillova t’i lexoj disa shkrime inkurajuese. Në vitet që pasuan, pashë si ia transformoi e vërteta qëndrimin, pamjen dhe jetën. Maria u pagëzua dhe tani drejton vetë studime të Biblës. Sot e rrethon dashuria e shumë vëllezërve e motrave që janë familja e saj e madhe.

Jehovai po e bekon veprën në Timorin Lindor. Edhe pse shumica e lajmëtarëve janë pagëzuar dhjetë vitet e fundit, shumë janë pionierë, shërbëtorë kongregacioni ose pleq. Të tjerë punojnë në zyrën rajonale të përkthimit dhe ndihmojnë për t’i përkthyer botimet tona në gjuhët vendëse. Më gufonte zemra kur i dëgjoja të këndonin në mbledhje, kur dalloja si u ndrinte fytyra nga gëzimi dhe kur shihja që bëheshin miq me Jehovain.

Vanesa, Aleksi dhe tre vëllezër vendas përdorin motoçikleta për të udhëtuar dhe shpërndarë ftesat e Përkujtimit.

Me Aleksin, duke u nisur për në një territor të pacaktuar që të shpërndajmë ftesat e Përkujtimit

S’KA JETË MË TË BUKUR SE KJO!

Jeta në Timorin Lindor ishte shumë ndryshe nga ajo në Australi, por s’do ta kisha përfytyruar kurrë një jetë më të bukur. Me raste udhëtonim me furgonë të mbushur me njerëz, peshk të tharë dhe perime të blera në pazar. Ndonjëherë drejtonim studime të Biblës në ndonjë shtëpi të vogël me dysheme balte, ku vinin vërdallë pulat e ku ishte zagushi. Prapë, mes gjithë vështirësive, shpesh mendoja: «Kjo është fantastike!»

Vanesa, Aleksi dhe të tjerë duke udhëtuar me një furgon plot me njerëz; Aleksi dhe dy vëllezër janë kapur te dera e furgonit.

Rrugës për në territor

Kur hedh vështrimin pas, u jam mirënjohëse prindërve të mi që bënë çmos të më mësonin udhët e Jehovait dhe më ndenjën pranë edhe gjatë viteve të vështira të adoleshencës. Fjalët e Proverbave 22:6 janë plotësuar në rastin tim. Mamaja e babai janë krenarë për mua dhe Aleksin e ndihen të lumtur kur shohin si na përdor Jehovai. Që nga viti 2016, po shërbejmë në veprën qarkore në territorin e degës së Australazisë.

Duke u treguar një video me Danielin e Sarën disa fëmijëve të qeshur timorezë

S’arrij ta besoj që dikur vepra e predikimit më dukej një barrë. Tani vdes për shërbimin! Kam kuptuar se pavarësisht nga të përpjetat e të tatëpjetat e jetës, gëzimi i vërtetë vjen vetëm kur i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemër. E them me plot gojën se 18 vitet e fundit të shërbimit me Aleksin kanë qenë vitet më të lumtura të jetës sime. Sot e kuptoj sa të vërteta janë fjalët që i tha psalmisti David Jehovait: «Ata që gjejnë strehë te ti, do të gëzojnë, plot hare do të brohorasin përherë. . . . Ata që e duan emrin tënd, do të ngazëllojnë falë teje.»—Psal. 5:11.

Vanesa dhe Aleksi drejtojnë një studim jashtë shtëpisë me një nënë dhe fëmijën e saj.

Çfarë gëzimi të studioje Biblën me këta njerëz të thjeshtë!

a Duke filluar nga viti 1975, për dy dekada Timori Lindor u përfshi në luftë për të fituar pavarësinë politike.

b Emri është ndryshuar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo