Merrni si shembull profetët—Habakuku
1. Pse mundemi të kuptojmë ndjenjat e profetit Habakuk?
1 Ndërsa përballemi me ligësinë që rritet në botën që na rrethon, mund të ndihemi si Habakuku, i cili e pyeti Jehovain: «Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë?» (Hab. 1:3; 2 Tim. 3:1, 13) Meditimi për mesazhin e Habakukut dhe për shembullin e tij besnik, mund të na ndihmojë të qëndrojmë ndërsa presim ditën e gjykimit të Jehovait.—2 Pjet. 3:7.
2. Si tregojmë sot se jetojmë falë besimit?
2 Të jetojmë falë besimit: Në vend që ta paralizonte vetëmëshirimi, Habakuku qëndroi frymësisht vigjilent dhe aktiv. (Hab. 2:1) Jehovai e siguroi profetin se fjala e Tij do të plotësohej tamam në kohë dhe se ‘i drejti do të vazhdonte të jetonte falë besimit’. (Hab. 2:2-4) Çfarë kuptimi ka kjo për të krishterët që jetojnë thellë në ditët e fundit? Ka më rëndësi të jemi të bindur se fundi do të vijë, sesa të dimë kur do të vijë. Besimi na nxit të qëndrojmë vigjilentë dhe t’i japim përparësi shërbimit.—Hebr. 10:38, 39.
3. Pse duhet ta ruajmë gëzimin në shërbim të Jehovait?
3 Të ngazëllojmë falë Jehovait: Kur Gogu i Magogut të sulmojë popullin e Jehovait, besimi ynë do të vihet në provë. (Ezek. 38:2, 10-12) Konfliktet shkaktojnë vuajtje, madje edhe për fitimtarët. Ushqimi mund të jetë i paktë, pronat mund të humbasin dhe standardet e jetesës mund të bien. Si do të reagojmë kur të dalin vështirësitë? Habakuku i priste vështirësitë, prandaj vendosi ta ruante gëzimin në shërbim të Jehovait. (Hab. 3:16-19) Për t’u qëndruar sprovave të së ardhmes, do të na ndihmojë edhe «gëzimi i Jehovait».—Neh. 8:10; Hebr. 12:2.
4. Çfarë gëzimi mund të ndiejmë tani dhe në të ardhmen?
4 Ata, të cilët Jehovai do t’i ruajë gjatë ditës së gjykimit që po vjen, do të vazhdojnë të edukohen në rrugën e jetës së Perëndisë. (Hab. 2:14) Edhe të ringjallurit do të mësojnë për Jehovain. Përdorshim që tani çdo mundësi për të folur për Jehovain dhe veprat e tij të mrekullueshme!—Psal. 34:1; 71:17.