Më shumë mundësi për të përlëvduar Jehovain
1. Cili rregullim i ri na jep mundësi ‘ta përlëvdojmë shumë Jehovain’?
1 Në muajin mars nisi një rregullim i ri që u jep mundësi lajmëtarëve të shërbejnë si pionierë ndihmës me 30 orë çdo mars dhe prill, si edhe gjatë muajit të vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Nëse java e vizitës së mbikëqyrësit qarkor fillon në fund të një muaji dhe mbaron në fillim të muajit pasardhës, lajmëtarët që plotësojnë kërkesën për 30 orë mund të zgjedhin të shërbejnë si pionierë ndihmës në njërin nga muajt. Pionierët ndihmës mund ta ndjekin të gjithë mbledhjen që mban mbikëqyrësi me pionierët e rregullt dhe specialë. Nëse nuk i bëjmë dot 50 orë, prapëseprapë mund ‘ta përlëvdojmë shumë Jehovain’ si pionierë ndihmës deri në katër herë në vit me kuotën prej 30 orësh!—Psal. 109:30; 119:171.
2. Ç’mundësi do t’u jepen pionierëve ndihmës gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor?
2 Gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor: Tani më shumë lajmëtarë do të kenë mundësi të shërbejnë si pionierë ndihmës gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Ndërsa dalin me të në shërbim do të inkurajojnë njëri-tjetrin. (Rom. 1:11, 12) Shumë pionierë ndihmës ka mundësi të marrin pushim një ditë gjatë javës që të predikojnë me mbikëqyrësin. Nëse punojnë gjithë javën mund të kërkojnë të dalin me të në shërbim të shtunën ose të dielën. Sa inkurajuese do të jetë për pionierët ndihmës të ndjekin mbledhjen që mbikëqyrësi mban me pionierët e rregullt dhe specialë!
3. Pse periudha e Përkujtimit është një kohë fantastike për të shërbyer si pionier ndihmës?
3 Gjatë marsit dhe prillit: Ata që kanë shërbyer më parë si pionierë ndihmës me 30 orë për një muaj gjatë periudhës së Përkujtimit, tani mund ta dyfishojnë ‘flijimin e lëvdimit’. (Hebr. 13:15) Marsi dhe prilli janë muaj fantastikë për të zgjeruar shërbimin si pionierë ndihmës. Çdo vit, gjatë kësaj periudhe marrim pjesë në një fushatë të këndshme që të ftojmë njerëzit në Përkujtim. Veç kësaj, ngaqë shumë zgjerojnë shërbimin, kemi mundësi të dalim në shërbim me lajmëtarë të ndryshëm. Pas Përkujtimit, ndjekim interesin e atyre që ishin të pranishëm dhe flasim me entuziazëm për fjalimin publik special. A nuk të gufon zemra nga dëshira për të shfrytëzuar këto mundësi të tjera që të shërbesh si pionier ndihmës?—Luka 6:45.