A mund të interesoheni për bashkëshortët jobesimtarë?
1. Pse të krishterët me bashkëshort jobesimtar, nuk janë të vetmit që duan ta ndihmojnë të pranojë të vërtetën?
1 A ka lajmëtarë në kongregacionin tuaj që e kanë gruan ose burrin jobesimtar? Nëse po, këta lajmëtarë pa dyshim dëshirojnë që edhe bashkëshorti i tyre të bënte pjesë në adhurimin e vërtetë. Por ata nuk janë të vetmit që e dëshirojnë këtë. I gjithë kongregacioni pasqyron dëshirën e Perëndisë që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Si mund të interesohemi për bashkëshortët jobesimtarë të lajmëtarëve në kongregacionin tonë?
2. Si do të na ndihmojë gjykimi i thellë në lidhje me bashkëshortët jobesimtarë?
2 Së pari, duhet të përpiqemi t’i shohim gjërat nga pikëpamja e bashkëshortit jobesimtar. Shumë prej tyre e duan familjen dhe përpiqen të jenë bashkëshortë dhe prindër të mirë. Por mund të kenë bindje fetare të ndryshme nga tonat, të cilat i besojnë sinqerisht. Ndoshta nuk dinë shumë për Dëshmitarët e Jehovait, përveç atyre që mund të kenë dëgjuar nga shokët e painformuar ose me paragjykime. Disave u vjen inat për kohën që burri ose gruaja përdor për adhurimin, kohë që më parë e kalonte me familjen. Gjykimi i thellë do të na ndihmojë ta trajtojmë një jobesimtar me dashamirësi e respekt dhe të mos jemi më kot në siklet në prani të tyre.—Prov. 16:20-23.
3. Cila mund të jetë mënyra më e mirë për ta fituar një jobesimtar?
3 Interes personal: Mënyra më e mirë për ta fituar një bashkëshort jobesimtar, të paktën në fillim, është me anë të veprimeve tona e jo me anë të bisedave biblike. (1 Pjet. 3:1, 2) E rëndësishme në këtë aspekt është të tregojmë interes personal. Motrat në kongregacion mund të tregojnë interes për gratë jobesimtare, kurse vëllezërit mund të bëjnë të njëjtën gjë me burrat jobesimtarë. Si?
4. Si mund të tregojmë interes personal?
4 Nëse nuk e keni takuar asnjëherë bashkëshortin jobesimtar, ndoshta do të ishte më mirë që më parë të flisje me bashkëshortin e krishterë. Mos u zhgënjeni nëse bashkëshorti jobesimtar në fillim reagon në mënyrë të vakët. Përzemërsia dhe interesi ynë personal mund ta ndihmojë që t’i shohë më pozitivisht Dëshmitarët e Jehovait. (Rom. 12:20) Disa të krishterë të pjekur e kanë ftuar për darkë një bashkëshort jobesimtar bashkë me familjen, për t’u njohur më mirë dhe për të rrëzuar ndonjë paragjykim që mund të ekzistojë. Ata kanë biseduar për gjërat që atij i interesojnë dhe nuk e kanë drejtuar bisedën me patjetër në tema frymore. Më vonë, kur jobesimtari të ndihet më rehat, mund të jetë e mundur një bisedë biblike me të. Ose ai mund ta mirëpresë ftesën për të ardhur në një nga mbledhjet tona e për të parë se ç’po mëson gruaja e tij, sidomos nëse ai njeh tashmë disa nga kongregacioni. Edhe nëse nuk është gati të studiojë për të vërtetën, sigurisht duhet lëvduar për mbështetjen që i jep bashkëshortes besimtare.
5. Si mund të tregojnë interes pleqtë për një jobesimtar?
5 Pleqtë në mënyrë të veçantë duhet të interesohen për bashkëshortët jobesimtarë dhe duhet të jenë të vëmendshëm ndaj mundësive për të dhënë dëshmi. Një jobesimtar që më parë nuk ka pranuar të bisedojë për Biblën, mund ta mirëpresë inkurajimin nga Bibla nëse është në spital ose nëse has probleme të rënda shëndetësore. Në rast se një familje e ndarë nga ana fetare përjeton një situatë të rëndë, si për shembull vdekjen e një pjesëtari të familjes, pleqtë mund ta ftojnë jobesimtarin të ulet me ta ndërsa ngushëllojnë familjen e tij.
6. Ç’arsye kemi për të treguar interes për bashkëshortët jobesimtarë?
6 Imagjinoni gëzimin e një të krishteri në kongregacionin tonë nëse burri ose gruaja e tij reagon mirë dhe pranon të vërtetën. Një ngjarje kaq e bukur do të gëzonte edhe Jehovain, engjëjt dhe gjithë kongregacionin. (Luka 15:7, 10) Megjithatë, nëse jobesimtari në fillim nuk reagon pozitivisht, prapëseprapë mund të jemi të gëzuar që përpjekjet tona të vazhdueshme kënaqin Jehovain, i cili «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin».—2 Pjet. 3:9.
[Diçitura në faqen 6]
Mënyra më e mirë për ta fituar një bashkëshort jobesimtar, të paktën në fillim, është me anë të veprimeve tona e jo me anë të bisedave biblike