BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 11/09 f. 3-5
  • Organizimi i veprës në fushën e gjuhës së huaj

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Organizimi i veprës në fushën e gjuhës së huaj
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
  • Material i ngjashëm
  • Kur flasin një gjuhë tjetër
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2008
  • Si të mprehim aftësitë në shërbim?—T’u dëshmojmë atyre që flasin gjuhë tjetër
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2015
  • Metoda për të predikuar lajmin e mirë
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
  • A po e flitni ‘gjuhën e kulluar’ rrjedhshëm?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
km 11/09 f. 3-5

Organizimi i veprës në fushën e gjuhës së huaj

1. Çfarë mundësie është krijuar në territoret që na janë caktuar?

1 Jezu Krishti paratha se lajmi i mirë do të predikohej në mbarë tokën «si dëshmi për të gjitha kombet». Të gjithë ata që marrin pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies, e kuptojnë mirë sa të rëndësishme janë këto fjalë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Gjatë veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve mund të takojmë njerëz të kombësive të ndryshme që flasin një gjuhë tjetër. Edhe ata meritojnë një mundësi që të dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë dhe të marrin me vendosmëri anën e së vërtetës para se të vijë dita e frikshme e Jehovait. (Mal. 3:18) Si mund të organizohet vepra në fushën e gjuhës së huaj në territorin tonë?

2. Si e imitojmë Jehovain kur u predikojmë atyre që flasin një gjuhë tjetër?

2 Të pasqyrojmë pikëpamjen e Jehovait për ata që flasin një gjuhë tjetër: Që të pasqyrojmë në mënyrë të paanshme dashurinë e Jehovait ndaj të gjithëve në territor, duhet të kemi një dëshirë të fortë për t’i ndihmuar njerëzit të marrin njohuri të saktë për Perëndinë e vërtetë, Jehovain, pavarësisht nga gjuha që flasin. (Psal. 83:18; Vep. 10:34, 35) Megjithëse përqendrohemi kryesisht tek ata që flasin gjuhën e kongregacionit ku bëjmë pjesë, duhet t’u kushtojmë vëmendje edhe nevojave të atyre që flasin një gjuhë tjetër dhe të gjejmë mënyra për t’u dhënë mesazhin për Mbretërinë e Perëndisë. Nëse do t’i shpërfillnim ata që flasin një gjuhë tjetër, nuk do të ishim në harmoni me qëllimin e Jehovait për t’u dhënë dëshmi njerëzve të të gjitha kombeve. Po atëherë, si mund t’i ndihmojmë njerëzit që nuk flasin gjuhën tonë?

3. (a) Ç’mjet të dobishëm kemi në dispozicion? (b) Si mund të përgatitemi për ta përdorur këtë mjet?

3 Të përdorim broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve: Kjo broshurë është botuar që ta përdorim kur takojmë njerëz që flasin një gjuhë të huaj. Mbajeni gjithnjë me vete këtë broshurë, njihini mirë veçoritë e saj të ndryshme dhe jini gati për ta përdorur. Për të mos humbur kohë, shënoni gjuhët e ndryshme që fliten në territorin tuaj. Nëse ka literaturë në këto gjuhë, mund të jetë praktike të merrni disa botime për t’ua dhënë personave pasi kanë lexuar mesazhin në broshurë.

4. Si mund të përdoret në shërbim broshura Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve?

4 Nëse në shërbim takoni dikë që flet një gjuhë tjetër dhe nuk e kuptoni se çfarë gjuhe është, në fillim tregojini kapakun e broshurës. Hapeni pastaj te harta e botës nga brenda kapakut, bëni me shenjë nga vetja e tregojini në hartë vendin ku jetoni dhe thuajini që doni të dini se nga është ai vetë e çfarë gjuhe flet. Pasi të keni kuptuar çfarë gjuhe flet, shikoni tabelën e përmbajtjes, gjeni faqen e duhur, drejtojani vëmendjen te fjalia me shkronja të zeza në fillim të faqes dhe pastaj bëjini të ditur se dëshironi që ai të lexojë mesazhin. Kur të mbarojë, ofrojini një fletushkë në gjuhën e tij ose tregojini me gisht fjalinë me ngjyrë gri, ku thuhet se dëshironi t’i sillni një botim në gjuhën e tij. Pastaj vëreni gishtin aty ku lexon ‘emri im’ me shkronja të zeza dhe thoni qartë emrin tuaj. Pastaj tregoni me gisht aty ku lexon ‘emri juaj’ dhe prisni përgjigjen e tij. Lini takim me të për t’u kthyer përsëri.

5. Çfarë duhet të bëjmë tjetër për t’u kujdesur siç duhet për ata të një gjuhe tjetër që tregojnë interes?

5 Udhëzime për të ndjekur interesin: Duhet të bëjmë çmos që të kthehemi tek ata që tregojnë interes për mesazhin e Mbretërisë, pavarësisht nga gjuha që flasin. Sapo të jemi siguruar që kanë interes për Perëndinë dhe Fjalën e tij, Biblën, duhet të plotësojmë formularin Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43). Formularin t’ia japim pa humbur kohë sekretarit të kongregacionit që t’ia dërgojë zyrës së degës, në mënyrë që i interesuari të vizitohet nga dikush që flet gjuhën e tij. Pastaj zyra e degës do t’ia dërgojë formularin një grupi të asaj gjuhe. Kur ta marrin, ata të grupit do të shkojnë tek i interesuari pa humbur kohë. Sekretari që mori formularin mund t’i japë një kopje të tij mbikëqyrësit të shërbimit që ai të jetë i informuar për interesin që po shfaq një komunitet i huaj. Ky formular duhet përdorur vetëm kur personi tregon vërtet interes.

6. Ç’përgjegjësi kemi nëse takojmë një të interesuar që flet një gjuhë të huaj?

6 Që kur dërgohet formulari S-43 e deri sa i interesuari të vizitohet nga një lajmëtar i caktuar që flet gjuhën e tij, mund të kalojë ca kohë. Prandaj, me qëllimin për të nxitur interesin e treguar, lajmëtari që plotësoi formularin S-43, mund të vazhdojë të kultivojë interesin derisa te personi të shkojë dikush që flet gjuhën e tij. Në disa raste, mund të drejtohet një studim biblik me të interesuarin. Megjithatë, gjatë kohës që dërgohet formulari, si mund të sigurojë një lajmëtar literaturë në gjuhën e atij që tregon interes?

7. Ç’masë ekziston për të siguruar literaturë në gjuhën e atyre që mund të takojmë?

7 Literaturë në gjuhë të huaj: Kongregacionet nuk duhet të mbajnë gjendje një sasi të madhe botimesh në gjuhë të huaja. Megjithatë, nëse mbikëqyrësi i shërbimit kupton se po rritet interesi në fushën e një gjuhe të caktuar, ai mund ta shohë të arsyeshme të mbajë gjendje një sasi të vogël botimesh në atë gjuhë, që të përdoret nga lajmëtarët. Nëse kongregacioni nuk ka literaturë në dispozicion, mund ta porositë. Mund të duhet ca kohë që të vijnë botimet në një gjuhë të huaj. Prandaj, mund të merren masa që të shtypen kopje të botimeve nga adresa e Internetit www.watchtower.org. Ka shumë botime në qindra gjuhë që mund të gjejë në këtë adresë lajmëtari ose i interesuari. Kjo masë do të jetë pa dyshim e dobishme kur kultivojmë interesin e atyre që flasin një gjuhë të huaj.

8. Ç’rol luan kongregacioni për kultivimin e interesit të atyre që flasin një gjuhë të huaj?

8 Roli i kongregacionit: Në disa raste, mund të jetë duke u formuar një komunitet i madh në gjuhë të huaj, por ndoshta s’ka afër një kongregacion që i bën mbledhjet në atë gjuhë. Prandaj, të interesuarit që flasin një gjuhë të huaj duhen t’i ftoni të ndjekin mbledhjet në gjuhën tuaj. Pritja e ngrohtë dhe interesi personal mund t’i inkurajojnë të vijnë rregullisht në mbledhje. Në fillim mund të ekzistojë një pengesë gjuhësore dhe kulturore; megjithatë nuk ka pengesa për dashurinë e vërtetë të krishterë në shoqërinë mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait. (Sof. 3:9; Gjoni 13:35) A flisni rrjedhshëm një gjuhë të huaj? Nëse po, dhe keni dëshirë të ndiqni interesin e atyre që flasin atë gjuhë, ju lutemi vëreni në dijeni sekretarin e kongregacionit në mënyrë që të informojë zyrën e degës. Kjo mund të jetë e dobishme kur zyra e degës kërkon një lajmëtar për të kultivuar interesin e shfaqur.

9. (a) Kur mund të miratohet një kurs gjuhe për lajmëtarët? (b) Si veprohet në këto raste?

9 Mësimi i gjuhës: Kur ndihmoni ata që flasin një gjuhë të huaj, është mirë t’i inkurajoni që të shkojnë në një kongregacion të gjuhës së tyre, nëse është e mundur për ta. Por, nëse nuk është e mundur, disa lajmëtarë mund të vendosin ta mësojnë atë gjuhë që të mund të ndihmojnë më mirë të interesuarit. Në qoftë se nuk ka kongregacion aty afër, zyra e degës mund të vendosë që, nëse ka një minoritet të konsiderueshëm ose një komunitet të madh emigrantësh, të organizohet një kurs gjuhe. Në këtë rast, zyra e degës mund të informojë kongregacionet fqinje për nevojën që ekziston dhe të njoftojë për mbajtjen e një kursi gjuhe. Ata që bëjnë kërkesë për të ndjekur kursin e gjuhës, duhet të kenë si synim të kalojnë në atë grup ose kongregacion për të ndihmuar në fushën e asaj gjuhe.

10. Kur mund të formohet një grup i gjuhës së huaj dhe si përcaktohet kjo?

10 Formimi i një grupi: Që të formohet një grup në një gjuhë të caktuar, duhen plotësuar katër kërkesa bazë. (1) Duhet të ketë interes të mjaftueshëm dhe potencial për rritje në fushën e një gjuhe të caktuar. (2) Një grup i vogël bazë me lajmëtarë duhet të dijë gjuhën ose të jetë duke e mësuar atë. (3) Duhet të ketë një plak ose shërbëtor ndihmës të kualifikuar për të marrë drejtimin dhe për të drejtuar të paktën një mbledhje javore në atë gjuhë. (4) Një trup pleqsh duhet të jetë i gatshëm të mbështetë grupin. Kur këto kërkesa plotësohen në një masë të arsyeshme, atëherë trupi i pleqve do t’i shkruajë zyrës së degës në lidhje me veçoritë e grupit dhe do të kërkojë që të njihet zyrtarisht si një kongregacion që mbështet një grup të gjuhës së huaj. (Shih librin Të organizuar, f. 105-107.) Plaku ose shërbëtori ndihmës që merr drejtimin do të konsiderohet «mbikëqyrësi i grupit» ose «shërbëtori i grupit» që ka përgjegjësinë të kujdeset për grupin.

11. Pse është një privilegj kaq i madh të organizojmë veprën në fushën e gjuhës së huaj në territorin tonë?

11 Organizimi i veprës në fushën e gjuhës së huaj në territorin që na është caktuar, është një pjesë tepër e rëndësishme e fushatës mbarëbotërore të predikimit që e filloi Modeli ynë, Jezu Krishti. Le të bëjmë me zell pjesën tonë dhe të shohim se si Jehovai vazhdon të lëkundë kombet e të sjellë të gjithë ata që janë të dëshirueshëm për të. (Hag. 2:7) Sa gjë e bukur është të bashkëpunojmë plotësisht në këtë vepër! Jehovai i bekoftë përpjekjet tona të përbashkëta për organizimin e veprës në fushën e gjuhës së huaj në territoret përkatëse, ndërsa nuk harrojmë asnjëherë se, pavarësisht nga pengesat gjuhësore midis njerëzve, Perëndia mund ta rritë këtë vepër!—1 Kor. 3:6-9.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo