BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 12/08 f. 3-4
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ në pallate

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ në pallate
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2008
  • Material i ngjashëm
  • Kutia e pyetjes
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
  • Prediko lajmin e mirë kudo
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
  • A ke provuar të japësh dëshmi në mbrëmje?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
  • Ji i efektshëm në shërbimin tënd
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2008
km 12/08 f. 3-4

‘Të japim dëshmi të plotë’ në pallate

1. Si mund ‘të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë’?

1 Ashtu si apostulli Pavël, edhe ne dëshirojmë ‘të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë’. (Vep. 20:24) Prandaj përpiqemi t’ua japim mesazhin e Mbretërisë sa më shumë njerëzve në territorin tonë. Këtu futen edhe një numër i madh i atyre që jetojnë në pallatet me citofon. Ndonjëherë, mund të jetë e vështirë të hysh në këto ndërtesa. Por, meqenëse në një pallat jetojnë shumë njerëz, është një mundësi e mirë për të përhapur lajmin e mirë.

2. Pse nevojitet maturi dhe gjykim i shëndoshë kur dëshmojmë në pallate?

2 Për shkak të krimeve dhe dhunës, gjithnjë e më shumë pallate po mbyllin hyrjen dhe po vënë rojë ose kamera përgjimi te dera kryesore. (2 Tim. 3:1, 2) Kjo bëhet që të mos hyjnë të panjohurit. Një administrator pallati mund të na kërkojë të mos hyjmë në pallat, sidomos nëse ankohet ndonjë banor. Prandaj është shumë e rëndësishme të tregohemi të matur dhe me gjykim të shëndoshë.

3. Kur është koha më e mirë për të predikuar në pallate dhe pse?

3 Kur të predikojmë? Ashtu si edhe në llojet e tjera të territorit, në këto pallate është më mirë të predikohet kur ka më shumë gjasa që banorët të jenë në shtëpi. Mund të lindin dyshime nëse shkojmë kur nuk është pjesa dërrmuese e banorëve. Mjaft lajmëtarë kanë pasur sukses pasi i kanë gjetur njerëzit në shtëpi kryesisht në orët e para të mbrëmjes dhe të shtunën e të dielën pasdite. Nëse shkojmë shumë herët në këto pallate, sidomos në fundjavë, banorët mund të ankohen tek administratorët e pallateve.

4, 5. Si mund të hyjmë në disa pallate ku dera kryesore është e mbyllur?

4 Si të hyjmë? Lajmëtarët nuk duhet të flasin me administratorin e pallatit ose me ndonjë punonjës tjetër aty para se të fillojnë të predikojnë. Nëse dera kryesore është e mbyllur, mund t’i biem citofonit, nëse ka, që të gjejmë dikë që mund të na futë brenda për të folur me të. Në varësi të llojit të pallatit, pasi kemi folur me këtë banor, mund të na jepet mundësia të predikojmë edhe me familje të tjera të pallatit. Por, në raste të tjera mund të jetë e mençur të dalim nga pallati dhe t’i biem përsëri citofonit për të folur me dikë tjetër. Duhet të përdorim gjykim të mirë për të vendosur se me sa banorë do të flasim kështu në një rast të vetëm.

5 Disa banorë parapëlqejnë t’ua themi në citofon qëllimin e vizitës sonë. Nëse është kështu, të prezantohemi në mënyrë miqësore. Të përmendim emrin e të zotit të shtëpisë, nëse shkruhet te citofoni. Ta përmbledhim shkurtimisht temën për të cilën duam të flasim. Disa kanë qenë të efektshëm duke lexuar një hyrje drejtpërdrejt nga libri Të arsyetojmë.

6. Si duhet të veprojmë kur ka rojë në pallatin ku duam të predikojmë?

6 Nëse te hyrja ka një rojë që nuk na lë të predikojmë në pallat, mund të përpiqemi t’i predikojmë atij vetë. Shumë rojave u pëlqen të lexojnë botimet tona. Madje mund të fillojmë edhe studim biblik me ta aty në korridor. Nëse roja na lë të hyjmë e t’i predikojmë ndonjë banori që ka treguar interes, zakonisht është më mirë të mos shfrytëzojmë rastin për të trokitur në dyer të tjera të pallatit.

7. Ç’duhet të mbajmë parasysh për çantën që përdorim në shërbim?

7 Pamja e jashtme dhe normat e mirësjelljes: Nëse mbajmë me vete një çantë të madhe dhe të rëndë, mund të biem në sy. Prandaj, është mirë të përdorim një çantë më të vogël ose të mos përdorim fare. Disa lajmëtarë i futin botimet në një dosje të hollë dhe Biblën e mbajnë në dorë ose në xhep.

8. Si duhet të organizohemi kur predikojmë në grup në pallate?

8 Është mirë të mos mblidhemi në grupe të mëdha, sidomos në korridore ose vende parkimi, pasi kjo do të tërheqë më kot vëmendjen e njerëzve. Duhet treguar shumë kujdes kur predikojmë në pallatet që ndodhen në zonat e rrezikshme. (Prov. 22:3) Për shembull, dy ose tre çifte lajmëtarësh mund të punojnë në të njëjtin kat aq afër sa ta dëgjojnë njëri-tjetrin, ndoshta duke trokitur me radhë ndërsa të tjerët presin.

9. Si mund të tregojmë mirësjellje dhe pse është e rëndësishme kjo?

9 Kur të hyjmë në një pallat, të pastrojmë këpucët dhe të sigurohemi që ta mbyllim derën. Me një mirësjellje të tillë, nuk i lëmë shkak banorëve të ankohen. Me të hyrë në pallat, pa u hallakatur te hyrja, të drejtohemi atje ku duam, o tek ashensori o te kati ku do fillojmë predikimin. Kështu nuk do të ngjallim dyshime tek ata që na shohin.

10. Si mund t’i shmangim zhurmat e panevojshme në korridore?

10 Zakonisht, në pallate zëri ushton nëpër korridore. Prandaj, të mos e ngremë zërin më tepër seç duhet kur flasim me të zotin e shtëpisë ose me lajmëtarët e tjerë, por të flasim qetë e me ton të butë që të mos ngjallim dyshime. Që të mos shqetësojnë më kot banorët, në vend që t’i marrin dyert me radhë, disa lajmëtarë kalojnë nga njëra anë e katit në tjetrën derisa ta mbarojnë të gjithin. Përveç kësaj, nuk duhet të trokasim fort dhe në mënyrë autoritare, pasi kjo mund t’i trembë ata që janë brenda.

11. Si mund të veprojmë kur trokasim në një derë ku ka sy magjik?

11 Nëse dera ka sy magjik, bashkë me lajmëtarin tjetër të qëndrojmë aty ku i zoti i shtëpisë mund të na shohë përmes syrit. Të shohim te syri magjik dhe nëse kuptojmë që dikush po na sheh nga brenda, ta përshëndetim ngrohtësisht dhe të fillojmë prezantimin. Nëse pyet: «Kush jeni?», ndoshta është më mirë t’i themi emrat. Pastaj i zoti i shtëpisë mund të druhet më pak për ta hapur derën. Nëse jo, prapëseprapë mund ta bëjmë prezantimin nëpërmjet syrit magjik.

12. Si mund t’i shmangim problemet kur lëmë ndonjë botim në shtëpitë ku nuk ka njeri?

12 Kur nuk ka njeri në shtëpi: Një nga ankesat më të shpeshta të administratorëve të pallateve lidhet me mbeturinat që u duhet të heqin nëpër korridore ose përreth pallateve. Botimet që mund të lëmë te ndonjë derë mund të bien përtokë dhe të merren si mbeturina. Prandaj, botimet që lëmë në shtëpitë ku nuk ka njeri duhet të lihen në një mënyrë që të mos duken fare nga jashtë.

13. Çfarë duhet të bëjmë nëse takojmë dikë të acaruar?

13 Kur i zoti i shtëpisë është i acaruar: Nëse takojmë dikë që është i acaruar dhe do që të thërrasë administratorin, është mirë të largohemi nga ai kat dhe të kthehemi një herë tjetër. Ndonjëherë mund të jetë e mençur të largohemi nga ai pallat që të shmangim debatin me administratorin. Edhe nëse i zoti nuk na kërkon qartë që të mos i shkojmë më për të predikuar, do të ishte mirë të mbanim shënim numrin e shtëpisë dhe ta futim në kartelën e territorit. Ashtu si në rastin e atyre që nuk duan t’u shkojmë më, edhe këta duhen vizituar herë pas here, për të kuptuar nëse kanë ndryshuar mendim.

14, 15. Ç’duhet të bëjmë nëse na kërkojnë të largohemi nga një pallat?

14 Nëse na kërkojnë të largohemi: Nëse po predikojmë dhe administratori, roja, ose ndonjë nga personeli i mirëmbajtjes na kërkon të largohemi, është e mençur të bindemi menjëherë. Sa herë të jetë e mundur, nuk duam të shkojë puna deri aty sa të na kërcënojnë se do të na hedhin në gjyq apo do të thërrasin policinë. Në shumë raste, ata të personelit të pallatit nuk kanë paragjykime kundër Dëshmitarëve të Jehovait, por thjesht bëjnë punën e tyre.

15 Ndonjëherë, nëse ndonjë nga ata që kujdesen për pallatin, na thotë të largohemi, mund t’i shpjegojmë me takt e mirësjellje pse jemi aty. (1 Pjet. 3:15) E kuptojmë përgjegjësinë e tij për të kënaqur banorët dhe për të mbrojtur sigurinë e pallatit. Ndoshta do të na lejojë të vazhdojmë predikimin në atë pallat. Por, nëse nuk na lejon, të largohemi pa debatuar. Nëse na lejojnë rrethanat, mund të kërkojmë leje të lëmë në sportel ose në lavanderi revistat për itineraret. (Kolos. 4:6) Mbikëqyrësi i shërbimit duhet të informohet për këto lloj rastesh.

16. Ç’duhet të bëjmë nëse problemet vazhdojnë kur përpiqemi përsëri të predikojmë në një pallat ose kompleks pallatesh?

16 Ndoshta, pasi të kalojë një kohë e arsyeshme, me maturi mund të provojmë të predikojmë përsëri në atë pallat. Megjithatë, nëse problemet vazhdojnë po njësoj, është më mirë që pleqtë të kërkojnë ndihmën e zyrës së degës sesa të përpiqen vetë lajmëtarët ta zgjidhin çështjen. Nëse lajmëtarët nuk arrijnë të predikojnë në atë pallat, mund të përpiqen t’i kontaktojnë banorët në mënyra të tjera, si për shembull nëpërmjet telefonit ose letrave. Disa lajmëtarë japin dëshmi rrugore përballë ose afër këtij pallati në mëngjes dhe në mbrëmje kur njerëzit në përgjithësi shkojnë në punë ose kthehen në shtëpi.

17. Pse është e rëndësishme të predikojmë në pallate?

17 Fundi i këtij sistemi të lig po afron me të shpejtë. Vetëm ata që thërrasin emrin e Jehovait do të shpëtojnë. «Mirëpo si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë treguar besim? Si do të tregojnë besim tek ai, për të cilin nuk kanë dëgjuar?» (Rom. 10:13, 14) Shumë nga ‘ata që janë të prirur për jetën e përhershme’ jetojnë në pallate. (Vep. 13:48) Nëse veprojmë me maturi dhe gjykim të mirë, edhe këtyre mund t’ua japim lajmin e mirë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo