Zhvilloni zakone të mira frymore dhe do të nxirrni mjaft dobi
1. Pse është e dobishme të shqyrtosh zakonet e tua frymore?
1 Kur u bëre i krishterë, ndoshta bëre mjaft përpjekje për të pasur një rutinë të mirë të aktiviteteve frymore, ku përfshiheshin studimi i Biblës, mbledhjet e krishtere, shërbimi dhe lutja. Jehovai i bekoi përpjekjet e tua, dhe kjo të ndihmoi të rriteshe frymësisht. Ndoshta kanë kaluar disa vjet që kur u pagëzove. A vazhdon të kesh të njëjtat zakone të mira frymore që zhvillove kur u bëre i krishterë?
2. Ç’dobi kemi nga leximi i përditshëm i Biblës?
2 Të shqyrtojmë zakonet frymore: A e ke zakon të lexosh çdo ditë një pjesë nga Fjala e Perëndisë? Sa e dobishme do të ishte një gjë e tillë! (Jos. 1:8; Psal. 1:2, 3) Në Izraelin e lashtë, çdo mbret duhej të lexonte çdo ditë në kopjen e tij të Ligjit ‘gjersa të jetonte’. Cilat do të ishin dobitë? Do të kishte një zemër të përulur dhe do të mësonte t’i frikësohej Jehovait në mënyrë që të mos shmangej nga urdhërimet e Tij. (Ligj. 17:18-20) Po kështu edhe sot, leximi i përditshëm i Biblës na ndihmon të qëndrojmë të paqortueshëm dhe të pafaj mes kësaj bote të ligë e të korruptuar. Madje na ndihmon të jemi plotësisht të pajisur për në shërbim.—Filip. 2:15; 2 Tim. 3:17.
3. Ç’dobi nxjerrim kur shkojmë rregullisht në mbledhje?
3 Jezui e kishte zakon të shkonte në sinagogë, ku shqyrtoheshin shkrimet. (Luka 4:16) Sigurisht që kjo e forcoi më shumë për sprovat që do të vuante. Edhe ne forcohemi nga mësimet frymore që jepen në mbledhjet e kongregacionit dhe nga ‘inkurajimi’ që i japim njëri-tjetrit. (Rom. 1:12) Kur mblidhemi me vëllezërit, marrim forcë që të përballojmë vështirësitë e këtyre ditëve të fundit. (Hebr. 10:24, 25) A e ke akoma zakon të shkosh rregullisht në mbledhje?
4. Si nxjerrim dobi kur marrim pjesë çdo javë në shërbim?
4 Tregimet e frymëzuara biblike na tregojnë se apostujt merrnin pjesë në shpalljen e lajmit të mirë «çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi». (Vep. 5:42) Nëse nuk jemi në gjendje të predikojmë çdo ditë, a mund ta bëjmë zakon që të marrim pjesë çdo javë në shërbim të ndonjë lloj forme? Në këtë mënyrë, pa dyshim që do të bëhemi më të zotë në shpalljen e Fjalës së Perëndisë dhe ndoshta do të kemi përvoja inkurajuese kur flasim me të tjerët për të vërtetën biblike.
5. Pse është e rëndësishme t’i lutemi rregullisht Jehovait?
5 Profeti Daniel u bekua mjaft për shërbimin që i kishte bërë Jehovait «pareshtur» gjatë gjithë jetës së tij. Kjo përfshinte zakonin që t’i lutej rregullisht Jehovait. (Dan. 6:10, 16, 20) Po kështu, nëse i drejtohemi rregullisht Jehovait në lutje të përzemërta, ai do të na bekojë me frymën e shenjtë. (Luka 11:9-13) Përveç kësaj, në përgjigje të lutjeve, Jehovai do të na afrohet dhe kështu do të gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Psal. 25:14; Jak. 4:8) Sa shpërblim i madh! Prandaj, qofshim gjithmonë të zellshëm për të mbajtur zakone të mira frymore dhe paçim sa më shumë bekime nga Jehovai!