T’i ndihmojmë studentët të vlerësojnë cilësitë e pashoqe të Jehovait
1 Kur jemi në shërbim, nuk kemi për qëllim vetëm t’u mësojmë njerëzve të vërtetat bazë të Biblës. Por i ndihmojmë edhe të njohin Jehovain si person dhe të vlerësojnë cilësitë e tij të pashoqe. Kur njerëzit me zemër të sinqertë mësojnë të vërtetën për Perëndinë, ajo ndikon thellë tek ata dhe i nxit të bëjnë ndryshime në jetë që ‘të ecin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejnë plotësisht atij’.—Kolos. 1:9, 10; 3:9, 10.
2 Mjeti i ri i studimit: Që në fillim, libri Çfarë mëson vërtet Bibla? e drejton vëmendjen te cilësitë e Jehovait. Që në kapitullin e parë marrin përgjigje pyetjet: ‘A interesohet vërtet Perëndia për ty? Çfarë personi është Perëndia? A është e mundur t’i afrohesh Perëndisë?’ Ky kapitull thekson edhe se Jehovai është i shenjtë (par. 10), i drejtë e i dhembshur (par. 11), i dashur (par. 13), i fuqishëm (par. 16), dhe i mëshirshëm, hirmadh, gati për të falur, i durueshëm dhe besnik (par. 19). Paragrafi 20, duke bërë një përmbledhje, thotë: «Sa më shumë të mësosh për Jehovain, aq më real do të bëhet për ty dhe aq më shumë arsye do të kesh për ta dashur e për t’u ndier afër tij.»
3 Si mund ta përdorim librin Çfarë mëson vërtet Bibla? për t’i ndihmuar studentët biblikë t’i afrohen Jehovait? Pasi të shqyrtojmë një paragraf që nxjerr në pah një nga cilësitë e Perëndisë, mund ta pyesim studentin: «Çfarë të tregon kjo për Jehovain si person?» ose «Si tregon kjo se Perëndia interesohet për ty personalisht?» Duke përdorur herë pas here këto lloj pyetjesh gjatë studimit, i mësojmë studentët të meditojnë për atë që po mësojnë dhe i ndihmojmë t’i vlerësojnë më shumë cilësitë e pashoqe të Jehovait.
4 Të përdorim kutinë e përsëritjes: Në fund të çdo kapitulli, ta ftojmë studentin të komentojë me fjalët e tij për secilën pikë në kutinë e përsëritjes: «Çfarë mëson Bibla?» T’ia drejtojmë vëmendjen te shkrimet e dhëna. Për të kuptuar se çfarë ka në zemër studenti, ndonjëherë mund ta pyesim: «Si mendon për këtë që thotë Bibla?» Duke vepruar kështu, jo vetëm theksojmë pikat kryesore të kapitullit, por edhe kuptojmë qartë se çfarë beson vërtet studenti. Kjo do ta ndihmojë studentin të zhvillojë një marrëdhënie të mirë me Jehovain.