Ta shfaqim mirënjohjen
1 Megjithëse jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», kemi shumë arsye për t’i qenë mirënjohës Jehovait. (2 Tim. 3:1) Arsyeja kryesore është dhurata e çmuar e Birit të tij që e dha për ne. (Gjoni 3:16) Për më tepër, në fenë e rreme njerëzit vuajnë nga mungesa e ushqimit frymor, ndërsa ne kemi me bollëk. (Isa. 65:13) Jemi pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore dhe kemi privilegjin të marrim pjesë në veprën emocionuese të përhapjes së adhurimit të vërtetë. (Isa. 2:3, 4; 60:4-10, 22) Si mund t’ia tregojmë mirënjohjen Jehovait për bekimet që na jep me bollëk?—Kolos. 3:15, 17.
2 Shërbim me gëzim e me gjithë zemër: Duke folur për dhënien në kuptimin material, apostulli Pavël shkroi: «Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Kor. 9:7) I njëjti parim zbatohet edhe për shërbimin që i bëjmë Perëndisë. Mirënjohja pasqyrohet në entuziazmin që kemi për të vërtetën, në kënaqësinë që provojmë në mbledhjet e krishtere, në zellin që kemi në shërbim dhe në gëzimin me të cilin zbatojmë vullnetin hyjnor.—Psal. 107:21, 22; 119:14; 122:1; Rom. 12:8, 11.
3 Në Izraelin e lashtë, për disa blatime që bëheshin, Ligji nuk kërkonte një sasi të caktuar. Çdo adhurues mund ta tregonte mirënjohjen e tij duke dhënë «sipas bekimit që Zoti» i kishte dhënë. (Ligj. 16:16, 17) Në mënyrë të ngjashme edhe sot, një zemër mirënjohëse do të na nxitë që në predikimin e Mbretërisë dhe në bërjen e dishepujve të bëjmë maksimumin për aq sa na e lejojnë rrethanat. Muajt e verës shpesh na japin më tepër mundësi që të tregojmë mirënjohjen tonë. Disa përfitojnë për të shtuar shërbimin, duke shërbyer madje si pionierë ndihmës, nga pushimet e verës në shkollë, nga leja në punë, si edhe nga ditët më të gjata të verës. Po ju, a mund ta shtoni shërbimin tuaj këtë verë?
4 Vërshime falënderimesh: Një mënyrë shumë e rëndësishme për t’i shprehur falënderimin Jehovait është me anë të lutjes. (1 Sel. 5:17, 18) Fjala e Perëndisë na nxit ‘të vërshojmë me besim në dhënie falënderimesh’. (Kolos. 2:7) Edhe kur jemi shumë të zënë me punë ose të stresuar, në lutjet tona të përditshme duhet të përfshijmë gjithmonë edhe dhënie falënderimesh. (Filip. 4:6) Po, me anë të shërbimit dhe lutjeve tona, le të jemi ‘të pasur me shumë shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë’.—2 Kor. 9:12.