Ushqim frymor në kohën e duhur
1. Si përmbushet Ezekieli 36:29 sot?
1 «Do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do të dërgoj më urinë kundër jush»,—thotë Zotëria Sovran Jehova. (Ezek. 36:29) Këto fjalë profetike zbatohen sot për popullin e Perëndisë. Jehovai ka bërë që «gruri» i figurshëm i jetës të jetë me bollëk për popullin e tij. Ushqimi frymor, që vjen në kohën e duhur nëpërmjet kongreseve tona krahinore, e provon mjaft mirë këtë gjë.
2. Si i ka përdorur Jehovai kongreset krahinore për të dhënë ushqim frymor në kohën e duhur?
2 Në kongresin që u mbajt në Kolumbus të Ohajos, në vitin 1931, Jehovai i mësoi adhuruesit e tij që të merrnin një emër të ri, pra, Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10-12) Në vitin 1935, turma e madhe që përmendet te Zbulesa 7:9, 17 u identifikua në mënyrë të saktë. Ndërsa në vitin 1942, vëllai Nor mbajti fjalimin me titull: «Paqja: A mund të zgjasë?» Ky fjalim i dha shtysë veprës botërore të predikimit dhe çoi në formimin e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Megjithëse disa kongrese janë të paharrueshme, çdo kongres ka treguar se është një tavolinë e mbushur plot e përplot me ushqim frymor të shëndetshëm që është dhënë në kohën e duhur.—Psal. 23:5; Mat. 24:45.
3. Çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga banketi frymor në kongresin krahinor?
3 Sa mirë po ushqehemi? Edhe pse ndonjëherë mund të na rrethojë ushqimi, prapëseprapë mund të jemi të kequshqyer, nëse nuk përpiqemi të hamë. (Prov. 26:15) E njëjta gjë është edhe në kuptimin frymor. Në disa kongrese është vënë re se disa shëtitin më kot nëpër korridore ose flasin me të tjerët gjatë programit. Vërtet që shoqëria ndërtuese është një aspekt i rëndësishëm i kongresit, por është mirë që të kalojmë kohë me këtë shoqëri para dhe pas çdo sesioni. (Ekl. 3:1, 7) Nëse nuk jemi në vendin tonë e të vëmendshëm, mund të humbasim ndonjë pikë shumë të rëndësishme. Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme që mbikëqyrësit e reparteve të kongresit dhe vëllezërit që kanë caktime, të diskutojnë për punët e kongresit pikërisht në kohën që ai zhvillohet. Por nëse nuk ka nevojë të diskutohet për ndonjë gjë, atëherë ata duhet të lënë një shembull të mirë për sa i përket vëmendjes në program. Asnjeri nuk duhet të humbasë asgjë nga ushqimi frymor që na jepet.—1 Kor. 10:12; Filip. 2: 12.
4. Si mund të tregohemi mirënjohës për bollëkun frymor që na jep Jehovai?
4 Sa na gëzojnë të vërtetat e bollshme frymore që Jehovai na siguron, ndryshe nga doktrinat boshe dhe të rreme të të ashtuquajturit krishterim! (Isa. 65:13, 14) Një mënyrë me të cilën ‘tregohemi mirënjohës’ është duke e parë kongresin si një mundësi për të marrë mësime nga Jehovai. (Kolos. 3:15) Mos u përqendroni te vëllai që mban fjalimin, por konsiderojeni atë që thotë si një mesazh që vjen nga ‘Mësuesi ynë i Madh’. (Isa. 30:20, 21, BR; 54:13) Kushtojini gjithë vëmendjen tuaj. Mbani shënime të shkurtra rreth pikave kryesore. Çdo mbrëmje përsëritini pikat kyçe. Vëreni në zbatim atë që mësoni.
5. Çfarë shkaqesh për gëzim na japin kongreset krahinore?
5 Çdo kongres që mbahet në këtë kohë para Harmagedonit është një fitore mbi Satanain, edhe nëse ky mbahet në një kamp refugjatësh, në një vend të përçarë nga lufta, në një vend të madh e paqësor a kudo qoftë. Gëzojmë mundësinë për t’u mbledhur në kongreset krahinore si vëllazëri e bashkuar. (Ezek. 36:38) Jemi të sigurt se Jehovai me dashuri do të na japë përsëri «ushqim në kohën e duhur».—Luka 12:42.
[Kutia në faqen 4]
Të tregojmë çmueshmëri për tryezën e Jehovait
◼ Të tregohemi të vëmendshëm
◼ Të mbajmë shënim pikat kryesore
◼ Të rishikojmë pikat kyçe çdo mbrëmje
◼ Të zbatojmë atë që mësojmë