Një sulm kalorësish ku përfshihesh edhe ti
1, 2. Si përfshihen sot shërbëtorët e Perëndisë në përmbushjen e vegimit profetik që gjendet te Zbulesa 9:13-19?
1 «Engjëlli i gjashtë i ra trumbetës së tij.» Pas kësaj ‘ushtritë e kalorësve’ që arrinin «dy dhjetëra mijë e dhjetëra mijë» u sulën duke ushtuar si bubullimë. Kjo nuk është një forcë ushtarake e zakonshme. ‘Kokat e kuajve [janë] si koka luanësh.’ Ata lëshojnë nga goja e tyre zjarr, tym, dhe squfur dhe «bishtat e tyre janë porsi gjarpërinj». Ky sulm i ushtrisë simbolike të kalorësve lë pas shkatërrim. (Zbul. 9:13-19) A e dini se si përfshihemi edhe ne në përmbushjen e këtij vegimi mahnitës profetik?
2 Mbetja e të mirosurve dhe shokët e tyre, delet e tjera, të bashkuar shpallin gjykimin e Perëndisë. Si rrjedhojë, kjo bën të duket qartë gjendja e vdekur frymore në të cilën ndodhet i ashtuquajturi krishterim. Le të shqyrtojmë dy faktorë përbërës të vegimit profetik që nxjerrin në pah arsyen pse shërbimi i shërbëtorëve të Perëndisë është kaq i frytshëm.
3. Çfarë stërvitjeje kemi marrë për të qenë të frytshëm në përhapjen e mesazhit të Perëndisë?
3 Të stërvitur dhe të pajisur për të shpallur mesazhin e Perëndisë: Me anë të Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe mbledhjeve të tjera të kongregacionit, shërbëtorët e Perëndisë janë stërvitur ta thonë me bindje mesazhin e Perëndisë. Duke imituar Jezuin dhe dishepujt e tij, ata vazhdojnë të kërkojnë ata që e meritojnë, duke predikuar kudo ku ka njerëz. (Mat. 10:11; Mar. 1:16; Luka 4:15; Vep. 20:18-20) Sa e frytshme ka qenë kjo mënyrë biblike e predikimit!
4. Çfarë ndihme kanë në dispozicion lajmëtarët që të kryejnë shërbimin e tyre?
4 Me miliarda botime ku përfshihen Bibla, libra, broshura, dhe revista janë shpërndarë nga shërbëtorët e krishterë në përmbushje të urdhrit hyjnor për të predikuar. Këto botime janë përkthyer në pothuajse 400 gjuhë, duke trajtuar tema të shumta dhe duke përdorur mënyra të ndryshme për t’ia përshtatur njerëzve. A po i përdorim në mënyrë të frytshme këto botime?
5, 6. Nga e dimë që populli i Jehovait ka përkrahje hyjnore?
5 Drejtim dhe mbështetje hyjnore: Vegimi profetik nxjerr gjithashtu në pah që veprimtaria e përfaqësuar nga sulmi i kalorësve simbolikë, ka mbështetje hyjnore. (Zbul. 9:13-15) Vepra e predikimit në të gjithë botën kryhet jo me anë të mençurisë ose fuqisë njerëzore, por falë frymës së Perëndisë. (Zak. 4:6) Jehovai po përdor engjëjt për të drejtuar këtë vepër. (Zbul. 14:6) Kështu, së bashku me përpjekjet e Dëshmitarëve të tij në tokë, Jehovai siguron mbështetjen hyjnore në mënyrë që të tërheqë të butët drejt tij.—Gjoni 6:45, 65.
6 Duke qenë të stërvitur e të pajisur më së miri për të përhapur mesazhin e Perëndisë dhe nën drejtimin e engjëjve, asgjë nuk mund ta ndalë popullin e Jehovait. Le të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë në përmbushjen e këtij vegimi rrëqethës profetik.