«Duajeni Jehovain, të gjithë ju besnikët e tij!»
Vdekja e Jezuit do të përkujtohet më 4 prill
1 Vite më parë, kur Ukraina ishte nën regjimin komunist, autoritetet i vëzhgonin vëllezërit hap pas hapi, sidomos kur afrohej dita e Darkës së Zotërisë, duke shpresuar se do të zbulonin vendet ku do të mbahej. Kjo gjë krijonte shpeshherë probleme, pasi autoritetet e dinin me përafërsi datën e përkujtimit. Çfarë mund të bënin vëllezërit në këtë situatë? Në shtëpinë e një motre ndodhej një bodrum i përmbytur nga uji. Meqë autoritetet nuk e prisnin që ata të mblidheshin aty, vëllezërit ndërtuan një platformë prej druri mbi ujin që arrinte deri në gju. Përveç faktit që iu desh të rrinin kruspull mbi këtë platformë dhe nën tavanin që ishte i ulët, askush nuk i shqetësoi ndërsa kongregacioni i gëzuar mbante Përkujtimin.
2 Vendosmëria e vëllezërve tanë ukrainas për t’iu bindur urdhrit që të kremtonin vdekjen e Jezuit, ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e dashurisë së tyre për Perëndinë. (Luka 22:19; 1 Gjon. 5:3) Sa herë që hasim pengesa në jetën tonë, le të marrim zemër nga shembuj të tillë dhe të jemi të vendosur për të qenë të pranishëm në kremtimin e Darkës së Zotërisë më 4 prill. Në këtë mënyrë, tregojmë që ndihemi njësoj si psalmisti i cili këndoi: «Duajeni Jehovain, të gjithë ju besnikët e tij!»—Psal. 31:23, BR.
3 Të ndihmojmë të tjerët ta duan Perëndinë: Dashuria për Perëndinë na nxit që të ftojmë edhe të tjerë të kremtojnë Përkujtimin bashkë me ne. Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë e muajit shkurt, na inkurajonte të gjithëve të bënim një listë të atyre që kemi planifikuar të ftojmë në Përkujtim. A po bëjmë përpjekje për të ftuar çdo person që kemi në këtë listë? T’ua shpjegojmë mirë domethënien e kësaj ngjarjeje. Me përzemërsi t’u kujtojmë këtyre personave ditën dhe orën e Përkujtimit. Nëse është e nevojshme të tregohemi të gatshëm edhe për t’i shoqëruar. Kështu ata mund të nxiten të jenë të pranishëm.
4 Kur të mbahet Përkujtimi, duhet të bëjmë përpjekje të veçanta për t’i përshëndetur ata që e kanë pranuar ftesën, dhe duhet t’i bëjmë që të ndihen të mirëpritur. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët ta duan Jehovain? Të tregojmë gatishmëri për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Të përgatitemi t’u ofrojmë një studim biblik nëse është e përshtatshme. T’i ftojmë të ndjekin mbledhjet javore në kongregacionin tonë. Pleqtë, në mënyrë të veçantë, duhet t’u kushtojnë vëmendje të krishterëve joaktivë që kanë ardhur. Ata mund t’u bëjnë një vizitë këtyre të krishterëve dhe t’i inkurajojnë që të rifillojnë veprimtaritë e tyre të krishtere, ndoshta duke u thelluar më tej në disa pika që u përmendën në fjalimin e Përkujtimit.—Rom. 5:6-8.
5 Të thellojmë dashurinë tonë për Jehovain: Meditimi për dhuratën e shpërblesës mund ta thellojë dashurinë tonë për Jehovain dhe për Birin e tij. (2 Kor. 5:14, 15) Një Dëshmitare që e ka ndjekur Përkujtimin nga shumë vite tha: «E presim me padurim Përkujtimin. Çdo vit që kalon bëhet më i veçantë. Më kujtohet 20 vjet më parë kur më vdiq babai. Ndërsa e vështroja në arkivol, fillova ta vlerësoja vërtet nga zemra shpërblesën. Deri në atë moment ajo ishte vetëm pjesë e njohurive të mia. I dija të gjitha shkrimet rreth shpërblesës. Dija edhe si t’i shpjegoja. Por, vetëm kur përjetova realitetin e hidhur të vdekjes, duke ditur atë që do të fitojmë nëpërmjet shpërblesës së çmuar, zemra më hovi nga gëzimi.»—Gjoni 5:28, 29.
6 Ndërsa dita e Përkujtimit të këtij viti afrohet, të kalojmë kohë duke përgatitur zemrën për këtë rast. (2 Kron. 19:3) Të meditojmë për programin e veçantë të leximit të Biblës për Përkujtimin, i cili gjendet te broshura Të shqyrtojmë shkrimet çdo ditë—2004 dhe në Kalendarin e vitit 2004. Disave u pëlqen të përsëritin kapitujt 112-116 në librin Njeriu më i madh gjatë studimit familjar. Të tjerë bëjnë kërkime shtesë duke përdorur mjete ndihmëse për të studiuar, që vijnë nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur. (Mat. 24:45-47) Të gjithë mund ta bëjmë dhuratën e shpërblesës pjesë të lutjeve të zjarrta. (Psal. 50:14, 23) Po, gjatë kësaj periudhe të Përkujtimit le të meditojmë vazhdimisht për dashurinë që Jehovai ka për ne dhe të gjejmë mënyra për të treguar dashurinë tonë për të.—Mar. 12:30; 1 Gjon. 4:10.