Të rinj: Ndërtoni një themel të shkëlqyer për të ardhmen!
1. Përse të rinjtë e krishterë duhet të zhvillojnë një besim të fortë?
1 Cila është gjëja kryesore që keni në mendje? Për çfarë mendoni? A përqendrohen interesat tuaja kryesore te gjërat e tashme apo kanë të bëjnë me të ardhmen, dhe përqendrohen në atë që ka premtuar Perëndia? (Mat. 6:24, 31-33; Luka 8:14) Siç mund të shihet nga shembujt e Abrahamit dhe të Moisiut, duhet të kemi besim të fortë që të veprojmë sipas premtimeve të Perëndisë. (Hebr. 11:8-10, 24-26) Si të zhvilloni një besim të tillë dhe të ndërtoni «një themel të shkëlqyer për të ardhmen»?—1 Tim. 6:19.
2. Çfarë mësojmë nga shembulli i mbretit Josia?
2 Kërkoni Jehovain: Nëse keni një program të rregullt të veprimtarive frymore me familjen tuaj, jeni për t’u lavdëruar. Por mos arrini në përfundimin se një zakon i tillë do të krijojë vetvetiu një besim të fortë. Për të gjetur «njohurinë e Perëndisë», duhet ta kërkoni vetë Jehovain. (Prov. 2:3-5, BR; 1 Kron. 28:9) Kështu bëri mbreti i ri Josia. Edhe pse u rrit në një ambient aspak frymor, kur ishte 15 vjeç, ai «filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij».—2 Kron. 34:3.
3. Si mund ta kërkojnë sot Jehovain të rinjtë e krishterë?
3 Si mund ta kërkoni Jehovain? Duke shqyrtuar me kujdes atë që besoni dhe ‘duke provuar për veten tuaj’ se kjo është e vërteta. (Rom. 12:2) Për shembull, a mund të shpjegoni se çfarë thotë Bibla për gjakun ose të provoni se Mbretëria e Perëndisë filloi të sundojë në qiej në vitin 1914? Marrja ‘e njohurisë së saktë të së vërtetës’ është thelbësore për të ndërtuar një themel të shkëlqyer për të ardhmen.—1 Tim. 2:3, 4.
4. Si mund të tregojnë qartë përparimin e tyre lajmëtarët e papagëzuar?
4 Josia pati rezultate të mira kur kërkoi Jehovain. Përpara se të bëhej 20 vjeç, ai veproi me guxim për të pastruar vendin nga adhurimi i rremë. (2 Kron. 34:3-7) Po kështu, edhe përparimi yt frymor do të duket qartë nga veprimet e tua. (1 Tim. 4:15) Nëse je një lajmëtar i papagëzuar, përpiqu ta përmirësosh cilësinë e shërbimit tënd. Mos u kënaq vetëm duke shpërndarë literaturë. Syno të përdorësh Biblën, të arsyetosh me njerëzit dhe të kultivosh interesin që gjen. (Rom. 12:7) Kjo do të të ndihmojë të rritesh frymësisht.
5. Çfarë mundësish kanë të krishterët e pagëzuar për të zgjeruar shërbimin e tyre?
5 Jepini më të mirën Jehovait: Kur e simbolizoni kushtimin ndaj Jehovait me pagëzim, bëheni zyrtarisht shërbëtorë të Perëndisë. (2 Kor. 3:5, 6) Kjo ju jep mundësi t’i shërbeni Jehovait në kohë të plotë. Këtu përfshihet shërbimi si pionier, shërbimi në Bethel, si misionar dhe si shërbëtor ndërkombëtar. Mënyra të tjera për të zgjeruar shërbimin janë mësimi i një gjuhe tjetër ose transferimi atje ku ka më shumë nevojë.
6. Si mund të ndërtojmë të gjithë një themel të shkëlqyer për të ardhmen?
6 Sigurisht, jo të gjithë kanë mundësi t’i kenë këto privilegje shërbimi, por secili mund t’i japë më të mirën Jehovait. (Mat. 22:37) Pavarësisht nga rrethanat që keni, bëjeni shërbimin e Jehovait pikësynimin e jetës suaj. (Psal. 16:5) Duke bërë kështu, do të ndërtoni një themel të shkëlqyer për të ardhmen.