A bëjmë pjesën tonë për një raport shërbimi të saktë?
1 Shumë tregime biblike japin shifra specifike, të cilat ndihmojnë për të pasur një pamje të gjallë të asaj që po ndodhte. Për shembull, Gideoni vetëm me 300 burra mundi midianitët në kampin e tyre. (Gjyq. 7:7) Engjëlli i Jehovait vrau 185.000 ushtarë asirianë. (2 Mbret. 19:35) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 e.s., u pagëzuan rreth 3.000 veta dhe pas pak numri i besimtarëve u rrit deri në afro 5.000 veta. (Vep. 2:41; 4:4) Nga këto tregime është e qartë që shërbëtorët e hershëm të Perëndisë u përpoqën shumë për të përpiluar një raport të saktë dhe të plotë.
2 Organizata e Jehovait në ditët tona na udhëzon të raportojmë shërbimin tonë çdo muaj. Kur bashkëpunojmë me besnikëri sipas këtij rregullimi kontribuojmë për një mbikëqyrje të efektshme të veprës së predikimit. Raportet mund të nxjerrin në pah një aspekt të shërbimit që kërkon vëmendje ose që nevojiten më shumë punëtorë në ndonjë territor të veçantë. Në kongregacion, raportet e shërbimit i ndihmojnë pleqtë të përcaktojnë se cilët kanë mundësi për të zgjeruar shërbimin e tyre, si dhe ata që mund të kenë nevojë për ndihmë. Gjithashtu, raportet në lidhje me përparimin e veprës së predikimit të Mbretërisë sigurojnë inkurajim për gjithë vëllazërinë e krishterë. A po kontribuojmë për të dhënë një raport të saktë?
3 Përgjegjësi personale: A e ke të vështirë në fund të muajit të kujtosh se çfarë ke bërë në shërbim? Nëse është kështu, pse mos ta mbash shënim sa herë që del në shërbim? Disa përdorin një kalendar ose një ditar. Të tjerët mbajnë me vete një fletë të paplotësuar të raportit të shërbimit. Në fund të muajit, menjëherë dorëzoja raportin mbikëqyrësit të grupit tënd të studimit të librit. Ose, mund të vendosësh ta hedhësh raportin në kutinë e raporteve në Sallën a Mbretërisë. Në qoftë se harron ta dorëzosh raportin, shko menjëherë te mbikëqyrësi i studimit të librit, në vend që të presësh të vijë ai të të takojë. Duke qenë i kujdesshëm në raportimin e shërbimit tënd tregon respekt për rregullimin e Jehovait dhe konsideratë të dashur për vëllezërit që janë caktuar për të mbledhur e për t’i përpiluar të gjitha raportet.—Luka 16:10.
4 Roli i mbikëqyrësit të studimit të librit: Si një bari i vëmendshëm dhe syçelë, mbikëqyrësi i studimit të librit tregon interesim për veprimtarinë e grupit gjatë gjithë muajit. (Prov. 27:23) Ai e di nëse një lajmëtar po merr pjesë në shërbim rregullisht, me efektshmëri e me gëzim. Gjithashtu, është i shpejtë për të dhënë ndihmë nëse dikush nuk ka marrë pjesë në shërbim gjatë gjithë muajit. Një fjalë që të jep zemër, një sugjerim praktik, një ftesë për të dalë bashkë me të në shërbim, është shpesh gjithçka që nevojitet.
5 Në fund të muajit, mbikëqyrësi i studimit të librit sigurohet që të gjithë në grupin e tij e kanë përmbushur përgjegjësinë e tyre për të raportuar shërbimin. Kështu sekretari mund të dorëzojë një raport të saktë të kongregacionit në zyrën e degës para datës 6 të muajit pasues. Kur afrohet fundi i muajit, është praktike që mbikëqyrësi të kujtojë grupin e studimit të librit për raportin e shërbimit, si dhe të ketë në dispozicion fletë raporti në vendin ku mbahet studimi. Në rast se dikush harron shpesh të dorëzojë raportin, mbikëqyrësi mund të sigurojë përkujtues të përshtatshëm dhe inkurajim.
6 Dorëzimi i raporteve të shërbimit pa vonuar ndihmon për të përpiluar një raport që tregon me saktësi atë që është bërë në fushë. A do të bëjmë pjesën tonë për ta dorëzuar raportin e shërbimit pa vonuar çdo muaj?